Si të shmangni gabimet në çift?

Jan 20, 2022 | 0:30
SHPËRNDAJE

Të qenit çift është një nga gjërat më të bukura kur arrijmë vetëdijen se jemi në një lidhje të shëndoshë dashurie. Por shpesh, me kalimin e fazës së parë të dashurisë, lidhja na duket sikur është konsoliduar dhe e marrim si të mirëqenë lidhjen. Fare pa e kuptuar biem në një rutinë të rrezikshme, e cila duhet shmangur sa më parë. Cilat janë gabimet në një lidhje dashurie? Lexoni këshillat e mëposhtme…

Televizori

Televizioni është padyshim një “vrasës i dashurisë”. Nëse mbrëmjeve jemi duke ngrënë darkë duke parë vazhdimisht televizorin, si rezultat nuk do të kemi mundësi të bashkëbisedojmë dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin. Është një formë e mungesës së dialogut. Menaxhojeni më mirë kohën tuaj dhe kushtojuni më shumë partnerit.

 

Ruani intimitetin

Nuk duhet të mendojmë se jemi në çift, se njihemi prej vitesh dhe të tregohemi të pakujdesshëm në ruatjen e intimitetit. Është e vërtetë që mes partnerëve ka një dashuri të pastër dhe që duhemi për atë që përfaqësojmë, por pse të mos përpiqemi të silleni gjithnjë si në ditën tonë më të mirë. Tregoni kujdes për veren tuaj, imazhin, higjienën personale dhe mbi të gjitha ruajeni fort intimitetin tuaj.

 

Mungesa e vëmendjes

Një nga armiqtë më të dëmshëm të lidhjeve në çift është mungesa e vëmendjes. Nuk bëhet fjalë për gjëra të mëdha, për shembull një tufë me lule, një dhuratë e madhe që ta surprizoni partnerin, por thjesht për një vështrim. Të tregojmë kujdes dhe vëmendje kur partneri vjen me një pamje ndryshe, apo ka një veshje të re. Mos hezitoni t’i shprehni komplimentat për elegancën, qoftë edhe në një mbrëmje të zakonshme. Komplimentat janë gjithnjë të rëndësishme, sidomos kur janë të sinqerta.

 

Xhelozia e tepruar

Mos e ndiqni dhe mos e vëzhgoni partnerin tuaj në çdo moment të ditës. Baza e një marrëdhënieje të shëndetshme është besimi i ndërsjelltë. Për të pasur një lidhje të bukur, shpërblyese dhe të lumtur, duhet të kultivoni ndjenjën e besimit dhe të respektit.

 

Mungesa e projekteve

Të jesh në një marrëdhënie në çift, nuk mjafton vetëm të përballoni të përditshmen, por të mendoni edhe për të nesërmen, të ndërtoni jetën duke menduar për të ardhmen e përbashkët. Çiftet duhet të ndërtojnë projekte së bashku: vendet e pushimeve, blerja e një makine, e deri te projekte më të rëndësishme dhe ambicioze, si: fëmijët, jetesa, vizioni i tyre për një të ardhme më të mirë. U takon të dy partnerëve që të reflektojnë për të ardhmen dhe kjo gjë sjell bashkëpunimin dhe dëshirën për të ecur përpara së bashku.

Burimi/ Revista Psikologjia

© Panorama.al

Te lidhura