Si u ekzekutua ish-themeluesi i PKSH-së? Dëshmia e rrallë: Pasi thithi disa herë cigaren, Anastasi tha ‘tani jam gati dhe unë e qëllova edhe dy herë të tjera me pistoletë atë qerrata…’

Jan 20, 2022 | 8:09
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur të ish-kryetarit të “Grupit Komunist të të Rinjve” Anastas Lula, me pseudonimin “Qorri”, një prej pjesëmarrësve në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e ’41-it, i cili me urdhër të Enver Hoxhës, më 12 mars të vitit 1943, u ekzekutua në fshatin Gllavë të Tepelenës, nga një njësit partizan i çetës së Ramiz Aranitasit, që komandohej nga Orhan Frashëri, në prezencë të gjithë banorëve të atij fshati, që ishin grumbulluar aty, me urdhër të atij njësiti partizan.  Dëshmitë e Hamit dhe Isuf Keçit, dy shokëve të shkollës së Anastasit, gjatë periudhës që ata studionin në Tekniken Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë, si dhe të Shyqëri Këllezit, ish-roja personale e Enver Hoxhës, gjatë periudhës së Luftës, lidhur me kontradiktat e thella të “Qorrit” me Enverin, Miladinin e Dushanin, gjatë dhe pas mbledhjes themeluese të PKSH-së, gjë e cila erdhi kryesisht për shkak të problemit të Kosovës!

dossieri1

Peripecitë e shumta të familjes Lula (me prejardhje nga trungu i familjes së ish-kryeministri të Monarkisë së Zogut, Pandeli Evangjeli), për gjetjen e eshtrave të Anastasit, pas takimeve të shumta që kishte bërë Dhimitraq Lula, me disa persona që i treguan dy ekzekutorët e vëllait, fjalët e fundit të tij para pushkatimit, si dhe vendin ku ata e kishin groposur atë, ku ai shkoi dhe i gjeti në vitin 1996!

“Më datën 12 mars 1943, erdhën në shtëpinë time për drekë një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit, të cilët komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një zëvendësi i tij, që quhej Dhori dhe ishte nga Kolonja. Ata na thanë se para tre orësh, kishin pushkatuar një ish-partizan në qafën e Gllavës, i cili quhej Anastas Lula. ‘Anastasin’ thanë ata, ‘e pushkatuam pse kishte dezertuar nga radhët e udhëheqjes në Tiranë dhe bashkëpunonte me okupatorin, kishte bërë tradhti ndaj Partisë Komuniste dhe Komitetit Qendror. Prandaj Komiteti Qendror, urdhëroi që ai të pushkatohej’.

‘Neve’, tha Orhan Frashëri, ‘para se ta pushkatonim, mblodhëm një pjesë të popullatës të Gllavës, e lexuam urdhrin e Komitetit Qendror dhe pasi e pyetëm, se çfarë kishte për të thënë, Anastasi, u përgjigj: dua një cigare duhan’. Pasi e kishte vënë cigaren në gojë, si thonin ata, ai e kishte thithur disa herë dhe pastaj e kishte flakur, duke ju drejtuar atyre: ‘Tani jam gati. Të rrojë Shqipëria’! Pasi kishte thënë këto fjalë Anastasi, ata e kishin qëlluar me breshëri automatiku. ‘Kështu’ tha Dhori, ‘unë qëllova edhe dy herë të tjera me pistoletë mbi atë qerrata…! Dhori në atë kohë, ishte rreth 35 vjeç, me gjatësi mesatare dhe me flokë të zeza.

Më vonë mora vesh, se Anastas Lula, kishte qenë nga Kolonja dhe ishte kryetar i “Grupit Komunist të Rinjve” dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë”. Kështu shprehej në mes të tjerash në dëshminë e tij, Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, lidhur me vrasjen e Anastas Lulës, ish-kryetar i Grupit Komunist të Rinjve” dhe njëri prej themeluesve të Partisë Komuniste Shqiptare, i cili me urdhër të Enver Hoxhës, më 12 mars të vitit 1943, u ekzekutua nga një njësit partizan i çetës së Ramiz Aranitasit, që komandoheshin nga Orhan Frashëri, prokuror i njohur para viteve ’90-të në qytetin e Beratit, (ka ndërruar jetë para pak vitesh në moshën të madhe), i cili mban titullin “Qytetar Nderi” i Beratit, Skraparit, Mallakastrës dhe komunës Frashër në Përmet.

Miladini dhe Dushan Mugosha akuzojnë Anastasin si aventurier!

Sipas dëshmive të Shyqëri Këllezit, që pas mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, Miladini dhe Dyshani filluan të dalin hapur kundër Anastasit dhe Sadikut, duke i akuzuar ata si “aventurier, fraksionistë grupesh” e lloj-lloj epitetesh të tjera, pasi Anastasi e Sadiku, kishin pranuar të merrnin pjesë në mbledhjen themeluese, duke kujtuar se ajo do të bëhej në shtëpinë e Bije Vokshit (në fund të muajit tetor), ku ata ishin thirrur për të sheshuar mosmarrëveshjet që kishin tre grupet komuniste, ndërmjet tyre. Një ndër akuzat që ju bënte Enveri me Miladinin, Anastasit e Sadikut, ishte se: grupi që drejtohej prej tyre, (“Grupi Komunist i të Rinjve”), nuk kishte pranuar direktivat e Kominternit, kurse “Grupi i Korçës”, i kishte pranuar dhe përqafuar ato.

Misteri i arrestimit të shokut të Anastasit, Sinan Gjonit “Rrumbullakut”!

Në datën 12 prill të vitit 1942 u mbajt mbledhja e parë e Aktivit të Partisë Komuniste Shqiptare e cila përfundoi më datën 14 dhe në atë mbledhje mungonte Koçi Xoxe, që pritej të ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste, pasi ai ndodhej në burgun e Tiranës, (që nga viti 1941), kur u arrestua nga autoritetet italiane së bashku me Andon Deçkën. Sipas dëshmive të Shyqëri Këllezit, (ish-roja personale i Enver Hoxhës në periudhën që ai qëndronte në ilegalitet në Tiranë), gjatë asaj mbledhje, Enveri kishte zënë vend dhe qëndronte afër Miladinit, gjë e cila linte për të kuptuar qartë, se ai ishte personi i preferuar i tij që do të drejtonte partinë, duke u zgjedhur Sekretari i Përgjithshëm Provizor. Në atë mbledhje, Enver Hoxha kritikoi ashpër Anastas Lulën dhe Sadik Premten, duke i akuzuar ata “për frymën e grupazhit dhe fraksionistë, që pengojnë punën e partisë, duke mbajtur lidhje të vjetra me shokët e grupit”. Po kështu në atë mbledhje, Enveri filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të tjerë të “Grupit Komunist të Rinjve”, të cilët ishin të shpërndarë në rrethe të ndryshme të vendit, si p.sh. me Sinan Gjonin (“Rrumbullaku”), që ishte Sekretar Organizativ i Komitetit të Partisë për Qarkun e Vlorës, i cili kishte ardhur në atë mbledhje bashkë me Hysni Kapon, Sekretar Politik i Qarkorit të Vlorës. Pas asaj mbledhje, Sinan Gjoni ndahet nga Enver Hoxha dhe bashkë me pesë shokë të tjerë nisen për t’u kthyer në Vlorë, por në të dalë të Fierit, ata ndalohen në një postbllok nga patrulla italiane dhe arrestohen prej tyre, pasi të gjithë ishin të armatosur. Po atë ditë ata i dërgojnë të lidhur për në burgun e Tiranës dhe pas disa ditësh, ata i nxjerrin para gjyqit, ku tre prej tyre, Hamid Mëzezin, Ferit Xhajkun e Nikolla Tupen, i dënojnë me vdekje dhe i ekzekutojnë me varje në litar në mes të Tiranës, në afërsi të Sheshit “Avni Rustemi”. Sipas dëshmive të Shyqëri Këllezit, Anastas Lula dhe Sadik Premtja, bënë përgjegjës Enver Hoxhën, si njeriun që kishte gisht në arrestimin e tyre dhe ajo gjë, irritoi pas masë, pothuaj pjesën më të madhe të “Grupi Komunist të të Rinjve”.

Ekzekutimi i Anastas Lulës, me urdhër të Enver Hoxhës!

Vetëm pak kohë pas mbledhjes së aktivit të Partisë Komuniste Shqiptare që u mbajt në prillin e vitit 1942, Enver Hoxha me ndihmën e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, e shkarkoi Anastas Lulën nga funksionet drejtuese që ai mbante në Parti dhe e urdhëroi atë që të shkonte si partizan i thjeshtë në një çetë partizane që vepronte në zonën e Beratit dhe Skraparit, ku si komisar politik i saj, ishte Ramiz Aranitasi. Edhe pse ishte i bindur se atje po e dërgonin për ta eliminuar fizikisht, si komunist idealist që ishte, Anastasi e pranoi vendimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe shkoi pranë asaj çete, ku vetëm pak ditë më pas, ai do të pushkatohej nga një njësit i saj. Lidhur me këtë ngjarje, pas viteve ’90-të ka dëshmuar Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, i cili midis të tjerash shprehej: “Më datën 12 mars 1943, erdhën në shtëpinë time për drekë një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit, të cilët komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një zëvendësi i tij, që quhej Dhori dhe ishte nga Kolonja. Ata na thanë se para tre orësh, kishin pushkatuar një ish-partizan në qafën e Gllavës, i cili quhej Anastas Lula. Anastasin thanë ata, e pushkatuam pse kishte dezertuar nga radhët e udhëheqjes në Tiranë dhe bashkëpunonte me okupatorin, kishte bërë tradhti ndaj Partisë Komuniste dhe Komitetit Qendror. Prandaj Komiteti Qendror, urdhëroi që ai të pushkatohej. Neve, tha Orhan Frashëri, para se ta pushkatonim, mblodhëm një pjesë të popullatës të Gllavës, e lexuam urdhrin e Komitetit Qendror dhe pasi e pyetëm se çfarë kishte për të thënë, Anastasi, u përgjigj; dua një cigare duhan. Pasi e kishte vënë cigaren në gojë, si thonin ata, ai e kishte thithur disa herë dhe pastaj e kishte flakur, duke ju drejtuar atyre: Tani jam gati. Të rrojë Shqipëria! Pasi kishte thënë këto fjalë Anastasi, ata e kishin qëlluar me breshëri automatiku. Kështu tha Dhori, unë qëllova edhe dy herë të tjera me pistoletë mbi atë qerrata…! Dhori në atë kohë, ishte rreth 35 vjeç, me gjatësi mesatare dhe me flokë të zeza. Më vonë mora vesh, se Anastas Lula kishte qenë nga Kolonja dhe ishte kryetar i “Grupit Komunist të Rinjëve” dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë”. Po kështu përveç dëshmisë së Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, për ekzekutimin e Anastas Lulës ka dhënë versionin e tij edhe një tjetër dëshmitar, (që nuk pranoi të identifikohej) i cili tregonte, se: “Një natë para vrasjes, Anastasi bashkë me Orhan Frashërin, kanë qenë në fshatin Zhapokike të Tepelenës dhe natën, Orahanit i ka ardhur një letër nga një korier dhe ai (Orhani), ka zgjuar të gjithë shokët bashkë me Anastasin dhe kanë vazhduar rrugën për gjithë natën, duke ecur në drejtim të Gllavës. Kur mbërritën aty, Orhani dërgoi dy partizanë që mblodhën fshatin dha hapën gropën, që e mbuluan përsëri pranë një gorice, kur e pushkatuan Anastasin”.

Përse Enveri nuk e ekzekutoi dot shokun e Anastasit?!

Ndërsa për vrasjen e Anastasit Enveri nuk pati shumë telashe, sepse ai ndodhej i vetëm në atë çetë, pa asnjë nga shokët e tij, që kishte nga “Grupi i të Rinjve”, me Sadik Premten, problemi qëndronte ndryshe, pasi ai ndodhej në zonën e tij dhe kishte pasur një mbështetje të madhe edhe nga disa prej shokëve kryesorë të Qarkorit Komunist të Vlorës. Nisur nga ky fakt, siç dëshmon edhe në kujtimet e tij, Enver Hoxha u nis vetë për në Vlorë, për të shpartalluar grupin fraksionist të “Xhepit” e “Qorrit” (pseudonimet e Sadikut dhe Anastasit). Por Sadiku arriti t’i shpëtojë ekzekutimit, pasi ai pati mbështetjen e komandantit të çetës “Plakë” të Vlorës, Neki Ymerit (me pseudonimin “Vangjo”) dhe Xhemil Çakërit, e të të tjerëve, si: Qazim Çakeri, Pali Terova, Mynir Xhindi, Abaz Fejzo etj. Aq i madh ishte ndikimi Sadik Premtes dhe i “Grupit të Rinjve” në Qarkorin e Vlorës, saqë Enveri kërkoi që të vinte aty vetë Miladini dhe Liri Gega, të cilët emëruan një Komitet Qarkor të ri, me në krye Hysni Kapon. Lidhur me këtë, në një letër të tij dërguar Komitetit Qarkor të Vlorës më datën 3 maj 1943, Enver Hoxha midis të tjerash shkruante: “Partia duhet t’i fusë tmerrin armiqve. Për këtë duhet kësisoj, “Xhepi” (Sadik Premtja) dhe Pali Terova, të pushkatohen si tradhtarë dhe si fraksionistë të betuar të partisë e të popullit. Njëkohësisht të arrestohen “Vangjua” (Neki Ymeri) e “Difi” (Qazim Çakeri)…! Në rast se nuk pendohen dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim antiparti, edhe ata të pushkatohen”. Në zbatim të këtij urdhri, Qarkori i Vlorës arrestoi Pali Terovën, “Vangjon” dhe “Milon” (Xhemil Çakerrin). Ndërsa Sadik Premten nuk mund ta arrestonin dot, sepse ai pati një influencë dhe mbështetje të madhe në fshatrat e Vlorës dhe nisur nga ky fakt, ai mundi t’i shpëtonte disa grackave që ju ngritën. “Vangjon” (Neki Ymerin), dhe e Xhemilin (komandantin e komisarin e Çetës Plakë të Vlorës), i mashtruan, duke u thënë të shkonin në Mallakastër, për t’u takuar me Mehmet Shehun, me qëllim koordinimin e veprimeve luftarake, për të përballuar operacionet që pritej të niseshin nga pushtuesit. Pasi çeta mbërriti në Mallakastër, një njësit partizan i Mehmet Shehut, (me në krye Idriz Seit Sadikaj), i arrestuan ata në mullirin e Kotës, ku në tentativë për t’u arratisur, aty mbeti i vrarë Hydajet Micoli (“Dysheku”). Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një letër që Mehmeti i dërgonte më vonë Liri Gegës e Hysni Kapos, ku midis të tjerash ai shkruante: “I dashur “Muzhik” e “Besnik”. Sipas urdhrit që m’u dërgua, “Vangjo” dhe “Difi” (Xhemili) u arrestuan. I kam lidhur e janë në duar të sigurta. “Difi” me doktorin (Ibrahim Dervishi, ish-anëtar i “Grupit të të Rinjve”) më erdhën pardje dhe m’u paraqitën të alarmuar, e ma treguan çështjen…! “Difin” arrestojeni andej”. Më pas, më datën 12 maj 1943, pasi njofton për vrasjen e Xhemil Çakërrit (“Difi”), e “Dyshekut” (Idajet Micolit) dhe plagosjen e “Vangjos” (Neki Ymerit), tek mulliri i Kotes, Mehmet Shehu në letrën e tij shton: “Difi më shkruan sot nga Tragjasi e më thotë se populli i revoltuar, kërkon Palin, ata janë me armë dhe gjendjen ma përshkruan shumë katastrofike. Pëshpëritet që sikur ju paski lëshuar Palin. Po qe e vërtetë, është faj i rëndë, e s’besoj ta keni bërë. Mos çedoni asnjë milimetër para presionit të kujtdo qoftë”. Pas vrasjes së Xhemil Çakërrit dhe Idajet Micolit, si dhe pas arrestimit të Pali Terovës e Neki Ymerit (“Vangjo”) gjendja në Qarkun e Vlorës u acarua shumë dhe populli i revoltuar kërkonte shpjegime prej Hysni Kapos, por sidoqoftë, Enver Hoxha ja kishte arritur synimit, të eliminonte shumë nga anëtarët e “Grupit Komunist të Rinjve”, që kishin pozita kyçe aty dhe ishin nën influencën e Sadik Premtes dhe Anastas Lulës, dy krerëve kryesorë të atij grupi.

Si u gjetën eshtrat e Anastas Lulës pas 59 vitesh në Gllavë?

Pas viteve ’90-të, një nga preokupimet e para që kishte familja e Anastas Lulës, ishte gjetja e eshtrave të tij dhe atë barrë të madhe e mori përsipër vëllai, Dhimitraqi, apo siç njihej ndryshe nga familja dhe miqtë e tij, Taqo, i cili për disa kohë kishte mundur të shërbente edhe si arsimtar në rrethin e Kolonjës. Nisur edhe nga njëfarë njohje që ai mundi të krijonte me instancat e larta zyrtare pas vitit 1992, (pasi ishte zgjedhur në funksionin e Kryetarit të Partisë Demokratike për degën e Kolonjës), Taqo filloi kërkimet për të gjetur eshtrat e vëllait të tij, pasi më parë kishte bërë dy-tre takime me disa të moshuar që ishin me origjinë nga fshati Gllavë, ku ishte ekzekutuar Anastasi. Vrasja e tij në marsin e ’43-it, nuk kishte kaluar fare pa bujë, por përsëri gjetja e eshtrave të tij paraqiste shumë vështirësi, pasi ajo ngjarje kishte ndodhur në atë zonë të thellë, ku atë nuk e njihnin fare dhe nuk kishte kush të interesohej për t’a ruajtur vendin ku e kishin groposur! Por ndërkohë, shumë nga fshatarët që u detyruan të merrnin pjesë dhe të ishin prezent si dëshmitarë okularë në atë skenë makabre, e kishin fiksuar në kujtesë, gropën ku e mbuluan Anastas Lulën pas pushkatimit, aty pranë një gorice. Këtë gjë, Taqo Lulo e kishte mësuar shumë vite më parë, kur vëllai tjetër i tij, Sarandi Lula (ish-ushtarak, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik), gjatë periudhës së vuajtjes së dënimet në kampet e burgjet politike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, nga disa bashkëvuajtës të tij, kishte mësuar se Anastasi ishte pushkatuar në Gllavë dhe atë gjë ja kishte bërë të ditur Taqos, me anë të një letre, të cilën e kishte shkruar me nënkuptime. Sarandit nuk i’u dha kurrë mundësia që të bënte ndonjë gjë për gjetjen e eshtrave të vëllait të tij, Anastasit, edhe pse me disa nga bashkëvuajtësit e tij ai shprehej se mezi e priste atë ditë që do të lirohej nga burgu për të shkuar në fshatin Gllavë e për të vënë një tufë me lule poshtë asaj gorice ku prehej i vëllai, pasi u sëmur në Burgun e Spaçit dhe vdiq në spitalin e burgut në Tiranë, në vitin 1986. Kështu kjo gjë i kishte mbetur tashmë vetëm Dhimitraqit, i cili përveç Anastasit, kishte dhe dy vëllezër të tjerë ende pa një varr. I pari ishte vëllai dytë i tyre, i cili kishte vdekur në një Sanatorium të Italisë gjatë periudhës së Luftës, ndërsa tjetri ishte Sarandi, varrin e të cilit ai mundi ta mësonte vetëm pas viteve ’90-të, pasi sipas ligjeve të regjimit komunist, familja mund të merrte eshtrat e tij vetëm pasi ai të kishte plotësuar vitet e dënimit. Kështu pas gjetjes së varrit të Sarandit, diku në periferi të Tiranës, në vitin 1996, Taqo Lula shkoi në fshatin Gllavë, për të kërkuar: “Po e dimë ne jemi rritur në atë varr”. “Nëna më thoshte se mos pushoni nën atë goricë, mbi atë varr, se nuk është mirë”. “Ka qenë dita e Sulltan Novruzit, kur është pushkatuar dhe do jetë varr i mirë, më thoshte nëna….”! Kështu i thanë fshatarët e Gllavës, Taqos, kur ai me disa të afërm të tij që e shoqëronin po kërkonin duke gërmuar poshtë goricës. “E kërkoni gabim, ai ndodhet këtu poshtë, më ka treguar babai im, Rakipi”, tha një djalë i ri që quhej Dashamir dhe filloi të kërkonte me duar në gropën e porsa hapur…. me qëllim që të mos dëmtonte eshtrat që ndodheshin aty prej shumë vitesh….! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura