Si u arrit tek arrestimi i Redjan Rrajës, lëvizjet e Policisë nga kontrolli në banesë tek ndalimi në Port

Nov 6, 2019 | 10:46
SHPËRNDAJE

rraja-537x360

Një nga tre personat që ndodheshin në automjetin që qëlloi në drejtim të prokurorit Arian Ndoja, shoferit të tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahos, dyshohet se ka qenë kushëriri i deputetit të Krujës, Rrahman Rraja.

Bëhet fjalë për Redjan Rrajën, 34-vjeçarin që për Policinë, por edhe për median, nuk është një emër i panjohur, të paktën gjatë tri viteve të fundit, ku rezulton i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Redjan Rraja është personi i parë që arrestohet nga Policia në lidhje me anëtarin e së premtes te Mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur prokurori Ndoja, miku i tij, Laho apo i njohur me pseudonimin “Rrumi”, por edhe si Pëllumb Muharremi, si dhe shoferi Maloku.

Rraja, ish-stomatolog i Burgut të Fushë-Krujës, që rezulton i pajisur edhe me dokumente kanadeze, është ndaluar në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Burimet thanë se fillimisht është bërë një kontroll i banesës së tij në Nikël të Fushë-Krujës, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, më pas ai është ndaluar në Portin e Durrësit.

Pasi është mbajtur disa orë i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij, si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja.

Ndërkohë, burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë dje se janë identifikuar edhe dy persona të tjerë, me origjinë nga veriu i vendit, si të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura