“Si po shndërrohen burrat në vejanë me gratë gjallë”

Oct 22, 2015 | 10:40
SHPËRNDAJE

Ai ishte nje aristokrat francez, që braktiset nga bashkëshortja, shoqëria dhe të gjithë ata që kishte njohur në kohën e luksit, deri sa i humbi të gjitha. Por, pikërisht kur nuk ka më asgjë, ndihet i mbushur. Jeta e tij merr kuptim duke komunikuar me një fantazmë, atë të gruas së tij të vdekur tashmë, Silvit. Është kjo pjesë e fabulës nga romani “Vejani”, i shkrimtarit të madh francez Jean Louis Fournier, që është përkthyer mjeshtërisht nga profesor Edmond Tupja dhe dy javët e fundit ka qenë pjesë e teatrit “Migjeni” në Shkodër, e dramatizuar nga regjisori dhe aktori i ri, Nikolin Ferketa.

Nikolin ne rolin e vejanit
Por çfarë e lidh një artist të ri me një monodramë “të rëndë”, siç është vepra në fjalë e Jean Louis Fournier-it dhe si janë vejanët dhe vejushat e sotshme, në krahasim me të kaluarën? “Njerëzit janë dhënë më së shumti pas luksit dhe qejfeve, sesa pas një dashurie të vërtetë, e cila mund të mbesë gjithmonë te shpirti njerëzor. Kjo gjë të kthen në një ‘vejan’, pavarë- sisht se mund t’i kesh të gjitha”, thotë ndër të tjera për gazetën “Panorama” Nikolin Ferketa, dhe ky mendim i tij nuk kursen as “vejushat”…

Monodrama “Vejani” e shkrimtarit francez Jean Louis Fournier nuk ishte vënë asnjëherë më parë në skenat shqiptare. Pse vendosët të ishit i pari për ta dramatizuar?
Me librin e Jean Louis Fournier-it u njoha kur profesor Edmond Tupja po e prezantonte në një emision televiziv. Duke marrë shkas nga eksperienca e parë me profesorin (monodramën “Mos ik o ma”), vendosa ta blej menjëherë librin. Pasi e lexova, u dashurova direkt me historinë sa të bukur, aq dhe dramatike, e ardhur mjeshtërisht në shqip.

Mendimi i parë që pata ishte që ta vija në skenë, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Gjatë procesit të dramatizimit, fillimisht u njoha me autorin, duke studiuar rreth jetës së tij, ku kuptova menjëherë se në atë roman Jean-i ka vendosur edhe veten e tij. Më tërhoqi historia dhe kronologjia e ngjarjeve, se si ishte renditur aq bukur dhe mrekullisht. Takova pastaj profesor Tupen, madje ia bëra surprizë romanin e dramatizuar. Gjeta menjëherë mbështetjen e profesorit dhe të shtëpisë botuese “Ombra”, të cilët më dhanë ekskluzivitetin për ta vënë në skenë, ku gjej rastin t’i falënderoj publikisht.

Regjisori dhe aktori Nikolin Ferketa
Regjisori dhe aktori Nikolin Ferketa

“Vejani” është historia e një burri që i ka vdekur gruaja dhe ai rikthehet në shtëpinë e braktisur para shumë viteve, duke kujtuar me nostalgji momentet më të bukura që ka kaluar aty si çift. Çfarë ju lidhë ju me një subjekt si ky, me moshën tuaj të re si regjisor dhe interpretues?
Edhe unë mund ta gjej veten të vetmuar në ndonjë situatë që jeta më sjell. Jo në formën e një vejani, por në ndonjë formë tjetër. Rutina e jetës së përditshme dhe marrëdhëniet që njerëzit kanë krijuar me njëri-tjetrin kanë ndryshuar shumë. Shpesh, njerëzit që na rrethojnë, nuk shikojnë më anën shpirtërore, por atë materiale, të luksit, duke e lënë mënjanë ndjenjën njerë- zore. Harrojnë që materia një ditë humbet, duke u shuar një herë e përgjithmonë, por shpirti mbetet i përjetshëm. Kjo më bën në njëfarë mënyrë të jem edhe në gjendjen e “Vejani”-t, duke parë realitetin që na rrethon.

A janë shqiptarët më së shumti vejanë si personazhi i Jean Louis Fournier-it, apo meshkuj që sapo u vdes gruaja, martohen me tjetrën?
Duke qenë se i përkasim pjesës së Ballkanit dhe duke analizuar të shkuarën dhe të tashmen tonë, shikoj një dashuri disi të munguar dhe jo fort të ndjeshme, sidomos te rinia. Ngjarjet që ne si popull kemi kaluar dhe po kalojmë, na bëjnë të jemi jo fort të ndjeshëm ndaj ndjenjës kaq të madhe dhe absolute, siç është DASHURIA. Njerëzit, sidomos të rinjtë, shikoj që janë të dhënë më së shumti pas luksit dhe qejfeve, sesa pas një dashurie të vërtetë, e cila mund të mbesë gjithmonë te shpirti njerëzor. Dhe kjo gjë të kthen në një “vejan”, pavarësisht se mund t’i kesh të gjitha.

Kur nuk ke atë që të plotëson me të gjitha, unë mendoj se nuk ke gjithçka. Jam koshient se shumë të rinj nuk mendojnë si unë, por unë në këtë formë e shikoj. Kjo që them, shumëkujt mund t’i duket një klishe, por meshkujt edhe të martuar, me grua gjallë, shikojnë për një “grua” tjetër, duke harruar premtimin që i kanë dhënë partnerit apo partneres, ditën kur ato betohen për një bashkëjetesë të përjetshme. Pra dal në konkluzionin se thjesht ai betim është një farsë, por kjo nuk ndodh te të gjithë, sigurisht. Gjithsesi është realitet.

Po vejushat shqiptare, si janë në raport me vejanët?
Thonë që koha i shëron plagët. Kjo është e vërtetë, por varet se çfarë dhimbjeje kalon. Mendoj pothuajse të njëjtën gjë edhe për “vejushat”. Ndoshta çdokush mund të justifikohet me mendimin se “dua të plotësoj atë çfarë mua tashmë më mungon, nga humbja e burrit, kënaqësinë seksuale” etj. Ndoshta edhe nuk kanë faj, sepse jeta vazhdon, por ama “vejushat” mendoj se janë më të ndjeshme ndaj një fatkeqësie të tillë. Por pyetja që nuk ka përgjigje është: Se sa e mbajnë në zemër atë dashuri tashmë të humbur?

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura