Si u falsifikua vula për “Vollgën”, iu dha Shullazit në formë të prerë

Apr 24, 2016 | 18:06
SHPËRNDAJE

Zgjerohet rrethi i personave të proceduar në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Pas procedimit të tre gjyqtarëve, organi i akuzës i qytetit bregdetar ka proceduar penalisht për “shpërdorim detyre” ish-kancelaren Ardena Veli dhe kryesekretaren e Gjykatës së Durrësit, Ardiana Kanina.

Fejzi Kodra-ShullaziSipas Prokurorisë, Kanina dhe Veli akuzohen se i kanë vendosur vulë të formës së prerë vendimit të dhënë nga gjyqtarët Vladimir Skënderi, Dhurata Bilo dhe Ndue Gjura, në lidhje me hotel “Vollgën”, ndërkohë që ndaj tij ishte bëre ankim.

Përveç tre gjyqtarëve, Prokuroria e Durrësit ka vënë nën hetim për “shpërdorim detyre” edhe kryesekretaren dhe ish-kancelaren e Gjykatës Durrës, përkatësisht Ardiana Kanina dhe Ardena Veli, pasi dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në lidhje e pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, në dëm të shtetasit Zanmir Hasa.

Sipas njoftimit të dhënë nga Prokuroria e Përgjithshme, ato dyshohet se vendimit të datës 18 shkurt të vitit 2013 të Gjykatës Durrës (që i hiqte pronësinë pronarit aktual), t’i kenë vendosur vulën sikur ka marrë vendimin e formës së prerë, veprim ky që i ka hapur rrugë regjistrimit në Hipotekë të pronës.

Ndërkohë që ndaj këtij vendimi ishte bërë ankim dhe pas Apelit, çështja ishte ende në gjykim në Gjykatën e Lartë. “Vënia e vulës sikur vendimi ka marrë formë të prerë ka bërë që vendimi të bëhej i zbatueshëm nga ZVRPP-ja Durrës, duke krijuar në vazhdim pasojat lidhur me disponimin e pasurisë për çështjen që ishte në gjykim”, bëri të ditur Prokuroria.

Sipas njoftimit të dhënë nga Akuza, kryerja e këtyre veprimeve nga Adriana Kanina, në cilësinë e kryesekretares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Ardena Veli, në cilësinë e kancelares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është në shkelje të hapur të ligjit procedural civil, ku parashikohet se kur vendimi merr formë të prerë.

“Konstatohet se vendimi me nr. 449, datë 18.02.2013, është konsideruar se ka marrë formë të prerë sipas vulës së vendosur nga administrata, konkretisht nga kryesekretarja, shtetasja Adriana Kanina dhe kancelarja Ardena Veli, më datë 18.03.2013, ndërkohë që rezulton se ndaj këtij vendimi është bërë ankim nga shtetasi Zanmir Hasa më datë 08.03.2013 dhe njoftimi i fundit për palën e paditur ZVRPP Durrës është bërë më datë 19.03.2013.

Ankimi i shtetasit Zanmir Hasa është kundërshtuar nga shoqëria ‘Saudit Brothers’ Commercial Company’ më datë 25.03.2013 dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr. 09, datë 28.03.2013, ka vendosur mospranimin e ankimit të ankuesit Zanmir Hasa.

Ky vendim është animuar, dhe Gjykata e Apelit me vendimin nr.3, datë 16.01.2015, ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 09, datë 28.03.2013, duke rrëzuar kërkesën e kërkuesit ‘Saudit Brothers Commercial Company’. Ndaj këtij vendimi është paraqitur rekurs nga sh.p.k. ‘Saudit Brothers Commercial Company’, më datë 26.01.2015 dhe në pritje të kësaj vendimmarrjeje dosja e vendimit nr. 449, datë 18.02.2013, nuk është dërguar në Gjykatën e Apelit për t’u shqyrtuar ankimi ndaj këtij vendimi nga shtetasi Zanmir Hasa.

Në këtë kontekst, vendimi gjyqësor me numër 449, datë 18.02.2013, nuk ka marrë ende formë të prerë dhe për këtë arsye nuk mund të zbatohej, ndërsa ka ndodhur e kundërta, pasi vënia e vulës sikur vendimi ka marrë formë të prerë ka bërë që vendimi të bëhej i zbatueshëm nga ZVRPP Durrës, duke krijuar në vazhdim pasojat lidhur me disponimin e pasurisë së përshkruar sa më sipër”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas Akuzës, këto veprime të kundërligjshme kanë krijuar pasoja të rënda në dëm të interesave të shtetasit, i cili është zhveshur nga pronësia mbi pasurinë dhe si të tilla, çmohet se këto shtetase kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura