Si ta bëjmë fëmijën gjyqtar?!

Mar 15, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

aulon kalajaAULON KALAJA

Javën që lamë pas u propo zua për miratim një projektligj për ndryshimin e kritereve për hyrjen në Shkollën e Magjistraturës, thënë ndryshe për t’u bërë gjyqtar ose prokuror. Lajmet janë se, për studentët ekselentë, që zgjidhen me vendim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministres së Arsimit dhe Shkencës, dhe që kanë përfunduar jashtë shtetit, nuk ka konkurs.

Konkurs nuk do të ketë edhe për studentët ekselentë të Universiteteve shqiptare. Jo vetëm kaq, studentët ekselentë vendas dhe të huaj do të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë me kurs të përshpejtuar, që do të thotë, nga 3 vite që është Shkolla e Magjistraturës për ata që e kanë fituar me konkurs, kthehet vetëm në 1 vit për ekselentët.

Pasoja e parë është se indirekt kushtet për të qenë gjyqtar ose prokuror përcaktohen nga ekzekutivi, nga dy ministrat respektivë ministri i Drejtësisë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, që kur lidhen me figurat do të thotë pas një kompromisi “check and balance”, PS-LSI. A mund të mendohet një gjyqtar i pavarur, i cili që në krye të herës është i kapur dhe do t’ia dijë për nder ministrit dhe partisë, përse ka veshur togën e zezë?!

Kjo pasojë në kuadër të reformës në drejtësi, rrokullis sistemin dhe cedon kushtet për të qenë gjyqtar dhe prokuror, nga Kushtetuta, te vendimi i ministrit. Pasoja e dytë është se studentët “jo-ekselentë” do të përleshen me një pyetësor të mundimshëm, konkurs ky i bërë traditë që nga viti 1997 për pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pra, e parë në këtë këndvështrim kemi dy standarde që prishin barazinë. Kur e gjithë reforma në drejtësi po bëhet për një sistem gjyqësor, i cili në 60% të tij përbëhet nga magjistratë të dalë me konkurs dhe i është veshur se sistemit i kanë sjellë korrupsion dhe paaftësi, imagjinoni se si do të jetë fytyra e një “ekselenti” të futur pa konkurs, me kurs të përshpejtuar dhe nga ministri.

Kjo duket se rrethanat rënduese shkojnë në paragrafin e tretë! Më falni, por kjo është zgjidhje. Situata rëndohet në kushtet kur nuk dihet asgjë për kuotat e pranimeve të ekselentëve dhe “joekselentëve”. Kjo nuk është iniciativa e parë që zhbën këtë standard të vendosur deri më sot.

Në projekt-amendamentet kushtetuese është parashikuar një kurs i përshpejtuar për gjyqtar dhe prokuror “OMG”, që mund të bëhen këshilltarë, ish-këshilltarë, ishgjyqtarë, ish-prokurorë, e ish kushedi se çfarë! Duket se përjashtimi nga rregulli i nisur nga rrethanat për të punësuar gjyqtarë dhe prokurorë, bëhet rregull. E me sa duket, vendet në administratë janë të pamjaftueshme për të kënaqur elektoratin. Reforma në Drejtësi me të ashtu-shpikurin “vetting process” do të jetë telendisës për sistemin, por bark-ngopës për militantët.

Kjo do të thotë se që në fillim procesi është i paragjykuar dhe aq më keq akoma, i paravendosur, sepse do të shkarkohen me një normë të paracaktuar gjyqtarë dhe prokurorë, pavarësisht institucioneve që do të krijohen dhe procedurave që ato do të kryejnë. Më kujtohet një bisedë me një berber që punonte në pjesën e bregut. Në bisedë e sipër me tha se deputeti i zonës, zoti Koço Kokëdhima, i kishte thënë se do ta sistemonte në punë, fill pasi të përfundonte “Reforma në Drejtësi”.

Në fakt në optikën e berberit, krijohej ideja se do të hapen vende të reja pune, sepse do të shkarkohen disa dhe do të futen disa, ku mund të pretendonte dhe berberi që të kapte diçka, sigurisht me ndërhyrjen e deputetit. Aq më e pakuptimtë duket situata edhe nga ana e opozitës, e cila nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me këtë çështje. Së paku ajo do të duhej të mbronte krijesën dhe kontributin e vet, sepse minimalisht u njihen dy arritje të djathtëve në lidhje me këtë çështje, në kohën kur ata kanë qeverisur.

E para është krijimi i Shkollës së Magjistraturës, në vitin 1996, kur Berisha ishte President i Republikës së Shqipërisë, dhe viti 2008, kur demokratët po qeverisnin vendin tonë, me ligjin “Alibeaj”. Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Enkelejd Alibeaj, me ligj përcaktoi si kriter të detyrueshëm se për t’u bërë gjyqtar dhe prokuror, duhej të fitoje konkursin e Magjistraturës dhe të shkolloheshe aty për tre vite.

Por asnjë fjalë! Liria dhe mesazhi që ka sjellë Shkolla e Magjistraturës në sistemin e drejtësisë është se ka krijuar premisat që gjyqtar dhe prokuror të bëhet kushdo, mjafton të jetë i aftë dhe mos t’ia dijë për nder askujt përveç vetes përse është bërë gjyqtar dhe prokuror. Dhe Shkolla e Magjistraturës ishte një ndër të paktat institucione më pak të kontestueshme, kjo edhe për shkak të monitorimit të rreptë prej ndërkombëtarëve.

E ndërsa sot konstatohet një hipokrizi e tillë, ndërkohë që projekt-amendamentet kushtetuese vendosin si kusht të detyrueshëm për t’u bërë gjyqtar ose prokuror përfundimin e Shkollës së Magjistraturës, kësaj të fundit me ligj i hiqet konkursi. Futen ekselentë afrofe, me urdhra qeverie dhe partie, dhe rikthehet kursi i përshpejtuar i “plepave”, por kësaj radhe edhe nën maskën e qiparisave! Kursi i përshpejtuar të sjell në mendje ose është reminishencë i plepave, por këta janë gjyqtarë dhe prokurorë qiparisash ose urithë të drejtësisë.

Duket se do të rikthehet “lufta e nuseve” për të kapur notën 10. Fakultetet e Drejtë- sisë do të bëhen hambari i thashethemeve për nota të pamerituara. Do të rritet inflacioni i notës 10, po ashtu edhe çmimi për ta arritur atë. Do të luftohet që në gjenezë, sepse për të shkuar e për të kapur 10-tën, duhen rekrutuar pedagogë dhe miq të partisë, që të mos kemi probleme.

Fakulteti do t’i ngjajë një hambari, ku nota 9 mund t’i çonte fëmijët e zyrtarëve në vetëvrasje. Por le të rikthehemi dhe një herë te historia e berberit, që ju shpjegova më sipër! Deputeti i zonës, zoti Koço Kokëdhima, ia ka dhënë atë premtim berberit për ta përcjellë dhe me gjasë do të jetë në vazhdën e premtimeve të pambajtura.

Sepse në të vërtetë ky projektligj i dedikohet elitës dhe bijve të tyre dhe jo shtresës së berberave. E thënë shkurt, kjo lëvizje bëhet që djem e vajza ministrash, deputetësh, gjyqtarësh e prokurorësh, që në të shumtën e rasteve janë pyka, tani e tutje do të kthehen në ekselentë, e nga ekselentë do të shndërrohen e katapultohen në gjyqtarë dhe prokurorë.

Faktet flasin se ata që kanë fituar Shkollën e Magjistraturës dhe i janë bashkëngjitur sistemit të drejtësisë, nga viti 1997 e deri më sot, nuk janë bij ministrash, deputetësh, gjyqtarësh apo pedagogësh, por djem dhe vajza të thjeshta të këtij vendi, sigurisht këtu mund të ketë ndonjë përjashtim të papërfillshëm. Kjo është një përmbysje e madhe. Por le të hedhim një shikim në retrospektivë, për të kuptuar se si mund të bëheshe gjyqtar dhe prokuror ndër vite, 1944-2016.

BYROJA – PLEPAT – MAGJISTRATURA – PARTIA

Në kohën e komunizmit ishte byroja, partia shtet që të caktonte gjyqtar, hetues dhe prokuror. Pas rënies së diktaturës e ardhjes së demokracisë dhe me zhvillimet demokratike të vendit, u rekrutuan në sistem ata gjyqtarë që kanë marrë konotacionin negativ, si “Gjyqtar plepash”. Janë gjyqtarë të përfolur dhe të papërgatitur. Sepse ata përfunduan kurs 6-mujor, i cili nuk të bënte dot plep, e jo më gjyqtar.

Në vitin 1996, u formua Shkolla e Magjistraturës, një shkollë me konkurs dhe që zgjaste 3 vite, e cila pranonte gjyqtarë dhe prokurorë dhe i bashkëngjiste në sistemin e drejtësisë. Dhe vijmë në këtë kohë që po jetojmë. Partia do të jetë ajo që do të bëjë pranimet dhe emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duket, pra, se po kthehemi në kohën e parë, vetëm se atëherë të emëronte byroja dhe tani të emëron partia, ose partitë. Pra, kursi i përshpejtuar nuk mjafton dot për t’u bërë qiparis dhe jo më gjyqtar e prokuror.

Thuhet se aq e madhe do të jetë dyndja e ekselentëve që do të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë, saqë do të kërkohen ambientet e Fakultetit të Gjeologji-Minierës, ose mund të bëhen dhe leksione të përbashkë- ta. Po përse po bëhet e gjithë kjo përmbysje?! U pa që kjo mënyrë e funksionimit të Shkollës së Magjistraturës nuk u shërbente qëllimeve të një grupi që deri dje kishte shënjuar në këtë sistem. Sepse gjyqësori dhe drejtësia nuk u përkiste më atyre dhe shtrinë tentakulat për rikthim në origjinë, për rimarrje të ofiqeve.

Elita e shkuar kërkon rikthimin dhe lavdinë e dikurshme. Që nga viti 1997 e deri këtej kjo nuk arrihej, por ata gjetën instrumentin që është pikërisht ky projektligj që ka propozuar ministri i Drejtësisë.

Kur bota po shkon drejt prakticitetit dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo ditë shpiket nga një manual, “Si të gatuajmë”, “Si ta bëjmë për vete vajzën që duam”, duket se më në fund doli në treg edhe te ne manuali “Si ta bëjmë fëmijën gjyqtar dhe prokuror”, megjithëse ky ngjan me manualin tjetër “Si të vrasim veten” …

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura