“S’i kemi punët mirë me ata të shtetit”, financieri i Habilajve mbetet në burg

Dec 5, 2017 | 16:08
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka dhënë një tjetër masë sigurie me burg për Nezar Seitin. Kësaj here, financieri i Habilajve do të qëndrojë edhe 50 ditë të tjera në burg.

nezar-seiti

Kjo është masa e tretë me burg me afat që cakton Gjykata e Tiranës për Nezar Seitin, ku dy të parat kanë qenë me nga 20 ditë burgim për efekt ekstradimi.

Nga ana tjetër, për Seitin ka edhe një masë sigurie “arrest me burg” dhënë nga Krimet e Rënda për llogari të hetimeve në Shqipëri. Seanca në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar ditën e djeshme, teksa mbrojtja priste shuarjen e masës së sigurisë.

Vetë Nezar Seiti, i përmendur në dosjen e Katanias si bashkëpunëtor i Moisi Habilajt, ka kërkuar që të ekstradohet dhe të procedohet në Itali. Ai përmendet në përgjimet e dosjes së grupit nga ku del se merrej me financat kryesisht dhe me sigurimin e transportit të drogës nga Shqipëria drejt Jugut të Italisë.

Nezar Seitit i është ofruar edhe statusi i bashkëpunëtorit, por këtë ai e ka refuzuar, duke i qëndruar kërkesës për ekstradim. Por, ende në Ministrinë e Drejtësisë nuk janë bërë procedurat për kërkesën e ekstradimit të tij.

Po kështu, Seiti po hetohet edhe në Shqipëri nga Krimet e Rënda. Ai i është nënshtruar një hetimi pasuror, së bashku me disa pjesëtarë të familjes së tij. Nezar Seiti u arrestua në operacionin e famshëm të Babicës, ku u sekuestruan 4 tonë kanabis. Bashkë me të, në pranga ra edhe Arman Koçerri.

DËSHMIA

Nezar Seiti është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda muajin e shkuar. Atij i është ofruar edhe statusi i bashkëpunëtorit, gjë që e ka refuzuar. Seiti ka pranuar para prokurorëve të Krimeve të Rënda se ka lidhje krushqie me Habilajt, pasi e shoqja e tij i ka kushërinj.

Gjithashtu, ai ka thënë se ka udhëtuar shpesh drejt Italisë në kërkim të punëve të ndryshme, dhe se kthehej shpesh në Shqipëri për të parë prindërit e moshuar, që banojnë në Vlorë. Lidhur me trafikun e drogës dhe rolin e tij si bashkëpunëtor i Moisi Habilajt, Nezar Seiti nuk ka preferuar të japë shpjegime. Ai ka kërkuar që të gjykohet në shtetin fqinj, ku janë ngritur akuzat e para, duke i thënë “po” ekstradimit.

PËRGJIMET

Ai ka dalë në skenë në përgjimet që janë bërë në vitin 2015 e pas, ku sipas dosjes Seiti ka qenë mjaft aktiv dhe ka udhëtuar disa herë nga Shqipëria drejt Italisë për t’i ardhur në ndihmë Moisi Habilajt. Për të ka me dhjetëra biseda të përgjuara, ku flitet për skafe, karburante, si edhe për transportin e drogës dhe çmimin e tregut të zi për të.

“Nga përgjimet që kemi bërë, dalim në përfundimin se nga qershori i vitit 2015 e më pas, dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Moisi Habilajt janë Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Sulaj dhe Seiti ishin në krye të transfertave që kryheshin nga Shqipëria në Itali, edhe për llogari të Angelo Busacca-s”, shkruhet në faqen 342 të dokumentit të dalë nga Prokuroria e Katanias.

Në një bisedë me Sulajn, Seiti thotë se “nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”. Bëhet fjalë për një bisedë të regjistruar në janar të vitit 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura