“Si na ndaloi policia greke në kufi, bashkë me gazetarët e RAI 3”

Jun 30, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

“Dje vizituam Margëlliçin (Margariti), Çamërinë, tokën e gjyshërve të mi. Sikur të mos mjaftonte dhimbja që ndjeva duke parë përsëri ato shtëpi të pajeta, m’u desh të duroj dhe pyetësorin e pakuptimtë e të padrejtë të policisë së vendit. Gjatë xhirimeve, një tip arrogant që më pas u identifikua si polic civil, na ndërpreu punën dhe shoqëroi në polici! Por, “sigurisht” që problemi ishim vetëm unë dhe shoferi që ishim shqiptarë, pjesa tjetër e grupit, qytetarë italianë, mund të rrinin të qetë, madje iu ofrua edhe kafe! Pra, prej eksperiencës personale dhe të freskët fare, mund të konfirmoj që policia greke e zonave në kufi, vazhdon me këto sjellje të ulëta kundrejt ne shqiptarëve dhe ky fakt tregon qartë sa shumë u djeg ende çështja çame”.

Sonila Alushi dhe Alessandro Rocca

Ky ka qenë statusi që Sonila Alushi, nënë e dy fëmijëve, sipërmarrëse në Bergamo dhe bashkëpunëtore e “Albania News”, ka shkruar në profilin e saj në Facebook, pasi ka shoqëruar grupin e xhirimit të televizionit “Rai3”, në tokat e saj në Çamëri. Kjo histori ka tërhequr kanalin televiziv italian “Rai3”, që prej disa vitesh trajton çështjet e emigrimit në emisionin “Rrënjët, faqja tjetër e emigrimit”, që për herë të parë në historinë e tij të hapë dhe trajtojë çështjen çame.

Fillimi i udhëtimit u duk se shkoi mirë, derisa një polic civil grek ndërpreu xhirimet dhe i kërkoi grupit t’i shoqëronte në polici. Nga pesë pjesëtarët e grupit u morën në pyetje vetëm 2 shqiptarët. E meqenëse pyetësori iu drejtua vetëm shtetasve shqiptarë, del qartë që vetëm ata u identifikuan si “keqbërës” të mundshëm! Fjalët dhe ngjarja e Sonilës u shpërndanë menjëherë në rrjetet sociale. Sot, ditë kur “Rai3” do të transmetojë edhe emisionin mbi Çamërinë për herë të parë në një televizion italian, Sonila na ka treguar ca gjëra më shumë. Se si kjo ngjarje nuk i ka ndodhur për herë të parë e mund t’i ndodhë sërish.

Si ju gjeti “Rai3”?
“Rai3” njihet në Itali për sensibilitetin e veçantë ndaj këtyre temave. Bashkëpunimi lindi shumë thjesht. Alessandro Rocca ishte në kërkim të shembullit shqiptar dhe për këtë kontaktoi disa miq të tij shqiptarë. Të gjithë këshilluan dikë dhe dikush këshilloi emrin tim. Pas disa intervistave që m’u bënë personalisht nga Davide Demichelis, trupa e emisionit “Radici” zgjodhi historinë time që zhvillohet midis Tiranës, Vlorës, Peshkopisë, Italisë dhe Çamërisë. Por kemi vizituar edhe qytete të tjera dhe imazhet janë të mrekullueshme, se të mrekullueshëm e kemi vendin. Dokumentari nuk është politik, pra, nuk ka për qëllim të treguarit apo të denoncuarit e padrejtësive të një vendi apo populli. “Radici” nuk heton mbi faktet historike që na penalizuan rëndë ne shqiptarëve, por tregon historinë time personale ku temat si politika, racizmi, Çamëria, varfëria etj. preken personalisht prej meje dhe kështu janë relative.

A mendonit se do të hasnit këtë problem kur u nisët për xhirime? Tashmë kjo është një histori e përsëritur dhe një farë ‘frike’ për atë që të pret, kushdo e ka…
Po, e mendoja, sepse më ka ndodhur herën e parë që shkova në Çamëri me familjen time. Nuk na shoqëruan në polici atëherë, por një person na zuri rrugën me makinën tij, duke mos na lënë të kalonim dhe të filmonim me kamerën tonë amatoriale. Po i njëjti person edhe na kërcënoi se do të thërriste policinë. Kurse kush- ëririn tim bashkë me nënën e tij e ndaluan për orë të tëra në polici dhe nuk kishin kursyer as gruan e moshuar nga pyetësori i lodhshëm dhe i gjatë. Ndaj isha pothuaj një- qind për qind e sigurt që do të na ndalonin. Nuk kam asnjë lloj frike në lidhje me këtë histori për faktin e thjeshtë se kam sigurinë e të qenit nga ana e së drejtës: ne duhet të kemi të drejtën të vizitojmë tokat e të parëve tanë dhe kemi detyrën të hedhim sa më shumë dritë mbi historinë e dhimbshme që populli çam ka jetuar. Unë nuk dëshiroj konflikt, nuk dëshiroj spostime kufiri. Qëllimi im është të njihet padrejtë- sia dhe gjithkush të ketë lirinë të vizitojë dhe udhëtojë i qetë në tokën çame.

Ky është një realitet që ju vetë, ne të gjithë e njohim… Si reagoi pjesa tjetër, ekipi i emisionit, për të cilët situata mund të ketë qenë befasuese?
Në fillim pjesa tjetër e grupit u acarua pak dhe iu rebelua kërkesës së policit për të hetuar vetëm mbi ne shqiptarët. Duke mos njohur mirë dhe zonën, historinë dhe sjelljet e policëve atje, u preokupuan sidomos për mua. Por, pasi vura re që sjellja konfliktuale nuk do na sillte asgjë të mirë, madje rrezikonim jo vetëm të humbnim kohë, por edhe të na sekuestroheshin materialet, atëherë vendosa të ndërhyj duke qetësuar “ujërat” e duke dhënë disponibilitetin tim për pyetësor. Më pas, fjalët që shpenzuam të gjithë si ekip lidhur me këtë ndodhi ishin shumë të pakta. S’ke ç’i komenton shumë një veprimi kaq diskriminues dhe evident. Nga ana tjetër, ditën më pas nga Davide Demichelis m’u komunikua vendimi i tyre se rrënjëve të mia çame do t’i dedikoheshin disa minuta më shumë (sesa ç’ishte parashikuar) në dokumentar.


Sa shpesh e kishit vizituar Çamërinë dhe pas kësaj që ndodhi, a do të ketë vizitë të radhës?

Në Çamëri kam qenë bashkë me familjen time, pra me tim shoq dhe fëmijët e mi, në vitin 2013. Vizituam Filatin (nga ku kam njerëzit e mamit), Pargën, Margëlliçin, Paramithinë, Agjinë dhe Luaratin. Kisha vite që e projektoja dhe ëndërroja atë udhëtim, por çdo pranverë ndërroja mendje dhe e shtyja udhëtimin për një herë tjetër: nana (gjyshja) ime më ka treguar që fëmijë historitë e familjes, gjenocidin, udhëtimin e tmerrshëm në këmbë drejt Shqipërisë dhe për motrën e vogël 3-vjeçare që i vdiq gjatë rrugës prej mungesës së ushqimit dhe ilaçeve. I kam kaq të gjalla tregimet e saj në mendjen time sa ndonjëherë më duket sikur i kam jetuar vetë personalisht! Pra, herën e parë nuk e përballova dot kollaj të shkuarin atje, midis ullinjve kaq të dashur nga të gjithë çamët; midis shtëpive të rrënuara në atë tokë të bukur. Jo prej frikës, por prej emocionit. Dua patjetër të kthehem e dua që fëmijët e mi të kuptojnë mirë nga ku i ka rrënjët mami. Dua të njohin historinë shqiptare, dua të njohin e të duan tokën tonë nga veriu në jug.

Pas udhëtimit në Çamëri, ju udhëtuat drejt veriut, drejt Peshkopisë më saktë apo jo? Çfarë të lidh me Peshkopinë dhe cilat ishin përshtypjet e ekipit të “Rai”-t për atë pjesë të veriut?
Po, ne udhëtuam drejt Peshkopisë sepse atje banojnë ende një pjesë e mirë e të afërmve të tim shoqi, të cilët janë dhe njerëzit e mi tashmë. Me Peshkopinë jam shumë e lidhur, atje kemi dhe shumë miq, përveç familjarëve. Ekipit i bëri shumë përshtypje mikpritja dibrane, modestia e tyre dhe dashuria. Xhaxhai i tim shoqi shpjegoi se si në veri është ligj i pashkruar, por shumë i respektuar, shprehja “Shtëpia e shqiptarit është Zotit dhe e mikut”. U ndjeva shumë krenare në atë moment. Por, përveç kësaj, nuk mund të mos binte në sy fakti që shoqëria atje është ende thellësisht maskiliste. Nëpër fusha shihje pothuaj vetëm gratë që punonin tokën, ndërsa burrat popullonin kafenetë e qytetit të vogël nga fillimi në fund. Po ashtu, i çuditshëm ishte për sytë e tyre dhe të mitë kjo shëtitore e bukur plot pemë, ku një karvan i gjatë djemsh e burrash, ecnin e vinin përgjatë saj pa kuptim! Në këtë rast ndjeva dhimbje për motrat dibrane, shumë zemërim dhe turp.


Ndërkaq, rrugës për në Peshkopi ju u ndeshët me një miting në Klos, ku Kryeministri Rama gjatë fushatës elektorale prezantoi për Bashkinë e vendit një kandidate grua… Ca kontradiktore atmosfera. Si e komentoi ekipi xhirimit?

Midis buzëqeshjeve për anekdotat dhe batuat paksa djegëse që Kryeministri u kushtonte burrave vendës, ai fjalim u vlerësua nga të gjithë ne si revolucionar. Por, kur u larguam dhe gjatë udhëtimit vërenim pothuaj vetëm gra edhe të moshuara, që punonin në gjunjë e pa përtesë tokën e tyre, buzëqeshjet na u fikën. Ndërkohë që unë mbushja sytë me lot, djemtë heshtnin, e ç’mund të bënin tjetër?!

 ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura