Si t’i shpëtosh puçrrave nga djersa

Oct 20, 2014 | 14:56
SHPËRNDAJE

Kur vjen çështja te pamja e jashtme dhe estetika, lëkura është pa dyshim një nga gjërat më të rëndësishme. Të dyja gjinitë kërkojnë të kenë një lëkurë të pastër dhe të bukur, por besojmë se nuk gabojmë nëse themi se femrat janë më të dhëna në këtë pikë. Një nga problemet e lëkurës është edhe mbushja e zonave të caktuara me puçrra të vogla, e njohur edhe si puçërrosja.

Çfarë është puçërrosja e lëkurës?
Puçërrosja ose skuqja e lëkurës, është një skuqje e dhimbshme dhe e kruajtshme e puçrrave të vogla e të kuqe në zonën e prekur. Kjo është diçka e zakonshme në zonat e ngrohta dhe me lagështirë.
Çfarë e shkakton skuqjen e lëkurës?
Puçrra është shkaktuar nga një bllokim dhe inflamacion i djersës gjatë kohës së ekspozimit ndaj nxehtësisë dhe lagështisë së lartë. Këto kanale të bllokuara shkaktojnë djersë në afërsi të indeve duke prodhuar një ndjenjë kruarjeje që lidhet me këtë gjendje.
Cilat janë simptomat e puçërrosjes?
Njolla të vogla të kuqe, të cilat zakonisht shfaqen në pjesët e trupit si në sqetull, nën gjoks, kraharor, ije, bërryla, gjunjë dhe bel. Ajo shkakton një ndjenjë kruarjeje dhe pickimi, por edhe skuqje dhe ënjtje të butë të zonës së prekur.
Çfarë mund të bëjmë për të trajtuar puçërrosjen e lëkurës?
Trajtimi i skuqjeve të lëkurës është i thjeshtë dhe zakonisht nuk kërkon ndihmë mjekësore. Probleme të tjera të lidhura me nxehtësinë mund të jenë më të rënda. Prandaj këshillohet të visheni me rroba të lehta, të çelura dhe të buta. Është mirë të shmangen rrobat që thithin nxehtësinë. Për këtë, produktet natyrale prej pambuku janë më të mirat. Qëndroni në ambiente me ajër të kondicionuar, të freskëta ose në ambiente të ventiluara mirë. Nëse është e nevojshme, përdorni një freskore. Rekomandohet të bëni dushe ose banjo të shpeshta e të ftohta. Pas larjes duhet të thani veten mirë dhe të përdorni pudër në zonat e prekura. Nuk duhet të kruani lëkurën dhe këshillohet edhe përdorimi i locioneve të veçanta, enkas për të zbutur zonat e prekura. Por duhet të shmanget përdorimi i vajrave ose kremrave, pasi ato e mbajnë lëkurën e butë dhe të lagësht dhe e përkeqësojnë gjendjen. Duhet pyetur mjeku ose farmacisti rreth antihistaminave ose kremrave me dozë të vogël steroidesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura