“Si mundi me ardh katundi n’mortin e ‘familjes tonë kulake’, në majin e ‘85-ës dhe dy komunistat që na….”?!/ Dëshmia e rrallë dhe historia e dhimbshme e familjes mirditore

Apr 17, 2022 | 7:58
SHPËRNDAJE

Nga Dodë Bardhok Melyshi /“Ke me shkue te Zef Pertena, e me i thanë se duhet me ardh me pjek kafe tek na, se më ka dek nana. Ruej se të sheh kush rrugës, apo e merr vesht kush, se pse, e ku je t’u shkue” – më tha baba. Qe mesi i majit i vitit 1987, data 13. Gjyshja jonë sa kishte ndërrue jetë, pak para orës shtatë të mëngjesit.

4-2

Në ditë maji ishte vra edhe i shoqi. Porse 42 vite më parë…! Shpija e Zef Pertenës gjendej rreth 40 minuta larg, në lagjen e epërme të Bregut të Fanit. U nisa e pa ba as 10 minuta rrugë, aty ku katuni jonë e thërrasin “Ferra e madhe”, ishte një plakë qe po kulloste i lopë për dore, ose dy dele ndoshta.

“Si ka njeft Bardhja e Bib Dodës sot, or mec”? – m’u drejtue plaka, pasi i dhashë ‘mirmëngjesin’. U stepa disa sekonda. Në kokë më tingëllonte porosia e babës: ‘ruej se e merr vesht kush’! Po, më erdhi turp me e rrejt plakën, bashkëmoshatare të gjyshes. M’u duk si mëkat…!

“Besa – i’u pergjigja – sapo ka ndërrue jetë”, e vazhdova rrugën me hapa të shpejtë, ndërsa nga pas më vinin fjalët ngushëlluese të asaj nane.

Zef Pertena për fat, gjendej t’u shpia. Bani gati ato që ne i thërrasim ‘takame kafeje’, u pregadit e u nisem me marr rugën e kthimit bashkë. Zefi, qe i burrë jo shumë shtatlartë, i zeshkët, i thatë e me dy sy të mëdhanjë, i kujtoj edhe i palë mustakë. Ishte duar-artë, puntor i madh, njeri pozitiv e besnik. Përtej pamjes së parë në dukje e sertë, fshihej një shpirt babaxhan e i bardhë. Në atë shtat të vogël, ishin mbledh gjitha vetit ma të mira të një veriori.

“Ruej se të sheh kush” – më kishte thanë baba. Se si baheshin 40 minuta rrugë pa të pa njeri, vetëm im-atë mund t’a dinte! Por një camardhoku atëhere as 14-vjeçar, nuk i lejohej diskutimi. Aq ma tepër në atë situatë. Në fakt, kjo kërkesë mbështetej në një arsye të fortë. Gjyshja sapo kishte ndërrue jetë. E në kokën e babës përbluhej ideja e një startegjie, se si me i çue fjalë shoqnisë e katundit! Në mënyrë të atillë, që këta, dilemën e tyne të ardhjes në mort tek Melyshajt, t’a zgjidhnin vetë, në mënyrë ta pavarun, pa presionin e segmenteve të caktuara të pushtetit.

Ndodhte që njerëz me shpirt të lig, të veshun me pushtet, trokisnin derë m’derë, me qellim që me ba presione, me anullu sa më shumë pjesmarrjen. Kishte ndodh shpesh një fakt i tillë!

Prandaj fjala, duhej shpërndarë sa ma vonë. E në një farë mënyre, sa ma në befasi. Kush të kishte dëshirë me ardh për ngushëllim, mos të kishte shumë kohë me u mendue e shoshitë. T’a vendoste instiktivisht.

Dy bijtë e asaj grueje 76-vjeçare, – e cila me shumë gjasa në rininë e vetë, bashkë me të shoqin përbanin çiftin ma me emën të zonës, – nuk kishin kohë me meditue asnjë sekond para trupit të pajetë të nanës së tyne. As me u përhumb emocionalisht…!  Gjendeshim në vitet ’80-të, në kulmin e luftës së klasave. E kështu që reflekset e të gjitha shqisat e babës, ishin përqëndrue tashma tek organizimi i cermonisë mortore. E tek ideja, se sa njerzia do t’a respektonin derën e “kulakut”!

Pjesmarrja në morte e në darsëm, për mirditorin, ashtë shume e rëndësishme. Me sa duket, perceptohet e konceptohet se respekti që njeriu ka kultivuar në jetën e tij, pasqyrohet pastaj nga numri i madh i njerzve që e mësyjnë në gëzime apo në hidhërime!

“Me u nda për mort e për darsëm”, – përdoret si shprehje në anët tona, që reflekton gjendjen, me përkeqësuese në raportin mes njerzve, e gjithashtu randesinë e padiskutueshme që ka mos-ndarja. Edhe lufta e klasave në diktaturë, synonte t’a derrmonte moralisht individin, duke e ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë për gjithçka. Madje edhe për mort e darsëm.

“Hall me rrue, e gjyq me dek”! E tillë ishte koha. Më i madh mundimi e zehri i organizmit të cermonise mortore, se dhimbja e nanës së dekun. Ka pa Zoti mrekulli! Numri i pakët i pjesmarrjes në këto sebepe, gjykohej e përbante turp për mendësinë e mirditorit! Në fakt, me ironi, kur përmendej pjesmarrja e pakët në darsmën e dikujt, thuhej: “qenë dy sofra e i tajer”! D.m.th., as tri sofra. Se dymbëdhjetë, jo e jo. “Tajeri”, ishte një objekt druni i rrafshët dhe rrumbullakët, ku shtriheshin petat, shumë ma i vogël se i sofër, natyrisht.

E kujtoj ditën e kësaj cermonie, si në film. Katundi erdhën gati t’ gjithë, masivisht. Por ma s’shumti gra. Sikur ta kishin ba me fjalë. Mirditori kur don, e gjen zgjidhjen, instiktive e me diplomaci. Melyshajve, u dolën moralisht hakut, se nuk mungoi asnjë, e gjithashtu para një eventualiteti kërkesë llogarije, se, pse keni shkue n’ mort tek të ‘prekunit’, burrat mund të justifikoheshin ma lehtë.

Kujtoj se Zef Përtena ato dy ditë, më kishte marr gadi ‘peng’, e më mbante afër me e ndihmue tek kafja, ma së shumti me blue me një mulli të madh alla-turka. E ndiqja gjithçka nga dritarja e kuzhinës ku ishim, meqense nga aty pasqyrohej oborri jonë. Çdo herë që reflekset më ndillnin me dal jashta, aty ku në fakt e kishte vendin i camërdhok i shpisë, që do i duhej me u rreshtue me burra, Zefi më tërhiqte vëmendje: “Mos m’u largo or mec, se koritna”! Në fakt, koritej i zoti i shpisë për kafen e servirme keq. Po i tillë qe ai njeri: korinë (apo nderimin) e dashamirve, e ngarkonte mbi shpatulla vetë. Dinjiteti i mirditorit!

Shoqëria e katundit, sikur e pohova, kishin ardh masivisht. Por duke munguar përgjithësisht burrat, lindi i ngerç. Ai i hapjes së vorrit!

Vorri asht një gja shumë e randësishme për shqiptarin. Thuhet se n’kohë të hershme, njerzit varroseshin afër ose mbrenda shpisë. Sepse nga vorret, huazohej fuqia, energjia dhe forca që të gjallët të përballonin vështirsitë e aversitetet e jetës. Në fakt, fjalët “vorr” e “votër” (apo varr – vatër, si thonë n’ Jug), kanë i rrajë të përbashkët, e ndoshta edhe një shpjegim etimologjik të njajtë. Vorri si votra!

Në anët tona, deri pak vite ma parë, ekzistonin rregulla të pashkrume, por kurrë të cënuara. Vorri hapej në mënyrë taksative nga shoqnia e zonës ku banohej. E paracaktume një gja e tillë, për ditën e mortes. Sikur e paracaktuar kumbaria, në ditën e lindjes. Apo krushku i parë, i dytë, e deri tek i fundit, n’martesë. Ditë të veçanta këto në jetën e njeriut, të cilat funksiononin në aspektin social, përmes rregullsive riogoroze.

Për vorrin e gjyshes tonë, ishte e pamundun me e respktue një rregull të tillë. Lekëgegajt, kjo derë e fisme – dera e prindes, nga Perlati, me sa duket e kishin parashikur i situatë të tillë për Melyshajt…! Të zgjuarit dhe vullneti mirit, s’ka nevojë t’i parashtrohet situata, ai nënkupton gjithçka. Kështu që ardh në numër të madh në mort, ndoshta edhe mbi 100 vetë së bashku, kishin porosit 3-4 djem të rinj. Të cillët i kishin caktue me hap vorrin e bijës së tyne. Ashtu i’u tha babës, e ashtu u ba. S’kishte ndodh kurrë në katundin tonë, i gja e tillë! Por po flasim për një periudhe kur Musine Kokalari, pikërisht në Rreshen ,ishte shoqëruar tek varrezat vetëm nga puntori i Ndërmarrjes Komunale!

Në Mirditë lufta e klasave ishte e zjarrte, e zjarrmushme, e teprueme. Këtyre djem Lekegegajash, në hapjen e vorrit, u ishte bashkue edhe i shoq. Quhej Pjetër Zef Perleka, nga Shtana, lagjia ma e skajshme e Kodër-Rrëshenit. Ishte ndalue tue shkue tek shpia e vet, rruga për tek e cila kalon afër varrezave. Kishte pyet se i kujt ishte vorri i ri që hapej, e kishte heq xhaketën e kap kazmën me ndihmue. Madje e kishte hap gati te gjithin vetë!

Në emën të ndjenjës së detyrimit shoqnor…!

Kështu u mbyll shkurtimisht dy-ditëshi i cermonisë mortore të gjyshes tonë…!

Por historia pati një vazhdim me Pjetër Lekën prej Shtane. Pak ditë ma vonë e kishin pushue prej pune.

“Ke hap vorrin te kulakët, dorëzo armën, e je i pushue nga puna”-e kishin kërcënue. Punonte roje nate objektesh, me armë.

“M’u nxi e tand toka nan kambë” – rrëfente baba historinë e Pjetër Lekës. E kishte takue rastësisht, bash atë mëngjes ndërsa e kishin pushue nga puna, t’ue e privue prej bukës së kalamajve.

“Shko ke shpia o Pjetër – i thashë. – Pa merak, se për pak ditë do t’a zgjidhim kët problem, e do kthehesh në punë” – vazhdonte rrëfimin baba. Pjetrin e kishin privue nga e drejta me pune. Por qëllimi i goditjes, ishte e qartë, s’ishte për atë, por për familjen së cilës ai i kishte ba i nder. Si i shoq i mirë.

Pushimi nga puna i Pjetër Lekës, tregon se sa në vështirsi të madhe ishin shoqëria me marr pjesë në një ceremoni në kullat tona. Presion i hapur, i egër, mbytës, primitiv. Periudha e dikaturës qe shumë komplekse. Tërhiqte si me magnet në pushtet, njerëz me zemër të zezë e me një devotshmëri të tejskajshme, me ba keq. Nuk ishin të gjithë të tillë natyrisht, por ata që kishin një vokacion të tillë, qenë të shumtë, dhe ishin të justifikuar me “ligj”.

Pikërisht ditën që vdiq gjyshja jonë, due me permend një fakt që na ka lanë mbresa të forta. Aleksit, vëllait ma të madh që asokohe ishte vetëm 17 vjeç, i kishta ra për kokë me ba “furnizimet”, për ekzigjencat që kerkojnë cermoni të tilla. Po atë mëngjes, e kishin pikas rastësisht K. Ndoci sekretar i organizatës bazë të partisë, për krejt Ndërmarrjen Bujqësore, dhe Sh. Leka, kryetare e Këshillit të Bashkuar. Me ta marr vesht lajmin, duke qenë se gjendeshin bash para asaj ndërmarrje, që quhej “Tregtia” (aty ku pak kush kishte akses), kishin nxitue të dy së bashku, e kishin ble dy kg. kafe, t’ue i’a dhanë me vete. Jemi në vitet e krizës së tmerrshme për kafe. Krizë e zezë.

Gjesti ishte sa simbolik, por edhe tregues i një mbështetje morale të pashoqe. Dukej sikur thonin: “Kohët janë të vështira, por na jemi me dhimbjen tuej. Ani pse, s’kemi ç’ka bajm ma tepër”

Pra të tilla qenë konsekuencat që vinin prej diktaturës. Por përherë do gjendej nga një anë një “Kolë Ndoc”, sekretar, që përmes kafes, përcillte hiq më pak se një mesazh të rëndësishëm njerzor në formë ngushëllime e solidariteti në distancë (as nuk pretendohej pjesmarrja fizike e tyne). E përherë nga ana tjetër, gjendej ndonjë “Kolë i Zi”, më i shumtë në numër padyshim, maskara dhe i ndyrë që pushonte Pjetër Lekën që s’i kisht ba keq kujt njeriu në botë, jo ma pushteti popullor! Se do binte Komiteti Qendror i Partisë së Punës në Tiranë, pse Pjetër Leka kishte hap një vorr në Kodër të Rrëshenit. Gjendeshim në kulmin e mjerimit dhe të errësirës shpirtënore.

Shënim përmbyllës: “Ça ban i forti, çuditet i ligshti” – përdoret si shprehje n’anët tona. Pjetër Leka, qëndroi vetëm tre ditë i pezulluar nga puna si roje. Ndonjëherë në të ardhmen, ndoshta do mund të rrëfejmë historinë, se si ai u kthye në punë. Një histori gati gati e pabesueshme. Ku del në pah krejt forca, dinamizmi, pa epja, dinjiteti, vendosmëria, kohezioni, inteligjenca dhe aftësia e individit. I cili të vetmin pushtet që ka dhe ushtron, asht pesha e fjalës, falë i personaliteti të lindun, aftësia parashikuese, guximi e animi nga e drejta…!

Bashkangjitun këtij shkrimi, po publikoj foton ku ndodhet: gjyshi, gjyshja dhe halla në Tiranën e fundviteve ’30-të, foton e babës, Bardhokut, dalë me disa kushërinj tanë, si dhe disa foto të tjera, që i përkasin cermonise mortore të asaj dite për të cilën rrëfejmë, të cilat po i publikoj edhe në shenjë nderimi e mirënjohje, për të gjitha ata miq e dashamirë, që na u gjendën pranë “familjes sonë kulake”, n’ë atë ditë morti (13 maj 1985), kur përcollëm gjyshen për në banesën e fundit.“/Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura