“Si na u larguan njerëzit pas ‘Pashallarëve të kuq’”, rrëfimi i Helena Kadaresë: Pse Ismaili nuk e pret më çmimin ‘Nobel’

Oct 16, 2020 | 19:40
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Me hapa të lehtë dhe elegancë, Helena Kadare afrohet në ceremoninë letrare, që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka organizuar në nder të saj.

pjimage

E shoqëruar nga mikeshat e saj Meri Lalaj dhe Fatmira Aliaj, kujdeset që t’i përshëndesë të gjithë… portretet e njohura pëlqen t’i thërrasë në emër. Një sjellje prej “zonje të bukur”, siç do thoshte publicisti Mustafa Nano, që madhështinë e saj di ta shpreh me inteligjencë në detaje të vogla, pa dashur të bjerë në sy. Shkrimtari Ismail Kadare, siç na tregojnë miqtë, e pret diku pranë. Jo shumë larg, kjo dhe prej nevojës për ta pasur gjithmonë në krah, zonjën e tij. Vëmendja këtë mbrëmje tetori duhet të jetë te romancierja që diti të flasë për ëndrrat e përjetimet e gruas, me një gjuhë të pasur e stil unik. Për përkthyesen që solli në shqip autorë të spikatur të huaj, kryesisht francezë. Vlerësimi që Qendra e Librit i jep këtë të enjte, është “për librat e saj që me lirizëm dhe guxim, sjellin fatin e karaktereve gra në Shqipëri”.

Çmimin e dorëzon ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe shkrimtarja nuk e kursen mirënjohjen për të dhe të pranishmit. “Prej muajsh jemi ‘izoluar’ në një shtëpi në bregdet dhe kur pashë gjithë këto fytyra të dashura, nuk mund të mos emocionohesha”, thotë ajo.

Më tej, tregon se gjatë kësaj periudhe pandemie i është dedikuar leximit. “Kam lexuar disa libra shumë të bukur, që gjithmonë kisha dashur t’i lexoj, por që nuk kisha gjetur kohën. Madje, unë mund t’ju them sot atyre që duan të shkruajnë, se asnjëherë nuk do ta gjejnë kohën. Do t’i shtyjnë të gjitha angazhimet e tjera”, shton më tej.

helena kadare margariti

Është ende duke shkruar e rishikuar disa tregime të saj, por kur e pyesin nëse do t’i botojë, duket se duhet të presim edhe pak. “Pse jo, por asnjëherë nuk i botoj njëherësh dhe pa u bindur. Dhe ende nuk jam fort e sigurt”, shprehet shkrimtarja. Gjatë mbrëmjes së këtij tetori dedikuar librit, me Helena Kadarenë ishin të pranishëm njerëz të letrave e të medias, si Diana Çuli, Vera Bekteshi, Mustafa Nano etj. Nuk munguan as akademikët apo figurat politike, si Grida Duma apo Elisa Spiropali. Aktorja Justina Aliaj interpretoi një pjesë nga libri me kujtime i shkrimtares, që risillte panoramën e largimit nga vendi të çiftit Helena dhe Ismail Kadare.

Për “Panoramën” Helena Kadare rrëfen më tej, se si i kanë përjetuar emocionet e Nobelit këtë 8 tetor. Me finesë qëndrimin ndaj kritikave mediatike për raportin e shkrimtarit me sistemin komunist e shpjegon përmes veprave si “Pashallarët e kuq”, apo “Koncert në fund të dimrit”, që shkrimtari shkroi në diktaturë dhe situatave plot ankth që ajo vetë ka përjetuar asokohe. Vetëvrasjen e Mehmet Shehut e veçon si një nga momentet më të vështira. Ndërsa si lexuesja e parë dhe redaktorja e Kadaresë, tregon se si ai i ka pritur ndër vite kritikat e saj.

Zonja Kadare, vetëm një javë më parë u nda çmimi Nobel, që siç të gjithë e dimë shkoi për poeten amerikane Louise Glück. Si e pritët ju këtë vit ngjarjen? Dhe, pas kaq vitesh diskutimi, a prisni ende që ky çmim të shkojë për bashkëshortin tuaj, shkrimtarin Ismail Kadare?

Jua them me sinqeritet, se prej tre vitesh ne nuk e presim më. Kjo sepse përgjatë tridhjetë viteve rresht në orën 12, ndodhte që na kontaktonin gazetarë nga e gjithë bota. Donin të dinin se ku do të ishte Kadare gjatë orës 13.00, kur ndodh edhe ndarja e çmimeve. Ishte një “hall” i madh, pasi përpos telefonatave, nga të gjitha anët vinin dhe prisnin vendimin në shtëpinë tonë. Madje edhe kur kemi qenë tri herë në Tiranë, gazetarët me kamera rrinin poshtë shtëpisë. Mirëpo në Francë, kjo ishte më e dukshme, pasi interesi vinte nga e gjithë bota. Përsëritej i njëjti ritual. Në orën 13.00 telefoni ynë nuk pushonte së rëni. Pas shpalljes së rezultatit, heshtje… Pushonte si i prerë me thikë. Sepse natyrisht, e kishin mësuar lajmin dhe nuk kishin më interes. Për këto, edhe ne prej tre vitesh nuk e presim më. Edhe pse, për mendimin tim që e ndajnë edhe shumë dashamirës të Ismailit, ai duhet ta kishte marrë atë çmim prej kohësh. Fakti që nuk e ka marrë nuk përbën ndonjë gjëmë. Edhe pse do të ishte diçka shumë e mirë edhe për vendin tonë.

Pavarësisht Nobelit të munguar, Kadare vijon të marrë mjaft vlerësime siç është edhe “Neustadt”, së fundmi. Megjithatë media duket se preferon ta trajtojë këtë figurë, në raport me të shkuarën, më saktë diktaturën. Në këtë kontekst nuk mungojnë as kritikat. Si i prisni ju këto reagime?

Rreth kësaj, unë po ju tregoj disa detaje. Ismaili punonte në shtëpi, ishte me profesion të lirë, ndërsa unë, përpara se të nisesha për në punë, në shtëpinë botuese, i ndizja një zjarr, në oxhakun që kishte në studio. Në momentin që ai ulej atje, e thoshte shpesh: “Jam njeriu më i lumtur në botë”. Edhe kjo dukej… gjatë atyre dy orëve që shkruante, ai ishte realisht shumë i lumtur. Këto dy orë dedikuar të shkruarit ishin edhe në ditë të veçanta, si në 1 janar, pas ndërrimit të viteve. Nëse kjo nuk ndodhte ai do të ishte i sëmurë. Shkruante dy faqe dhe punonte ngadalë. Mirëpo për këto faqe që do të shkruante kishte 20 faqe shënime. E gjitha kjo e lumturonte! Unë si redaktore që isha, kur shikoja diçka të guximshme, shkoja dhe i thoja: Çfarë ke bërë kështu. Ti e di që kjo nuk thuhet. Por ai ngaherë më përgjigjej: Më thuaj nëse të pëlqen apo jo, mos bëj redaktoren. Atë e di vetë”.

Nga e gjitha kjo, ai vetë ishte i lumtur, ndërsa unë përballesha me të tjerat, pasi isha unë që shikoja dhe dëgjoja ato që thuheshin jashtë. Dhe ka pasur dy-tri raste të tilla, si me “Pashallarët e kuq” (Poema, ku Kadare paraqet zyrtarët e lartë komunistë me duar të përgjakura gjer në bërryl, që zemëroi Enver Hoxhën në 1975-ën, duke e konsideruar shkrimtarin si armik të Partisë). Asokohe, të gjithë u larguan. Por unë nuk i fajësoja, pasi e dija që kjo ishte sjellja që duhej bërë. Nuk më vinte keq. Sigurisht që koleget e mia të jetës, nuk e bënë këtë, megjithatë, për mua e gjitha kjo ishte tronditje. Qëndroja në ankth gjatë gjithë kohës, e tmerruar se çfarë mund të ndodhte. Mirëpo, nga ana tjetër këtë gjendje nuk e përcillja në shtëpi. Unë e lija (Kadarenë) që të fluturonte me ato lumturitë e tij. Dhe heshtja, nuk ia thoja. Pastaj nga ana tjetër fillonte ajo përpjekja tjetër, që lidhej me sigurimin e ushqimit për familjen, për të cilën ai s’donte t’ia dinte. Po ashtu, nuk doja, që vajzat ta merrnin vesh kur ne kalonim situata të tilla, apo kishim një hall. Kujtoj për shembull kur u vetëvra (1981) Mehmet Shehu. Për ne, ishin ditë shumë të vështira, pasi kishim mik djalin e tij të vogël, Bashkimin.

Më herët ju përmendët kritikat që i bënit gjatë përgatitjes dhe redaktimit të librave. Por, sa i ka marrë zoti Kadare parasysh sugjerimet tuaja?

Ai nuk pranonte asnjëherë vërejtje. Kështu unë zemërohesha, ai po ashtu… Mirëpo në Francë ia kam shtypur unë të gjithë veprën, pasi nuk kishim njeri që dinte shqip. Kur më sillte atë që kishte shkruar për herë të dytë, unë vëreja se i kishte marrë parasysh të gjitha sugjerimet që i kisha dhënë. Por, unë e anashkaloja këtë fakt, pa ia vënë asnjëherë në dukje.

Po ai vetë pas botimit të një vepre, është penduar për diçka që mund të ketë shkruar. A ka dashur të bëjë ndryshime në to?

mbajtur atë drejtim që i patë dhënë, mirëpo vetëm i ka përmirësuar artistikisht. Për shembull kur është botuar “Koncert në fund të dimrit”, kritiku i madh francez, Stefan Kurtua (autor i “Libri i zi i komunizmit shqiptar), tha: “Nuk kam lexuar libër më antikomunist se ky”. Mirëpo, në Shqipëri, sigurisht që ka të tjerë që kanë tjetër mendim. Po jua them këtë për të kuptuar atë që thatë në lidhje me ndryshimin. Pra, asgjë nuk ka ndryshuar përveç anës artistike. Në këtë aspekt, sa herë ka pasur mundësi, e përpunon veprën.

A po shkruan zoti Kadare diçka në këtë periudhë?

Jo, tani nuk ka asgjë në dorë. Dhe unë për t’ia lehtësuar këtë i them: Gjithçka e ke shkruar, mos u mërzit që nuk po shkruan më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura