Si Fadili e mundi dy herë Beogradin

Jun 10, 2018 | 21:08
SHPËRNDAJE

Behgjet PacolliBehgjet-Pacolli-intervista-Photo-Ridvan-Slivova-014-13761385861

Gjithë Kosova, e punës dhe fjalëve apo shkrimeve, e shtetit dhe e opozitës, e të vjetërve dhe e të rinjve, e qyteteve dhe e fshatrave, diaspora dhe bashkëvendasit po flet dhe po shkruan për të nderuar Fadil Vokrrin. Madje dhe individë, klube, sportistë apo njerëz të politikës në vendin fqinjë me ne, në Serbi, në krejt ish-Jugosllavinë, po shprehin hidhërimin e tyre për humbjen e parakohshme të një figure legjendare si Fadil Vokrri. Madje-madje dhe bota sportive në rajon, apo në krejt globin.
Fadili ishte dhe mbetet kësisoj një figurë përbashkuese, identifikuese e krejt brezave të kosovarëve, kosovarëve kudo që jetojnë në botë, apo të kosovarëve me të tjerët në ish-Jugosllavi.
Fadili ishte një ikonë e krenarisë kosovare në ish-Jugosllavi. Fadili u bë dhe ikonë e krenarisë sportive jugosllave në krejt botën. Ai ishte simbol i betejave tona si popull për barazi në ish-Jugosllavi. Dhe ia mbërriti në betejat e veta sportive apo nëpërmjet sportit që të na rriste barazinë, të na rriste krenarinë.
Fadili ishte dikush që kurrë nuk foli keq për askënd, brenda dhe jashtë Kosovës, si e përmendte dikush në një kolumnë të vetën.
Fadili ia arriti në fakt të na bënte krenarë dhe të barabartë dhe më pas, pasi u rrënua Jugosllavia, shtëpia e përbashkët ku ne shqiptarët ishim me zor, dhe ne dolëm prej saj të kërcënuar në ekzistencën tonë. Ai e futi Kosovën në organizmat ndërkombëtarë sportivë, një ndërmarrje që ne të politikës ende nuk ia kemi mbërritur. Ai e mundësoi këtë, pse sporti ka ligjësitë e veta, pse sporti hap më shumë dyer se politika, se sporti komunikon me qytetarët më thjesht dhe më natyrshëm me njerëzit, me qytetarët, pavarësisht kombësisë. Kësisoj, sporti, sportistët janë më të fuqishëm se politikanët. Politikanët madje kanë nevojë për sportistët më shumë sesa e anasjellta.
Fadili kësisoj nuk ishte dikush i njohur vetëm për ne, për brezin e tij, por ai u bë i njohur dhe flamur edhe për brezin e ri. Ai u identifikua me Përfaqësuesen tonë, që po hedh hapa të shkëlqyer përpara dhe kjo përfaqësuese është sot mekanizmi motivues më i fortë i brezit të ri të talentuar në sport. Ne jemi një shtet i ri dhe ne kemi nevojë të ndërtojmë vetëdije të re kolektive, që nuk po guxoj ta quaj vetëdije kombëtare, pse ne i përkasim kombit shqiptar. Figura si Fadili janë më të përkryerat për të na bashkuar brezave të ndryshëm, me sukseset e hershme dhe të rejat që lidhen me Fadilin. Figurat si Fadili, që kanë reputacion ndërkombëtar, janë më të përkryerat për të na përfaqësuar dhe jashtë Kosovës.
Fadili në integrimin ndërkombëtar të Kosovës ka mbërritur diçka që ne të politikës duam të arrijmë me mjete diplomatike, me bisedime, me negociata, por ende nuk ia kemi mbërritur. Në ngritjen e flamurit të shtetit tonë të ri, shtëpisë sonë të re politike, ai ka idhnuar shumë, me siguri, fqinjët tanë. Politikanët e Serbisë. Ata mendojnë për vota dhe e kuptojnë domethënien e hyrjes së Kosovës në FIFA dhe UEFA, akte që i bëjnë kosovarët të barabartë me ta, në garat sportive. Këto akte shkojnë drejtpërdrejt në vetëdijen e votuesve të tyre, duke i provokuar. Për këtë arsye, ata me siguri nuk e kanë dashur Fadilin.
Mirëpo Fadili është legjendë dhe ata nuk mund ta prekin atë, nuk mund ta sulmojnë publikisht, dhe para madhështisë së tij kanë qenë dhe janë të detyruar të përulen.
Fadili është dikush që e mundi Beogradin në vitet ’80. E mundi botën, Beogradin e mundi në disa raste, kur u gjend përballë tij me Prishtinën, kur u gjend brenda tij si lojtar i Partizanit dhe nderohej me ovacionet e beogradasve në stadiume. E mundi dhe tani në shekullin e 21-të. Mirëpo ai e mundi me paqe, me mjete sportive. Ishte fitore e individit të suksesshëm, i cili shpesh bën më shumë sesa ushtri apo kolektivitete të tjera.
Fitorja e tij ndaj Serbisë, fitorja e tij ndaj botës, fitorja për Kosovës prej tij është më natyrale, pa viktima. Dhe kur sheh se si dhe qytetarët apo politikanët e vendit fqinj na bashkohen në dhimbjen tonë për humbjen e tij, të vjen natyrale të mendosh: ky njeri, që i mundi të gjithë, sportivisht, mundet dhe të bënte pajtimin me ta. Pa lëshuar asgjë, sepse ai nuk dinte të humbte!
Shikoni sa shumë arsye ka pse ne e qajmë që të gjithë humbjen e Fadilit dhe jemi bashkë rreth trupit të tij pa jetë. Sporti ia mbërrin para politikës: na bën krenarë, na bën fitimtarë dje dhe sot.
I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, miku im! Shpesh herë rrugët tona në jetë janë kryqëzuar kur ishe Kampion i Jugosllavisë dhe sot Kampion i Kosovës në botë. Jam krenar që kam ecur pak rrugë me ty.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura