“Si i hapëm rrugët e Parkut të Lurës në 1965 dhe…”/ Kujtimet e ish-studentëve: ‘Forca çuna! Mbushni barkun’. Çfarë na thoshte usta Emini

Mar 2, 2021 | 14:46
SHPËRNDAJE

ish-studentet-parku-luraRomancieri Anatoli Toss thotë se nga rinia nuk mund të shkëputesh, atë nuk e ndan dot nga vetja… Rinia është gjithmonë mrekullisht e bukur, pavarësisht nga koha, vendi, rendi politik e shoqëror, vështirësitë dhe mungesat… Të qëndruarit më tepër në shtëpi në kohën e Covid-it bëri të mundur një kthim në vite, duke sjellë edhe një herë të gjallë rininë e viteve 1965… Një foto bardhezi me aksionistët e Inxhinierisë së Ndërtimit, të Inxhinierisë Mekanike dhe të Inxhinierisë Elektrike zgjoi ndërgjegjen rinore…

Na kish ftuar Lura për të parën herë edhe jo pak, por bëheshim rreth 100 të rinj. Ishim ne të parët të rinj që në muajin korrik të vitit 1965 lamë shtëpitë tona, lamë vapën përvëluese të kryeqytetit, shëtitjet darkave në bulevardin e Tiranës, udhëtimet gazmore me tren për në plazhin e Durrësit… Po për çfarë? Thjesht për hapjen e një rruge automobilistike pyjore, e cila duhej të kalonte përmes parkut që formohej nga drurë gjethorë dhe halorë. Ishin aq të shumtë dhe aq të dendur këta drurë, sa të dukej sikur nuk do të kaloje kurrë në anën tjetër më këmbë dhe jo më me rrugë. Gjithashtu të dukej sikur kjo rrugë nuk do të depërtonte kurrë matanë…

Do të jetonim në lartësitë e parkut ne, banorët e përkohshëm të kësaj perle natyrore, një marramendje bukurie e qetësie shpirtërore… Pikërisht në këto lartësi morëm një ndjesi të jashtëzakonshme, morëm frymë thellë duke ndjerë pastërtinë e ajrit, oksigjenin për mushkëritë, sepse atje lartësohej si pisha e zezë, ashtu edhe pisha e bardhë, siç na treguan më vonë banorët vendas… Gjatë darkave në malësitë e Lurës bënte fresk, ndërkohë që në Tiranën që e kishim lënë pas, edhe darkave vapa e tmerrshme dhe përvëluese e korrikut të merrte frymën… Temperaturat kërcenin mbi 35-ën, sipas të dhënave të kohës që jepte çdo natë në orën tetë Petriti i Televizionit Shqiptar…

Për ne djemtë ishte vendosur që të flinim pranë kullës së Bajraktarit, një ndërtesë trekatëshe, e gjitha prej guri. Ishte me çati të pjerrët dhe kjo i jepte shumë hijeshi, por e bënte edhe më të përshtatshme për stinën e dimrit, për rrëshqitjen e borës. Dritaret e kullës ishin fare të vogla, treguese të zakoneve të vjetra… I ndërtonin dritaret kështu dikur, sepse u shërbenin si frëngji lufte dhe jo për futjen e dritës… Brenda mjediseve të kullës së Bajraktarit do të flinin ato pak vajza të inxhinierive. Për sa i përket fjetores së djemve, ajo ishte fare modeste: një çati teneqeje për të na mbuluar sipër nga shiu dhe anash kishte një lartësi për kokat, një “mur” i përbërë nga disa llamarina të prera dosido, me siguri nga ndonjë mjeshtër “profesionist”.

Ne ishim të rreshtuar në kapanon njeri pas tjetrit me një hapësirë midis krevateve të sajuar prej drurëve të masivit të pyjeve. Kjo hapësirë vlente sa për të kaluar një person… Në pjesët e dala të drurëve varnim çantat, rrobat… Në fund të krevatit kishim gjithsecili armën tonë: lopatën ose kazmën. Duhet thënë se kishim ndriçim mbi kokë me nja katër a pesë llamba që ishin aq të zbehta sa të dukej sikur po na përkundnin për të na vënë në gjumë. Rryma elektrike merrej direkt nga një tel i gjatë që dilte nga kulla e Bajraktarit dhe zbriste mbi çatinë tonë…

Ishim të rinj dhe na e kishte ënda të dëgjonim pak muzikë, ose të dëgjonim radion për të rejat që ndodhnin, por kjo gjë ishte e vështirë… Përgjegjës kemi pasur shokët më të rritur që ishin anëtarë partie si: Pirro Ferro, Muhamer Alite, Spiro Pleqi. Kishte dhe pak studentë të Kimisë Industriale. Vetëm ditën e parë na shoqëroi Qimon Kocomandi.

Puna niste në orën tetë të mëngjesit. Para se të niseshim për në punë, usta Emini na kishte përgatitur shajin (çajin), se kështu i thoshte ai. Përveç këtij të fundit kishim dhe marmelatën e mollës, prerë në katrore-katrore. Ndonjëherë na jepej edhe çaj me djathë. Buka ishte prej gruri, e zezë fare, ku shpeshherë mund të përtypje kokrrat e grurit të pabluara fare, kuptohet që ishte gatuar nga joprofesionistë… Pa mbaruar mëngjesin, dëgjohej e bërtitura e shpërndarësit të çajit:

– Shaj, or usta Emin! Edhe këndonim: ‘Shaj, bre, shaj, o, usta Emin. Katër shaj bëjn’ 5 lek o usta Emin’… Këto fjalë i përsëritnim edhe ne gjatë ditës si për shaka e duke vrarë kohën a duke mposhtur lodhjen që na fillonte nga mesdita. – Hë, çuna! Shpejt, hani!, thoshte usta Emini nxituar. Mos bëni muhabete tani, se do pastrohen enët për drekën.

– Po ja, pra, ta përtypim pak marmelatën e mollës, se ajo nuk shkon poshtë menjëherë, – i thoshte Shpëtim Nallbani usta Eminit që rrinte në këmbë. Këtij të fundit i kuqëlonin faqet. Koka i shkonte deri në tavan dhe përherë buza i qeshte vesh më vesh. Me durim na priste deri sa ne të mbaronim.

– Forca çuna! Hëëë, mbushni barkun! Nuk e dini se lopata e kazma e do barkun plot?!, thoshte njëri nga aksionistët. E çfarë ishte ai mëngjes për ne?! Sapo dilnim nga dera, po të ktheheshim prapë ia fillonim nga e para atij rituali tek usta Emini. Nuk kishim të ngopur me ushqimin… Merrnim me vete në krahë veglat dhe niseshim për në punë. Rrugës blinim gurabije 5-lekëshe dhe hallva katrore në një dyqan të fshatit, që nuk kishte asgjë për të ngrënë përveç artikujve të mësipërm.

I hanim duke ecur për në vendin e punës, sepse na shijonin shumë. Rrugës pinim ujin që buronte nga liqenet e Lurës dhe që ishte i çuditshëm, sepse sapo e pinim, ndienim uri. A thua se nuk kishim ngrënë?! Ndonjë frut nuk mund të hanim, sepse nuk ishin pjekur akoma. Në fund të korrikut, në ditët e fundit të aksionit filloi të piqej tek

– tuk ndonjë kokërr qershie. Edhe dreka jonë ishte e paracaktuar: pilaf, groshë si në ushtri, kos. Ky i fundit na e sillte shpirtin në vend, sepse ishte me shumë shije, pa ujë, siç tregtohej në dyqanet shtetërore… Po pilafi, do të thoni ju? Për ta sjellë edhe një herë në vëmendje pilafin, neve do të na duhej ta qëronim orizin me gojë, pasi kuzhinieri Emin e hidhte në kazan pa qëruar fare. Po kështu bëhej edhe për groshën. Ajo hidhej në tenxhere, përzihej në fillim që gurët të binin poshtë dhe vihej në zjarrin për shtatë palë qejfe për t’u zier… Edhe këtë të fundit e qëronim me gojë, por ama e hanim, se nuk kishim nga t’ia mbanim… Kështu kujdesej shteti për ardhmërinë e tij…

Bukuria më e madhe ishte ngrënia në natyrë. Dy dërrasa të gjata që rrinin mbi disa këmbë të trasha druri, përbënin sofrat mbi të cilat kërcitnin pjatat dhe lugët e aluminit. Mbulesa ishte me degë me gjethe nga pylli dhe na krijonin hije gjatë ngrënies. Shpeshherë, ushqimi na shkonte pa përtypur në mes të humorit e barsoletave.

Momentet më të bukura ishin kur hanim drekën. Normisti i ndërmarrjes që ndiqte punimet, raportonte realizimin e normës për atë ditë dhe ne i thoshim që të raportonte për grupet me studentët e Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike të paktën 1 për qind më shumë se studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, që kishin përgjegjës Spiro Pleqin, i cili “u merrte shpirtin” në punë që të dilnin të parët. Spiro “çmendej”. Nuk duhet lënë pa u thënë një fakt shumë i rëndësishëm për ne të rinjtë. Kur erdhi Spiro Koleka, na dhanë një ushqim disi më të mirë e më të bollshëm… Njerëz të tillë kishin në dorë edhe bukën tonë të përditshme…

Ne punonim me lopata dhe kazma për të hapur rrugën, punonim me shumë cilësi dhe saktësi. Zhvisheshim gjer në mes kur na hipte vapa në punë. Lodhja bëhej më e madhe kur vinte mesdita… Shpesh shtrydhnim kanotierat nga djersa, i lagnim në ndonjë rrëke uji që kishim më afër vendit të punës, i rrotullonim disa herë mbi kokat tona duke i vaditur të tjerët që vazhdonin punën dhe pastaj fshinim djersët… Hiqnim edhe pantallonat e gjata prej djersitjes. Këmishët i lidhnim në kokë për të pritur diellin e fortë të mesditës… Herë pas here edhe lodheshim nga krahët e atëherë kalonim pak mënjanë që të mos vriteshim dhe pushonim mbi bishtin e lopatës a të kazmës. Pinin ujë nga gjymat e llamarinës që e merrnim te burimi më i afërt… Çlodhja bëhej me radhë duke mos rënduar njëri – tjetrin në punë. Qëllonte të kalonte ndonjë vendas që, duke na parë kështu, na thoshte si me qesëndi.

– A u lodhët, more çuna? Si po e kaloni në anët tona? Vangjel Ruci përgjigjej i pari:

– Hiç fare, more burrë.

– Po e kalojmë si nuk ka më mirë! Ne e hamë me dhëmbë këtë punë…

– Mo, ju lumt’! Ju priftë e mbara çuna!, përshëndeste ai e largohej.

Qeshte sa mundej Hysen Reçi, Franko Kondakçiu, Nako Hobdari, Shpëtim Nallbani, Angjelin Shtjefni, Shyqri Gurabardhi. Nako Hobdarin e kemi pasur në aksion përgjegjës të grupit elektrik. Banorët e rrallë që mund të takoje rrugës na përshëndetnin, na flisnin edhe pse nuk na njihnin fare. Ne nga qyteti na bënte përshtypje që na flisnin pa na njohur…

– Ky është zakon i fshatarëve tanë, tha Selim Lala, që ishte me origjinë nga fshatrat e Durrësit…

E veçanta për familjet e Lurës ishte fakti se brenda familjes disa ishin katolikë dhe një pjesë ishin myslimanë, por për sa pamë e respektonin njëri-tjetrin. Në një nga netët, aty nga mesi i aksionit, filloi një shi i dendur që pasoi me disa kokrra breshëri. Filloi erë e fortë. Ajo po shtohej. Gjëmoi qielli me shkreptima. Furtunë. Erë. Shi që binte si me litarë. Dritat u shuan, pasi u këputën telat nga era. Çatia prej teneqeje filloi të kërcasë dhe të gjithë u ngritëm nga gjumi të trembur. Dyshekët dhe jastëkët e mbushur me kashtë u lagën nga ajo furtunë e shkurtër malore, por ne nuk donim t’ia dinim. Dëgjoheshin jehonat e ulërimave të ujqërve… Edhe pse temperaturat ranë menjëherë ndjeshëm, ne rrinim në këmbë me batanijet supeve… Me sa duket ua prishëm qetësinë banorëve të pakët të asaj zone të Lurës, të cilët lëvizën për të siguruar më mirë gjënë e tyre: bagëtitë, të gjitha këto të fundit në një numër të kufizuar, sepse ishin duke u kolektivizuar… Po krijoheshin kooperativat e para malore…

E diel. Gdhiu ditë e bukur. Vendosëm në diell të thaheshin dyshekët dhe jastëkët… Bëmë një foto në natyrë me çarçafët e bardhë në trup e në kokë ku dukeshim krejt ndryshe nga ditët e zakonshme. Besojmë që gjithsecili që ka dalë në të e kujton më së miri… U gdhimë kështu, pra, të veshur e të ngjeshur mirë, pa gjumë fare, por me qejfin e madh se do të vizitonim Liqenet e Lurës që pozicionoheshin në shpatin lindor. Legjenda e hershme për liqenin e luleve rrëfen se në kohën e Skënderbeut, në këto anë gratë luftonin krah për krah me burrat. Turku arriti të kapë disa nuse burrnesha që kishin vrarë asqerin (ushtarin) turk. Për të mos mbetur në duart e turqve nuset dy nga dy u mbytën në liqen dhe aty ku ranë këto burrnesha u rritën lule të bardha që mbinë në ujë… Po e vizitonim liqenin pikërisht në verë kur ishte mbushur plot me lule?… Ehhh! Ç’hijeshi e këtyre liqeneve akullnajorë. Ndenjëm dhe pak për ta soditur mirë e mirë këtë kartolinë të natyrës shqiptare… Kaluam më pas në liqenet e tjerë… Duke shëtitur pranë tyre një aksionist u fut në ujë, i rrëmbyer nga bukuria dhe pastërtia e ujit, por mbeti në një vend, nuk lëvizte as këmbë e as duar. Me një fjalë po binte poshtë e më poshtë në liqen, po mbytej… U alarmuam të gjithë… Sa hap e mbyll sytë u fut në ujë Lili Grabovari, ish-notar durrsak, një djalë i shkathët dhe shumë i fuqishëm. E nxori nga uji me një çehre të prishur në fytyrë dhe filloi t’i bënte masazh, sepse i kishte ngrirë trupi nga ftohtësia e ujit… Kur erdhi në vete, u qetësuam të gjithë… U afruam më pas te Liqeni i Zi me thellësinë më të madhe se të liqeneve të tjerë akullnajorë, prandaj kishte edhe ngjyrë të errët, por të pastër si kristali dhe të ftohtë…

Shikonim lart malin të zbardhëlluar nga bora. Ishte kjo borë që furnizonte me ujë të pastër e të ftohtë liqenin që kishim përpara syve tanë… Pyjet halorë rrethonin me një gjelbërim mahnitës liqenin… Këto pyje reflektoheshin në pasqyrën ujore të liqenit të Zi. Si narcizistët, edhe ne u afruam barkazi buzë liqenit për të parë veten në syprinën tij. Ndonjë shaka e kripur ndodhte kur e tërhiqnim prej këmbësh ndonjërin për ta hedhur gjoja në liqen e atëherë shakaja i linte vendin ngrysjes së vetullave, seriozitetit. E donim njëri-tjetrin, e respektonim, e ndihmonim pa kurrfarë interesi… Kjo gjë vazhdon edhe në ditët e sotme, pasi te ne disa mendësi shoqërore të hershme rinore kanë ngulur rrënjë të thella… Liqenet e tjerë i vizituam pas disa ditësh, sepse rruga ishte malore dhe e lodhshme. U kthyem në kapanon.

Po sot?! Sa e ndryshme është pamja e tyre… Gjithë liqenet nuk e kanë më kurorën e dikurshme të pyllit me pemë halore… Ato kanë mbetur të shkretë në vetminë e tyre. Liqenet kanë mbyllur gojën, por në syprinën e gjithsecilit janë fotot e dashakeqësve që bënë para për xhepin e tyre… Kamionët me trungjet e halorëve për hesapet e dikujt, të njërit apo të tjetrit i zhveshën liqenet, i kthyen në një vend të shkretë… l vranë… Në cilin vend të botës ndodh kështu?! Pas disa ditësh, një grup me Paskal Ngjeliun, Vangjel Rucin e të tjerë vijuan udhën drejt qytetit të Peshkopisë. U nisën në mëngjes herët dhe u kthyen pasdite. Plot shtatë orë kishin udhëtuar grupi më këmbë dhe ishin bërë për t’u lyer me vaj e me uthull, siç e thotë fjala. Ata ishin mrekulluar nga bukuritë gjatë udhëtimit. Çdo ditë hapej një fletë për të trokitur në ditën e ardhshme në një tjetër. Po i vinte fundi dhe aksionit tonë në Lurë dhe kështu pasdite, pasi kishim mbaruar punën… të hipur në një skodë mbrapa, me një flamur aksioni udhëtuam pa asnjë ndalesë. Koka na mbeti prapa, sepse lamë një copëz të zemrës sonë në Parkun e Lurës, lamë gjurmët e para në hapjen e rrugës, lamë aty shakatë e jetës së përditshme… Kur Lura u largua nga sytë tanë që përpiqeshin të fotografonin çdo gjë të saj, nuk kishim më interes për të parë se ku po kalonim me skodën. Kështu me sytë përdhe lamë pas Kurbneshin, Rrëshenin, Milotin, Fushë-Krujën dhe zbritëm në rrugën “Skënderbe”, sot pranë rrugës së ambasadave, në Tiranë.

Shkolla po vinte dhe gjurmët e aksionit shpeshherë bëheshin të gjalla në pushimet ndërmjet leksioneve. Ditët e para ngacmonim njeri-tjetrin me fjalët si: “E pive shajin”…, “E hëngre gurabijen me hallvë”…., “Do lahesh në liqen prapë ti? Ëëëëë?”… “U lodhët çuna?”…

Pas gjashtë muajve, në fillim të sezonit të provimeve shkon në shtëpinë e Shyqri Gurabardhit Luan Tapia (komandanti i aksionit të studentëve të Lurës) dhe i thotë:

– Duhet të shkojmë në Rrëshen për t’u paraqitur në gjyq! Do të shkojmë për materialet e aksionit që kanë humbur atje. Për këtë na kërkon të bisedojmë sekretari i Rinisë së Universitetit, Leonard Topuzi. E takuam në universitet Leonard Topuzin, i cili na sugjeroi që të mos shqetësoheshim për problemin në fjalë dhe na siguroi transportin. Edhe provimi për të nesërmen do të shtyhej… Dy orë më vonë troket përsëri dera në shtëpinë e Shyqriut. Ishte përsëri Luan Tapia, i cili tha se vajtja në Rrëshen ishte anuluar. Po cila ishte arsyeja e anulimit, do të thoni ju?

– Ngjarjen e kishte marrë vesh Najada Koleka (anëtare e shtabit të aksionit edhe ajo). Ia kishte përmendur të atit, Spiro Kolekës, i cili kishte marrë në telefon sekretarin e parë të rrethit që kishte ngritur këtë problem në rrethin e Rrëshenit dhe e kishte kritikuar për gjyqin e ngritur ndaj studentëve. Këtyre të fundit, studentëve, as u shkonte në mendje të përvetësonin batanijet e aksionit… Duke mposhtur shqetësimin e ditës së kaluar, paraqitja në provim ishte një sfidë më vete… E megjithatë, çdo gjë duhet të ecë përpara.

Ndryshimet demokratike, krahas të mirave, kanë sjellë edhe probleme të zhvillimit, që në disa raste kanë dëmtuar mjedisin në drejtim të dëmtimit të pyjeve. Në Lurë, në ditët e sotme ka zhvillime turistike me bujtina për turistët, por ato i takojnë së sotmes…

Ndonëse vitet rrjedhin natyrshëm, Lura për ne pjesëmarrësit në aksion mbetet një copëz e bukur e jetës sonë studentore, edhe nëse ajo po pëson tradhtitë vrastare nga më të egrat. Pamjet rrëqethëse që askush nuk do t’i besonte për një vend tjetër, jo më për Lurën e Shqipërisë, i ngjajnë një katastrofe mjedisore që ne në këtë moshë që jemi tani kurrsesi nuk mund t’i kapërdijmë dot, por ua kemi lënë në dorë atyre të rinjve që e duan me zemër Lurën e magjishme.

Sipas: Angjelin Shtjefnit, Shyqri Gurabardhit. Shkroi: Lejla Gurabardhi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura