Si po ma zhvasin pronën në Tiranë

Dec 14, 2012 | 11:53
SHPËRNDAJE

MICHAEL DUMKE

LETËR E HAPUR

Ekselencës së Tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bujar Nishani
Shumë i nderuar Ministri i Drejtësisë, zoti Eduard Halimi,
Shumë e nderuara Kryetare e Gjykatës së Lartë, zonja Shpresa Beçaj

Më falni për shqetësimin dhe kohën që po më vini në dispozicion, por përvoja ime aktuale me gjykatat dhe mënyrën e veprimeve të tyre me pronën e një të huaji kanë zhgënjyer se tepërmi besimin tim në paanshmërinë dhe pavarësinë e gjykatave në Shqipëri.
Unë jam punonjës në Ministrinë e Jashtme gjermane, me detyrë diplomat, dhe kam qenë i akredituar nga viti 2001 deri në 2004-n në Ambasadën Gjermane në Tiranë, në postin e “Atasheut ekonomik dhe tregtar”. Mbasi mbarova misionin tim diplomatik në Tiranë, së bashku me bashkëshorten time, Nertila Dumke dhe vajzën, u larguam nga Shqipëria për të vazhduar shërbimin diplomatik në një vend tjetër. Përveç miqve dhe shokëve, ne lamë në Tiranë edhe një shtëpi në qendër të Tiranës.
Përpjekjet për ta lënë shtëpinë me qira dështuan për shkak të qiramarrësve jo seriozë. Meqenëse prindërit e bashkëshortes sime ishin në moshë të thyer dhe të pamundur për t’u kujdesur për shtëpinë, vendosem t’ia linim në përkujdesje dhe ruajtje z. Isakaj, një miku të familjes. Kusht nga z. Isakaj për përkujdesjen e tij për shtëpinë ishte një KONTRATË KAPARI e lidhur mes nesh dhe tij me mundësinë e rezervimit të së drejtës për të si blerës i parë në të ardhmen, pasi të zgjidheshin disa mosmarrëveshje me të ashtuquajturit ish-pronarë të truallit. Detyrimi i tij ishte pagesa nga ana e tij e një kontrate mujore, gjë të cilën ai asnjëherë nuk e realizoi. Kjo marrëveshje ishte një kontratë kapari në mirëbesim, e cila më tepër kishte si pikësynim përkujdesjen dhe sigurimin e shtëpisë. Nëse ne do të kishim dashur ta shisnim shtëpinë, do ta kishim bërë këtë menjëherë dhe njerëzve të cilët dispononin edhe paratë e nevojshme për blerjen, para të cilat z. Isakaj nuk i dispononte.
Të gjitha këto përpjekje dhe seanca të pafundme nëpër gjykata me ish-pronarët, na kushtuan shumë vite, derisa më në fund ne arritëm të gëzonim të drejtën tonë si pronarë të ligjshëm të objektit. Gati dy vjet më vonë, shtëpia u bë për disa herë pre e vjedhjeve, grabitjeve dhe shkatërrimeve (instalimet elektrike dhe të ujësjellësit, tubacionet, armaturat, boilerët, kuzhina etj.). Siç u vërtetua, z. Isakaj nuk kishte treguar asnjë kujdes për shtëpinë dhe ruajtjen e saj. Në këtë moment erdhi koha që ta merrnim vetë në dorë këtë çështje, pasi personi në fjale nuk kishte asnjë lloj interesi në këtë objekt. Si rrjedhim, ne gjetëm një qiraxhi, i cili ishte i gatshëm të bënte investime të mëdha në objekt dhe në këtë mënyrë t‘u jepej fund vandalizmave dhe shkatërrimeve të shtëpisë. Si rrjedhojë e investimeve të mëdha të qiraxhiut, ne ramë dakord me këtë të fundit për një qira modeste.
Ndërkohë, z. Isakaj kërkon zbatimin e kontratës së kaparit për të na detyruar ne t‘i shesim pronën dhe njëkohësisht kërkon dëmshpërblime absurde për shërbime dhe shpenzime, të cilat ai nuk i ka kryer kurrë. Në Gjykatën e Apelit ne fituam të drejtën tonë, gjykatë e cila hodhi poshtë vendimin e pabazuar të Gjykatës së Tiranës, dhe në këtë mënyrë ne nuk ishim më të detyruar t‘ia shisnim pronën z. Isakaj.
Ky i fundit iu drejtua Gjykatës se Lartë, gjë që është e drejta e tij. Të habitur nga Gjykata e Lartë, që e mori në shqyrtim këtë çështje, por së dyti edhe akoma më shumë të habitur nga fakti që kjo Gjykatë e caktoi datën e gjykimit në një kohë rekord pas arritjes së dosjes aty. Marrja në shqyrtim e çështjes dhe e lënies së datës së gjykimit brenda një periudhe kohore prej 3-4 muajsh është tepër e pazakontë. Këtë gjë ne e kemi vërtetuar nga përvoja jonë me gjyqet e mëparshme me ish-pronarët e truallit, ku na u desh të prisnim me vite deri në shqyrtimin e çështjes.
Shqetësimi dhe pyetja jonë është: si është e mundur që një çështje gjyqësore të merret në shqyrtim brenda pak muajve, në një kohë që kohëzgjatja normale është 2-3 vjet? Duke u përpjekur për të qenë objektiv, detyra ime si diplomat nuk ma lejon që të dyshoj në mënyrë të pavërtetuar, por për mua është tepër e paqartë se çfarë e shtyn trupin gjykues të përshpejtojë dhe të shqyrtojë në një kohë rekord një çështje gjyqësore, e cila nuk ka asnjë precedencë humanitare, gjë që do ta justifikonte një përshpejtim të tillë. Si pasojë, unë e konsideroj shumë të dyshimtë vendimin që do të merret nga ky trup gjykues. Personi që është në gjendje të arrijë në një kohë rekord përshpejtimin e një çështjeje të parëndësishme nga pikëpamja humane, ndërkohë që qytetarët e tjerë me paditë e tyre shumë më urgjentë në aspektin humanitar i duhet të presin vite me radhë për të arritur në një datë gjyqi, ky person mund të ndikojë edhe në vendimmarrjet e tjera.
Unë pyes veten se kush qëndron pas zotit Isakaj, pasi ai vetë, si nga ana financiare, ashtu edhe nga pozita e tij shoqërore, nuk është në gjendje të arrijë këtë ndikim mbi Gjykatën dhe trupin gjykues. Nuk ka dyshim që në fund të një çështjeje gjyqësore duhet të gjendet një zgjidhje në interes të të gjitha palëve të përfshira në gjykim. Por, për të arritur këtë gjë duhet t‘u jepet i njëjti shans të dyja palëve. Këtë barazi shansesh fatkeqësisht unë nuk e shoh të pranishëm në trajtimin e deritanishëm të çështjes nga Gjykata e Lartë.
Unë shpresoj që drejtësia shqiptare nuk do ta përforcojë përshtypjen që kanë shumë të huaj, që në Shqipëri nuk mjafton të kesh të drejtë, por të drejtën e ka ai që ka ndërhyrjet më të forta.

Me respekt
Michael Dumke
Referati 111- Immobilienmanagement Ausland
Auswaertiges Amt
Ministria e Punëve të Jashtme Gjermanë
Werderscher Markt 1
10117 Berlin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura