Si i mbyti Ali Pasha 17 vajza për faj të prostitutës Frosinë

Mar 12, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Dikujt mund t’i ngjajnë skeptike, por organizimi i aktiviteteve kulturore mes dy vendeve lë gjithnjë gjurmë për dikë që do t’i ndjekë më pas. Destinacioni i kësaj here, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, drejtuar nga Irena Toçi, Bashkia Janinë, Qendra Kulturore e Janinës, Konsullata e Përgjithshme Shqiptare Janinë, Shoqata e Hotelierëve të Qarkut të Janinës dhe Shoqata Turistike Shqiptare, ishte Janina. Siç mund të ta thotë edhe emri i vendit që u vizitua, gjenden atje edhe shenja shqiptare, përveç shqiptarëve të shpeshtë që shihen në rrugë.

Veshja e vetme autentike e Vasiliqisë, ekspozuar në muzeun e ishullit të Janinës
Veshja e vetme autentike e Vasiliqisë, ekspozuar në muzeun e ishullit të Janinës

Ali Pashë Tepelena është simboli i dy vendeve, që i ndajnë pak kilometra rrugë. Prandaj, edhe vizita më e rëndësishme e grupit të shqiptarëve të përbërë nga gazetarë e përfaqësues të Muzeut Kombëtar ishte parashikuar në muzeun “Ali Pasha”, në ishullin e Janinës. Një ishull pothuajse i pabanuar, edhe për shkak të afërsisë me qytetin e Janinës, rrugicat e boshatisura e të ngushta të të cilit ta tregonin vetë drejtimin për te muzeu.

FUSTANI I ÇMUAR I ISHULLIT TË VETMUAR

Shtëpia dykatëshe që ka qenë streha e Ali Pashës në ishull, së fundmi kishte marrë në pronësi një objekt që e konsideronte të çmuar. Është folur shumë muajt e fundit për një armë prodhim artizanal punuar me ar dhe argjend, e identifikuar si e vitit 1804, pronë e një familjeje të vjetër me origjinë nga Janina, e shpërngulur në Athinë në vitin 1930.

Sipas studiuesve, kjo armë i përkiste Ali Pashë Tepelenës dhe së fundmi, ajo është sjellë nga Athina në Muzeun “Ali Pasha” në Janinë, duke pasuruar kështu fondin e këtij muzeu. Krah saj, sigurisht të një rëndësie më të pakët janë të varura në mure një pjesë e mirë e armëve të tjera të koleksionit “Pasha”. Një pjesë e mirë e tyre as nuk është shkrepur, pasi Ali Pashai nuk i përdorte armët që i dhuronin.

 

fustann vasiliq

Në katin përdhes të ndërtesës dykatëshe ndriçohej në një kënd fustani i Keyra (Qira-zonjë) Vasiliqisë… Mbase për shkak të viteve, mbase për shkak të ndriçimit, nuk mund t’i përcaktoje as ngjyrën. Të shkonin ndër mend vetëm fijet e thurura të arit që i gjeje gjithashtu te pantoflat që e shoqëronin. Në muze ishin të ekspozuara edhe veshje të tjera të kohës, por ky fustan ishte i vetmi që Vasiliqia kishte mbajtur në trup.

Ky i muzeut ishte vetëm një nga stacionet e qëllimeve të këtij udhëtimi, që ndër të tjera nënshkroi Memorandumin e bashkëpunimit midis Shoqatës së Hotelierëve të Qarkut Janinë dhe Shoqatës Turistike Shqiptare. Në ditët që vijuan u çel ekspozita e pikturave dhe punimeve në grafikë, qeramikë, bakër e teknikë të kombinuar të artistëve Edi Kojani dhe Zeqir Alizoti, titulluar “Janina dhe Gjirokastra në art”, u shfaq gjithashtu filmi dokumentar “Janina në telajo” etj.

FROSINA, PROSTITUTA “E SHENJTË” QË SHKAKTOI MBYTJEN E 17 VAJZAVE NË LIQENIN E JANINËS

Historia që vijon, është më kontradiktorja nga “bëmat” e Ali Pashë Tepelenës. I rrethuar gjithnjë prej femrash që stoliste e bënte me to ç’të donte, mori befas një vendim të tmerrshëm për t’i mbytur në liqen disa nga dashnoret e të birit, të cilat ligji i kohës “i ndëshkonte”. Ai vetë, po e po… bashkë me Lordin Bajron.

liqiaa

Prandaj, kjo është një nga ngjarjet që shumica e europianëve shënuan në mbresat e tyre në Pashallëkun e Ali Pashës, që ishte historia e Frosinës dhe djalit të Aliut, Mukhtarit. Sipas tregimeve, dhe ciceronit që shoqëroi grupin e shqiptarëve në varrin ku prehet trupi pa kokë i Ali Pashës, mësohet se Mukhtari ishte qejfli i madh. Duke u nisur nga ky fakt, një greke e quajtur Frosinë, që ishte gruaja e një tregtari grek, ishte njëra nga shumë femrat që shkonte me Mukhtarin.

Duke pasur dëshirën e saj që ta vidhte Mukhtarin sa më shumë të mundte, Frosina iu lut atij, i cili e dashuronte si i çmendur, që t’i jepte unazën e floririt që mbante në dorë. I verbuar nga pasionet, ai kujtoi se Frosina ia kërkonte unazën në shenjë dashurie, por Frosina shkoi menjëherë te një argjendar për ta shitur mallin e marrë.

Argjendari që e pa unazën e kuptoi menjëherë vlerën e saj, shkoi në pallatin e Pashait për ta shitur mallin e çmuar te gruaja e Mukhtarit, Pashoja. Sigurisht që kjo e fundit e njohu unazën e të shoqit, u bë si e marrë dhe e pyeti argjendarin se ku e kishte gjetur unazën. .

Argjendari i tregoi se ia kishte dhënë grekja Frosinë. Pashoja, si grua e ndershme dhe me dinjitet, që tashmë ishte në kulmet e xhelozisë, shkoi menjëherë tek i ati i Mukhtarit, Aliu dhe i tregoi historinë. Në këtë kohë, Mukhtari thirret nga Stambolli për të shtypur Pashain e Adrianopojës në Turqi.

 

stane

Aliu që u informua nga nusja e të birit, Pashoja, për herezitë e të shoqit me putanat greke, kreu një hetim dhe i gjeti të gjitha prostitutat me të cilat i biri shkonte, i mori, i lidhi dhe i mbyti në liqenin e Janinës, për shkak të pabesive bashkëshortore dhe prostitucionit që kryenin, çka, sipas Aliut, dhe ligjeve të kohës ishte krim i madh.

Thonë se ishin plot 17 vajza të reja e bukuroshe që s’mëkatuan asfare, përveçse iu bindën urdhëresave dhe urisë seksuale si të të atit, ashtu edhe të të birit. Megjithatë, u bënë “kokat e turkut”, oshtima e ulërimës së të cilave u dëgjua gjatë në vë veshët e ishullit.

NGA LIBRI “LUANI I EPIRIT” …

Aliu i vishte “çuprat” e tij mjaft pasur dhe i trajtonte në gjithë madhështinë dhe traditën aziate. Kishte gra profesioniste për t’u mësuar këngë e valle, që dhe ato të kishin mundësinë të kalonin kohën me kënaqësi. Nga bakshishet që u falte, krijonin dhe ato njëfarë kapitali për prikën (pajën) e tyre sepse kur i mërziteshin, kishte ndërmend t’i martonte.

Kur nuk i jipte në të liruarit nga haremi mashkullor, ia ngarkonte në shpinë cilitdo. Dëshmi e një vlerësimi të lartë, shkruan mjeku anglez Holland, quhet kur Aliu nga haremi i tij shkëpuste një nga bukuroshet e haremit dhe ia jipte atij që preferonte t’i bënte këtë privilegj apo nder… Janë të panumërta rastet kur Aliu u imponohej t’u jepte vartësve të tij me zor “çuprat” e tij.

ali pasha

“I kishin shpurë, – shkruan majori anglez Lik, – një fshatare të re. Iu mërzit për pak ditë dhe vendosi ta martonte me një zotni të mirë, Pahumin. Ai u informua herët për “nderin” që donte t’i bënte dhe i shoqëruar nga një i afërt u përpoq të largohej fshehur për në Korfuz. Njerëzit e Tahir Abazit i kapën në bregun ku bënin pazar anijet dhe i kthyen në Janinë që të dy, sepse nuk dinin se cili ishte dhëndëri.

Turturi u fut në mes dhe e shpëtoi Pahumin nga kjo dasmë, duke ia lënë në derë të dytit. Njërën prej çuprave të tij, Katerina Fillu, e simpatizonte shumë Aliu dhe donte t’i jipte një burrë të zot. Thërret hoxhobashin Jorgji Dhuruti nga Kallaritet dhe i imponon ta merrte nuse për të birin, Janin, i cili mungonte në Itali.

Dhe meqenëse njeriu përpiqej t’i shpëtonte këtij ngërçi, i dërgoi bujurdi të shkruar. I riu u detyrua të mbetej për një kohë të gjatë në Itali, deri sa të prishej “banesa e paligjshme” që i shtronte veziri.

Dokumente të nxjerra nga sekretaria e vezirit Ali Pasha

Dokumentet e mëposhtme janë pjesë e koleksionit të dokumenteve të arkivit qendror shtetëror dhe ndodhen në fondin “pashallëku i janinës” (nr. 4), i emërtuar edhe si “Ali Pashë tepelena”, dosja 7, fletët 8 dhe 9. Dokumentet në vetvete nuk mbartin ndonjë informacion mbi historikun e tyre, kush i ka zotëruar më parë (veç personave të përmendur në dokument) dhe si kanë mbërritur në aqsh.

Teksti është shkruar në letër, me bojë të zezë. Gjuha e shkrimit është greqishtja, por imiton formulimin e dokumenteve osmane, si dhe paraqet drejtshkrim, fjalor dhe sintaksë jo në përputhje me rregullat e greqishtes së kohës, tipar ky i zakontë për dokumentet e kohës.

Materialet e shkrimit (letra dhe boja) dhe mënyra si janë ndërtuar dokumentet, tregojnë se kemi të bëjmë me dokumente autentike të kohës, të nxjerra nga sekretaria e Vezirit Ali Pasha. Unë, Vezir Ali Pasha, i jap këtë senet bujullurdi miksi aleksiut, labovitit, hyzmeqarit tim, dhe e futa dhëndër me të bijën e duka nikës nga karjani.

Dhe ja ku i jap nga çifligu im shtëpitë që i kam ndërtuar vetë, me gjithë bahçe, nga pas dhe nga përpara shtëpisë, po ashtu dhe një arë. Të gjitha këto ia jap që t’i ketë mylk dhe pronë, ai vetë, bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij edhe pas vdekjes sime, dhe asnjë nga bijtë apo nipërit e mi të mos e shqetësojë, sepse ia kam dhënë vetë si mylk dhe pronë derisa të jetë kjo botë.

Ia dhashë me dëshirën time dhe, po ashtu, e shkarkoj nga çdo taksë, angari dhe konak. Në e shqetësoftë ndonjëri nga bijtë dhe nipërit e mi pas vdekjes sime, të ketë mallkimin tim dhe të pejgamberit dhe prokopi kurrë mos paftë.

Prandaj i dhashë në duar miksit këtë senet bujullurdi, si vërtetim. U vendos [firmë] 17 maj 1818. Janinë. Fondi: pashallëku i janinës (ali pashë tepelena, 4), dosja 7, fleta 8r. Unë vezir ali pasha i dhashë këtë senet bujullurdi hajdhos, të bijës së duka nikës nga karjani, se më ka bërë hyzmet në haremin tim, dhe tani e nxora [nga haremi] dhe e martova.

Ja ku i jap si prikë gjysmën e arës së nisi papa kostës nga karjani, gjysmë e cila është gjashtëmbëdhjetë hektarë, dhe vreshtin e të atit të saj, dukës, që ndodhet poshtë fshatit, prej një hektari e gjysmë, të gjitha bashkë shtatëmbëdhjetë e gjysmë hektarë, të cilat ia dhashë që t’i ketë mylk ajo vetë, bijtë e saj dhe bijtë e bijve të saj edhe pas vdekjes sime.

Asnjëri prej bijve të mi apo prej nipërve të mi s’ka për të kërkuar të drejta mbi këto shtatëmbëdhjetë e gjysmë hektarë, por [hajdhoja] t’i ketë mylk dhe pronë të sajat deri në fund të botës, sepse ia dhashë me dëshirën time.

Cilido nga bijtë apo nipërit e mi që e shqetëson për këtë punë pas vdekjes sime, le të ketë mallkimin tim dhe të pejgamberit dhe prokopi kurrë mos paftë. Andaj i dhashë në dorë të sipërpërmendurës këtë senet prbujullurdi për vërtetim. U vendos [firmë]. 2 korrik 1818. Janinë.

Fondi: Pashallëku i Janinës (Ali Pashë Tepelena, 4), Dosja 7, fleta 9r. Transliteroi nga greqishtja dhe përktheu: Sokol Çunga

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura