Si realizohet bashkimi kombëtar? Albin Kurti: Referendum! Dy qeveritë, mbledhje propagandë

May 31, 2018 | 22:04
SHPËRNDAJE

Bashkimi kombëtar mbetet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me rikthimin e Albin Kurtit në krye të këtij subjekti politik në Kosovë thirrja për bashkim është bërë edhe më e fortë. Kreu i Vetëvendosjes e sheh bashkimin si një zgjidhje jo vetëm për problemet e sigurisë, por edhe për ato ekonomike e politike për shqiptarët në të dy shtetet e ndara.

Por si realizohet bashkimi kombëtar? Kurti thotë se lëvizja mbërrin nga qytetarët.

kurtiokok

“Nuk e bëjmë ne bashkimin kombëtar, por bashkimi kombëtar na bën ne. Vokacioni ynë është për bashkim dhe besoj që edhe këtu janë të shumtë që e duan këtë. Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët”, deklaron ai në emisionin Të Paekspozuarit këtë të enjte në Top Channel.

Por, Kosovës i ndalohet në Kushtetutë bashkimi me një tjetër shtet. Kurti e kritikon këtë nen.

“Ne na kënë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin, si Austria që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë. Por, nuk e kishte Shqipëria Hitlerin, e kishte Serbia Millosheviçin”, shton ai.

Mbledhjet e dy qeverive i sheh më shumë propagandë sesa punë reale në forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve në dy anët e kufirit.

“Kanë qenë takime ceremoniale, që firmosin marrëveshje, por nuk vulosin mekanizma të përbashkët. Moria e marrëveshjeve nuk zbatohet. Mundësitë janë shumë më të mëdha, por mbledhjet bëhen më shumë për protagonizëm sesa ka vërtet interes dhe vullnet. Mos harrojmë që vendet e BE janë shumë më të bashkuara se ne në këtë aspekt”, thotë kreu i VV.

Lëshon një paralajmërim.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen që në dekadën e ardhshme të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Nëse Serbia hyn një ditë para Shqipërisë dhe Kosovës do të na bllokojë integrimin”, thotë ai.

Lëvizja e drejtuar prej tij akuzohet në Kosovë për flirtim me ekstremizmin islamik. Kurti e mohon.

“Nuk ka flirtim. Jemi subjekt politik që duam një shtet sekular. Por ne kundërshtojmë islamofobinë, që është e shprehur nga kundërshtarët që kërkojn të zëvendësojnë armikun kryesor që kemi Serbinë me islamin”, përgjigjet Albin Kurti.

Pranon se ekstremizmi mbetet një problem dhe thotë se VV propozoi që të futeshin në listën e organizatave terroriste të gjitha organizatat ekstremiste të identifikuara në Kosovë. Shpjegon edhe pse Vetëvendosje kundërshtoi ligjin që ndëshkon me burg të gjithë shtetasit e Kosovës që përfshihen në luftëra të huaja.

“E kundërshtuam sepse është një ligj universal, sepse me këtë ligj, nëse plas lufta në Luginën e Preshevës, shqiptarët e Kosovës ndëshkohen me burg për pjesëmarrje në të”, shpjegon ai.

Top Channel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura