Si qeveria e zgjidhi hesapin me kontrollorët turq, për të rihapur aeroportin e Rinasit

Apr 9, 2021 | 9:07
SHPËRNDAJE

Qeveria e zgjidhi krizën në aeroportin e Rinasit duke sjellë disa kontrollorë turq të trafikut ajror, të cilët do të zëvendësojnë kontrollorët shqiptarë që pezulluan punën. Kjo bëri që në Rinas të ulej avioni i parë i “Air Albania”, i cili transportoi një sasi vaksinash.

Mësohet se kontrollorët turq kanë mbërritur mbrëmjen e së mërkurës në Rinas, duke ardhur nga Podgorica. Por gjatë ditës së djeshme Ministria e Transportit nisi negociata me disa vende të Bashkimit Europian për zëvendësimin e kontrollorëve të trafikut ajror në Shqipëri, të cilët kanë braktisur punën. Ishte Komiteti i Emergjencave Civile që i hapi dritën e gjelbër zëvendësimit të kontrollorëve. Marrja e “OK”-it nga Komiteti i Emergjencave Civile shkurton procedurat e zëvendësimit të tyre. Mësohet se është marrë përgjigje pozitive nga disa vende partnere, ndërsa zgjidhja më e shpejtë është gjetur përmes kontrollorëve turq. Zëvendësimi i kontrollorëve pritet të zgjasë derisa të ketë një zgjidhje përfundimtare të situatës së krijuar.

BALLUKU

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha dje se aeroporti i Rinasit do të nisë fluturimet esenciale. Në këto momente, në aeroportin e Rinasit do të nisin fluturimet esenciale, ato që futen në këtë kategori, fluturimet humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Dua të informoj të gjithë qytetarët që na kanë shkruar që do jetë e pamundur në këto momente që të kemi fluturime komerciale, por gjatë ditës është duke u punuar për të arritur në një zgjidhje të këtij problemi shumë të madh. Sipas planave tona, do të arrihet ditën e nesërme. Nesër që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do të kemi fluturime normale për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komerciale”, u shpreh Balluku. Por ministrja nuk harroi të akuzojë kontrollorët për një plan politik për të bllokuar fluturimet deri ditën e zgjedhjeve. “Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim deri ditën e fundit të zgjedhjeve. Janë marrë të gjitha të dhënat për të bërë një verifikim të thellë të kësaj situate dhe për të arritur në konkluzionet e duhura. Trafiku ajror ka filluar punën dhe ne po zgjidhim hap pas hapi për të vënë në funksion dalëngadalë të gjitha njësitë dhe për të kthyer gjithçka në normalitet”, u shpreh ministrja.

MBROJTJA

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka sqaruar dje pozicionin e Ushtrisë në aeroportin e Rinasit, pas akuzave se qeveria po ndërmerr një grusht shteti në Rinas përmes ushtrisë dhe policisë. Në një deklaratë për mediat nga qyteti i Korçës, Peleshi tha se Forcat e Armatosura thjesht kanë shtuar vigjilencën, por nuk janë kontrollorët ushtarakë ata që do të marrin operacionet. “Komiteti i Mbrojtjes Civile, pasi dëgjoi disa ministra, ka vendosur të ngarkojë Ministrinë e Energjisë për të marrë masat për rifillimin e punës. Pra të sigurojë kontrollorë vendas apo të huaj, t’i trajnojë sa më shpejt për të filluar operacionet. Ministria e Mbrojtjes dhe FA nuk kanë ndërmend të marrin ndonjë rol më tepër sesa ajo që bëjnë rutinë në aeroport, si pjesë integrale e tij. Këtë po bëjmë me vigjilencë për shkak të situatës së krijuar. Nuk janë kontrollorët ushtarakë ata që do të marrin operacionet. Nuk jemi ne të licencuar për aviacion civil. Kjo është një arsye më tepër që nuk do të jemi ne që të marrim përsipër rifillimin e operacioneve në aeroport”, tha Peleshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura