Si funksionon projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, në shtator përfshihen edhe 150 shkolla

Aug 11, 2022 | 9:58
SHPËRNDAJE

Që prej 2018-ës, në 140 shkolla të vendit po zbatohet projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, i cili konsiston në zgjatjen e kohë qëndrimit të nxënësve në shkolla, duke përfshirë veç mësimit edhe detyrat e shtëpisë, hiç më pak se ato që ofrojnë sot shkollat private.

Femijet shkollat 1 qershori

Përpos 140 ekzistueseve, me nisjen e vitit të ri shkollor do të shtohen edhe 150 të tjera. Lajmin e mirë e ndau ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke dhënë edhe disa detaje më tepër mbi projektin.

“Të dashur nxënës, shpresoj shumë të jeni duke kaluar ditë të bukura me familjet tuaja kudo mes bukurive shqiptare. Por ndërkohë jam e bindur që po ju merr malli edhe për shkollën, shokët, shoqet dhe mësuesit.

Sepse shkolla nuk është vetëm vendi ku merrni njohuri dhe aftësi për të ardhmen, por aty krijoni edhe miqësi, kaloni momente të bukura e përvoja të paharrueshme. Prandaj dua të ndaj sot me ju një lajm të mirë që lidhet me projektin ‘Bëjmë detyrat e shtëpisë’.

Deri më sot në këtë projekt janë përfshirë 140 shkolla në të gjithë vendin, ku janë formuar rreth 400 klasa mësimore dhe janë përfshirë mbi 7800 nxënës dhe 800 mësues. Ndërkohë, me fillimin e vitit të ri shkollor, këtë shtator kemi vendosur të përfshijmë edhe 150 shkolla të tjera”, thotë ministrja teksa fton të gjithë prindërit të përfitojnë nga ky shërbim që ofrohet pa pagesë në shkollat publike pranë vendbanimit të tyre.

Nisma, e cila ka startuar përpara tri vitesh në vetëm 20 shkolla 9-vjeçare, ka ardhur duke u zgjeruar vit pas viti.

“Bëjmë detyrat e shtëpisë” mundëson që pasdite nxënësi të kryejë detyrat e shkollës dhe të bëjë mësimet brenda mjediseve të saj nën monitorimin e mësueses. Projekti është mirëpritur nga fëmijë dhe prindër, të cilët shpesh nuk mund të asistojnë dot fëmijët e tyre në shtëpi gjatë kryerjes së detyrave.

Shkollat ofrojnë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor deri në orën 17:00 nga e hëna në të premte. Pas mësimeve, fëmijët konsumojnë ushqim e më pas zhvillojnë aktivitete argëtuese e më pas rikthehen në klasë për të bërë detyrat. Aktivitetet pas shkolle hartohen nga ekspertë të kurrikulës bazuar në moshën e fëmijës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura