DITARI/ “Si më kërkoi Ramiz Alia të mos godisnim Shoqatën e Enverit” (PJESA VII)

Jun 26, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Servet Pellumbi ka botuar se fundmi librin “Pervoja ime ne Partine Socialiste”, nje ditar politik me ngjarjet me te rendesishme te vitit 1991- 1996. 

Në ditarin e tij, profesor Pëllumbi tregon një takim të tij në vitin 1991 me presidentin e asaj kohe, Ramiz Alia. Ish-presidenti i ka kërkuar Pëllumbit që të mos mohojnë çdo gjë të mirë që është bërë nga komunizmi dhe të mos goditet “Shoqata e Enverit”.

Kopertina e librit Pervoja ime ne Partine Socialiste

E shtunë, 27 korrik 1991.

Sot nga ora 10-12 zhvillova një bisedë të gjatë me Presidentin R. Alia, me kërkesën e tij. Thelbi i bisedës, edhe pse i ra disi anës e anës, ishte që ne po gabojmë, po shkojmë djathtas, po biem në njëanshmëri në qëndrimin ndaj së kaluarës.

– Nuk duhet harruar që ka pasur arritje dhe gabime. Ndryshe, tha duke shtruar një pyetje retorike; kujt do t’ia lëmë Luftën, elektrifikimin, sigurimin e bukës në vend, arsimin etj., etj.?! Partia arriti të bashkojë popullin, krahinat, që të arrijnë unitetin ndërmjet tyre. Sektarizmi në luftën e klasave ishte vërtet diçka negative, por nuk fshin çdo gjë tjetër! Nga të gjitha këto, kuptohej se ishte kundër trajtimit të Partisë Socialiste si “parti absolutisht tjetër”. Ndodhën ndryshimet në rang botëror, do të ndodhnin edhe te ne, por jo nihilizëm. Madje, duke më treguar edhe nja dy artikuj të mi të shkruar pas themelimit të PS-së, Presidenti vazhdoi se edhe… Shoqatën e Enverit nuk kini pse e sulmoni, anëtarët e saj janë tanët dhe çdo partie i duhet një forcë sulmuese!

Deri këtu, edhe pse nuk isha plotësisht dakord me ato që tha, e dëgjova pa e ndërprerë, por pas rekomandimit për ta mbajtur “Shoqatën e Enverit” si “forcë sulmuese” të PS-së, nuk mund të heshtja më gjatë.

– Nuk e njoh keq dialektikën e zhvillimit, i thashë, e di që nuk ka mohim pa pohim dhe anasjelltas, po ashtu e di që në të kaluarën ka pasur arritje dhe gabime, por di gjithashtu se është plotësisht dialektike që në momente të caktuara, pas një përmbysjeje, duhet vënë mohimi në plan që parë për ta pastruar “terrenin nga gërmadhat dhe plehrat”!

Këtë është duke bërë PS, z. President, pa mohuar as Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe as disa nga arritjet e pas çlirimit që përmendët ju dhe që do të dimë t’i vlerësojmë sipas kushteve konkreto-historike… Vizioni ynë, z. President, është i qartë e konkurrues në garën politike që porsa ka nisur.

Ne ju respektojmë si President, vlerë- sojmë kontributet tuaja historike dhe të tanishmet, sidomos për këtë lloj kalimi të butë apo “pa gjak” siç thoni ju, por Partia Socialiste ka udhëheqjen e vet, ka forumet e veta ku përpunohen idetë, qëndrimet, vija politike dhe merren vendimet përkatëse.

Asnjëri nga ne, as unë që kam shkruar artikujt, që i paskeni mbi tavolinë, nuk vepron me kokën e vet e në mënyrë anarkike. Ndalova këtu. As ai nuk më ndërpreu.

Pas kësaj, me një ton më të ulur më tha se më keqkuptove, se në thelb thamë të njëjtën gjë! Qesha.

Pastaj shtova: – Ashtu qoftë! Mendova se këtu u mbyll takimi, por, me sa duket, Presidenti kishte në plan t’i zbrazte të gjitha, prandaj vazhdoi me taktikat që duhej të ndiqnim, cilin do të godisnim e cilin do të bënim aleat; pse duhet vlerësuar si formë kryesore lufta parlamentare; me punën që duhet bërë me shtypin; për nevojën e programeve të posaçme për punën me rininë, me inteligjencien e grupimet e saj, me fshatin, me sindikatat, bashkimin e grave etj.

Sikur u shfaq në tërë gjerësinë e vet nostalgjia për rolin e Sekretarit të KQ të PPSH-së për ideologjinë e propagandën nën vartësinë e të cilit isha edhe unë për nja katër vjet. Në analizë të fundit, thashë me vete, është një lloj fatkeqësie që një figurë si R.

Alia nuk kupton dot realitetin e sotëm, nevojën e çmontimit të “bombës së tensioneve sociale” dhe as raportet krejt të ndryshme që kemi ne sot me të dhe me të kaluarën që ai vazhdon të përfaqësojë!*

*Më pas në formën e një platforme për punën e PS-së, R. Alia i dërgoi një letër të gjatë Kryetarit F. Nano. Orvatje për t’u njohur si “lider kryesor, por informal” i PS-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura