Si Ema dhe Soela

Nov 29, 2015 | 12:16
SHPËRNDAJE

agim-baciAGIM BAÇI

A mundemi ne t’i shohim me syrin e duhur “të tjerët ndryshe”? A jemi ne të gatshëm t’i kuptojmë ata? Cila është rruga që mund të na afrojë më shumë me ta, për të drejtuar pastaj duart dhe sytë drejt atyre që fati i ka sjellë në këtë jetë ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë? Fotografja Soela Zani ka provuar të na tregojë njërën prej këtyre rrugëve. Bashkë me Ema Zaimin, e cila u është kushtuar fëmijëve shqiptarë me Sindromën Down, kanë arritur të na sjellin disa ditë më parë 18 portrete, riprodhime të piktorëve të famshëm, ku protagonistët janë pikërisht “ata ndryshe”, të cilët, duke hedhur sytë nga ne, pa shumë fjalë, por me një buzëqeshje të pafundme, na kanë ftuar t’i kuptojmë e të ecim të paktën një herë krah tyre.

Stilistja Lilo Shehu është kujdesur t’u japë sharmin që mbart portreti origjinal e që vlen t’u tregohet të tjerëve, ku çdonjëri ka zënë vendin e një figure të njohur artistike. Përballë tablove ishte e pamundur për këdo që të mos ndalej. Në pamje të parë, është një lojë e bukur mes asosacionit që na sjell portreti i njohur origjinal me portretet e fëmijëve që pozojnë. Për pak nuk dimë të ndajmë cila është më e bukur, origjinali apo fotot e Soelës. Tashmë këto portrete kanë marrë një tjetër kuptim.

Jo thjesht se të ftojnë me moton: “Edhe unë jam vepër arti”, me të cilën i kanë prezantuar Ema e Soela! Janë aty për të hedhur sytë e për të menduar më gjatë. Jo, nuk kanë nevojë thjesht t’u dërgosh një kujdestar, ndihma në ilaçe, përkrahje e prindërve të cilët i kanë të domosdoshme. Sytë e tyre na thërrasin me një pyetje: “A jeni ju të gatshëm të ecni përdore me ne?”. Dhe vërtet, a jemi ne të gatshëm të shohim më gjatë drejt tyre, për t’i ftuar drejt nesh përmes ndjesive të pafundme që ata mundin të na dhurojnë? Ema dhe Soela na kanë zgjatur një dorë.

Jo për ata, por për të gjithë ne të tjerët, për t’i kuptuar familjet e atyre fëmijëve pa qenë nevoja të sprovohemi me fatin që të jetë në familjet tona një i tillë. Të tilla nisma veçse na japin anën tjetër të njeriut, atë që ndonjëherë dyshojmë se e kemi humbur në rrugëtimin tonë të ngutshëm. Kur je përballë tyre, ke shansin të nisësh disa pyetje për veten. Dhe nuk janë pak. Televizioni “News 24” u bë shkas disa ditë më parë që Kristit të vogël dhe familjes së tij t’i jepet shpresë, kur shumë qytetarë iu përgjigjën thirrjes që ai të ketë mundësinë e shërimit.

Disa të tjerë tentojnë t’i quajnë “Fundjava ndryshe” përpjekjet e tyre për të ndihmuar çdo fundjavë ata që nuk janë me aftësi ndryshe, por që fati i ka lënë në dyert e varfërisë së madhe. Të gjithë ata që u janë bashkuar këtyre nismave kanë më shumë se një emër, kur kanë vendosur të veprojnë sipas motos “ku njëra dorë jep e tjetra nuk e sheh”. Por, në fakt, ndihmojmë tjetrin, apo u japim kuptim jetëve tona kur ndihmojmë dikë? Do të mjaftonte një moment të jesh përballë “atyre ndryshe”, apo atyre që varfëria iu është bërë dysheku i vetëm ku shtrihen, për të rimenduar edhe një herë ato që ke, ose ato që ti mund t’i arrish falë mendjes dhe mundësive për të cilat mund të jesh me fat t’i kesh.

E kur je përballë tyre kupton se, pavarësisht se mund të jemi nga vende të ndryshme, të kemi zakone e besime të ndryshme, ngjyra të ndryshme në pamjen tonë të jashtme, me aftësi të veçanta apo krejt normale, sërish ne kemi nevojë të gjithë për një buzëqeshje, për një dorë që duhet të na e zgjasë dikush. Ema dhe Soela, qytetarët që iu përgjigjën apelit për Kristin, ata që ndihmuan disa kohë më parë Leon që të ecë, apo djemtë që në heshtje shëtisin shtëpive duke dhuruar ushqimet e javës, janë një shpresë e duhur.

Janë një shpresë jo vetëm për ata që kanë përfituar apo presin të përfitojnë nga kjo ndihmë, por më shumë për të gjithë ne të tjerët, që ndonjëherë, të mbetur përpara lajmeve negative apo përballë ashpërsisë së jetës së përditshme që na ngushton hapësirën për t’i zgjatur dorën dikujt, rrezikojnë të humbin shpresën për të mirën.

Ema dhe Soela e dhanë publikisht leksionin e tyre përmes një hapi të thjeshtë, duke na e ofruar botën e tyre përmes thirrjes se, edhe ata, “ndryshe nga ne” janë arti që kemi nevojë ta njohim më mirë. Shumë të tjerë vijojnë në heshtje hapin e tyre drejt këtyre njerëzve. E t’i falënderojmë për këtë leksion njerëzor, është thjesht më e pakta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura