“Si më goditën me shufër hekuri në 1991, pse më erdhi në dhomë një vajzë e bukur”

Nov 19, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

“A mund të quhet Atdhe një vend ku përpiqen të të vrasin pas shpine, tinëzisht, me një shufër hekuri në kokë?”. Kjo është ajo dilema që i është vërtitur në kokë prej vitesh, qysh se ndodhi ai sulm diku në vitin 1990 apo 1991. Rudolf Marku nuk mund ta mohojë se diktatura i ka lënë shenjë në lëkurë, ashtu si çdo shqiptari tjetër. Madje atij i ka lënë edhe shenja reale, nga një goditje frikacakësh, me një shufër hekuri në kokë. Arsyeja? Ajo mund të ishte edhe më banalja.

Rudolf Marku ne panair
Rudolf Marku ne panair

“Fakti që një vajzë e bukur të vinte në dhomë, ishte e mjaftueshme për të ngritur një kurth ideologjik, për të kryer një vrasje”, thotë Rudolf Marku, i cili ndodhej në Tiranë për të tërhequr çmimin “Kadare” në letërsi, si dhe për të qenë i pranishëm ditëve të Panairit të Librit, ku së pari doli edhe romani i tij më i ri. Edhe pse janë histori, që ai nuk do të donte t’u kthehej, Marku tregon për “sulmet” që u bëheshin shkrimtarëve dhe poetëve për hir të veprave të tyre. Si ruheshin dhe cilat ishin ato lëshimet e vogla, që ia lejonin vetes, për hir të letërsisë…

Ju pranoni se Kadarja ka qenë shumë i sulmuar gjatë diktaturës, por ju vetë a keni qenë në qendër të sulmeve “ideologjike”?

Në librin e Kaloçit, çuditërisht përmendem edhe unë dhe miku im Ndoc Gjetja. Jemi të përfshirë në 4 kapituj. Jam mahnitur, sepse nuk e kam ditur kurrë. Flitet që libri im i tretë me poezi “Rruga” dhe “Qëndresa” i Gjetjes janë kritikuar për gabime ideologjike dhe Ismail Kadare, pa na e thënë asnjëherë, na ka bërë një mbrojtje të jashtëzakonshme. Ai është shprehur që “mos i sulmoni ideologjikisht këta, sepse nuk kanë gabime ideologjike, përkundrazi, janë talente që duhet t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë”. Dhe ky dokument pasohet nga një tjetër, ku dikush ankohet te Manush Myftiu dhe Mehmet Shehu, njëri sekretar i rrethit të Tiranës dhe anëtar i Byrosë Politike dhe tjetri Kryeministër i Shqipërisë, se Ismail Kadare bën gabime ideologjike, duke marrë në mbrojtje njerëz me gabime ideologjike. Tashmë janë dokumente të botuara, për ekzistencën e të cilave ne nuk kishim dijeni. Dhe unë e vlerë- soj në mënyrë të jashtëzakonshme fisnikërinë e Kadaresë, i cili na ka mbrojtur dhe s’na e ka përmendur asnjëherë.

Përveç këtyre rasteve që ju i mësoni tani, a ka pasur sulme më frontale ndaj jush?

Sigurisht që ka pasur. Në vitin 1974, unë isha 22 vjeç dhe botova librin e parë me poezi. Befas, në “Zërin e Rinisë” të asaj kohe botohet një artikull, një faqe me titullin “8 rreshta poetikë, 8 gabime ideologjike”. Ishte e tmerrshme. Një faqe gazete! Ishte si një dacibao, një sulm i drejtpërdrejtë për gabime ideologjike. Libri u hoq nga qarkullimi, u kthye në karton dhe mua më fluturojnë nga gjimnazi, në katundet e Lezhës. Kjo ishte më e pakta, sepse hapi tjetër dhe frika, ishte futja në burg. Por ka pasur të tjerë që e pësuan shumë më keq. Frederik Reshpja dhe Visar Zhiti u futën në burg për poezinë. Ai ishte një sinjal për të qenë më i kujdesshëm, të bëje lëshime te diçka, për të kaluar diçka tjetër mes poezive që ishin të “rregullta” për kohën, ashtu si Uliksi që futej poshtë barkut të deleve, për t’i shpëtuar dorës së Polifemit.

A ka pasur raste kur janë përpjekur t’ju “blejnë” apo shantazhojnë për t’u bërë palë me ta?

Ka pasur provokime, por ato ishin aq banale, sa që njeriu normal i kuptonte menjëherë. Ne i kishim shqisat shumë të forta, pasi ishim të provokuar në çdo moment dhe provokatorët ishin kudo.

Duke lexuar librin e Kaloçit, ndjesia që të krijohet është ajo e neverisë ndaj një sistemi, që ngrihej mbi filozofinë e spiunimit, si e kujtoni ju atë atmosferë?

Ka qenë një banalitet i jashtëzakonshëm dhe një agresivitet shumë i madh ndaj letërsisë, ndaj dhe me miqtë e mi, Preç Zogaj e Ndoc Gjetja, thoshim se çudia më e madhe është fakti që ne shkruajmë poezi. Në këtë atmosferë kaq mbytëse dhe kaq antipoetike, në atmosferën më banale në botë, të shkruaje poezi, ishte një çudi e madhe. Aty ne e shihnim se nuk e shkruanim ne poezinë, por poezia na gjente ne!

Siç thoshte Arshi Pipa për veprën e Kadaresë: mjaftonte që ajo kishte vlera artistike, për të qenë kundër diktaturës…

Nuk kishte urrejtje më të madhe në diktaturë se ajo ndaj së bukurës. Kur një femër ishte shumë e bukur dhe e akuzonin për biografi të keqe, urrejtja nuk ishte ndaj biografisë, por ndaj bukurisë së saj. Ai që e akuzonte mund të kishte gruan më të shëmtuar në botë (jo se nuk ka gra të shëmtuara dhe që janë njerëz shumë të mirë), bënte jetën më mizerabël me të dhe kur shihte një grua të bukur, pushtohej nga urrejtja e mosposedimit, urrejtja që kurrën e kurrës ai nuk do të kishte mundësi t’i afrohej asaj bukurie. Kjo i shkaktonte frustracionin e urrejtjes, të cilën e kamuflonin me terma ideologjikë. Sepse, në fund të fundit, të gjithë ne jemi njerëz dhe pas asaj që quhet terminologji ideale, ideologjike, fshihet njeriu, qëllimet njerëzore.

Me që jemi te dokumentet, hapja e dosjeve vazhdon të jetë temë dite. A jemi të gatshëm apo do të na turbullonte shumë një akt i tillë?

Ne kemi qenë gjithnjë të gatshëm për hapjen e dosjeve. Janë njerëz të caktuar që janë kundër kësaj. Ata që janë kundër hapjes, janë të parët që kanë mëkate, që nuk duan që t’u zbulohen. Por, nga ana tjetër, kam frikë se ato dosje janë në një gjendje skeletore. Kanë qenë disa shtresa dosjesh dhe kam frikë se ato dosjet e vërteta janë zhdukur. Unë kam qenë që në fillim për hapjen dhe leximin e dosjeve, sepse vetëm kështu mund të ndodhë katarsisi i një populli. Për sa kohë nuk është mësuar e vërteta, sa kohë që do të vazhdojë të flitet me aludime, shoqëria shqiptare do të jetë një shoqëri e sëmurë, e ndjekur nga fantazmat e së shkuarës.

Diku në libër ju thoni se kishte nga ata që shpërbleheshin me tollona nga regjimi për të folur kundër regjimit… Si funksiononte?

Shoqëria shqiptare jetonte me tollona. Kishte njerëz që kishin tollona suplementarë edhe për të sharë, edhe për të folur, edhe për të guxuar. Për shembull, nëse një njeri e kishte të atin në një pozitë të lartë, guxonte të shante më tepër se unë, jo se mua më mungonte guximi, por sepse ai edhe po të fliste ashiqare dhe ta spiunonin të tjerët, ishte në rregull. Ndërsa, nëse unë do të thosha një të dhjetën e tij, do të më groposnin për së gjalli. Pra kishte njerëz me tollona suplementare të guximit. Por kjo s’do të thoshte se ne nuk flisnim mes tonë. Madje Frederik Rreshpja bënte shaka me mënyrën se si disa u bënë shkrimtarë: Mbaroi lufta, luftëtarët i mblodhi komandanti dhe i pyeti:

-Çfarë di të bësh ti?

-Kam qenë mirë në matematikë.

-Bëhu ministër i Ekonomisë. E kështu me radhë…

-Po ti çfarë di të bësh?

-Unë shoku komandant nuk di të bëj asgjë.

-Bëhu shkrimtar!

Ka ndodhur vërtet sulmi ndaj jush, goditja në kokë…?

Po, është i vërtetë, fjalë për fjalë ashtu si e përshkruaj në libër. Edhe sot i kam ende shenjat e plagës.

Cila ishte arsyeja, kishit bërë ndonjë shkrim që kishte cenuar dikë…?

Kisha bërë edhe shkrime, por siç ju thashë, pas çështjeve ideologjike fshiheshin inate personale. Fakti që një vajzë e bukur më vinte në dhomë, ishte i mjaftueshëm për të ngritur një motiv ideologjik e për të kryer një vrasje. Urrejtja ideologjike ishte fasadë.

E mësuat se kush ju sulmoi?

Nuk e kam mësuar dhe nuk kam dashur. Vajza që ishte e pranishme më kërkoi që të shkonim dhe ta gjenim më vonë. Mes ulërimash, ajo e kishte fiksuar fytyrën, ndërsa unë nuk arrija të shihja asgjë, madje nuk ndieja as gjakun që më rridhte. Ishte një fytyrë barbare, një fytyrë krimineli, që fatkeqë- sisht, kjo tipologji nuk është e rrallë në Shqipëri. Madje i kemi edhe në Parlament këto lloj tipash e këto lloj fytyrash. Por unë nuk doja të merresha me këtë gjë. Nuk e bëra të njohur në shtyp, në një kohë kur, mjaftonte një e shtyrë për ta kthyer në një ngjarje politike. Mua s’më ka pëlqyer kurrë, dhe e kam urryer kompleksin e viktimizimit.

Kur ka ndodhur ekzaktësisht?

Ka ndodhur në vitin 1990 apo 1991, në periudhën kur u hap gazeta e parë opozitare. Mund të ketë qenë numri i parë apo i dytë. Ishte koha e asaj rrëmujës së madhe në Shqipëri. Mbaj mend që kemi shkuar në Shkodër. Unë nuk doja të shkoja në ambulancë, por ishte shoqja ime që nguli këmbë. Do të kishte qenë marrëzi të mos shkoja. Mjeku që më mjekoi më tha se kisha shpë- tuar për mrekulli. Më ka bërë rreth 16 qepje në kokë. Sikur goditja të kishte qenë pak më e fortë, do të kishte qenë fatale.

Në libër ju nuk e kurseni politikën shqiptare, personifikuar nga personazhi i Xhulietës. Do t’i futeshit edhe një herë politikës, qoftë edhe për inat të “Xhulietës”?

Për mua politika është e kundërta e letërsisë. E thotë bukur William Butler Yeats, një nga poetët më të mëdhenj në gjuhën angleze të shek. XX, i cili ka qenë në Parlamentin irlandez: “Kur njeriu grindet me të tjerët, bën politikë, kur grindet me veten, ai bën poezi”. Mua më pëlqen vetëm grindja me veten time. Kjo më mjafton.

E megjithatë, duhet ta provonit të grindeshit një herë me të tjerë…

Më duhej ta provoja shijen e politikës, që të më shtohej doza e neverisë.

Ç’mendoni sot për politikën shqiptare?

Fjala neveri më duket shumë e zbutur, sidomos kur flasim për politikën shqiptare.

Do t’ju shohim sërish, më duket se pas “divorcit” i keni vënë urat e komunikimit…

Pas divorcit, shumë çifte mbeten shokë, madje i ftojnë edhe në dasmat e njëri-tjetrit, por ajo ndjenja e dashurisë është e vështirë të restaurohet.

Sipas një sondazhi të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, 60% e të anketuarve lexojnë 1-3 libra në vit, a ju prekin këto shifra juve si shkrimtar?

Raporti i shkrimtarit me lexuesin është i njohur tashmë. Shkrimtari nuk mund të jetojë pa lexuesin. Por jo pa lexuesin e “kallabllëkshëm”. Unë do të kisha preferuar më shumë qoftë edhe vetëm një lexues të mirë, sesa një mijë që nuk e kuptojnë librin. Letërsia është art elitar. Shkrimtari Ernesto Sabato thoshte dikur që: Po ta dija se kam një lexues diku, në ishujt e Polinezisë, në mes të oqeanit, do të mjaftonte të ndihesha i kënaqur, sepse kam komunikuar me një shpirt njerëzor. Pra problemi i shkrimtarit nuk është që të ketë shumë lexues, madje kur ke shumë lexues, duhet ta dish se libri yt ka një problem.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura