Si lindi debati mes shkrimtarëve “të rinj” e “të vjetër” në 1961. Pse Enveri u kushtonte rëndësi (PJESA I)

Jul 5, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Shkrimtari i njohur Skifter Këlliçi në një shkrim “Poetët, “gju më gju” me diktatorin”, tregon për përplasjet mes shkrimtarëve shqiptarë, si lindi debati mes shkrimtarëve “të rinj” e “të vjetër” në vitin 1961 dhe vëmendja e diktatorit Enver Hoxha në këtë çështje.

ENVER HOXHA NE MBLEDHJEN E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE
ENVER HOXHA NE MBLEDHJEN E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE

11 korrik i vitit 1961, pra 55 vjet më parë…

Enver Hoxha, megjithëse nuk ishte njoftuar se do të merrte pjesë, erdhi befas në një takim me inteligjencien e Tiranës, ku u diskutuan edhe probleme shqetësuese që kishin lindur në krijimtarinë poetike shqiptare. Jo vetëm kaq, por nga dëgjues i vëmendshëm i diskutimeve të poetëve të afirmuar komunistë që kritikonin ashpër poetët e rinj, të cilët kërkonin shtigje dhe mjete të reja shprehëse në krijimtarinë poetike, si dhe dëgjues po kaq i vëmendshëm i përgjigjeve të këtyre të fundit, çuditërisht u bë gjyqtar për të vendosur paqe midis tyre.

PROLOG

Enver Hoxha: “Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë, p.sh., atë që ai ka shkruar për Kalanë e Gjirokastrës (“Princesha Argjiro”), dhe mua më ka pëlqyer. Kam lexuar edhe disa vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se është një i ri me talent”.

(Vlerësime të shprehura në takimin e 11 korrikut të vitit 1961 me inteligjencien.) Enver Hoxha: “I thashë Ramizit… përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë dhe vëre para “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë… Ai është nga ata elementë me talent, prandaj e kemi mbrojtur….

Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka dhe idera, por në mes të këtyre ideve ai ka dhe figura dhe ide të hidhura, që tregojnë botëkuptimin e tij të veçantë”. (Nga vlerësimet për poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, shkëputur nga ditari i tij vetjak, 20 tetor 1975.)

Këto janë dy karakteristika të diktatorit për Kadarenë në harkun e 14 vjetëve, periudhë gjatë së cilës ai, veç të tjerash, u kushtoi rëndësi të veçantë edhe problemeve të zhvillimit të arteve dhe letërsisë, veçanërisht pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH (dhjetor 1972), nga ku mori pikënisjen për të dënuar të ashtuquajturat shfaqje borgjezo-revizioniste në këto fusha, që arritën kulmin në Plenumit IV famëkeq të KQ të PPSH-së, më 1973-shin, me masa të rënda, deri në burgime dhe internime të shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve.

Nga këto masa, siç shprehet dhe më sipër dhe vetë diktatori, Kadareja shpëtoi mrekullisht.

DIKTATORI SYÇELTESOR DHE I PERZEMERT ME SHKRIMTARET

Sidoqoftë Enver Hoxha, edhe para takimit të 11 korrikut të vitit 1961 që do ta analizojmë më poshtë, ka dashur të tregojë gjithnjë, qoftë hipokrizisht, se qëndron pranë shkrimtarëve dhe artistëve, ose siç thotë populli, “gju më gju” me ta, të ndiqte shfaqjet e tyre artistike, por edhe si tiran që ishte, të ndërhynte brutalisht.

Kjo ndodhi kur shkoi më 1964-n në Korçë dhe më 1979-n në Tiranë, me të parë dramat “Rrethimi i bardhë dhe “Njollat e murrme”, përkatësisht të shkrimtarëve Naum Prifti dhe Minush Jero, i kritikoi ato dhe urdhëroi që të mos shfaqeshin më, për gabime ideore, megjithëse të dytën e kishte parë më parë dhe madje me dorën e tij i kishte dhënë Teatrit të Korçës “Flamurin e Festivalit të Teatrove Profesioniste” bash Mehmet Shehu, ish-kryeministri, të cilin vite më pas do ta shpallte armik dhe… poliagjent.

Pastaj, siç u vu në dukje pak më sipër, kur këtë radhë la të përfundonin të katër netët e Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH, që i ndoqi nga vila e tij në Vlorë, për ta sulmuar dhe asgjësuar pas disa javësh, ndonëse për të nuk kishte bërë vërejtje asnjë nga byroistët, duke filluar nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia.

Naum Prifti, Vito Koçi, Dritëro Agolli, Kin Dushi, Fatos Arapi, Anastas Kondo para klubit të LSHA, 1964
Naum Prifti, Vito Koçi, Dritëro Agolli, Kin Dushi, Fatos Arapi, Anastas Kondo para klubit të LSHA, 1964

Enver Hoxha takohej me shkrimtarët dhe artistët edhe në kongreset e tyre. Por, këto herë përzemërsisht. Kështu ka ndodhur në Kongresin e Parë, më 1954-n, të Dytin më 1979-n dhe në Kongresin e Tretë, më 1983-shin.

“Por në Kongresin e Parë, – tregon shkrimtari ynë i njohur Naum Prifti, – kur ai ishte ulur krahas byroistëve të tjerë në radhën e parë, ndodhi një e papritur. Befas, në një nga seancat e ditës së parë, se kush erdhi e çoç i tha në vesh njërit prej byroistëve. Pastaj ky ia përcolli atë fjalë tjetrit që ishte në krah dhe kështu fjala erdhi deri te veshët e diktatorit.

Ai menjëherë brofi nga karrigia ku ishte ulur bukur mirë dhe doli nga salla, i ndjekur zdruq-zdruq nga byroistë të tjerë. Më pas mësuam se ata ishin larguar për një mbledhje të rrufeshme nën kryesinë e tij, sepse sapo ishin njoftuar se Panajot Plaku, ushtarak i lartë dhe anëtar i Komitetit Qendror, ishte arratisur në Jugosllavi dhe, doemos, kjo “gjëmë” e papritur kishte shumë më tepër rëndësi se ky Kongres …

Në dy kongreset e fundit kam qenë i pranishëm edhe unë si shkrimtar. Më 1979-n mori pjesë në dy seanca dhe qëndronte në Presidium pranë Dhimitër Shuteriqit, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. I ulur pranë shkrimtarëve Fatos Arapi dhe Agim Cerga, e kam parë që shkëmbente biseda të ngrohta me Shuteriqin.

Ç’është e vërteta, u shfaq në një nga pushimet midis seancave edhe në hollin e selisë së Kuvendit Popullor, ku zhvillohej ky kongres dhe bëri fotografi me tërë shkrimtarët dhe artistët që ndodheshin në sallë. Në Kongresin III të LSHA-së, më 1983-shin, ai mori pjesë vetëm në seancën plenare, i shoqëruar nga Ramiz Alia. Ndodhesha diku në një ndenjëse nga ana e djathtë e sallës dhe e pashë nga afër në lozhën ku u ul dhe dukej thuajse i fikur.

Shihja tiparet e fytyrës së tij të mplakur, faqet pakëz të kuqe, siç dukej të ritushuara, sytë që thuajse nuk lëviznin fare dhe dorën që, kur na përshëndeti, e tundte me shumë vështirësi. Pikërisht pas dy vitesh ai do të fikej përfundimisht.

Por, sidoqoftë, erdhi. Ishte një nga daljet e tij të fundit në publik, ndonëse këtë radhë pa qëndruar as edhe një grimë “gju më gju me popullin”. Por një nga takimet, ku ai vërtet ka mbajtur qëndrim të tillë me krijuesit, me të cilët ka diskutuar edhe gjallërisht, ka qenë ai i 11 korrikut të vitit 1961, pra 55 vjet më parë. Dhe, siç do të shohim më poshtë, jo rastësisht.

TAKIMI

Nga një anë Llazar Siliqi, Kolë Jakova, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Luan Qafëzezi… nga ana tjetër Ismail Kadare, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi… Janë dy grupime poetësh, të ndryshëm, jo vetëm nga mosha, por edhe nga mendësia poetike, stili, konceptimi.

Ja përse midis tyre ka nisur një luftë e pashpallur, që është shndërruar në një debat të hapur në shtyp, shprehur kryesisht me krijime poetike, që përjashtojnë njëra-tjetrën. Vringëllimat e shpatave gjatë këtij dueli dëgjohen deri lart në kupolën e kuqe, deri te vetë Enver Hoxha.

Në sallën qendrore të UT-së organizohet kjo mbledhje e gjerë me intelektualët. Qëllimi i saj: “Diskutimi rreth vendimit të KQ të PPSH-së ‘Mbi letërsinë dhe artet’ (7 qershor 1961). Referatin kryesor e mban Ramiz Alia, sekretari i KQ për ideologjinë. Në këtë mes nuk ka asgjë të befasishme, sepse deri atëherë Ramiz Alia, ashtu si Enver Hoxha, është takuar jo rrallë me intelektualë, poetë e shkrimtarë dhe po takohet sërishmi. Por këtë radhë ky referat është vetëm ballorja e këtij takimi, ku nuk u diskutua me intelektualët, sepse pas referatit, takimi u shndërrua në një debat të ndezur vetëm midis poetëve të vjetër dhe poetëve të rinj.

Papritur, disa çaste para fillimit të mbledhjes, veshur me kostum të bardhë beharor, në sallë futet Enver Hoxha, duke lënë të shtangur jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe vetë drejtuesit e mbledhjes.

Nuk është lajmëruar se kreu i Partisë do të marrë pjesë në këtë mbledhje, ndryshe do të ishin marrë masa të rrepta nga Sigurimi i Shtetit, që në fakt u shfaq menjëherë në mjediset rreth sallës. Ka një arsye. Diktatori do që të shohë nga afër dhe të dëgjojë se ç’do të thonë pikërisht poetët e vjetër e si do t’u përgjigjen poetët e rinj.

DUKE KTHYER VESHTRIMIN NGA TRADITAT E POEZISE SONE

(Parantezë) Poezia e re e realizmit socialist, ashtu si tërë letërsia shqipe, ndikuar nga letërsia dhe arti sovjetik, lindi qysh në vitet e luftës kundër pushtuesve nazifashistë, që solli pastaj vendosjen e regjimit tiranik komunist.

Sidoqoftë, vazhduan të botoheshin poetët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare – Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, për të vazhduar me Fan Nolin, Migjenin…, por u sulmua ashpër Fishta, si poet antikombëtar dhe u harrua Poradeci e poetë të tjerë. Poetët më në zë u bënë pikërisht ata që përmendëm në hyrje të këtij cikli. Një pjesë prej tyre kishin nisur të shkruanin edhe gjatë viteve të regjimit zogist.

Kishin mbaruar jo vetëm shkollën e mesme, ku kishin studiuar gjuhë të huaja që u kishin dhënë mundësi të njihnin në origjinal vepra të shquara të poetëve më të mëdhenj të huaj, por edhe kishin vazhduar shkolla të larta të përfunduara, ose të lëna përgjysmë, për t’u kthyer në atdhe, për t’u hedhur në radhët e Luftës Antifashiste.

Dhe në radhët partizane kishin vazhduar krijimtarinë letrare, kryesisht në poezi e më pas disa prej tyre kishin studiuar për letërsi në vendet socialiste. E vërteta është se, me gjithë traditën jo të vogël në fushën e poezisë, sidomos me veprat e Nolit, Poradecit e Migjenit, veprat e tyre, të ndikuara dhe nga dogmatizmi i poezisë sovjetike, me përjashtime të vogla, nuk arritën ndonjë nivel të lartë.

Këtë e vë në dukje, veç të tjerëve, edhe studiuesi kanadezogjerman, Robert Elsi, në veprën e tij “Histori e letërsisë shqipe”, ku thekson: “Pjesa më e madhe e shkrimeve me shumicë në vitet pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në çdo kuptim. (Vepër e cituar, faqe 383, botim në shqip, Pejë 1997).

Në veprat poetike të poetëve të mësipërm himnizoheshin lufta heroike e popullit tonë kundër pushtuesit të huaj dhe… sukseset e mëdha që po arrinte Shqipëria e re socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës, me Enver Hoxhën në krye. Mirëpo, e ndrydhur në kanunet e realizmit socialist, ajo në më të shumtën e rasteve mbeti një poezi e sipërfaqshme, pllakateske, dhe nuk qe në gjendje të vazhdonte traditën e poezisë shqipe të Paraçlirimit.

“Tematika e krijimeve të kësaj periudhe, – vijon Elsi, – përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të veçantë për elementet themelore të stilit… Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare quheshin më të rëndësishme se vlerat estetike.

Ky qëndrim synonte të thellonte frymën revolucionare dhe të forconte bindjet socialiste të “njeriut të ri” (po aty). Bëjnë përjashtim disa nga vjershat e Lame Kodrës (pseudonimi i Sejfulla Malëshovës), të nxjerra nga vëllimi “Vjersha”, që mbeten të freskëta edhe sot, duke na kujtuar motivet noliane, nga të cilat edhe ishte ndikuar, poema “Prishtina” e Llazar Siliqit, “Kënga e partizanit Benko”, e Fatmir Gjatës etj.

Mirëpo Malëshova që premtonte në fushën e poezisë, u sulmua për gabime të rënda ideore nga diktatori Hoxha dhe bashkë me zhdukjen e tij fizike erdhi edhe zhdukja e tij si krijues.

Dhe ja, nga fundi i viteve ’50 dhe fillimi i viteve ’60, në shtypin letrar u dukën emrat e poetëve të rinj, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi, Vehbi Skënderi…. Ata nuk u shfaqën të ndrojtur, por me zë të plotë e të tingëllueshëm, që u pa qysh në vëllimet e tyre, edhe sot me vlera të dukshme, “Shekulli im”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje poetike”, “Balada intime”.

Këtë e dëshmon përsëri studiuesi kanadez Robert Elsi, i cili në veprën e mësipërme nënvizon: “Ishte brezi i dytë i shkrimtarëve të Shqipërisë së Pasluftës ai që erdhi përherë e më tepër duke kuptuar se bindjet politike, edhe pse të rëndësishme në kontekstin e shoqërisë shqiptare të periudhës, nuk mjaftonin për të qenë kriter i meritave artistike” (faqe 383).

Pikërisht këto vëllime poetike, e sidomos të parat, u përpinë nga lexuesit, veçanërisht, lexuesit e rinj, sepse sillnin nota të reja, të freskëta e, mbi të gjitha, me nivel të lartë artistik, qoftë nga forma, mjetet artistike, ashtu dhe nga fjalori poetik.

Në veprën e tij “Alternativa letrare shqiptare”, botuar në Shkup, më 1995, poeti dhe studiuesi i njohur kosovar, prof. dr. Agim Vinca, sendërton mjaft qartë idetë e mësipërme, duke na dhënë konkretisht dallimin rrënjësor të nivelit artistik të poetëve të vjetër, krahasuar me poetët e rinj, emrat e të cilëve i cituam më sipër.

Kështu, për shembull, ai ndalet te poema “Miku” e Llazar Siliqit (1951) dhe përmend prej saj këto vargje:

“Me makina punt’e randa,

ata bajnë, si vllazën rrojnë,

bashkë gëzojnë,

si asht ma mirë jetën e çojnë”.

Këtyre vargjeve studiuesi në fjalë u kundërvë një fragment nga “Poema e maleve”, ku autori i saj, poeti i ri Dritëro Agolli, shkruan:

“Unë e di, fisi im, ti ende jeton vështirë,

fëmijët e tu brekushe me arna mbajnë,

dhe çokollata një herë në muaj hanë a s’hanë”

(“Vitet ’60 dhe beteja për novatorizëm”, faqe 50 e veprës së mësipërme.) Siç shihet, Dritëro Agolli, jo vetëm nuk e lustron realitetin, si në vargjet e Llazar Siliqit, që kanë, veç të tjerash, edhe fjalor të varfër poetik, por e pasqyron atë në mënyrë më bindëse e, natyrisht, edhe më me emocion.

E, meqë po ndalemi te fjalori poetik, duhet të vëmë në dukje se poezia e deriatëhershme, duke synuar të jepte madhështinë e epokës, e paraqiste atë me epitete tashmë të vjetruara, si vigan, trim, sypatrembur, zanë, shtojzavalle…

Poetët e rinj Kadare, Agolli, Arapi, që vinin nga studimet universitare në vendet e Lindjes, duke u njohur me poezinë klasike të Pushkinit, Lermontovit, a të poetëve bashkëkohorë, Majakovski, Esenini… si dhe poetëve perëndimorë, të përkthyer në rusisht, e, mbi të gjitha, duke qenë të talentuar, sillnin një mënyrë të re konceptimi në krijimet poetike, krejt e ndryshme deri atëherë në poezinë tonë.

Të jem i sinqertë, deri në vitin 1960, ndonëse kisha mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në UT, i dhënë më shumë pas rubrikave artistike dhe sportive që mbuloja në Radio Tirana, ku kisha nisur të punoja, ndiqja kryesisht shtypin sovjetik dhe lexoja më shumë letërsi të huaj në gjuhën ruse. Letërsisë shqiptare dhe, për më tepër, poezisë së saj nuk i kushtoja vëmendje.

Por ja që poezitë e Kadaresë të botuara atë vit në vëllimin “Shekulli im”, që tingëllonin krejt ndryshe në formë dhe përmbajtje nga poezitë të deriatëhershme të poetëve të tjerë shqiptarë, më bënë shumë përshtypje. Dhe jo vetëm mua. Ishte një brez i tërë bashkëmoshatarësh të mi (unë isha atëherë vetëm 22 vjeç), që u rrëmbyem nga këto poezi e më pas të poetëve të tjerë, midis të cilëve të Fatos Arapit.

Nuk kishte si të ndodhte tjetërsoj, kur Kadareja në poemën e tij “Ëndërr industriale”, qytetin e ri që po ndërtohet e përshkruan në këtë mënyrë:

“Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,

s’do të gogësijë duke pirë çaj,

i futur në pizhame.

Duke shkruar për dashurinë, ai shprehet kështu:

“Do të kujtoj

mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,

dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim,

si dëborë e pashkundshme…”.

Po të njëjtat ngjyrime gjejmë edhe në poezinë erotike të Fatos Arapit, i cili shkruan:

“Miliona dashuri u nisën në takime,

Po ecin përmbi taka të holla, të shpejta.

Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre,

Nën trokëllimën ritmike të këmbëve të lehta,

Me gëzim të kthjellët, drejt dashurisë rend jeta…”

Pikërisht kjo mënyrë e re, ky stil poetik që befasoi lexuesit në fillim të viteve ’60, nuk u pëlqeu poetëve të brezit të vjetër, të cilët shihnin në këto dukuri shkarje të dukshme nga traditat e poezisë shqiptare të deriatëhershme.

Kurse në të vërtetë duhet të themi se në këtë rast kemi të bëjmë me vazhdimin e traditave më të mira të poezisë shqipe, duke filluar nga Noli, Poradeci e sidomos Migjeni.

Është pikërisht kjo arsyeja që e shtynte aso kohe kritikun dhe poetin Drago Siliqi të botonte në fillim të vitit 1960 një artikull me interes “Në kërkim të së resë”, ku ai, duke trajtuar probleme të poezisë bashkëkohore, shkruante:

“Formën në poezi e përbën, në radhë të parë, i gjithë sistemi i sintezës figurative që përdor poeti për të përgjithësuar tiparet kryesore të fenomenit që pasqyron. Forma, pra, me fjalë të tjera, është mënyra e të shprehurit të përmbajtjes dhe këto dy nocione gjenden gjithmonë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Në nocionin e formës hyjnë pastaj edhe gjuha, ritmi, rima dhe veçori të tjera stilistike të poetit”.

Ky pohim i drejtorit të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në atë kohë ishte dhe një afirmim i rrugës që po ndiqnin poetët Kadare, Agolli, Arapi dhe disa të tjerë, dhe, ndonëse jo hapur, një kundërvënie ndaj poetëve të vjetër, të cilët nuk pajtoheshin me këto kahje të reja të poezisë sonë.

Pikërisht në këto rrethana zhvillohej edhe takimi i 11 korrikut të vitit 1961. Kishte ardhur koha e një ballafaqimi të madh midis poetëve të vjetër dhe poetëve të rinj. Tani mbi ta si gjyqtar vihej Partia. Ajo dërgonte atje shefin e ideologjisë në Komitetin Qendror, Ramiz Alinë.

E nuk mjaftonte kjo, por në atë sallë ku do të bëhej ky takim, shfaqej si papritur e pa kujtuar edhe vetë Enver Hoxha!

(Titulli i autorit: “Poetët, “gju më gju” me diktatorin”)

SKIFTER KËLLIÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura