“Si na torturonin policët xhelatë pa shpirt të Spaçit”, dëshmia e ish-të burgosurit nga SHBA: Më lidhën me tela nga trupi, më hoqën zvarrë…

Sep 19, 2020 | 8:22
SHPËRNDAJE

burgu-spacitDashnor Kaloçi/ Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

 Prolog

  Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

 Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

“Kështu s’dua të jetoj”!

Historia e dhimbëshme me fund tragjik, e të burgosurit Aristotel Ksero, djalit nga Derviçani i Gjirokastrës!

Dhjetor 1977

Dimri i vitit 1977, erdhi me tërë egërsinë e tij. Vjeshta i rropi pemët nga gjethet para kohe. Pejsazhi i Spaçit nga vet pamja e tij gjeografike, në zemër të maleve, të tmerron! Spaçi është një burg natyral. Dielli, këtë humnerë nuk mund ta ngrohte dot në dimër asnjë orë në ditë dhe e vetmja dhuratë falas që u’a dërgonte zoti këtyre fatkeqëve, por që Tirani i ka dënuar mos të marrin asnjë rreze të vetme!

Murrlani i veriut i rrihte me egërsi muret e betonta të burgut dhe fishkëllimat e tij dëgjoheshin brenda në “Kaushin” tone, si një ulërimë! I ftohti jashtë kalonte në – 15 grad nën zero! Të gjithë të burgosurit kishin hyrë në krevatët e tyre të mbështjellë me batanijet e vjetra të katandisura si rrjeta dhe në heshtje rrinin duke menduar!

Fytyrat e tyre të zbeta me sytë të futur thellë në zgavra, kishin një pamje të dhimbshme! Të gjithë ëndërronin, ëndërronin për familjet e tyre, për fëmijët që nuk u dhuruan qoftë edhe një përkëdhelje të vetme! Fëmijë që se njohën babain e tyre! Të tjerët ëndërronin ndoshta për të fejuarat, për gratë që pabesisht i tradhëtuan, duke i ndarë!

Brenga tek këta, ishte më e madhe, më torturonjëse, pasi kjo vuajtje shpirtërore ndikonte negativisht nga ajo torture, ku të gjithë të burgosurit, ishin bërë si psikopatë! Të 54 të burgosurit e “Kaushit” tonë, ishin të gjithë nervoz, merrnin inat për hiç gjë dhe të provokonin për të hapur sherr kot së koti!

Në katin e parë të dërrasave, flinin 11 vetë, që na takonte nga 50-60 cm, gjerësi të shtriheshim për të fjetur! Në krah, kisha doktor Vasilin, një njeri misterioz, që e kalonte gjithë kohën duke shfletuar libra, por duke mos lexuar asnjë rresht të vetëm! Kur e pyesnin se çfar lexove, ai të përgjigjegj: “S’është nevoja të lexoj, ja marr kuptimin vetëm me të pare”! Trupi i tij ishte dobësuar dhe eshtrat i mbulon një lëkurë të hollë e të bardhë, që s’kishte parë kurrë rrezet e diellit!

Djaloshi nga Derviçani, që rrinte vetëm shtrirë në dyshek!

Në krah të doktor Vasilit, rrinte ulur këmbëkryq Muhamet …., i cili pëshpëriste gjithnjë me vete, dhe të tërë hallin e kishte, se a do të jetonte, që kur të dilte nga burgu, të hakmerrej! Në krah të Muhametit, një i burgosur rrinte gjithnjë shtrirë dhe i mbuluar me batanije që balta i kishte dhënë një llustër, sikur të ishte copë çadre! Sa vinte nga puna i lodhur, i rraskapitur jashtë mase, hante copën e bukës dhe shtrihej! Dëshira e tij ishte që ta linin të rrinte shtrirë dhe nuk kërkonte as të hante e as të pinte, vetëm të vdiste i qetë në atë dyshek me bykë!

Nuk ishte i thyer në moshë, as plak që t’i urrehej jeta dhe vetja, por ishte djalë 25 vjeçar, e quanin Aristotel, nga fshati Derviçan i rrethit të Gjirokstrës. Gjatë hetuesisë, për 10 muaj me rradhë nga vuajtjet dhe torturat, pësoi traum psiqike, pasi shoku i tij, me të cilin akuzoheshin për “veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe qeverisë”, vdiq në qelitë e hetuesisë!

Aristoteli ishte djalë inteligjent dhe tepër i mprehtë, ai kishte qenë student për Matematikë – Fizik në universitet, kur ishte arrestuar. Kishte dy ditë që ishte caktuar të punonte në brigadën tone, në zonën III-të, bakër. Nuk më ishte dhënë rasti të bisedoja me të, sepse punonte me një grup tjetër në frontin 55, por përshëndeteshim sa herë takoheshim kur mbaronim punën brënda në minierë.

Aristotelin e kishte tmerruar errësira dhe era e qelbur e galerive gjithë ujë. Atë e kish mbërthyer një pesimizëm, nga i cili vështirë të shpëtonte!

Ora 9.00, tellalli Jorgo bëri zgjimin e turnit të III-të dhe të gjithë të burgosurit shanin nëpër dhëmbë, por dikush nga kati i tretë i dërrasave, Engjëll Fidani, kishte sarkazmë shumë të fortë.

Katër brigada me 200 të burgosur në rresht nën urdhrat e policit Pjetër…!

-“Edhe në dasëm të më ftojnë në këtë orë të gjumit s’luaj nga dysheku, e jo të vete të hyj në tym të minierës”, thoshte Engjëlli, të cilit i hapej goja nga pagjumësia. Të burgosurit përgatiteshin në heshtje për të shkuar në mencë të merrnin copën e bukës, pasi na mbante më tepër se 1 orë në këmbë në oborr përpara mencës polic, Pjetër…, në mes të akullit dhe erës që të bënte pështymën akull në gojë!

Shkuam në heshtje njëri mbas tjetrit në oborr, të rreshtuar prisnim që zoti Pjetër të fillonte. Ai donte të mos dëgjohej asnjë pëshpëritje dhe rreshtat e 200 të burgosurve në katër brigada të ishin drejtë! Ndërkohë, tufani i veriut na rrihte me tërbim, sikur të kish dhënë urdhër polici Pjetër…! Nën dritën verbuese të prozhektorëve, dukeshin qartë fytyrat e zbehta, sy që rrethoheshin nga rrathë të zi. Të gjithë dridheshin nga të ftohtët dhe shtëllunga avulli dilnin nga vrimat e hundëve!

Durimi sa vente dhe binte. Pikërisht këtë kërkonte polici Pjetër, pasi ai ishte i veshur me peliçe të ngrohtë, ndërsa ne lakuriq, me ca palo kapota të grisura si rrjeta! Ai me këpucë e çorape në këmbë, ne zbathur, ai i ngrënë, ne të uritur! Ky xhelat i Spaçit kish fituar urrejtjen e të gjithë të burgosurve. Ky polic, ky mercenar i ndyrë, ka torturuar në mënyrën më ç’njerëzore me mijra të burgosur, që shumica kanë vdekur. Nofullat e asaj bishe, ishin të shtrënguara, gjithnjë në shenjë urrejtje ndaj të burrgosurve!

Zoti nuk kish marrë mundimin që të gdhendëte tipare njerëzore te ky njeri, që ishte shndërruar në një përbindësh, por në një surrat kish hapur dy vrima, ku lëviznin dy sy, aq të ngjashëm me të një egërsire, me një të …… tjetër kish bërë një hundë që maja vinte përpjetë, goja e tij me buzë të shtrënguara që qeshnin rrallë, ky portret të ngjallte neveri!

Teli e kish humbur durimin dhe foli me zë të lartë dhe tërë nervozizëm:

-“Hë zoti polic, do të na mbash akoma në këmbë, një orë kemi që presim, nuk u zien akoma preshët, jemi njerëz, nuk jemi drunj”! Por pa e mbaruar mirë fjalinë, bërtiti Pjetri:

-“Kush është ai karafil që ka të ftohtë? Pusho se të mori dreqi, palaço”.

-“Pse të pushoj, çfar do bësh, një bith kapterri je”, e kundërshtoi Teli me vendosmëri.

-“Dil lart se ta tregoj unë”, bërtiti duke u bërë xurxull nga inati, polici Pjetër.

Por Teli nuk dëgjoi, dhe nuk lëvizi nga vëndi, duke mos e çarë kokën nga e bërtitura e policit.

-“Dil po të them, ti i dënuar”, dhe zbriti shkallët, duke u afruar në rreshtin ku ishte Teli.

-“Pse nuk zbaton urdhërin i dënuar”, bërtiste ai dhe shtynte të burgosurit, t’i hapnin rrugën. Pa arritur mire, e shtyu Telin më tërë forcën e tij, sa që Teli e humbi ekuilibrin dhe u rrëzua mbi akull.

Izolimi në biruc i Aristotelit, pasi kundërshtoj policin!

-“Ngjitu lart tek porta”, bërtiti polici, që surratin ja kish mbuluar gjaku dhe hunda e tij me maj, ishte bërë si spec i kuq!

Teli u ngrit duke e shikuar me urrejtje atë njeri pa shpirt dhe qetë-qetë u ngjit lart tek porta që të çonte në zonën neutrale. Polici i shkonte nga mbrapa dhe herë pas here e shtynte sikur të ishte një rob lufte. Të burgosurit kërcisnin dhëmbët dhe mërmërisnin nëpër dhëmbë, me mallkime për policin.

-“Hë, ka ndonjë karafil tjetër që s’do të rrijë në rresht”, ulëriu Pjetri duke pritur ca, se si do të rreagonin të burgosurit! Pasi e kaloi vështrimin në të gjithë rreshtat, dha urdhër që brigadierët të rregullonin brigadat. Zgjati edhe dhjetë minuta kjo punë dhe ora po shkonte 9.30, kur u kthye nga birucat ku mbylli Telin, e i dha urdhër tellall Jorgjit të vazhdonte për bukë.

Secili nga ne merrte nga një copë buk 200 gr. që u jepte i burgosuri që merrej më prerjen e bukës, një Ahmet Mullai dhe më pas te sporteli i guzhinës, ku merrnim preshët e ziera që qelbeshin kushedi sa kilometra larg! Të gjithë e hanin me uri, sado i qelbur që ishte ai ushqim?!

Pas ngrënjes, polici Pjetër dha urdhër të rreshtoheshim në tarracën e banjës përpara burgut, ku era dhe të ftohti të fshikullonin mirë.

Pritëm në këmbë deri sa erdhën policët e punës. Turnin e tretë në kamp e merrte polic Prenk Rr., një idiot që si gjendej qënie tjetër për krahasim! Kur dolëm tek porta që të çonte në galeri, polici Pjetër, ja la amanet Preng Rr.

-“Preng”- dhe ngriti zërin që ta dëgjonim ne, që prisnim policin sa të nënshkruanin firmat në bllokun e oficerit të rojes, për të burgosurit që kishin marrë në dorrëzim.

-“Ma kij pak kujdes atë karafilin në birucën e parë, që futa sonte”, vazhdoi tër tangërllëk, duke u zgërdhirë xhelati!

-“Mos u bëj merak hiç, fli reaht Pjetër”, – i’a ktheu Prenga i gëzuar që kish me se të kalonte natën!

Turni i tretë në labirinthet e minierës me gazra helmues!

Morëm karbitin dhe veglat e punës, mbushëm kandilët dhe u futëm në gojë të minierës, nga gryka e së cilës delnin shtëllunga të mëdha gazi dhe tymi helmues! Goja e minierës ngjante si një gojë përbindëshi! Na gëlltiti të gjithëve kjo gojë duke humbur nëpër labirinthet e zonës së tretë. Unë punoja në fronterinë 55, ku duhej që nga niveli i galerisë, të ngjitja një furrnel 50 cm. të lartë. Ishte fronti me i vështirë, pasi temperatura këtu ishte mbi 35 gradë në dimër e behar!

Veç kësaj ky front kish dhe presion të madh, pasi galeria çdo ditë shtypej duke i futur trupat e drurit thellë! Të dy shokët që punonin ngjitur përpara meje, Sadik D. nga Pogradeci, dhe Abdulla O. nga Përmeti. ishin njerëz lakmitar, pasi kërkonin që çdo ditë të tejkalonin normën për të marrë 50 lek të qelbura! Kur u ngjita unë, ata kishin filluar punë dhe gati mbushëm vagonin e parë.

-“Hë u lodhët, si duket”, i pyeta, duke vërejtur frontin ku punojnë ata të dy.

-“E shihni që punoni në hapsirë e do u bjerë ndonjë shkëmb në kokë”, i këshillova që të largoheshin nga rreziku.

Komanda dhe policët flisnin gjithnjë për Sigurimin Teknik, por në të vërtetë, i detyronin të burgosurit të punionin në hapsira pa asnjë lloj sigurimi!

-“Ska rrezik”, tha Dulla, ‘hajde të punojmë se ka material”, vazhdoi ai dhe çibukun nuk e hiqte nga goja, edhe kur punonte edhe kur fliste! Kishte jetuar nja 12 vjet në SHBA-ve, u kthye dhe u dënua me 15 vjet burg politik!

-“Jo’, i’a ktheva, kam një fije tru akoma në kokë”, dhe u largova nga rreziku, duke vajtur pranë furnelit ku ishte vëndi për t’u ulur. Por pas pak, erdhi polic, Mark M., me brigadierin, Gjonin.

-“Ka material, (bakër)”, tha pa u ngjitur mirë dhe u drejtua nga fronti ku punonim.

-“Ka, ka”, tha Sadik D., që ishte bërë ujë në djersë, sepse aty djersije po të rrije dhe jo më të punoje!

-“Është i pasiguruar fronti, zoti Kapterr”, ndërhyra menjëherë unë.

-“Nuk ka asnjë rrezik, por fillo punën”, bërtiti polic, Mark M., një njeri që vetëm shëmbëlltyra i kishte mbetur njerzore! Një qënie e zezë në fytyrë, ku shquhej një egërsirë prej bishe në çdo tipar!

Gjatë pesë viteve, kisha parë shumë viktima që mbeteshin në miniera!

-“Unë aty nuk të futem”, i’a ktheva aty për aty, i vendosur që mos të punoja në një vënd me rrezik. Më mirë do të duroja torturat në birucë, se sa të më mbeteshin kockat në galeri. Gjatë pesë vjetëve, kisha parë shumë viktima që u varrosnin për sëgjalli në ato miniera!

-“Dil jashtë dhe më prit te baraka”, shfryu tërë nervozizëm, ‘ta rregulloj unë mirë kurrizin”, vazhdoi ai duke më bërtitur.

Zbrita dhe shkova tek vëndi ku kisha lënë rrobat që të vishesha, pasi isha bërë ujë në djersë dhe kominoshet e punës më ishin ngjitur pas trupit! Tek po zhvishesha, arriti polici dhe kur më pa që po ndërrohesha, bërtiti:

-”Marsh jashtë, armik i ndyrë, sabotator”, shfryu si një bishë dhe nga goja i dilnin copra pështyme.

-“Jo’ e kundërshtova, ‘do vishem, sepse jam i djersitur”, vazhdova me timen, duke mos e çarë shumë kokën për fyerjet dhe kërcënimet e tij. Pas i vinin tre trima të tjerë, dy zjarmtarë dhe brigadieri i zonës.

Polici me dy “trimat” e tij më la të lidhur në minus 15 gradë!

Polici i nevrikosur nga vendosmëria ime, u turr si bishë mbi mua, duke më shtyrë me sa fuqi që kishte. Unë kisha hequr çizmet dhe po mundohesha të hiqja kominoshet, por në këtë kohë e humba ekuilibrin dhe u rrëzova në tokë, ku kishte ujë dhe baltë.

-“Marsh, marsh, jashtë”, hungëriste dhe dridhej i gjithi nga nervozizmi. U ngrita dhe i vesha çizmet, e ashtu siç isha i djersitur, i lagur dhe gjithë baltë, e dola nga galeria. Përjashta frynte murlani dhe një rrënqethje më pushtoi trupin, kur dola në ajrin e akullt. Brenda temperatura ishte 35 gradë celcius, kurse jashtë, minus 15 gradë! Njëlloj sikur të ikësh nga Ekuatori dhe për pesë minuta të gjendesh në Oqeanin e ngrirë të Veriut!

Polici më ndiqte këmba këmbës me të tre trimat. Më zunë të dridhurat, pasi kombinoshet e lagura nga djersa, ngrinë menjëherë dhe djersa u bë copa copa akulli mbi trupin tim. E ndjeja veten sikur isha i futur përsëgjalli në frigorifer! Arrita te baraka e policit, i cili hyri brenda dhe pasi morri një palë hekura, të tre më mbërthyen me forcë nga krahët, duke më shtërnguar aq fort, sa gati po m’i thyenin!

Pas kësaj më futën prangat në duar, duke m’a shtërnguar deri në fund vidhën, deri sa u bllokua qarkullimi i gjakut. Isha i mësuar me dhimbje në trupin tim, tashmë të dobsuar, edhe sikur të m’i këputnin fare! Më hoqën zvarrë dhe më afruan te shtylla e e hekurt, ku më lidhën me tela nga trupi dhe këmbët që të mos lëvizja dot nga vendi! /Memorie.al

 

IMG-20200903-WA0028-1 Spaci-burgu-galeri-1-1 Burgu-i-Spacit-16-1 Burgu-i-Spacit-16-1 IMG-20200903-WA0028-1 Spaci-burgu-galeri-1-1 Burgu-i-Spacit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura