Si shmangen kartelet dhe korrupsioni me ligjin e ri të prokurimeve

Dec 2, 2020 | 9:35
SHPËRNDAJE

PAJTIM MELANI

pajtim-melani-ne-kembe

Sa herë lexojmë që fituesi i një tenderi ka marrë mbi 99 % të fondit limit, atëherë është ngjarje me probabilitet shumë të lartë që nuk ka pasur garë dhe se një nga format e korrupsionit ose koluzionit (kartelit) ka qenë prezente. Një shembull konkret e hetuam në Autoritetin e Konkurrencës para disa vitesh dhe nga ku llogaritja e fondit të fituesit me fondin limit shkonte rreth 100%, ndërkohë që në tri lote kompanitë fituese dhe “mbushëse” kishin ndërruar vendet me rrotacion. Kështu, në lotin I fitues ishte kompania X me 99.82 % të fondit limit, ndërkohë që dy operatorët e tjerë që konkurruan ishin bashkimi i operatorëve Y dhe Z (si Jointventure) me 99.91% të fondit limit dhe shoqëria G me 99.96% të fondit limit. Në lotin II, fitues është bashkimi i operatorëve YZ, me ofertë rreth 99.9% e fondit limit, ndërkohë që oferta kanë paraqitur X me 99.98% dhe G me 99.99% të fondit. Në lotin III, fitues rezultoi me vlerë oferte fituese 99.9% e fondit limit, ndërkohë që ofertë si operator i vetëm ka paraqitur një nga konkurrentët e lotëve të tjera, me 99.95 % të fondit limit. Tenderi kalon vlerën e 20 milionë eurove, të gjithë kishin fituar, ndërkohë që humbësi i vetëm ishte buxheti i shtetit, që ka kursyer qindarka nga mungesa e garës, karteli dhe korrupsioni në një prokurim publik.

Një studim i OECD tregon se nëse në një procedurë prokurimi publik ka konkurrencë, vlera fituese shkon rreth 75-85 % e fondit limit, ndërkohë që për vlera fituese mbi 90% dyshohet për korrupsion që duhet të hetohen sipas Kodit Penal ose marrëveshje në oferta (kartel), që duhet të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Korrupsioni në prokurimet publike shfaqet si një raport vertikal mes zyrtarëve të prokurimeve dhe shoqërive private ndërsa koluzioni (karteli) si marrëdhënie horizontale mes pjesëmarrësve në garat për fondet publike.

Kosto direkte e korrupsionit në prokurimet publike përfshin dëmin në buxhet si pasojë e shpenzimeve më të larta, cilësi më të ulët produktesh ose shërbimesh. Ata që paguajnë ryshfete, tentojnë të mbulojnë “humbjet” nga korrupsioni aktiv duke ofertuar çmime më të larta, duke reduktuar cilësinë e punimeve, p.sh., në ndërtimin e rrugëve, duke faturuar për punë të pakryera etj… dhe si rezultat duke ekzagjeruar kostot dhe duke ulur cilësinë.

Një studim i OECD&BB tregon se korrupsioni në tenderat në infrastrukturë udhëheq ndër gjithë sektorët dhe pavarësisht se është e vështirë të maten kostot e sakta, ato variojnë nga 10-30 për qind të investimeve në projektet e ndërtimit (COST, 2012)dhe humbjet vjetore janë rreth 2.5 trilionë USD. Brenda BE-së, korrupsioni parashikohet në rreth 120 miliardë euro në vit, që është rreth 1 % e Produktit të Brendshëm Bruto dhe është shumë afër buxhetit vjetor të BE-së prej rreth 143 miliardë eurosh.

Format kryesore të marrëveshjeve në oferta janë ofertat e mbuluara me fitues të paracaktuar, rrotacioni në oferta, ndarja e tregjeve (lotëve) ose tërheqjet nga gara, pasi është arritur një marrëveshje e ndaluar. Për të shmangur kartelet në prokurime publike, OECD ka rekomandime të qarta për secilën nga fazat e procesit dhe gjithkush merret me prokurimet publike e gjen veten në rastet si vijon, të cilat mund të parashikohen të përmirësohen në draftligjin e ri të prokurimeve publike që pritet të votohet në Kuvend:

Analiza e tregut duhet të mbështetet nga vlerësimi i nevojave reale për produkte/shërbime, ndërkohë që vihet re që në shumë raste ka influencë nga faktorët e jashtëm te vendimet e personave që merren me prokurimet publike dhe marrëveshje informale për kontratën para zhvillimit të garës;

Planifikimi dhe buxhetimi karakterizohen shpesh nga planifikimi i varfër në ide dhe dështim për një buxhetim real të fondeve për projektet që prokurohen.

Përcaktimi i specifikimeve teknike ose kërkesa për një procedurë prokurimi duhet të shmangë rastet kur specifikimet janë paracaktuar dhe përshtatur për një kompani të caktuar. Kriteret e specifikimeve teknike duhet të jenë objektive dhe të mos përcaktojnë fituesin në avancë.

Zgjedhja e procedurës së prokurimit karakterizohet nga format jo të duhura për të siguruar konkurrencën, duke tentuar drejt përdorimit abuziv të formave jokonkurruese të prokurimit, nëpërmjet përjashtimit të garës, negocimit të drejtpërdrejtë, abuzimin me urgjencën e rastit etj.

Kërkesa për ofertë shumë herë ndodh që ka mungesë transparence në publikimin e njoftimeve për konkurrim dhe informacioni mbi termat/specifikimet teknike është konfidencial dhe nuk publikohet. Dërgimi i ofertave karakterizohet nga procese të mungesës së konkurrencës ose raste të marrëveshjeve në oferta (mbulim i ofertës, tërheqje e ofertës, rrotacioni dhe ndarje e tregut;)

Vlerësimi i ofertave duhet bërë me kujdes për të shmangur konfliktin e interesit (njohjet mes zyrtarëve të prokurimeve dhe firmave pjesëmarrëse në prokurim), shmangien e personave që janë bërë familjarë me një treg të caktuar dhe aktorët e tij, apo ku kanë njohje dhe interesa personale nga ku kanë përfituar dhurata ose kontrata punësimi për të afërmit e tyre.

Menaxhimi i kontratave (performanca) duhet të evitojë abuzimit e ofruesit në veçanti, lidhur me cilësinë, kohën, çmimet e tepruar etj. Urdhërimi i pagesës shpesh ndodh të jetë bërë pa vlerësuar realizimin e faktit të kontratës, me fatura false apo pagesa të kryera në avancë.

Si konkluzion, korrupsioni në prokurimet publike çon drejt shtrembërimit të konkurrencës, kufizimit të tregjeve, kufizimin e hyrjeve të reja në treg dhe mosafrimin e investitorëve të huaj. Për këtë arsye, biznesi i ndershëm duhet të jetë më i interesuari për miratimin e ligjit të ri nga Kuvendi për prokurimet publike, që tashmë ka kaluar në Komisione dhe pritet të miratohet në seancë plenare.

Ligji i ri është i përafruar me BE-në dhe tenton të rrisë transparencën dhe konkurrencën në prokurimet publike, por duhet të përmirësohet më tej për të shmangur maksimalisht korrupsionin me tenderët me fitues me 99.9 % të fondit limit apo tenderëve pa garë, personalizimit (tailor) të specifikimeve teknike duke paracaktuar fituesin apo marrëveshjeve në oferta si rasti më lart.

* Pedagog i jashtëm i “Konkurrencës dhe prokurimit publik” në universitetin “Luarasi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura