Si u festua 7 Marsi në Shqipëri, nga urimet dhe premtimet e politikanëve te shkollat e boshatisura. 75 mijë nxënës më pak në 5 vitet e fundit

Mar 8, 2023 | 8:24
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Përgatitjet kanë nisur një ditë përpara. Radha në dyqanet e luleve është e gjatë, kush të marrë buqetën më të bukur për mësuesit.

dita

Shitësit kanë menduar edhe për ata që u gjetën të papërgatitur para dyerve të shkollës a kopshtit. Me karroca apo kova të mbushura plot me lule ofrojnë edhe për ata që nuk mundën dot të respektojnë në kohë mësuesit në ditën e tyre. Të tjerë e kanë menduar gjatë dhuratën, në jo pak raste të diktuar nga vetë mësuesja. Një çantë e shtrenjtë, parfum, bizhuteri, kuponë apo edhe udhëtime, duke e kthyer kështu atë që duhet të ishte një ditë festive në stres për prindërit.

Prej vitesh, 7 marsi është komercializuar, duke zëvendësuar lulet e thjeshta në shenjë mirënjohje e vlerësimi për përkushtimin, në dhurata me vlerë relativisht të lartë. Ky është shqetësimi kryesor i panoramës që ofrohet në shkollat pranë qendrës së qytetit. Nëse udhëtojmë vetëm pak kilometra larg Tiranës, në rrethina apo në qytete të vogla, shqetësimi ndryshon kahje tjetër. Ka shkolla që vuajnë për nxënës që gumëzhijnë në oborre e si asnjë ditë tjetër “7 marsi” duket krejt pa kuptim. Në shkollën 9-vjeçare në Zall Dajt janë shumë pak nxënës që frekuentojnë mësimin në klasa kolektive ku zhvillojnë mësim pesë mësues. Të tilla ka plot, të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Mungesa e një perspektive ka nxitur migrimin drejt qyteteve të mëdha dhe emigrimin jashtë vendit duke i çuar shkollat drejt mbylljes.

Reforma e klasave kolektive kërkon t’i shkrijë ato. Edhe të dhënat e INSTAT flasin për një rënie të ndjeshme të regjistrimeve në shkolla. Vetëm në 5-vjeçarin e fundit, institucionet arsimore numërojnë rreth 75 mijë nxënës më pak. Nga 652 mijë nxënës në vitin 2017-2018, numri është ulur në 557 mijë përgjatë 2021-2022. E me gjithë këtë rënie, raporti nxënës/ mësues është ende i lartë, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me më shumë nxënës për çdo një mësues, një tregues ky i cilësisë së mësimdhënies. Mesatarja evropiane është 13.6 nxënës për mësues, ndërkohë që vendi ynë rezulton me një raport 16.1 nxënës për një mësues.

URIMET

7 marsi nisi me urime të shumta për të dytin prind. Politika, si majtas e djathtas nuk ngurroi të urojë mësuesin në ditën e tij me fjalët më të zgjedhura. Të parët ishin Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama që uruan mësuesit përmes “Facebook”-ut. Ndërsa ministrja e arsimit, Evis Kushi zgjodhi një shkollë të rindërtuar pas tërmetit për të uruar arsimtarët. Duke qenë vit elektoral, nuk munguan premtimet se të tjera shkolla të reja dhe të sigurta do të jenë gati vitin e ardhshëm e bashkë me to edhe mbështetje për këtë kategori.

“Nuk është sot dita për të treguar se çfarë kemi bërë, por është më tepër dita që t’ju garantojmë që mbështetja për mësuesit do të vazhdojë. Mbështetja edhe për sa i takon pagave, edhe për sa i takon infrastrukturës, edhe kualifikimit e trajnimit, edhe çdo aspekti tjetër. Por mbi të gjitha për t’ju vlerësuar me dinjitetin që meritoni dhe për ta ngritur sa më lart figurën e mësuesit”, tha Kushi nga “Dhosi Liperi” në Sukth, nën shoqërinë e kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako dhe përfaqësues së UNDP, Monica Merino. Më tej, e para e arsimit, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri dhe kryebashkiakun e Elbasanit takuan mësues e pedagogë të Elbasanit, të cilët kanë dalë në pension. Nuk ka munguar dje edhe një urim nga ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka. Sigurisht me një zotim.

“Ne do të përpiqemi me të gjithë mundësitë që t’ju mbështesim akoma më shumë. Brenda pak muajsh, do të çelet qendra e parë kulturore në Greqi, e cila do të shërbejë si një hapësirë kulturore e artistike për komunitetin shqiptar”. Në festën e mësuesve nuk qëndroi neglizhente as Policia e Shtetit me një urim përshëndetës për ata që i quan bashkëpunëtorë për edukimin e një shoqërie larg fenomeneve negative. “Gjithnjë të gatshëm për bashkëpunëtorët tanë kryesor, për edukimin e një shoqërie larg fenomeneve kriminale dhe që shkolla të mbetet tempulli i dijes, ku sundojnë libri, rregulli dhe normat më të mira qytetare”, shkruhet në foton e një polici, teksa i dhuron një tufë me lule një mësueseje. Gjithashtu, gratë deputete të Kuvendit të Shqipërisë kanë shpërndarë një video mesazh për ditët e 7 dhe 8 marsit duke përcjellë mesazhe force, besimi dhe mbrojtje për të drejtat dhe barazinë e gruas në çdo strukturë dhe aktivitet institucional dhe shoqëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura