Si kanë ndryshuar kostumet e banjës nga fustanet, te monokini e bikini

Jul 29, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Bikini apo trup? Braziliane apo slip? Me shtrat të ulët apo të lartë? Le ta pranojmë, gratë janë në gjendje ta bëjnë jetën të vështirë, edhe kur është fjala vetëm për një kostum banje. Bashkëpunëtore të këtyre dilemave, sigurisht që janë edhe trendet e çdo sezoni, modelet e pafundme, dizenjot e shumta. Tregut nuk i mungon më asgjë, madje është aq i ngopur, sa po u rikthehet edhe një herë modeleve të dikurshme. Sigurisht, jo atyre të parave fare, por të ca viteve më vonë, kur këmbët u ndjenë më në fund të lira.

Por si kanë qenë dhe si kanë ndryshuar kostumet e banjës? Fotografitë që po shihni mundet që mos t’i keni çuar as nëpër mend! Megjithëse, me pak fat, mund të gjesh pamje të 1910-s edhe sot, në Durrës. Kostumet e para të banjës mbërrijnë nga fundi i viteve 1910, për t’u përmirësuar në fund të ’20-s.

Por, duhej të kalonte edhe një dekadë që të zbuloheshin këmbët, ndërsa bikini i parë është prerë më 1946-n dhe u konsiderua një revolucion i vërtetë. Ca vite më vonë, në ’60, mbërriti një tjetër risi që u konsiderua po aq revolucionare sa e para. Monokini! Një kostum i ideuar nga austro-amerikani Rudi Gernreich. Jemi në vitet e para të revolucionit seksual. Le t’i marrim me radhë…

1905- Principi ishte kostumi i banjës
grand-benders-bathing-suit 1910
Sigurisht që historia e kostumeve të banjës nuk mund të niste nga tangat. Dikur, më shumë se 100 vite më parë, gratë duhet t’i afroheshin plazhit, me fustanin më të lehtë që kishin, por ama duhet të ishte fustan. Siç duket qartë edhe nga fotografitë, po të ishin të veshura edhe me geta ose streçe, nderi ishte në vend. Nuk flitet fare për të marrë rreze dielli, duhet të ishe e kënaqur me një freskim në ujë që pastaj, me të dalë, shndërrohej në një bezdi të madhe për shkak të ngjitjes së rrobave me lëkurën. Epo… nuk zgjati për shumë vite.

1920- 1930 Mbathjet gjysmë pantallona nuk vonuan të vinin

1920
U hoqën fustanet e fundet me të cilat gratë sajoheshin në përpjekje për t’u mbuluar, por edhe për ta lejuar ndonjë pjesë të lëkurës të takohej me diellin. Siç mund të keni parë edhe nëpër filma, fundet u zëvendësuan me mbathjet e mëdha dhe korsetë e trupit, që u bënë kostumi perfekt për një shëtitje në plazh. Gradualisht, mbathjet nisën të zvogëloheshin me ndonjë centimetër në fillim të viteve ’20. Merita ishte e gjitha e Hollivudit që prezantoi aktorët ca më të çliruar. Akoma më tepër elastik u bë kostumi i banjës në vitet ’30, i ngjashëm me ndonjë që mund të qarkullojë edhe sot.

1940- 1950 “Shpërthimi” i bikinit

1945
Nëse sot mund t’u duket vetja e guximshme, duhet të dini që bikini lindi në 1946 nga lapsi gjenial i Louis Reard, të cilit duhet t’i jetë mirënjohëse çdo grua që dëshiron të marrë ngjyrë apo të jetë komode. Jo shumë vite më vonë, format e hapura nisën të harkohen duke u dukur edhe më sensuale.

1960-1975 Revolucioni seksual; zbulimi i monokinit

1970
Vitet ’60 sollën revolucion edhe te kostumet e banjës, duke dhuruar për herë të parë atë që sot quhet monokini. Gjithnjë e më tepër po shtohen edhe në Shqipëri femrat që me monokini nënkuptojnë vetëm një palë slip. Jo se duhet t’u rikthehen viteve ’60, por për ta ditur, ky ka qenë monokini i parë që, pavarësisht modeles, pamjen e kishte të plotë… Më pas, po në këto vite, deri në fund të ’70-s, nisën të përdoren për realizimin e rrobave të banjës materiale dhe prerje të ndryshme, deri sa dolën në qarkullim ato që u kthyen në domosdoshmëri; dy copat crochet!

1980- Triumfi i stilit hauaian

1980
Në vitet ’80, kur ëndërrohej Amerika (jo për ne që ëndërrojmë ende), pjesa e sipërme e kostumit të banjës mori formë trekëndore, ndërsa mbathjet u zvogëluan gjithnjë e më shumë. Megjithatë, ishte një kostum që nuk mund ta përdornin të gjithë. Hauai ishte vendi ku mund të vishej ky kostum që u kthye në ëndrrën “e paarritshme” të të gjithave.

1990- Moda ‘Pamela Anderson’

1996
Në vitet ’90 shpërtheu moda e serialit më të ndjekur televiziv të kohës, Baywatch. Pamela Anderson, përveçse ëndrra e të gjithë burrave, ishte edhe zilia e të gjitha femrave. Për rrjedhojë, kostumi i banjës “trup”, mundësisht në ngjyrë të kuqe gjaku dhe me dekolte të theksuar, u kthye në tendencën e kohës.

Po sot?
in-bikini-e-su-photoshop
Një ide për larminë e kostumeve të banjës që qarkullojnë sot e krijoni të gjithë, sidomos këtyre ditëve që jeni shtrirë nëpër shezlonge. Mirë bëtë që zgjodhët syze me xham të errët! Fundja gruaja nuk ka pse t’ju kontrollojë edhe shikimin, ju vetëm sa po kërkoni të jeni koherentë me modën. E pra, miksimi i të gjitha ngjyrave e i të gjitha prerjeve, është tendenca e fundit. Të sipërme në ngjyra të tjera, e mbathje krejt të tjera. Sidoqoftë, sot ngelet e vështirë të përcaktosh një model që “duhet” me patjetër, sepse hapat e dizenjatorëve janë aq të shpejtë, sa që është e vështirë të kuptosh se kush hyn e kush del nga moda. E rëndë- sishme është që të mos hiqen fare… por nuk është kusht!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura