Si u bënë shqiptarët me drejtësi

Nov 23, 2017 | 10:55
SHPËRNDAJE

lavdrim-litaLAVDRIM LITA

Reforma në sistemin e Drejtësisë është përpjekja më madhore  e dhjetëvjeçarit të fundit të komunitetit ndërkombëtar dhe vendas për t’i dhënë fund tranzicionit në jetën publike. Kjo për shkak se reforma e drejtuar për nga sistemi, ka si qëllim të thënë reformimin e organeve të drejtësisë dhe si qëllim të pathënë motivimin e shoqërisë përmes ngritjes së nivelit të mirëqeverisjes dhe rritjes së standardeve demokratike.

Përpjekje për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, të gjithëpranueshme dhe moderne ka pasur edhe herë të tjera, qysh në fillimin e ndërtimit të shtetit shqiptar, ku më të njohurat janë instalimi i një modeli perëndimor i drejtësisë në kohën e presidentit dhe Mbretit Zog, ndryshimi i sistemit pas kolapsit të regjimit komunist dhe së fundmi reforma e sistemit aktual të drejtësisë.

Shpallja e pavarësisë dhe krijimi i shtetit të pavarur kombëtar nga Ismail Bej Vlora më 28 nëntor 1912 ishte ngjarja më e madhe historike për kombin shqiptar. Por në ditët e para të qeverisë së Vlorës shfaqej haptazi mungesa e formës juridike të shtetit të ri të shqiptarëve, e cila përpiqej kundër kohës të hidhte sa më shumë themele.

Me aktet e para me rëndësi juridike – Kanunin e Zhurisë (13 maj 1913) dhe kanuni i dëmeve, jepet nocioni i fajit (veprës penale) si veprim që prek të drejtat e njeriut, jetën, shëndetin, lirinë dhe pronën e tij. Në kanunin e jurisë parashikoheshin rregullat procedurale të hetimit e të gjykimit në gjuhë shqipe. Megjithatë, përkohësisht Qeveria e Vlorës ishte e detyruar të linte në fuqi Kodin Penal të Perandorisë Osmane të vitit 1878, derisa të përgatitej e të hynte në fuqi Kodi Penal i shtetit shqiptar, që zgjati deri në vitin 1928.

Rënia e qeverisë së Vlorës do të thoshte vetiu rënie të sistemit juridik të krijuar prej saj. Me ardhjen në fuqi të Princ Guljelmit (1914), sipas Statutit Organik të Shqipërisë, u krijua dhe u vu në zbatim dekreti “Për gjykatat e drejtësisë në Shqipëri”, sipas të cilit u krijuan gjykatat fillore, të apelit dhe Gjykata e Diktimit. Po ky ligj mbeti në letër për shkak të Luftës së Parë Botërore kur Shqipëria u bë shesh luftërash dhe princi i huaj u largua.

DREJT FORMËS…

Megjithatë për sistem drejtësie në vend në kuptimin e plotë të fjalës mund të flitet pas Kongresit të Lushnjës (1920), kur shteti shqiptar filloi të stabilizohej e të funksiononte normalisht, si dhe të nxirrte akte normative, që përmbanin norma me karakter penale, të cilat synonin në goditjen e krimit dhe ruajtjen e mbrojtjen e rendit e të sigurisë, të jetës, shëndetit, pasurisë etj.

Pas Kongresit të Lushnjës, në janar të vitit 1921, me dekret të Këshillit të Naltë u formua sistemi i ri gjyqësor që përfshinte 18 gjykata paqtuese, 7 gjykata të shkallës së parë dhe një gjykatë diktimi me qendër në Shkodër.

FORMA NË DREJTËSI

Në periudhën qeverisëse të Ahmet Bej Zogut, si kryeministër, president dhe mbret ka pasur një përpjekje të jashtëzakonshme për të shtrirë në të gjithë vendin sistemin e drejtësisë, sipas një modeli perëndimor, ku kulmi ishte miratimi i Kodit civil Napoleonik si kod Civil i Mbretërisë (1929), që parashikonte dhe garantonte të drejtat e individit dhe për herë të parë e parashikoi kontratën e martesës, e cila duhej bërë me akt publik para noterit. Juristët përgatitën dhe u miratua Kodi Penal i shtetit shqiptar, i cili hyri në fuqi më 1 janar 1928.

Kodet u hartuan nga mendje të ndritura juridike si Mehdi Frashëri, Petro Poga, Thoma Orollogaj, Agjah Libohova, Martin Ivanaj, Baltazar Benusi e Faik Shatku e shumë të tjerë. Pasi tij doli Kodi Civil (1929), Kodi Tregtar (1932). Kodi penal shqiptar zëvendësoi kështu Kodin penal osman të vitit me shtojcat e mëvonshme, si dhe me ligjet e posaçme penale të nxjerra nga shteti shqiptar.

Kodi penal i shtetit shqiptar është ndërtuar sipas modelit të kodeve penale të shteteve europiane, e konkretisht, duke pasur si model kryesor Kodin penal të Italisë të vitit 1889, si dhe legjislacionin penal të shteteve të tjera të Europës për disa institute që nuk i përmbante Kodi penal i Italisë.

Në këtë periudhë kemi pasur ngjarje të mëdha juridike, që për t’u kujtuar mbetet hedhja poshtë e një dekreti mbretëror përmes gjykatës apo fitimi i gjyqit të gazetarit Nebil Cika kundra parlamentit të kohës. Pa dyshim, përpjekja e dytë madhore për të dhënë një sistem drejtësie të merituar vendit ishte në periudhën ndërmjet viteve 1991- 1995, pas rënies së regjimit komunist, ku drejtësia ishte një shtojcë e Partisë së Punës.

Pas përmbysjes së komunizmit dhe hyrjes në një fazë të pluralizmit politik, që nënkuptonte një sistem demokratik sipas modelit europian, shteti shqiptar kishte si sfidë ndryshimin në thelb të sistemit të drejtësisë mbi baza demokratike. Në këtë frymë u konkretizuan dhe u miratuan Dispozitat kryesore kushtetuese (1991), të cilat shfuqizuan Kushtetutën e vitit 1976 dhe paraprakisht hyri në fuqi legjislacioni i ri dhe i tërë sistemi i drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë që vepronte plotësisht deri më sot ishte konceptuar në fillim të viteve ’90, ku Shqipëria dhe shqiptarët ishin shumë ndryshe. Sidoqoftë përpjekja e tretë madhore për të reformuar sistemin e drejtësisë nisi pas marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, që kulmoi në ndryshimet kushtuese të 2016, si një investim i drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA konstatuan se sistemi i drejtësisë vendas ishte dobësia strukturore e aleatit strategjik në brigjet e Adriatikut.

Në këtë kontekst mund të kuptohet roli përcaktues i ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Lu, që bashkoi në një mendje 140 deputetë të Republikës për të votuar ndryshimet kushtetuese. Ky është rasti i parë dhe i fundit i një mrekullie politike. Prej 15 muajsh të nisjes së reformës, qeveria e SHBA përkrah fuqishëm levën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si përmbushje të aspiratave të popullit shqiptar dhe interesave strategjike të tyre për aleatë të fuqishëm.

Sipas tyre, procesi i vettingut për sistemin e drejtësisë, që është një nga komponentët kryesorë të reformës në drejtësi, dhe rezultatet e saj të para do të mundësojnë çeljen e negociatave me BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura