Si mbijetoi një serbe në Shqipërinë e 50-s e zemëruar me Jugosllavinë

Jul 11, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Nëse je i vëmendshëm, arrin të shquash te njerëzit e rinj që takon gjurmë të të parëve të tyre. Ti nuk e di historinë, nuk i njeh rrënjët, prandaj edhe nuk e përligj nuhatjen, por je i bindur që të dhënat janë aty, të trashëguara e të mirëmbajtura. Bosa Popoviç, serbja që u martua me Sofo Çomorën, nuk la shumë trashëgimtarë. Patën vetëm një djalë, Gogo Çomorën.

Bosa Popovic dhe Sofo Çomora
Bosa Popovic dhe Sofo Çomora

I larguar nga jeta në moshë fare të re, Gogo la 3 vajza, të cilat kanë ndarë mes tyre e ruajnë si gjërat më të shtrenjta “thesaret” e gjyshes që nuk arritën të njohin kurrë.

Më e vogla e vajzave, Santana Çomora, të duket sikur udhëton në kohë kur të tregon mbulesën e tavolinës që e gjyshja ka thurur me grep. Shandanët e shtëpisë së saj janë ata që tërheqin të parët vëmendjen e vizitorëve.

Ndërsa brezi i vendosur në kornizë duket sikur flet vetë, e ka historinë të shkruar nëpër të gjitha fijet e lidhura njëra me tjetrën, shtrënguar fort, ashtu siç tri vajzat ruajnë kujtimet e fotografitë e vjetra të familjarëve të tyre. Ato i kanë njohur gjyshërit vetëm përmes tyre apo familjarëve të tjerë fatlumë që patën mundësinë t’i njihnin.

Ato dreq fotografish bardhë e zi, të grisura e të stërlodhura nga vitet, nuk tregojnë më shprehi sysh, nuk mjaftojnë për të të “ngopur”; lexohen në to vetëm të vërtetat e mëdha e të patjetërsueshme të kohës, fisnikëria! Ato detajet e vogla përmes të cilave arrin të njohësh e diferencosh njeriun, vajzat i kanë të dëgjuara. U ka ndodhur sa herë që të “përfitojnë” ndonjë histori a ngjarje më shumë, vetëm pse bashkëbiseduesi u ka mësuar mbiemrin.

13231263_10154242723793184_1225959108_n_1

“Mos je mbesa e Sofos”; “Ke pasur të bësh me Bosën”; e deri më tej, te babai i tyre që ishte gjithaq pjesë e rretheve shoqërore më të mira të kohës. Për t’u njohur më mirë me Bosën, këtë të huaj që nuk bëzajti gjatë të gjitha viteve që jetoi në Shqipëri (ndryshe, e dinte vendin!), kemi folur edhe me Marioara Çomorën, vajzën e vetme të komedianit e përkthyesit të mirënjohur, Spiro Çomorës, vëllait të Sofos. Për shkak të viteve, Marioara ka të arkivuara më shumë ngjarje e imazhe që arrin t’i riprodhojë edhe sot. Si ishte rutina e ditëve të një të huaje që nuk u ndëshkua edhe pas prishjes me ish-Jugosllavinë, por që, nga ana tjetër, as u lejua “të dilte nga shtëpia”.

Në një kuptim, gjithë dita e saj ishte e mbyllur, sepse e dinte vijën që nuk duhet të kalonte. A e mësoi gjuhën? A arriti më të lidhej e takohej me familjarët në vendin e saj? Paradoksalisht, përmes Bosës, një të huaje, arrijmë të njohim Shqipërinë e një kohe tjetër, ku me gjithë ndalesat e dhunshme, tiparet e një personaliteti të rafinuar, nuk mund t’i zhbëjë as sistemi e as dhuna, prandaj edhe i shohim ende të trashëguara…

Në mënyrë fare të paqëllimtë, fëmijët, pasardhësit, u kanë dhuruar këtyre njerëzve vijimësinë dhe kështu, pa kuptuar, janë bërë sot gurët e pakët të mirë që nuk po mbajnë dot muret e rrënuara të shoqërisë…

NJOHJA E AMBASADORIT ME PUNONJËSEN E GALERISË SË ARTEVE NË BEOGRAD

Me prindër nga Vunoi i Himarës, Spiro e Sofo Çomora, familjarët e të cilëve patën emigruar në Greqi, lindën në Korfuz. Studimet e larta Sofoja i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në Romë për t’u kthyer mandej në vendin e tij, siç bënë shumë emra të njohur të asaj kohe. Qeveria e Zogut e caktoi sekretar në legatën shqiptare në Beograd.

I vlerësuar së tepërmi nga ministri i Jashtëm i qeverisë së Zogut, Rauf Fico, u bë një nga funksionarët e shtetit që për vite të tëra do të përfaqësonte vendin në shtete të ndryshme. Pas Beogradit, Sofo do të rikthehej sërish në Romë, por tashmë jo si student, por si përfaqësues i vendit të tij. Është një nga rastet e rralla që, megjithëse i martuar me një të huaj, e megjithëse marrëdhëniet e vendit tonë pas vitit 1949 me ish-Jugosllavinë u prishën, vazhdoi të punojë në po të njëjtat funksione derisa do t’i shfaqej sëmundja që do ta mundonte për një kohë të gjatë.

Me Bosën, Sofo Çomora u njoh në Beograd, ndërsa vizitonte një galeri arti. Shumë nga njerëzit që takoheshin me Bosën nuk e dinin dhe as që e kuptonin arsyen e pranisë së aq shumë veprave arti që gjendeshin në shtëpinë e tyre. Vetëm kohë më vonë u zbulua arsyeja. Në fakt, asokohe as dihej e as vlerësoheshin pikturat që “fshiheshin” në dhomën e saj të gjumit.

“Muret ishin të mbushur me piktura nga dyshemeja në tavan”, kujton Marioara. “Megjithatë, ajo që kujtoj e veçoj nga të gjitha të tjerat ishin dy pjata porcelani që i mbante si dritën e syve. Është e tepërt të them që pakkush e dinte vlerën e tyre, por nga sa mësova, ishin pjesë e pasurisë së Napoleonit III të Francës. Sigurisht që pyetja e të gjithëve tani mund të jetë se ku gjenden këto pjata sot?

Në vitin 1940 njerëzit tregojnë se dasma e Bosa dhe Sofo Çomorës ka bërë bujë në shoqërinë e Beogradit. Që atëherë nusja kishte shoqërueset dhe kuajt e bardhë
Në vitin 1940 njerëzit tregojnë se dasma e Bosa dhe Sofo Çomorës ka bërë bujë  në shoqërinë e Beogradit. Që atëherë nusja kishte shoqërueset dhe kuajt e bardhë

Bosa u detyrua të shiste jo vetëm ato, por një pjesë të mirë të ‘thesareve’ të saj për të mbajtur familjen. Një pjesë e mirë e tyre u blenë për shifra qesharake ose u morën nga emra të njohur të kohës”, vijon Marioara. Megjithatë, krahasuar me “plaçkitjet” që iu bënë historive të ngjashme në Shqipëri, ajo e Çomorave nuk pati fund të trishtë. Të paktën, jo shkaktuar prej Bosës. Pas çlirimit, u prit nga të gjithë që “e shoqja” të ndikonte në punën e Sofos, por nuk ndodhi kështu. Edhe kjo e ka një arsye! Sistemi nuk toleronte as dijen e as formimin nëse të shënjestronte.

“Sofo Çomora, siç përmenda edhe më sipër, ishte mik i afërt i ministrit të Jashtëm, Rauf Fico. Edhe kur nuk punoi drejtpërdrejt me të, ishte i rekomanduari i garantuar i tij. Të njëjtën marrëdhënie krijoi edhe më vonë, me Hysni Kapon. Ishte ky i fundit që diti të ruajë mikun, por, nga ana tjetër, edhe intelektualin që i duhej vendit. Ishin pikërisht miqësitë që disa njerëz nuk i mohuan që lejuan edhe të birin e Sofos, Gogon, të vijonte studimet për kimi industriale. Vitet kalonin dhe nëna e tij, tashmë, nuk është se kalonte pa u vënë re. Megjithatë, falë të marrëdhënieve, por edhe rezultateve të shkëlqyera të të birit, Sofo arriti t’i siguronte studimet. Në çdo rast, duhet mbajtur në mendje që çmenduritë e pushtetit popullor ende nuk ishin “shfrenuar”.

Qoftë Sofo, qoftë Bosa u larguan herët nga jeta. Njëri në vitin 1963, ndërsa tjetri një vit më pas. Siç duket, e vetme, Bosa nuk do ta përballonte dot Shqipërinë që sa po vinte e po bëhej më frymëmarrëse.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura