Si kurohet sëmundja kronike e përmbytjes në Shqipëri

Dec 4, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

MIRJAN TOPI

Mirjan_Topi

Përmbytjet e këtyre ditëve, të përsëritura me një frekuencë të pazakontë përgjatë viteve të fundit, na sjellin sërish në vëmendje shkaqet e kësaj dukurie. Vlen të përmendet dhe theksohet se shkaku kryesor i përmbytjeve të këtyre përmasave nuk është sasia e reshjeve, por reduktimi i kapacitetit ujëmbajtës të ujëmbledhësve, si pasojë e shkatërrimit të sipërfaqeve pyjore dhe shkurrore nga prerjet dhe zjarret. Burimi kryesor i ujit, nga i cili shkaktohet fryrja e lumenjve në kohë reshjesh, vjen nga sipërfaqja që rrethon basenin ujor. Për shembull, reshjet që bien në jug të vendit, grumbullohen kryesisht në basenin e lumit Vjosë, ashtu sikurse reshjet që bien në juglindje të vendit, grumbullohen kryesisht në basenet e lumenjve Devoll dhe Shkumbin, e kështu me radhë për të gjithë vendin. Në rast reshjesh, kapaciteti ujëmbajtës i tokës varet nga thellësia e tokës, kapaciteti i tokës (lloji i tokës) për të mbajtur ujin nën kushtet e kullimit gravitacional dhe mbulesa vegjetative. Përgjatë viteve të fundit janë prerë apo djegur (mjafton të përmendim verën e këtij viti) sipërfaqe të jashtëzakonshme pyjesh, që në disa zona arrijnë në shifra të tjetërsimit total të habitatit pyjor në kullosor. Mjafton të përmendim: zonën e Parkut Kombëtar të Lurës, masivin malor Guri i Topi – Valamarë, zonën e Malit të Munellës etj., për të ilustruar se sipërfaqet pyjore janë pastruar deri në masën 80% (të dhëna nga një krahasim i shpejtë i fotove satelitore të vitit 2016 me ato të vitit 1994).

Për t’u kthyer në shpjegimin e shkakut kryesor të përmbytjeve: shkatërrimi i mbulesës vegjetative nga aktivitetet njerë- zore ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në tërësi kapacitetin ujëmbajtës të tokës. Shkatërrimi i mbulesës bimore shkakton një efekt zinxhir në tërësinë e faktorëve që përcaktojnë kapacitetin ujëmbajtës të tokës. Së pari, heqja e mbulesës vegjetative në një sipërfaqe toke rrit forcën e goditjes së ujit të reshjeve në të, duke shkaktuar që kullimi të shoqërohet me erozion të fuqishëm, nga i cili shkaktohet humbja e thellësisë së tokës, e cila, sikurse u përmend me lart, përfaqëson një ndër faktorët kryesorë të kapacitetit ujëmbajtës të saj. Së dyti, erozioni shkakton edhe tjetërsimin e llojit të tokës, si pasojë e shpëlarjes së lëndës organike, e cila ndodhet në sipërfaqe, duke ulur sërish kapacitetin ujëmbajtës të tokës.

Ndonëse shkaku kryesor i përmbytjeve të shpeshta në Shqipëri gjatë viteve të fundit është i qartë dhe mekanizimi i shpjeguar më lart është i thjeshtë për t’u kuptuar, fatkeqë- sisht ky problem është i vetmi që nuk është trajtuar nga asnjë qeveri shqiptare përgjatë viteve të fundit. Vendi u shkrumbua gjatë kësaj vere dhe shkaku i faturohet natyrës (temperaturave të larta), ndërkohë që pranohet se shumica dërrmuese e zjarreve janë të qëllimshëm. Asnjë masë nuk u mor për çështjen e parandalimit të zjarreve dhe e gjithë situata u kalua me një neglizhencë të pajustifikueshme. Sërish, sipërfaqet e degraduara të pyjeve vazhdojnë të përhapen si myku në mollën e vjetër dhe asnjë masë nuk merret për rehabilitimin dhe pyllëzimin e këtyre sipërfaqeve.

Fatkeqësisht, është bërë qesharake tashmë të dëgjosh dhe shohësh fytyrat gjoja të ngrysura të vendimmarrësve tanë, që në kohë përmbytjesh premtojnë gatishmëri dhe investime, që vetëm mund të zbusin në mënyrë të paqëndrueshme dhimbjen e sëmundjes kronike të përmbytjeve që ka mbërthyer Shqipërinë, por kurrsesi nuk mund ta kurojnë atë. Si ndodh rëndom, paratë e shqiptarëve shkojnë për “vaj palmash” dhe nuk investohen për të trajtuar problemin në zanafillë.

Ka vetëm një mënyrë efektive dhe të qëndrueshme për trajtimin afatgjatë të problemit të përmbytjeve në Shqipëri dhe ajo është rehabilitimi i sipërfaqeve të degraduara, nëpërmjet ripyllëzimit dhe masave kundërerozion, të tjerat s’janë gjë tjetër, veçse “makijazh në një fytyrë të vuajtur”, që shpëlahet nga avujt e vesës së mëngjesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura