Si te ‘Borëbardha me 7 xhuxhët’/ E kërkuan në Itali për aktrim, studentja apel prekës: Ha vetëm sallam e vezë, dua…

Aug 30, 2018 | 16:45
SHPËRNDAJE

BURREL/ ALBI LALA/ Flora Xhaferri nuk është si gjithë të tjerët. Dikur ajo e vuante, kur bashkëmoshatarët e saj e shanin “xhuxhe”.

Ndërsa sot që është rritur dhe është ulur në auditorët e universitetit, ajo e ka tejkaluar paragjykimin e të tjerëve dhe dëshiron të ecë përpara. Ajo është një vajzë shtatshkurtër dhe siç shprehet, gati e vetmuar.

1461799_619429504793287_1889851517_n

Kur ishte në moshë më të re ëndërronte të bëhej aktore, si në filmin “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”. Por e ndërgjegjshme se kjo ëndërr tashmë është e largët, sot ajo kërkon të ketë një punë për mbijetesë. Flora është 33 vjeçe dhe studente në master në Universitetin e Durrësit, për Menaxhim- Turizëm. “Ne kemi pasur mbiemrin Lela deri para pak vitesh. Por babai im vendosi ta ndryshonte mbiemrin në Gjendjen Civile. Për të trashëguar pronat e stërgjyshërve ai vendosi që familja jonë të trashëgojë mbiemrin Xhaferri”, shprehet Flora.

Nënën e ka humbur vitet e fundit dhe aktualisht jeton vetëm me babain e moshuar, i cili ka edhe probleme shëndetësore.

1508501_867225723346996_7290994560326217255_n

SHKOLLIMI Ajo thotë se shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në fshatin Gurrë e Madhe. Por rruga e gjatë për shkak të fizikut të saj e lodhte tej mase. “Kur isha në fillore nuk shkoja dot në këmbë te shkolla. Më çonin në krah, herë nëna e herë babai. E mbylla me rezultate të mira. Në shkollë 8-vjeçare nuk shkoja dot. Ishte larg dhe më duhej të ecja në këmbë shumë gjatë. Në mot me shi e kisha të pamundur. Prindërit biseduam me një të afërm të familjes sonë në fshatrat e Krujës, që e kishte shkollën afër shtëpisë. Atje më mbanin në pëllëmbë të dorës, por mërzitesha shumë për dy prindërit e mi”, rrëfen Flora.

Më tej, vendorët i mundësojnë sistemimin në konviktin e shkollës “Pjetër Budi” në Burrel për të vijuar shkollën e mesme.

12794418_1039809232755310_5174457788787822453_n

Megjithëse e pamundur fizikisht, çdo fundjavë ajo udhëtonte drejt vendlindjes dhe çdo të hënë rikthehej në bankat e shkollës, duke u përpjekur të arrijë rezultate të mira.

“Pasi përfundova studimet e mesme, nisa shkollën e lartë për Menaxhim- Turizëm në Durrës. Kam përfunduar bachelorin dhe jam në vitin e fundit të masterit për Hoteleri- Restoranteri. Po pres të diplomohem dhe të gjej një vend pune dosido sepse kam hequr shumë vuajtje. Me aq para sa marr nga pensioni i invaliditetit kam ngrënë kryesisht ushqime të thata, djathë, vezë, sallam, pasi e kam të pamundur të gatuaj”, pohon studentja mes lotësh.

Ajo shprehet se babain e ka me probleme shëndetësore dhe pensioni që merr nuk i mjafton as për ilaçet.

24852365_1606459482756946_6460215131855769541_n

APELI

Tashmë Flora pret diplomimin dhe bën apel për një vend pune, qoftë edhe si sporteliste, pranë ndonjë biznesi.

“Kur isha në shkollë të mesme mërzitesha kur më thoshin xhuxhe, ndërsa në shkollë të lartë ia kaloj shumë mirë. Tani jam rritur dhe i kuptoj edhe ata që më paragjykojnë”, thotë ajo, teksa ka mjaft dëshirë të shprehë pasionet e saj.

Ajo rrëfen se ka tentuar të bëhet aktore. Madje sipas saj, kur ishte e vogël e kanë kërkuar italianët për aktore.

“Unë nuk e mbaj mend atë moment, por kur kam qenë 5-6 vjeçe disa aktorë italianë i kanë kërkuar babait tim, në një takim që ai ka pasur rastësisht, të më lejonte mua të shkoja në Itali dhe të bëhesha aktore.

Babai im e ka refuzuar këtë kërkesë sepse kishte frikë se mund të më birësonin dhe se unë nuk do të kthehesha më pranë familjes, pasi prindërit, vëllezërit dhe motrat më kanë pasur dhe më kanë pikë të dobët.

Tani që jam rritur jam e bindur se nuk do të kem probleme edhe nëse emigroj në Itali. Fakti që të huajt kishin dëshirë të isha aktore, më krijuan bindjen se unë duhet të konkurroja për aktrim. Dy herë jam përpjekur të fitoj degën e aktrimit, por nuk munda. Profesorët thanë se nuk dija të luaja në vegla muzikore dhe kisha probleme me plastikën trupore. Nuk më ndihmoi askush se ndoshta mund të kisha nisur studimet për aktore”, thotë Flora, e cila nuk i fsheh dëshirat e saj për asnjë moment.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura