“Si kërceu Nurejev ‘Vallëzimin e shqipeve’ të Kanaçit”

Oct 7, 2015 | 13:55
SHPËRNDAJE

Po të kishte ndjekur ëndrrën e tij të baletit klasik, ndoshta do të kishte bërë mrekulli. Por edhe lidhja me figuracionin tërësisht shqiptar për të do të ishte e natyrshme. Aq sa Rudolf Nurejev nuk do t’i thoshte jo koreografit shqiptar për të kërcyer etydin e tij me titull “Vallëzimi i shqipeve”.

Atë vallëzim shqiponjash që do të bëhej një emblemë e valleve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. “Ai është një Kadare i koreografisë shqiptare”.

panajot kanaci

Kështu thotë drejtori artistik i Ansamblit Popullor, Sulejman Baltëza, për një nga koreografët më të mëdhenj shqiptarë, Panajot Kanaçi. Për nder të “Mjeshtërit të Madh” të koreografisë, TKOBAP organizoi dje një koncert me krijimtarinë më të zgjedhur të tij.

Në drejtimin artistik të Sulejman Baltëza, drejtimin nga Silvana Braçe, grupi i valleve të Ansamblit Popullor, drejtuar nga Rexhep Çeliku, Orkestrina nën drejtimin e Vladimir Hasimit, solistët Aranit Hoxha, Sabahete Vishnja dhe të ftuarat si valltarja Lili Cingu dhe këngëtarja Irma Libohova, erdhi para publikut një program me pjesë të zgjedhura.

Panajot Kanaci
Panajot Kanaci

U interpretuan vallet e njohura “Ditë feste në Tiranë”, “Vallëzimi i Shqipeve”, “Vallja Çame”, “Vallja e Caces”, “Dueti i Çobanit”, “Vallja Labe” si dhe “Festë e madhe”. Baltëza tregon për “Panoramën” veçantitë e krijimtarisë së Kanaçit, punën e tij në një kohë të vështirë për artistët, në diktaturë etj. Ndër të tjera, ai zbulon edhe faktin se koreografi shqiptar ka mbrojtur diplomën në Moskë, pikërisht me “Vallëzimin e shqipeve”, kërcyer nga Rudolf Nurejev.

Me ç’rast vjen ky koncert në skenën e TKOBAP?
Në kalendarin artistik të 6- mujorit të dytë të Ansamblit Popullor ishte edhe një koncert-album me vepra të koreografit Panajot Kanaçi. Ne, herë pas here, i kthehemi krijimtarisë së autorëve shqiptarë me kontribut në zhvillimin e valles shqiptare si Kanaçi, Zekthi, Jazexhiu, Kaceli etj. Ky është një koncert që të vërë në dukje edhe një herë për brezin e ri vlerat e krijimtarisë së Kanaçit, aq më tepër tani që Ansambli është freskuar me elementë të rinj.

Çfarë e dallon krijimtarinë e Kanaçit?

Sulejman Baltëza
Sulejman Baltëza

 

Krijimtaria e Kanaçit është e veçantë, është një qëndrim estetik ndaj folklorit, ndryshe nga ai i krijuesve të tjerë. Ai është një koreograf i lindur. Është një nga njohësit më të mirë të traditës burimore. Jo vetëm që e njeh, por edhe asimilon deri në atë fazë ku fillojnë të lindin figuracionet. Ka shfrytëzuar të gjitha burimet, nga Veriu në Jug. I ka prekur të gjitha zonat dhe kudo ai vjen me një koreografi ndryshe. Ka krijuar valle që janë vlerësuar jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër turnetë që kanë udhëtuar.

Një nga krijimet, gati mitike të Panajot Kanaçit, është “Vallëzimi i shqipeve”, si ka lindur kjo vepër?
“Vallëzimi i shqipeve” është nga perlat e koreografisë shqiptare. Që në hapat e para ndihet figuracioni i shqiponjës. Ai e merr këtë figuracion nga ky zog i lirë dhe e transmeton në skenë përmes valltarëve. Me këtë simbolikë fillon edhe zanafilla e tij koreografike në Universitetin e Arteve në Moskë. Etydi i parë për mbrojtjen e diplomës ka qenë pikërisht “Vallëzimi i shqipeve”, që e ka kërcyer një nga balerinët më të mëdhenj rusë, Nurejevi. Pas këtij etydi, ai vjen në Shqipëri dhe ndërton “Vallëzimin e shqipeve”, që përfundon me një alegri shumë të bukur emocionale. Këtë emocion e kam provuar vetë në Amerikë, në Virxhinia, kur në vitin 2011 u organizua një takim i bandave të NATO-s, mes të cilave dhe banda e ushtrisë sonë dhe katër çifte balerinësh me “Vallëzimin e shqipeve”. Që në batutat e para të vallëzimit, do të ngrihej në këmbë gjithë stadiumi, 10 mijë veta. Një emocion i paprovuar më parë nga ky publik, çka vërtetonte edhe një herë talentin e koreografit.

Por në krijimtarinë e tij ka edhe vepra si “Festë e madhe”…
Në atë kohë shumë të vështirë për t’u shprehur nga artistët, patjetër që do të ishe i dyzuar, pasi pasojat mund të ishin të rënda. Artisti duhet të mendonte ndryshe dhe të shprehej ndryshe, pa prekur “tabutë” e skenës. Kurse sot, e çliruar nga ndikimet e asaj kohe “Festa e madhe” mbetet sërish shumë e bukur. Aty ka koreografi, popull, figuracion dhe emocion të plotë. Po kështu, edhe “Ditë feste në Tiranë”, plot jetë, që zhvillohet si një kopsht me lule, një nga perlat e koreografisë shqiptare, por e veçanta është se ai ka bërë një punë shumë të madhe studimore për të pastruar të gjithë elementët e huaj të huazuar që kanë ndikuar në folklorin shqiptar gjatë pushtimeve të ndryshme të Shqipërisë, apo nga kulturat e fqinjëve. Duke na dhënë një valle të pastër shqiptare. E tillë është “Vallja çame”, një nga perlat e Jugut, “Vallja labe”, që Panajoti e jep me të gjitha ngjyrimet e veta, epike dhe lirike.

A ka vepra ku ndihet ky dyzim mes artistit aristokrat dhe atmosferës “revolucionare” të kohës?
Po është e vërtetë, ka vepra që e mbajnë këtë dyzim, sepse ndryshe duhet të ishe përballë shtresës politike apo kërkesave të kohës dhe ndryshe ishte ajo çka donte të thoshte. Si tekstet, por edhe koreografia ka qenë shumë e politizuar, por Panajoti ka qenë shumë i kujdesshëm. Do ta krahasoja me një Kadare në fushën e koreografisë. Kjo është rruga e njerëzve të mençur. Ai ka lënë vlera të pakontestueshme.

A e kishte peng baletin klasik?
Në atë kohë ne kishim dy liderë të koreografisë shqiptare, Panajot Kanaçin dhe Agron Alinë. Ai është krijuesi i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”, më pas “Familja e peshkatarit” etj. Ai ishte i prirur për baletin klasik e ndoshta aty do të kishte bërë çudira, do kishte bërë gjëra edhe më të mëdha, por koha ishte e atillë. Atë e caktuan tek Ansambli dhe Agronin te Baleti. Këto ishin zhvillimet kulturore në Shqipëri në atë kohë, ku një vëmendje e madhe i jepej krijimtarisë kombëtare që s’mund ta mohojmë që i dha një hop cilësor koreografisë dhe muzikës shqiptare, pavarësisht politizimit. Një zhvillim i artit, por edhe publikut.

A vjen sot publiku t’ju ndjekë?
Këto vite në Shqipëri kanë ndodhur lëvizje të mëdha demografike. Në Tiranë kanë ardhur shumë shtresa sociale rurale, të cilat duhen afruar, pasi arti është pjesë e edukimit qytetar dhe shpirtëror. Përmes projektit “Edukimi përmes artit” po përpiqemi të sjellim në Opera rininë, klasat e nënta dhe gjimnazet, të cilëve u flasim për koreografinë, kostumografin, lëvizjet. Japim një informacion të tillë që ata të mos shohin thjesht një valle, por të shohin se çfarë ka pas saj, si zbërthehet ajo. Madje bëjmë edhe mësime praktike. Kërcejmë një valle, e zbërthejmë në lëvizje dhe në fund të këtij takimi të gjithë janë ngritur dhe kërcejnë me Ansamblin. Sigurisht ka një publik të përhershëm të Operës dhe Baletit, dhe Ansamblit, por ky publik duhet “rinovuar”.

Keni një plan si do të funksiononi me fillimin e rikonstruksionit të ndërtesës së TKOBAP? Kemi bërë një plan të mirorganizuar. Me një grup të specializuar të Operës kemi parë të gjitha skenat nëpër Shqipëri, në ç’gjendje janë dhe kemi hartuar një plan që të shkojmë kudo në Shqipëri, ku për të mos ndërprerë jetën koncertale. Kanë mbetur ende skena të mira? Kemi skena të mira në Durrës, Elbasan, Lushnjë, Fier, Vlorë, Dibër, Tropojë, Lezhë, Shkodër, por edhe në trevat shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni. Mendojmë të nisim në janar.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura