Si të veprojnë Hipotekat me taksën e ambienteve të përbashkëta?

Jun 22, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

KLSH-1-3ALFRED CAKO*

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), përveç se propozon dhe këshillon për ndryshime ligjore dhe ndryshime të tjera sa herë që ka dispozita ligjore bllokuese apo një vakum ligjor, ai është një gardian për rritjen e standardeve të respektimit të kuadrit ligjor ekzistues dhe ndaljen e gabimeve, keqinterpretimeve apo edhe abuzimeve me këtë kuadër ligjor. Në këtë kuptim, mund të analizonim një aspekt të rëndësishëm të keqinterpretimit apo abuzimit me ligjin nga ana e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive (ZVRPP-ve), gjatë regjistrimit të pasurive në procesin e kalimit të pronësisë në lidhje me taksën për kalimin në pronësi të ambienteve të përbashkëta.

Ka një shqetësim dhe interes të mirëkuptuar prej KLSH-së nga ana e Shoqatave të Ndërtuesve ose të bizneseve, që operojnë në fushën e ndërtimeve, të cilat i janë drejtuar edhe KLSH-së me kërkesë për konsultime me argumente joligjore për të intimiduar veprimet e saj gjatë auditimeve në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive. Në të njëjtën gjatësi vale me ndërtuesit janë edhe punonjësit e ZVRPP-ve, që kanë sjellë një reagim kundërshtues të paargumentuar në ligje nga ana e tyre, në lidhje me kërkesën këmbëngulëse të KLSH-së që të rikuperojnë dëmin ekonomik të shkaktuar në buxhet dhe që të ndryshojnë dhe të marrin në konsideratë në të ardhmen edhe trajtimin e taksës së ambienteve të përbashkëta gjatë regjistrimit të pasurive, duke i sjellë kështu arkës së shtetit të ardhura të konsiderueshme të munguara në mënyrë abuzive dhe korruptive.

Shkelja e këtij kuadri rregullator në mënyrë spekulative dhe korruptive, sigurisht që ka kohë që po goditet hap pas hapi nga ana e KLSH-së, duke i ardhur në ndihmë të buxhetit dhe interesit shtetëror e publik dhe duke ngritur edhe në këtë aspekt kërkesat për standardet e punës së ZVRPPve. Por le të flasim pak më teknikisht mbi problemin me gjuhën e argumenteve ligjore mbi pretendimet e ndërtuesve & ZVRPP-ve kundër kërkesës së KLSH-së.

Ndaj kërkesave dhe pretendimeve të bashkuara të mëposhtme në thelb të dy palëve, me kërkesa me ngjyrim paksa të ndryshëm, por synim të njëjtë, përgjigjet e argumentuara të KLSHsë kanë qenë e do të jenë në thelb si më poshtë:

1-Ndërtuesit ngrenë pretendimin se kërkesa e KLSH-së ndaj Zyrave të Regjistrimit të Pasurive për taksimin e ambienteve të përbashkëta do të ngrinte më tej koston e ndërtimeve, nuk është e vërtetë, pasi gjatë kontratave ligjore për transferimin e pasurisë nga ndërtuesit te blerësit e banesave, këta të fundit paguajnë sipas përqindjes në kate edhe përqindjen e ambienteve të përbashkëta, vlerë për të cilën ndërtuesit nuk duan të paguajnë taksën e kalimit në pronësi.

Në këtë kuptim zbatimi i ligjit mund të ulte vetëm fitimin mbi baza abuzive ose korruptive të ndërtuesve. Gjithashtu, ndërtuesit kanë ngritur pretendime të pabaza në letrat e tyre drejtuar KLSH-së sikur punonjësit e saj gjatë auditimeve kanë kërkuar edhe regjistrimin e truallit funksional të ndërtesës të pazënë me ndërtime, gjë që nuk është e vërtetë pasi raportet dhe vendimet e auditimeve të KLSH-së kanë kërkuar taksën e kalimit të pronësisë vetëm për ambientet e përbashkëta brenda godinës së ngritur.

2- Punonjësit e ZVRPP-ve në observacionet e tyre kundër kërkesës së KLSH-së ndaj tyre për rikuperimin e dëmit të shkaktuar nga mostaksimi i ambienteve të përbashkëta dhe ndryshimin e veprimeve të tyre në të ardhmen, kanë pretenduar pa baza ligjore, duke thënë se ‘sipërfaqja e përbashkët nuk mund të jetë e tatueshme, për faktin se ajo nuk shprehet në metër katror, por në përqindje (%)!!!, dhe se në referim të nenit 28 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.1996 “Për Sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, taksimi i sipërfaqeve të përbashkëta nuk është kompetencë e ZVRPP-së, por e bashkisë.

Argumenti i audituesve të KLSH-së për këtë çështje ka qenë kundër këtij pretendimi, për faktin se taksa për kalimin e pronësisë vendoset për të gjitha sipërfaqet e ndërtesës (qoftë e përbashkët apo jo), për të cilën transferohet e drejta e pronësisë. Në përqindje (%) shprehet “kuota e pjesëmarrjes” dhe jo sipërfaqja, siç pretendohet. Në fakt, sipërfaqet e përbashkëta regjistrohen në m2 sipas ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe konkretisht nenit 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”.

Por nga ana e audituesve të KLSH-së argumentohet se edhe shprehja në përqindje (%), sigurisht që mund të përkthehet lehtësisht në sipërfaqe për m2 thjesht duke kryer një veprim të thjeshtë matematikor. Për më tepër, sipërfaqet e përbashkëta janë të mirëpërcaktuara në aktin e kolaudimit dhe në projektin arkitektonik, të cilin punonjësit dhe regjistruesi i ZVRPP-ve duhet ta kontrollojë me detaje përpara vijimit me regjistrimet përkatëse. Së dyti, pretendimi i këtyre punonjësve se nuk është kompetenca e ZVRPP-së vjelja e taksës së kalimit të pronësisë për sipërfaqet e ndërtimit, por kompetencë e bashkive, kjo është totalisht e pabazë për shkak se në nenin 28, pika 4 e ligjit nr. 9632, datë 30.10.1996 “Për Sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, citohet se “Vjelja e taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për ndërtesat bëhet nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme…”.

Në vazhdim, në këtë debat tekniko-ligjor, KLSH-ja ka këmbëngulur sipas kësaj fryme të shpjeguar më lart se është detyra e ZVRPP-ve që në përputhje me ligjin nr. 33/2012, datë 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, pika 2, të kryejnë regjistrimin e detyrueshëm të sipërfaqeve të përbashkëta (sipërfaqe ndërtimi) sipas nenit 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”. Pra, nga mosveprimi në përputhje me kuadrin ligjor është shmangur edhe pagimi i taksës së kalimit të pronësisë për këto sipërfaqe sipas nenit 28 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.1996 “Për Sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar.

*Kryeauditues në KLSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura