“Si e sigurova Konferencën e Tiranës në ’56-ën, porosia e Kadri Hazbiut kur Enveri hyri i shqetësuar në sallë”, rrëfimi i ish-komandantit të Repartit Special

Oct 10, 2019 | 11:37
SHPËRNDAJE

Picture-004

Iv Kaloçi/ Rrefehet Sali Lila, ish ushtarak i lartë i Gardës së Republikës me detyrë shërbimi në Bllokun e udhëheqjes dhe më pas, ish-komandant i përgjithshëm i Repartit Special të MPB-së 324, duke e drejtuar këtë të fundit deri në vitin 1988. Ai rrëfen përvojat e tij personale me disa nga eksponentët më kryesorë të shtetit komunist shqiptar në 36 vitet e karrierës së tij si ushtarak i lartë në disa nga repartet më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brëndshme , me kolegët e tij si: Idriz Vladi, Idriz Shehu, Kristofor Mërtiro, Haki Keta, Lime Muçelli, Muharrem Sako,Hamit Revolli, Petro Nana etj….

Picture-002

Zoti Lila, cila është origjina e familjes suaj?

Unë Sali Lila kam lindur në 7.7.1933 në lagjen Petricë e cila është gjithashtu edhe zona e parë e Petrelës në Tiranë, prej nga rrjedh edhe origjina e familjes sime. Ajo përbëhej nga pesë antarë, nga im atë Selmani, mamaja ime Sofia të cilët për nga profesioni ishin bujq dhe blegtorë po në pronat tona në Petrelë. Më pas ajo vijonte me tre vëllezërit, unë Saliu, Ramazani, Qamili, dhe motra e vogël Aishja.

Ku u shkolluat ju fillimisht?

Arsimi im fillor do të niste në shkollën 4 vjeçare të Petrelës gjatë viteve të kohës së luftës 1940-1944, e cila do të ishte një periudhë tejet e vështirë për ne pasi shkatërrimet dhe dëmtimet, nuk do të kursenin as fshatin tonë. Pas përfundimit të Luftës Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare, unë do të filloja menjëherë punë, duke shërbyer si korrier i Postës Shqiptare në Tiranë. Punë e cila nuk do të zgjaste shumë pasi, pas vitit 1945 unë si shumë të tjerë do të nisesha vullnetar në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin një nga të parat vepra të rëndësishme të Shqipërisë së pas luftës. Pas përfundimit të punimeve në këtë hekurudhë, unë do të transferohesha për të punuar si nën-punës për 6 muaj në Ministrinë e Punëve Botore ashtu siç njihej në atë kohë. Por edhe qëndrimi në këtë post nuk do të zgjaste shumë pasi, pas përfundimit të hekurudhës Durrës-Peqin një tjetër vepër po kaq e rëndësishme transporti do të fillonte për tu ndërtuar në vitet 1947-1948 nga puna e qindra-mijëra vullnetarëve, ajo e rrugës Tiranë-Durrës ku një prej të cilëve do të isha edhe unë. Aty kam punuar nën udhëheqjen e Fadil Mirës, të cilin e kishim edhe si përgjegjësin kryesor të punimeve, Gjithashtu fare mirë mbaj mënd edhe inxhinierët jugosllavë, të cilët qëndronin aty vazhdimisht duke drejtuar proçesin tejet të vështirë të punimeve për këtë rrugë kryesore. Menjëherë pas ndërperjes së marrdhënieve politike dhe ekonomike me Jugosllavinë në vitin 1948, unë do të rikthehesha në vëndlindjen time në Petrelë për të punuar kësaj herë në minierën e qymyr-gurit në Krrabë. Gjatë kësaj kohe unë do të caktohesha si sekretar i organizatës së rinisë komuniste të Shqipërisë për zonën e Petrelës dhe Mulletit, ndërsa një vit më pas në 1950 do të kryeja një kurs 6 mujor për tregëti ambulante në Tiranë. Pas kryerjes së këtij kursi mu dha mundësia për të punuar si ekonomist në pikën e grumbullimit ushqimor në Mullet në shtëpinë e Sali Narazanit.

Picture-007

Kur do të fillonte karriera juaj ushtarake?

Por në vitin 1952 do të fillonte edhe karriera ime e gjatë ushtarake 36 vjeçare duke nisur së pari me vajtjen time si ushtar në qëndrën stërvitore të kufirit në Sauk, një ndër të parat reparte elite ushtarake shqiptare në qarkun e Tiranës. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në këtë repart, do të dërgohesha për të shërbyer si efektiv në repartin e Gardës së Republikës Popullore dhe veçanërisht mua personalisht do të më rastiste për të kryer shërbimin ushtarak pranë vilës së Enver Hoxhës në zonën e Bllokut. 5 Marsi i vitit 1953 e cila njihet gjithashtu edhe si dita e vdekjes së Josif Stalinit do të më gjente po në Bllok duke u bërë kështu dëshmitar kryesor i momentit gjatë së cilës Enver Hoxha së bashku me antarët e tjerë të Byrosë Politike dhe me ambasadorin sovjetik Leviçkin do të niseshin nga Bulevardi kryesor i Tiranës në drejtim të qëndrës për tu ulur në gjunjë para monumentit të Stalinit gjatë ceremonisë së homazheve për vdekjen e tij.

Picture-001

Pas vitit 1953, do të vijonit të shërbenit akoma në bllok?

Jo, pas vitit 1953 unë u transferova në garnizonin e Postës së Tales në zonën e Lezhës, e cila në atë periudhë mbulonte edhe pikën e lagunës së Kune-Vainit ku do të ishte edhe rezervati i gjuetisë së udhëheqjes komuniste. Në këtë repart unë do të arrija gradën e rreshterit dhe më pas atë të kapitenit të dytë. Këtu shërbeva  për rreth dy vjet e gjysëm dhe më pas në Mars të vitit 1956 unë u lirova nga ushtria dhe shkova në kursin 6 mujor të Sigurimit të Shtetit në Shkollën e MPB-së në Sauk ku caktova me rrogë. Komandant i kësaj shkolle ishte Muço Saliu një nga eksponentët kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brëndshme, i cili më vonë do të arrinte deri si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit në vitet ‘60-‘70-të.  Pas përfundimit të studimeve këtu unë, u riktheva përsëri në detyrë në Gardën e Republikës ku do të shërbeja si kujdestar i një prej kompanive kryesore të saj. Për këtë arsye unë sërisht do të bëhesha dëshmitar në një prej ngjarjeve më kryesore përsa i përket historiografisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, atë të Konferencës së Tiranës në Prillin e vitit 1956.

Picture

Si e mbani mënnd ju, këtë ngjarje?

Duke qënë se unë tashmë së bashku me një kolegun tim Hysen Selimin kishim marrë detyrën për ruajtjen e disa nga godinave të institucioneve më të rëndësishme qeveritare të kohës si Komitetin Qëndror dhe Kryeministrinë, përpos kësaj do të isha edhe në grupin e efektivëve të Gardës dhe reparteve të tjera ruajtëse të MPB-së gjatë zhvillimit të punimeve në Konferencën e Partisë së Tiranës ku pothuajse gjysma e delegatëve të saj të influencuar nga Kongresi i XX në Bashkimin Sovjetik, do të ngriheshin për të sulmuar udhëheqjen komuniste në përgjithësi dhe vetë Enver Hoxhën në veçanti. Në momentin më të nxehtë të Konferencës, në Prillin e vitit 1956, vumë re kolonën e eskortës qeveritare që po vinte nga Rruga e Durrësit në drejtim të godinës së Estradës së Shtetit (ku po zhvillohej Konferenca, mbrapa Muzeut Historik Kombëtar), nga makina e dytë në rradhë del Enver Hoxha me pamje të tensionuar i cili hyn me shpejtësi brënda sallës ku po zhvillohej mbledhja për tu përballur me të gjithë delegatët rrebelë. Gjatë kësaj kohe ne morëm urdhër nga Ministri i Brëndshëm Kadri Hazbiu për të kaluar në gadishmëri nr 1 për çdo të papritur që mund të ngjaste. Në Shtator të po këtij viti unë transferohem në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha” për të kryer studimet në fushën ushtarake për profilin e këmbësorisë.

Picture-005

Cilët ishin disa nga lëndët special që mësonit në këtë shkollë?

Disa nga lëndët që mësonim në këtë shkollë ishin, Radio-Ndërlidhja, taktikat speciale të neutralizmit të armikut, përgatitje ekstreme fizike, lëndët gjuhësore, etj. Periudha e studimeve të mia në këtë shkollë do të përfundonte në verën e vitit 1957, ku dhe do të gradohesha toger së bashku me një prej figurave të njohura të Shërbimit Sekret Shqiptar Qazim Kapizysin dhe Veli Llakajn Shefin e Shtabit të ardhshëm të Ushtrisë Shqiptare. Pas lirimit nga kjo shkollë unë, u riktheva sërisht në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brëndshme në Sauk ku kësaj here do të studioja për profilin e kufirit ku dhe pas rezultateve relativisht të larta që do të arrija do të ngjitesha në detyrën e kujdestarit të kursit të këtij profili. Në këtë shkollë në fundin e viteve ‘50-të dhe në fillimin e viteve 60-të, rreth 60 përqind e studentëve do të kryenin këtë profil pra atë të kufirit, ndërsa 40 përqind të pjesës tjetër do të vazhdonin për profilet e policisë dhe sigurimit. Gjithashtu disa nga kurrikulat speciale që mësonim në këtë shkollë ishin, praktikat e zbulimit të kufirit, teknikat e veprimit në kushtet e zbulimit me jashtë, shërbimet sekrete të huaja, ekonomi politike, kriminalistikë, patrullimi dhe vëzhgimi i kufirit etj.

Mund të kujtoni disa nga kolegët tuaj në Shkollën e MPB-së?

Mund të përmënd këtu disa nga kolegët e mi me të cilët pata rastin që të studioja së bashku me ta në këtë shkollë si, Hamit Revolli, Idriz Vladi, Idriz Shehu, Kristofor Mërtiro, Haki Keta, Lime Muçelli, Muharrem Sako, dhe Petro Nana. Pas përfundimit të studimeve në shkollën e Saukut u riktheva përsëri në Gardë për herë të tretë kësaj here me Komandant të Përgjithshëm Çelo Arrzën. Për shkak të rezultateve të mia të kënaqshme si në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha” ashtu si edhe në Shkollën e Lartë të MPB-së unë së bashku me disa funksionarë të lartë të drejtorive të ndryshme të Sigurimit të Shtetit, me rekomandimin e Kadri Hazbiut do të dërgoheshim për të kryer disa kurse specializuese profilistike në Akademinë e Shërbimit Sekret Sovjetik KGB në Moskë e njohur ndryshe në zhargonin popullor edhe si “Shkolla e Xherxhinskit”. Por fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi për shkak se në vitet 1960-1961 ashtu siç dihet pas zhvillimit të Kongresit të 81 Partive Komuniste në Moskë, shtetit shqiptar i ndërpreu përfundimisht marrdhëniet politiko-diplomatike dhe ekonomike me Bashkimin Sovjetik për shkak të mos-marrëveshjeve të thella ideologjike ndërmjet Tiranës dhe Moskës zyrtare. Dua të theksoj se gjatë periudhës së marrdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, unë kam pasur rastin që të takoj disa nga këshilltarët sovjetikë të ardhur në vëndin tonë për të trajnuar punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brëndshme dhe veçanërisht ajo që mund të kujtoj nga ajo kohë është njohja që kam pasur me ish-ambasadorin sovjetik në Shqipëri Vasili Ivanov dhe familjen e tij, të cilët sa herë që dilnin dhe hynin në rezidencën e tyre në Bllok na përshëndesnin me kokë jo vetëm mua por të gjithë oficerët e Gardës që ndodheshin me shërbim aty pranë.

Kujtoni disa nga ngjarjet që ndodhnin në atë kohë në bllok pas ndërprerjes së marrdhënieve me Bashkimin Sovjetik?

Pas ndërprerjes së marrdhënieve politiko-diplomatike dhe ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, një incident i “çuditshëm” do të na bënte përshtypje të gjithë efektivit ruajtës të forcave të Gardës në zonën e Bllokut. Diku nga viti 1965, një makinë e trupit diplomatik të një prej ambasadave të shteteve socialiste te bllokut lindor do të vinte me shpejtësi nga rruga kryesore e Bulevardit të Tiranës ku ndahet Kryeministria me selinë e Komitetit Qëndror, dhe do të përplasej me traun e postobllokut në rrugicën kryesore hyrëse të rezidencave qeveritare. Menjëherë unë së bashku me disa ushtarë që po kryenin shërbimin e rastit aty i ndaluam dhe i komunikuam urdhërin për ndalim-qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët e bllokut për arsye sigurie. Pas komunikimit të këtij urdhëri, shoferi u shfajësua duke thënë se nuk e dinte që në atë pikë të vazhdimit të rrugës mund të kishte një posto-bllok ndalues dhe menjëherë u largua me shpejtësi të madhe në drejtim të Korpusit të Universitetit. Edhe sot e kësaj dite nuk mund ta shpjegoj me saktësi nëse ky episode ishte një “incident” apo thjesht një “rastësi”. Në mënyrë urgjente pas kësaj ngjarjeje u dha urdhër i prerë për dyfishimin e numrit të rojeve dhe oficerëve në disa nga pikat kryesore nevralgjike të Bllokut qeveritar.

Viti 1968, do të shënonte edhe daljen përfundimtare të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Si u përjetua kjo ngjarje në atë periudhë në rradhët e Gardës?

Një nga ngjarjet që veçanërisht do të na bënte të ndiheshim tejet të alarmuar si asnjëherë më parë dhe në gadishmëri absolute do të ishte padyshim edhe dalja përfundimtare e Shqipërisë nga organizata politiko-ushtarake e Traktatit të Varshavës pas sulmit të Bashkimit Sovjetik mbi Çekosllovakinë në vitin 1968. De Facto Shqipëria kishte dalë nga ky traktat që pas ndërprerjes së marrdhënieve politike, ekonomike, dhe ushtarake me Bashkimin Sovjetik në 1961, ndërsa 1968-ta do të shënonte edhe daljen de jure. Në këtë kohë i gjithë armatimi dhe teknika logjistike e trupave të repartee të Gardës dhe të të gjithë Ministrisë së Punëve të Brëndshme do të fillonte të modernizohej ndjeshëm pasi shteti shqiptar do të kalonte në një fazë të re të përgatitjes ushtarako-strategjike të tij për të parandaluar një sulm të mundshëm ushtarak sovjetik në brigjet e Mesdheut Lindor. Për këtë arsye unë së bashku me ish-Komandantin e Gardës Zija Kambon, Petrit Çobanin, dhe Xhemal Morinën do të bënim pjesë në të ashtuquajturin Shtabin e Emergjencës, pjesë përbërëse e të cilit do të ishte dhe Petrit Dume (i cili përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes) dhe Rexhep Kolli (i cili përfaqësonte Ministrinë e punëve të Brëndshme). Gjithashtu në këtë shtab emergjence në rast lufte më sovjetikët do të bënin pjesë edhe emra të njohur të Byrosë Politike si Mehmet Shehu dhe Abdyl Këllezi.  Ky shtab do të vazhdonte të operonte për rreth dy vite, deri në vjeshtën e vitit 1970 kur, Tirana zyrtare nuk e pa më të nevojshme ekzistencën e tij për shkak se, Ushtria e Kuqe Sovjetik do të ndërmerrte kurrë një sulm mbi brigjet e Mesdheut Lindor dhe Ballkanit, dhe veçanërisht mbi territorin shqiptar. Në Nëntorin e vitit 1969, unë do të komandoja personalisht zhvillimin e paradës ushtarake të trupave të Gardës dhe MPB-së në Bulevardin kryesor të Tiranës ndërsa, pas disa muajsh unë do të transferohesha me detyrën e komandantit të Shkollës së Instruksionit të Repartit 410 të Gardës së Republikës me komandant të saj Ali Gjonçajn.

Cili do të ishte roli juaj në zhvillimin e këtij reparti?

Unë së bashku me Aliun do të kontribuonim ndjeshëm në përmirësimin e strukturës organizative dhe të materialeve luftarake të këtij reparti, duke arritur madje deri aty sa të ndërtonim vetë të gjitha ambjentet e tij që nga tunelet e mëdha rrëzë kodrave të Mulletit, dhe deri tek çadrat dhe kapanonet moderne për kohën. Në këtë repart special unë, do të shërbeja për rreth 10 vjet deri në vitin 1980, ku me urdhër të Ministrit të Brëndshëm Feçor Shehu, do të caktohesha si Komandant i Përgjithshëm i repartit special të MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit i quajtur ndryshe dhe si Batalioni 324. Gjatë kohës që do të ushtroja detyrën time si zv-komandat i repartit 410 të Gardës dhe gjithashtu komandant i Shkollës së Instruksionit të po këtij reparti, do të zhvillonim vazhdimisht një program tejet intensiv përsa i përket natyrës së stërvitjeve ushtarake që jo vetëm ky repart por të gjithë repartet e tjera të Gardës së Republikës do të detyroheshin ta praktikonin. Kjo përgatitje speciale do të huazohej sipas shëmbullit të programit stërvitor të Gardës së Kinës komuniste. Dhe kjo do të ndodhte për shkak se gjatë fillimit dhe mesit të viteve 70-të, në rradhët e Partisë së Punës së Shqipërisë, do të ndodhnin spastrimet e të ashtuquajturave Grupet Armiqësore në sektorët e ndryshëm të kulturës, ushtrisë, dhe ekonomisë së shtetit shqiptar. Në fillimin e viteve 70-të dhe më saktë konkretisht në vitin 1973, në një broshurë të klasifikuar për përdorim të brëndshëm, nga punonjësit e organeve të MPB-së, kritikohej rëndë Ramiz Alia për shkak se kishte “toleruar” në një farë mënyre aspektet e liberalizmit social dhe kulturor të cilat do të kulmonin me Festivalin e 11 në Radio-Televizion. Por menjëherë pas kësaj, kjo broshurë u zhduk nga qarkullimi pasi do të ishin të tjerë eksponentë të lartë dhe të rëndësishëm të Byrosë Politike të cilët do të përfshiheshin nga ajo valë goditjeje, e cila do të zgjaste deri në fillimin e viteve 80-të.  Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura