Si mund të jenë gjasat e një iniciative bashkëpunimi amerikano-turk për Kosovën

Sep 22, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI

dritan hotiVetëm pak javë më parë, në vigjilje të një vizite rutinë, të cilën drejtuesit e lartë politikë turq kryejnë prej dekadash në Qipron turke, Presidenti Erdogan shprehu dëshirën e një iniciative të mundshme amerikano-turke për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës nga shtete të tjera. Erdogani përzgjodhi simbolikisht ishullin e ndarë të shtrirë në Mesdheun lindor, problematikat e të cilit për nga konteksti historik, rëndësia gjeostrategjike dhe ndasia etnike, përngjajnë jo pak me fizionominë e krizave apo dinamikën e proceseve në zhvillim në Ballkanin perëndimor.

Erdogani për më tepër bëri të ditur se ai do të diskutonte drejtpërdrejt me Presidentin amerikan, Joe Biden, koordinimin e kësaj sipërmarrje përgjatë takimit në Kombet e Bashkuara në shtator. Në fakt, një propozim i tillë do të kishte qenë si më i përshtatshëm përgjatë Presidencës Trump. Joe Biden, ndryshe nga Donald Trump, cili pikërisht Presidentin aktual të Turqisë e kishte cilësuar si “një lojtar klasi në fushën e shahut” të gjeopolitikës botërore, në emër të një kornize tradicionale morale te politikës të jashtme amerikane, pranoi pak më parë, vrasjen masive të armenëve në 1915 si një gjenocid.

Që të dyja administratat, duke marrë shkas nga stili pragmatik i diplomacisë amerikane, përtej pushtetit të Erdoganit, e konsiderojnë Turqinë si një aktor të pashmangshëm në Europën juglindore, Azinë Qendrore si dhe Lindjen e Mesme. E konsideruar si pika-nevralgjike në përcaktimin e marrëdhënieve shqiptaroserbe, çështja e Kosovës përbën edhe një ndër elementët-kyç të stabilitetit gjeopolitik të Ballkanit Perëndimor. Nisur nga ky këndvështrim, një iniciativë amerikano-turke, e dëshiruar nga Erdogan do të shkonte në favor të përforcimit të statusit të Kosovës si edhe pozitave të çështjes shqiptare.

Një sipërmarrje e tillë do të përvijohej njëkohësisht në momentin kur rivaliteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë e Kinës, po zhvillohet jo vetëm në një mënyrë tradicionale si ajo e Europës Jugindore, por pothuajse gjithë perimetrit të Europës së Bashkuar. Ndërkohë që ajo le të nënkuptohet jo vetëm rikonfirmimin e çështjes shqiptare nëpërmjet çimentimit të statusit së Kosovës, por edhe gatishmërinë e Turqisë aktuale për t’u futur në një aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një kohë rivalitetesh të kësaj të fundit me Rusinë dhe Kinën, pikërisht në Europën Juglindore.

Nga kjo prospektivë rrjedhin edhe pyetjet e mëposhtme:

1. Duke mbajtur parasysh filozofinë si dhe një modus operandi në marrëdhëniet ndërkombëtare të të dyja vendeve, mbi çfarë bazash do të mund të konceptohej një iniciativë e tillë bilaterale në lidhje me Kosovën dhe Europën Juglindore?

2. Dhe se cilat mund të ishin rrjedhojat e mëtejshme në një plan global të këtij bashkëpunimi? Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për Ballkanin Perëndimor kërkojnë një strukturë të mbështetur mbi ekuilibra rajonalë, duke qenë brenda kalkulimeve gjeostrategjike të Amerikës, vektorët e interesit gjeopolitik e ekonomik të Turqisë aktuale përmbajnë një kombinim të piketave historike me interesa pragmatike ekonomike. Kështu, Turqia e projekton influencën e saj gjeoekonomike jo në hapësirat veriore të Evropës juglindore, dikur pjesë integrale e Perandorisë Austriake, por në territore pjesë-përbërëse të ish-perandorisë së saj, duke shtuar edhe elementin fetar, i identifikuar nga Ankaraja zyrtare si instrument përbashkues dhe si rrjedhojë përligjës i aksionit të saj diplomatik.

Kosova, si një pikëtakimi e një iniciativë-bashkëpunimi amerikano-turke në Europën Juglindore, përmban interpretime të ndryshme. Në rast se disa ekspertë jo shumë të favorshëm përkundrejt një iniciative të tillë, kanë ngritur shqetësimin se Presidenti Erdogan kërkon të inkurajojë një lëvizje analoge si ajo e Kosovës, e cila do të përfundonte me shpalljen e pavarësisë së Qipros turke; ekzistojnë edhe këndvështrime të tjera që mund ta shtjellojnë këtë sipërmarrje të marrëdhënieve ndërkombëtare edhe një optikë më të gjerë dhe të gërshetuar.

Në Kosovë, ku influenca turke nuk mund të matet me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa ky hap i Presidentit Erdogan vjen pasi Turqia dhe ai vetë “e ndien veten të zhgënjyer nga mosbindja e Kosovës” për vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem pas njohjes së kësaj të fundit nga shteti i Izraelit, duke lënë perspektivën se Turqia i percepton këto lëvizje në logjikën e lojërave ndërkombëtare dhe se në rrethana e kontekste të tjera mund të përfshihet edhe ajo vetë.

Për më tepër, kjo lëvizje e Erdoganit mund të jetë edhe e motivuar nga disa divergjenca që kanë të bëjnë së fundmi me politikën e jashtme të Serbisë, pikërisht me përkrahjen dhe furnizimin me armatime të Armenisë po nga Serbia në konfliktin e fundit me aleatin e Turqisë, Azerbajxhanit, si dhe një lloj përafrimi të diplomacisë serbe me disa vende në Lindjen e Mesme dhe botën arabe, rivale apo ne marrëdhënie të tendosura me Turqinë.

Një bashkëpunim i dëshiruar nga Turqia me SHBA-të për përforcimin e statusit të Kosovës, nëpërmjet lobimit për rritjen e njohjeve të Kosovës edhe nga shtete të tjera nënkupton se iniciativa të ngjashme ndërmjet Turqisë dhe Amerikës, afishojnë synimin e Presidentit turk për të kapërcyer pengesat komplekse në marrëdhëniet me SHBA-në, hera-herës të krijuara nga praktikat e tij (Erdoganit) në trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke i aplikuar njëkohësisht në kontekste dhe realitete të tjera ndërkombëtare, i tillë si rasti i Afganistanit, Lindjes së Mesme e Afrikës Veriore, duke ndjekur një tendencë në rritje të marrëdhënieve ndërkombëtare, atë të partneritetit ndërmjet shteteve gjithnjë e më shumë mbi baza pragmatike sesa ideologjike, duke përshpejtuar kësisoj edhe dinamiken e zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare. Ndërsa hapësira shqiptare në Europën Juglindore nga një skenar i tillë kompleks, nëse realizohej, do të dilte me përftimet e saj konkrete.

*Pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/