Si ndryshoi Kushtetuta më 30 korrik, tri çështjet ku përplasen palët politike për Reformën Zgjedhore

| 8:56
SHPËRNDAJE
 

Me votimin e 106 deputetëve pro, Kushtetuta e Shqipërisë u ndryshua në seancën e datës 30 korrik, duke krijuar mundësinë që me sistemin aktual elektoral të hapen listat për deputetët.kuvendi sot

Këto ndryshime që krijojnë mundësinë për t’i hapur listat me jo më pak se 70%, gjithashtu shtrojnë nevojën që të ndërhyhet sërish në Kodin Zgjedhor, për ta përshtatur atë me ato që thuhen në dokumentin themeltar të shtetit.

Kështu, nga ana e maxhorancës, pas ndryshimeve kushtetuese duhen bërë ndryshime në Kod për t’i hapur listat deri në 70%, duke garantuar kështu edhe përfaqësimin gjinor në Kuvend, do duhet të ndryshohet mënyra e organizimit të koalicioneve parazgjedhore, gjithashtu edhe formula e ndarjes së mandateve.

Ndërkohë për këto pika, opozita kanë një pikëvështrim të ndryshëm, duke kërkuar lista të hapura në masën 100 për qind, koalicionet të mbeten të pandryshuara dhe gjithashtu, edhe formula e shpërndarjes së mandateve duhet të mbetet e njëjtë.

Ndërhyrja në Kushtetutë u kundërshtua fort nga opozita, madje edhe nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar nuk u përshëndet.

Ndër të tjera ndërkombëtarët apeluan se për hedhjen e hapave të mëtejshëm, palët duhet të punojnë me frymën e konsensusit.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE

NENI 64

ISHTE

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.

2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativoterritorial.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

ËSHTË

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional, me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.

2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.

3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”.

NENI 68

ISHTE Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në Komisionin Zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

ËSHTË

Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si më poshtë: “1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.