Si ndryshon siguracioni nga ligji i ri Bonus-Malus

Jan 26, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

pajtim-melaniPAJTIM MELANI

Rreth 5 vite nga ideja për një ligj modern të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike, qeveria ka dërguar në Kuvend draftin që, pas diskutimeve nga Komisioni i Ekonomisë, do të votohet në seancë plenare. Vendosja e një sistemi të ndershëm të primit (çmimit) që paguan çdo drejtues automjeti sipas historikut të tij të aksidenteve, ka qenë guri kilometrik në reformën ligjore të tregut të sigurimeve të detyrueshme motorike për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, pasi ky treg zë 63.59% të totalit të tregut të sigurimeve.

Që në krye të herës si Bord i AMF kemi draftuar dhe insistuar një sistem modern dhe të drejtë që kush ka histori të pastër me aksidentet rrugore, të paguajë deri 50 % më pak dhe shkaktarët e dëmeve sipas historikut të 5 viteve të fundit të paguajnë deri 2 herë më shumë. Është qëllim i ligjit të ndikojë në edukimin, ndërgjegjësimin dhe disiplinimin e konsumatorit, si dhe të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj tij nëpërmjet përfshirjes së sistemit Bonus Malus, në përcaktimin e tarifave të primeve.

Caktimi i primit të sigurimit makinave me bazë risku nënkupton edhe funksionimin normal dhe në konkurrencë efektive të tregut me çmime të ndryshme për risqe të ndryshme, si dhe drejtuesit e automjeteve që kanë makina me motorë të një shkalle më të vogël, duhet të paguajnë prime më të ulëta, krahasuar me ata që kanë makina me motorë të fuqishëm.

Përmirësimi i procedurave të trajtimit dhe pikësëpari rritja e dëmeve që do të paguajnë kompanitë e sigurimit përbën kolonën e dytë të rëndësishme të ligjit të ri. Ligji synon uljen e shpenzimeve të marrjes në sigurim, rritjen e masës së dëmshpërblimit dhe të përmirësojë procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit, në mënyrë që të shmangen problematikat dhe rastet abuzive që janë hasur deri më sot në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, si dhe procesi i dëmshpërblimit të jetë sa më transparent për përfituesin.

Në nenin 10 të projektligjit, në mënyrë që të shmangen rastet abuzive, si dhe procesi i dëmshpërblimit të jetë sa më transparent për përfituesin, është parashikuar që shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose përfituesit.

Ligji ka parashikuar një rritje e kufirit minimal të përgjegjësisë dhe kufiri minimal i përgjegjësisë, që mbulohet nga kontrata e sigurimit, (a) Për dëme pasurore dhe jopasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi: (i) për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 000 000 lekë; (ii) për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 000 000 lekë; (iii) për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 55 000 000 lekë.

Sigurimi i drejtpërdrejtë, ku secili nga të siguruarit duhet t’i paguhen dëmet dhe ndiqen procedurat nga kompania sigurimit ku ka marrë policën e sigurimit, është thembra e Akilit e ligjit të ri, që do të sjellë rritjen e konkurrencës në treg dhe për pasojë përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rënien e primeve të sigurimit.

Shoqëritë e sigurimit kryejnë funksionet e entit kompensues si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së tretë të dëmtuar për trajtimin dhe pagesën e dëmeve ndaj pronës apo ndaj personit, të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë për: (a) dëmet ndaj pronës dhe/ose personit që ndodhet në mjetin motorik të siguruar, shkaktuar nga mjeti motorik i pasiguruar si dhe/ose personave që ndodhen në mjetin motorik të pasiguruar; (b) dëme ndaj personit që ndodhet në mjetin motorik të siguruar, shkaktuar nga mjeti motorik i paidentifikuar. Përjashtimisht, dëmet ndaj pronës dhe/ose personit shkaktuar ndaj mjetit motorik autobus dhe mjetit që transporton lëndë të rrezikshme, trajtohen dhe paguhen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.

Ligji synon të përmirësojë procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së dëmtuar dhe për rastet e dëmeve shkaktuar nga mjete të pasiguruara/paidentifikuara; – shkurtimin e afatit dhe uljen e shpenzimeve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit me anë të nënshkrimit të Raportit Europian të Aksidenteve;

Ligji synon zgjidhjen e problematikave të Byrosë, duke ndarë trajtimin dhe pagesat e dëmeve nga byroja dhe shoqëritë e sigurimit si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së dëmtuar. Zgjidhja e problematikës së trashëguar për fondin e kompensimit është një risi e ligjit, pasi vlera minimale e fondit të kompensimit me qëllim pagesën e dëmeve nuk mund të jetë më e vogël se 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekë. Kjo vlerë mbahet nga Byroja si fond garancie në një llogari bankare qëllimore në njërën nga bankat e nivelit të dytë dhe/ ose degët e bankave të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe investohet vetëm në bono thesari dhe/ose depozita bankare, me afat maturimi jo më të vogël se 1 vit.

Ligji i ri parashikon edhe detyrimin që ka pronari i mjeteve lundruese me fuqi motorike më të madhe se 15 kw, që, sipas rregullave të regjistrimit të mjeteve lundruese, duhet të regjistrohet në regjistrin e mjeteve lundruese, është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi të përgjegjësisë për dëmet ndaj pronës dhe ndaj personit, të shkaktuara ndaj palëve të treta.

Po ashtu, pronari i avionit të regjistruar në regjistrin shqiptar të avionëve civilë duhet të lidhë një kontratë sigurimi të përgjegjësisë për çdo dëm dhe/ose humbje, shkaktuar palëve të treta, përgjatë përdorimit të avionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura