“Si policia qëlloi tre herë ndaj meje me snajper të precizonit të lartë, por…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit

Nov 6, 2020 | 13:16
SHPËRNDAJE

Publikohen disa nga historitë e panjohura të Sajmir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”.

dossier

Lidhur me shkakun e vërtetë të arrestimit të tij, Sajmir Maloku dëshmon: “Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emission televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë.

Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë hetuesore ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj”.

Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, që nga: fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillimviteve ’70-të, ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlkidhjes në një repart të Burrelit, arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj, Sajmir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST” (Botim i EMAL në shqip dhe anglisht), pjesë prej të cilave ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al

                                                  Vijon nga numri i kaluar

Persekutorët komunistë e hoqën Zotin nga Shqipëria, por jo nga shpirti im dhe i popullit. Dhe sot, i lutemi Zotit për një jetë më të mirë dhe që fatin tonë të hidhur të mos e kenë fëmijët tanë dhe brezi i ri. Prandaj, duhen dënuar krimet komuniste dhe demaskuar persekutorët tanë. Sot, ata bredhin të lirë, marrin pensione të majme dhe së bashku me fëmijët e tyre tallen me ne duke u ngërdheshur mbrapa dritareve të vilave madhështore, e duke udhëtuar nëpër botë nga njëri hotel në tjetrin. Kjo sepse kryesisht gratë e tyre privatizuan dhe blenë me çmime të ulëta dyqanet më të mira të kryeqytetit.

“Pse nuk u dënuan persekutorët dhe xhelatët komunistë”?!

Gjatë viteve të Demokracisë populli shqiptar thoshte: “Pse nuk u dënuan persekutorët dhe xhelatët komunistë?! Pse hesht Perëndimi për këtë gjë?! Në të gjitha shtetet e botës, ligjet e drejtësisë së tyre dënojnë çdo njeri që kryen krim ndaj njerëzve dhe shoqërisë si dhe personat që i fshehin këto krime. I bëj një pyetje Perëndimit: Krimet e persekutorëve komunistë, a janë dhe a quhen krime edhe sot apo pluhuri i harresës i mbuloi ato? Pse bashkësia ndërkombëtare hesht dhe nuk e ndihmoi shtresën e ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë në dënimin e persekutorëve tanë që janë akoma gjallë dhe sot bredhin të lirë në Shqipëri e në botë?

Gjatë këtyre 28 viteve të Demokracisë, asnjë persekutor komunist nuk u dënua për krime çnjerëzore në Shqipëri. Kjo tregon se fara e komunizmit është akoma në Shqipëri dhe nuk është zhdukur plotësisht. I lutem Zotit që kjo farë të mos mbijë dhe të rritet përsëri në tokën tonë. Fabula e jetës time ishte “120 Ujqërit komunist dhe qengji demokrat”. Komunizmi e mësoi popullin të këndonte dhe të dëgjonte çdo ditë këngën revolucionare “Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”. Ndërsa sot, në Demokraci, populli shqiptar ecën me parullat: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Opozitarë, por vëllezër”.

Komunizmi bënte shpenzime kolosale për Ushtrinë dhe për fortifikimin e Shqipërisë dhe kjo mund të shkaktonte që njeriu apo fëmija i vogël të vdiste nga uria, nga mungesa e medikamenteve dhe e ushqimeve. Tani në Demokraci buxheti i shtetit po përdoret për ndërtimin e rrugëve dhe të autostradave si dhe të aeroporteve, spitaleve dhe shkollave të reja. Ja ndryshimi i madh i Demokracisë ndaj Komunizmit. Në qoftë se gjatë regjimit komunist populli ynë lëvizte vetëm brenda Shqipërisë, të rrethuar me tela me gjemba sikur të ishte një burg apo kamp përqendrimi tepër i madh, ai sot lëviz i lirë në vendet e Evropës dhe kudo në botë.

“Komunizmi ishte si një dhi e zgjebosur, që mbante bishtin përpjetë”

Pra, Komunizmi ishte si një dhi e zgjebosur që mbante bishtin përpjetë, ndërsa sot demokracia është si një shqiponjë dykrenore, që fluturon e lirë kudo në botë. Ja përse regjimi komunist shqiptar ishte regjimi më i egër, më i rrezikshëm dhe më gjakatar në të gjithë Evropën, ku me dhjetëra mijëra vetë ishin viktima të pafajshme sepse ideali i tyre ishte demokracia e sotme perëndimore. Krahas dënimit me shumë vite burg që të jepte gjykata dhe diskriminimin në popull, regjimi komunist mundohej ta shkatërronte plotësisht personalitetin dhe shëndetin e të burgosurve politikë, deri në zhdukjen e tyre pa lënë gjurmë.

Duhet të theksoj se megjithëse regjimi komunist po shkatërrohej dita ditës, ai vendosi të hakmerrej kundra meje, dy javë mbas rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist në Tiranë. Më datën 6 mars të vitit 1991, kur unë dhe disa shokë të mi, ishim në krye të pjesëmarrësve të një demonstrate në përkrahje të Partisë Demokratike, ku ishin të pranishëm mbi 10 mijë protestues gjatë Rrugës së Kavajës, aty Policia Komuniste qëlloi me pushkë snajper të precizionit të lartë, tre herë kundra meje, me synimin për të më eliminuar fizikisht në shenjë hakmarrjeje për kontributin tim të madh në ngjarjet dramatike të 20 Shkurtit të vitit 1991 në Tiranë.

“Spartak Deliu, papritur doli para meje dhe u plagos mjaft rëndë në kokë”

Një djalosh 14 vjeçar, Spartak Deliu, papritur doli para meje dhe u plagos mjaft rëndë në kokë. Plumbi e goditi sipër vetullës dhe i doli mbrapa kokës. Mbas disa minutash ai vdiq në duart e mia, në godinën e një ambulance lagjeje, që ishte 50 metra larg vendngjarjes, në prani të mjekes Z. Lika, infermieres Filda Heta dhe të një mjekeje tjetër, që ndodheshin dhe punonin me përkushtim për lehtësimin e plagëve dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Pastaj unë, me lot në sy dhe tepër i pikëlluar, duke mbajtur në krahë këtë martir të Demokracisë, e zbrita nga kati i dytë i Ambulancës.

Shokët e tij e vendosën trupin e viktimës në një motoçikletë me tre rrota dhe e dërguan në spital dhe më pas në shtëpinë e tij, nga ku do të përcillej në banesën e fundit. Disa banorë të lagjes time, që ishin pranë godinës së Ambulancës, dëgjuan bisedat e oficerëve të Sigurimit të Shtetit, që midis tyre shprehnin mendimin se qëllimi i Policisë, ishte që unë të vritesha si shkaktar i kontributit tim, në rrëzimin e monumentit të diktatorit dhe në lëvizjet demokratike. Ky akt kriminal më detyroi që për disa ditë të fshihesha në shtëpitë tiranase, ku miq e shokë të mi, m’i hapën dyert e shtëpive të tyre e bashkë me to edhe zemrat e tyre fisnike.

Këtë ngjarje tepër kriminale dhe mizore, unë e kam pasqyruar në disa media të shkruara, si një dëshmi të krimeve komuniste. Gjatë jetës kam falënderuar Zotin që më shpëtoi tre herë nga vdekja. E para, kur linda si shtatanik, me një peshë trupore mjaft të vogël. E dyta, kur isha për gati 200 ditë në qelinë e nëndheshme të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit. E treta, në ngjarjet e dhimbshme të kësaj dite, që tregoi fytyrën mizore dhe gjakatare të regjimit komunist në Shqipëri. Dhe sa e turpshme dhe ofenduese është për popullin, kur dëgjon sot, në kohën e Demokracisë, që nostalgjikët e komunizmit mburren me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, por fshihen dhe heshtin për krimet e regjimit komunist.

Kjo sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu që ishin komandantët kryesorë të formacioneve partizane, dhe vranë jo pak luftëtarë të ndershëm, ndërsa mbas Luftës të Dytë Botërore, u bënë diktatorë të pamëshirshëm ndaj popullit tonë. Me fitoren e Demokracisë, Presidenti i Republikës në atë kohë, z. Sali Berisha, e dekoroi Spartak Deliun si Dëshmori dhe Martiri i Parë i Demokracisë. Gjithashtu, me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, aty u vu një memorial në nderim të tij. Por këto dy vitet e fundit, Bashkia e Tiranës, e dominuar nga Partia Socialiste, e hoqi këtë memorial në mënyrë që të zhduken gjurmët e krimeve komuniste, ashtu siç po ndodh me mjaft memoriale të tjera të dëshmorëve të Demokracisë.

I kujtoj Qeverisë Socialiste shprehjen e famshme: “Dielli nuk mbulohet me shoshë”. Në analogji me të edhe krimet e komunizmit nuk mund të fshihen, sepse ato janë në kujtesën e popullit dhe po bëhen të njohura nëpërmjet mediave elektronike dhe atyre të shkruara. Është tepër e dhimbshme të kujtosh kryesisht ngjarje të viteve 1973 – 1976, kur unë shikoja me dhjetëra të rinj e të reja, që së bashku me familjet e tyre i internuan në fshatrat më të këqija e më të humburat e vendit, sepse baballarët i’u burgosën apo u pushkatuan për mendime perëndimore. Këta djem dhe vajza të kryeqytetit, ishin kryesisht bashkëmoshatarë me mua apo shokë të Universitetit apo të lagjes. Pas shumë vitesh internimi këta djem dhe vajza me shtat dhe fytyrë të bukur, u dobësuan dhe u venitën si lule të fishkura nga puna e vështirë dhe kushtet e këqija të jetesës në vendin e internimit. Disa prej tyre arritën në vetëvrasje, apo nuk krijuan familje.

Ndërsa diktatori Hoxha dhe kryeministri Shehu, në fjalimet e tyre para popullit, plot mburrje thoshin: “Ne dënuam armiqtë e klasës që donin të përmbysnin pushtetin popullor, por pastruam edhe kryeqytetin nga pjella e tyre e mallkuar”. Edhe sot e kësaj dite, populli shqiptar vazhdon të përjetojë në trurin e tij krimet e panumërta të komunizmit dhe depresionin e madh që i shkaktoi shoqërisë tonë ai regjim diktatorial. Njerëz të veshur me pushtet dhe nostalgjikë të komunizmit, mundohen të fshehin apo të minimizojnë këto krime mizore me qëllime të caktuara politike. Ata harrojnë që çdo krim apo vrasje e ka një autor të krimit, si dhe shtresa jonë dita ditës po denoncon këta kriminelë.

Shtresa jonë e persekutuar politike nuk ndërhyn në problemet historike se çfarë kontributi kanë dhënë shumë nga kriminelët komunistë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, por ne dëshmojmë krimet e tyre gjatë kohës së regjimit komunist. Ata mbrojnë tezën se kush ka qenë partizan apo komunist, nuk ka bërë krime mizore ndaj popullit e tjerë. Kjo të kujton atë proverbin e famshëm: “Populli thotë, ja ariu, ndërsa gjahtari thotë se nuk i kam gjetur akoma gjurmët e këmbëve të ariut”. Vetë diktatura komuniste ishte një krim shtetëror në kundërshtim me Kodin Penal dhe me ligjet e Drejtësisë të këtij shteti. Puna e mirë e Autoritetit për Informim të Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të Institutit të Studimit të Krimeve Komuniste si dhe i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë si dhe Arkiva Online e krimeve të komunizmit në platformën dixhitale “Kujto.al”, me themelues Agron Shehaj – ish deputet i PD po i bëjnë një demaskim të hapur këtyre kriminelëve, që fshehën krimet e tyre, por hapja e dosjeve tregoi të kundërtën.

“Si i mësova emrat e 120 oficerëve të Sigurimit të Shtetit, që më kishin ndjekur”!

Ashtu si në një familje kur vdes papritur një njeri i tyre, ajo kërkon të dijë diagnozën e vdekjes, po ashtu edhe shtresa jonë kërkon të dijë nëpërmjet dokumenteve të vjetra të ish-Sigurimit të Shtetit, se kush ishin kriminelët e tyre si: ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorët e fshehtë, hetuesit, gjyqtarët, prokurorët e tjerë, si dhe torturat e tmerrshme që kanë bërë ndaj familjarëve të tyre. Ashtu edhe unë u trondita mjaft si dhe pata një çlirim të madh shpirtëror kur mësova emrat e më shumë se 120 oficerëve të Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre që më kishin ndjekur, survejuar dhe përgjuar mua dhe familjen time sikur të ishim agjentët më të mëdhenj të Perëndimit në Shqipëri. Kjo është tamam si skenat nëpër filma, ku tufa prej 120 ujqish të tërbuar i turren dhe kërkojnë të kapin qengjin në tufë e ta shqyejnë në copa-copa.

Koha tregoi se plani famëkeq dhe veprimtaria e tyre e ndyrë ndaj nesh ishte një dështim dhe diskreditim i plotë para popullit dhe shtetit komunist. Ata më akuzuan mua dhe babanë tim sikur të isha spiun si Mata Hari dhe të Anglisë. Populli autokton i Tiranës dhe ai i Shqipërisë së Mesme, në atë kohë përdorte një shprehje fyese dhe vulgare për oficerët dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit: “Këta na janë bërë si k… kandari duke na ndjekur nga mbrapa”. Në ato shtete ish-komuniste ku është zbardhur e vërteta e këtyre krimeve, aty shoqëria ka ecur përpara si në Gjermani, Çeki, Poloni e tjerë. Ndërsa e kundërta ka ndodhur në vendin tonë, ku demokracia nuk ka ditë fitoreje dhe nostalgjikët hedhin valle çdo ditë sikur në Shqipëri nuk ka ndodhur asnjë krim gjatë regjimit komunist.

Fshesa e Demokracisë, e mbështetur nga Perëndimi duhet t’u japë ndëshkimin e duhur këtyre nostalgjikëve dhe largimin e tyre nga institucionet shtetërore duke i bllokuar edhe vizat e kalimit në vendet perëndimore. Populli ynë e do demokracinë të ecë përpara si në vendet Perëndimore dhe të mos frenohet nga këta njerëz që deri dje i përbuznin këto vende dhe sot hiqen sikur janë miq të tyre. Është populli ynë si dëshmitar i vërtetë për këto ngjarje të tmerrshme dhe të fjalimeve të tyre antiperëndimore në atë kohë të diktaturës komuniste. Diktatori Hoxha dhe kryeministri Shehu në fjalimet e tyre bombastike në njërën dorë mbanin dhe tundnin degën e ullirit, ndërsa në tjetrën thikën me helm. Demokracia po pastron dita ditës pluhurin e madh që kishte mbuluar të vërtetën e historisë komuniste. Zoti thotë: “Rrëfehu që të pastrosh shpirtin nga mëkatet që ke bërë në këtë botë, sepse në rast të kundërt, Ferri i mallkimeve të pret në botën tjetër të nëndheshme”. Prandaj, të gjithë kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre të fshehtë që janë akoma gjallë, apo bijtë e tyre, në vend që t’i kërkojnë falje shtresës tonë dhe familjarëve të viktimave, sot po bëjnë të kundërtën.

Është për t’u habitur që sot, anëtarët e Partisë Socialiste bëjnë sikur nuk janë pasardhës të Partisë Komuniste apo të Punës dhe nga ana tjetër mbrojnë me fanatizmin më të madh idealin e këtyre dy partive të mëparshme dhe krimet e tyre. Ne ish – të përndjekurit politikë, nuk u hakmorëm ndaj njerëzve të tyre, por ata nuk duhet të mbrojnë kriminelët dhe persekutorët tanë apo të tallen me vuajtjet tona. Demokracia po tregon se për sa kohë hija e komunizmit është në Shqipëri, po aq më shumë është e turbullt situata politike. Si pasojë, edhe morali i popullit tonë ka rënë dita ditës dhe rinia kërkon të braktisë vendin tonë.

“Komunizmi shqiptar në 1989, papritur na shpiku dhe nxori ‘Kanunin e Ramiz Alisë”

Sot nostalgjikët e komunizmit janë rizgjuar nga gjumi letargjik dhe fyejnë haptazi shtresën e të tonë të vuajtur. Në qoftë se një shekull më parë në një zonë të madhe të Shqipërisë Veriore mbizotëronte “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, komunizmi shqiptar në vitin 1989, papritur na shpiku dhe nxori “Kanunin e Ramiz Alisë” sipas modelit “Gorbaçov të Katovicës – Poloni”. Nga ky “Kanun i famshëm komunist i Ramiz Alisë” na doli në mënyrë të fshehtë Ligji famëkeq nr. 7501 i dt. 19. 07. 1991, që i bëri çorbë pronat e vjetra të fshatarësisë dhe të qytetarisë”. Në vitet e demokracisë, si pasojë e këtij “testamenti famëkeq të Presidentit të fundit komunist Ramiz Alia”, na u vranë me mijëra njerëz, midis tyre kot së koti edhe për një pëllëmbë tokë apo për një vijë uji. Kjo për arsye se ky “kanun i modelit alla komunist” jepte udhëzime që komunistët të talleshin me shtresën tonë të të përndjekurve politikë për pronat dhe t’i ndanin ato sipas qejfit të tyre. Kjo bëri që shumica e ish – pronarëve të vjetër të mos merrnin pronat e tyre.

Viktima e mosmarrjes të këtyre pronave ishte edhe shumica e shtresës tonë. Është tepër e habitshme se si Ramiz Alia, Presidenti i fundit komunist dhe pushtetarët në kohën e Demokracisë na i quajtën ish-pronarë të gjithë personat që ishin pronarë të vjetër dhe të ligjshëm të cilët kishin edhe hartat dhe dokumentet e vjetra të pronave të tyre. Kjo politikë tepër e gabuar dhe e padrejtë shkaktoi këtë rrëmujë të madhe me ndarjen e pronave të vjetra. Ashtu si Ramiz Alia edhe diktatori Hoxha shpiku dhe i la si trashëgimì këtij populli para vdekjes së tij operën e famshme “Komunizmi shqiptar”, ku ai ishte “kompozitori dhe dirigjenti kryesor i saj”. Me rrëzimin e monumentit të diktatorit komunist më 20 Shkurt të vitit 1991 muzika e kësaj opere famëkeqe komuniste ndaloi. Por këto gjashtë vitet e fundit, me fitoren e Partisë Socialiste në Zgjedhjet Elektorale Parlamentare vazhdon të dëgjohet muzika e kësaj opere të mësipërme komuniste me ndryshimin se ka dirigjent të ri dhe po transmetohet në dhjetëra kanale televizive shqiptare duke gëzuar shumë enveristët dhe nostalgjikët e tyre. Vendet Perëndimore dhe populli demokrat i Shqipërisë u habitën dhe shprehën pakënaqësinë se Qeveria Socialiste dhe Ministria e saj e Kulturës, urdhëruan dhe i dhanë leje Arkivit Qendror të Filmit, që shumë stacione televizive private, kombëtare dhe shtetërore të ritransmetojnë filmat artistikë dhe dokumentarët e komunizmit në mënyrë të pacensuruar.

Shtresa e të persekutuarve politikë me të drejtë nëpër media deklaroi se këto veprime antidemokratike të mësipërme janë një dëshmi e vërtetë që Partia Socialiste është pasardhëse dhe nostalgjike e Partisë Komuniste (e Punës). E habitshme është se diplomacia perëndimore dhe populli ynë sot po hesht, ndërsa brezi i ri po çoroditet dhe thotë që më mirë të ikim nga Shqipëria dhe të jetojmë në Perëndim sepse komunizmi po vendoset përsëri në vendin tonë. “Si nuk pushoi kjo daulle e vjetër e Komunizmit, e cila bie çdo ditë prej afro 80 vitesh pa pushim dhe na i shurdhoi veshët?!” Pema e Komunizmit gjatë 80 viteve të fundit, i futi thellë rrënjët e saj në tokën shqiptare. Edhe sot e kësaj dite frutat e saj i hanë nostalgjikët e Komunizmit.

I them sot këtyre nostalgjikëve: “Hani o komunistë nostalgjikë dhe vazhdoni të hani, por një ditë kjo pemë e mallkuar do të thahet dhe do të rrëzohet mbi kokat tuaja”. Siç e kam theksuar edhe më parë, ritransmetimi televiziv në këto gjashtë vitet e fundit i këtyre filmave dhe e dokumentarëve të Komunizmit është një njollë e zezë që iu bë demokracisë në Shqipëri. Kjo për arsye se aty shahet dhe fyhet rëndë SHBA, Britania e Madhe, vendet perëndimore, feja dhe shtresa e të persekutuarve dhe lavdërohet diktatori Hoxha dhe regjimi komunist, Stalinin, Mao Ce Duni, Tito, miqësia shqiptaro – ruse, shqiptaro – kineze, kulti i individit për diktatorin Hoxha dhe fjalimet e tij në kongreset e Partisë Komuniste, propaganda komuniste te fëmijët e vegjël dhe te rinia etj. Ky është një turp i pashembullt dhe një fyerje e rëndë për demokracinë në vendin tonë si dhe një hap prapa në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo tregon para botës perëndimore fytyrën e vërtetë të nostalgjikëve të komunizmit në politikën shqiptare.

Prandaj jo vetëm SHBA dhe vendet e BE-së, por edhe Parlamenti Shqiptar duhet të marrin një vendim të përbashkët që kush lavdëron dhe del me portretet e diktatorit Hoxha, t’i ndalohet 5 deri në 10 vite hyrja në vendet e Perëndimit. Kjo edhe për ata njerëz që sot janë deputetë, kryetarë bashkiakë apo prefektë të Qarqeve e të tjerë që lavdërojnë diktatorin Hoxha dhe kërcënojnë drejtuesit e shoqatave të persekutuara politike. Trupi im e provoi se cili ishte komunizmi shqiptar, ku unë kalova torturat më të rënda. Prandaj kam detyrimin e madh moral dhe shpirtëror në mbrojtje të demokracisë dhe në demaskimin e enveristëve dhe të nostalgjikëve të komunizmit.

Janë udhëzimet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Këshillit të Evropës që të zbardhet e vërteta e krimeve dhe e shkuara komuniste në Shqipëri. Diktatori Enver Hoxha dhe regjimi i tij komunist shkaktoi një “lumë lotësh” të mijëra nënave dhe familjarëve të viktimave të pafajshme gjatë 47 viteve. I bëj thirrje të gjithë politikanëve të majtë, të djathtë dhe të Qendrës që në respekt të vuajtjeve të tmerrshme të shtresës tonë të persekutuar politike të pranohen kërkesat tona të mësipërme. Në qoftë se ju respektoni shtresën tonë, ju tregoni respekt edhe për Vatikanin, SHBA-në dhe vendet Perëndimore. Kjo sepse me mijëra viktima dhe priftërinj të nderuar, para togës së pushkatimit thoshin: “Poshtë diktatura!” Poshtë Enver Hoxha!” “Rroftë SHBA!” “Liri – Demokraci!” e tjerë. Mos harroni të nderuar politikanë se kërkesat dhe protestat tona ndaj regjimit komunist në ato vite ishin të drejta dhe demokratike, sepse liria është gjëja më e shtrenjtë për një popull./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura