Si e sfidoi Ismail Qemali kryeministrin Pashiç, në nëntor 1912, serbët donin të shfarosnin shqiptarët

Nov 28, 2017 | 17:38
SHPËRNDAJE

NGA YLLI POLOVINA 

Në 10 nëntor 1912, në Vjenë, Ismail Qemal Vlora i pati thënë ambasadorit anglez se do të nisej shumë shpejt për në Shqipëri dhe se atje do të shpallte mëvetësimin. Ideja e udhëtimit dhe e veprimit të rrufeshëm u bë e qartë kur, siç e dinë pothuaj tërë shqiptarët, ai hartoi dhe nisi drejt atdheut fjalët e tij lapidare, që edhe sot tingëllojnë si simfoni bethoviane:

“Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue. Ju porosis qi tyke i u mbështetun fatit të atdheut të punoni bashkë e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme edhe të ruani qetësiën. I epni rrethevet lajmen e gzushme. Ju falem të gjitheve atënisht. Ismail Qemali”.

Ylli Polovina
Ylli Polovina

Ishte 13 nëntor. Që prej këtij çasti nis starti përfundimtar i garës së shpejtësisë së veprimit politik të tij në përballje me gjeneralët e armatës serbe, këta të fundit me në krye vetë feldmareshallin Radomir Putnik, për pak kohë ministër i Luftës në qeverinë e tetë të kabinetit të kryeministrit Nikolla Pashiç, si edhe në mënyrë të vijueshme shef i shtabit i ushtrisë serbe. Çfarë kishte ngjarë që secila prej të dyja palëve vraponte ngutshëm t’i mbërrinte e para trojet e shqiptarëve?

NIS AKSIONI I FORMIMIT TË BARRIKADËS ME FLAMUJ SHQIPTARË

Serbia në atë vjeshtë të vitit 1912, e bashkuar në një lidhje vendesh ballkanike kundër Stambollit (malazezë, bullgarë e grekë), kishte nisur aksionet luftarake fitimtare kundër Perandorisë së mbetur Osmane. Ajo qe më e vendosur se kurrë, që me shembjen e dikur superfuqisë turke, të dilte patjetër në brigjet jugore të Adriatikut.

Sipas historianit të spikatur serb, i cili qe edhe politikan e kritik letrar, Slobodan Jovanoviç (para vitit njëzetë të shekullit të shkuar profesor në Universitetin e Beogradit, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në vitet 1928-1931, nënkryeministër në Beograd për periudhën mars 1941-janar 1942, më vonë kryeministër i qeverisë monarkiste jugosllave në mërgim në Londër dhe pas ardhjes në pushtet të Titos i dënuar në mungesë me dy dekada burgim) “Serbia në prag të luftërave ballkanike kishte mbi kokë rrezikun e planeve austro-hungareze për marrjen e Ballkanit”.

Duke qenë se Vjena nuk po ndalej në depërtimin e vet drejt jugut të gadishullit, Jovanoviç gjykon se Beogradit i duhej të kundërvepronte “Veçanërisht kundër projektit më të rrezikshëm të Perandorisë austro-hungareze, ngritjes së një Shqipërie të Madhe”. Për pasojë, këmbëngul Slobodan Jovanoviç, Serbia nisi veprimet luftarake për të zotëruar më parë se Vjena trojet shqiptare të Perandorisë Osmane, të cilat qenë katër vilajete. Ajo vuri në objektiv edhe daljen domosdoshmërisht në bregdetin e Adriatikut jugor.

Doemos Austro-Hungaria qe kundër kësaj shtrirjeje sa gjerë e gjatë dhe më 12 tetor, katër ditë pasi pati shpërthyer Lufta e Parë Ballkanike, konti Berchtold, ministër i Jashtëm i Vjenës, ia doli t’ia mbushë mendjen kolegut rus Sazanov se bregu adriatikas ishte sferë e ndikimit të perandorisë së tyre. Në këtë atmosferë javën e fundit të tetorit, ndërsa lufta gjëmonte nëpër gadishull, diplomacia vjeneze vendosi që për të frenuar ambiciet politike dhe ushtarake të Beogradit, të cilët tashmë kishin marshuar shumë, duke dëbuar turqit dhe pushtuar trojet e Kosovës, të mbështeste çështjen shqiptare të pavarësimit.

Qemal Stafa dhe Isa Boletini
Ismail Qemali dhe Isa Boletini

Duhej sa më shpejt të shpalleshin më vete e të bashkuar në një shtet të gjitha trojet shqipfolëse të Perandorisë Osmane. Me pak fjalë, të 4 vilajetet, ajo hapësirë e cila sipas hartës që disa bashkëkombës paraqitin herë pas here, dhe kjo shkakton shqetësime të forta diplomatike, thirret më së shumti si Shqipëri Etnike apo Shqipëri Natyrale. (I kujtojmë lexuesit se në vjeshtë të motit 1912, si edhe për dekada të tëra të mëparshme të Rilindjes, në përfytyrimin dhe vetëndjerjen kombëtare të shqiptarëve kjo ishte përmasa normale dhe e ligjshme e mëmëdheut të tyre).

Rusët bënë edhe një përpjekje të fundit për t’u anësuar nga serbët dhe propozuan që shteti i ardhshëm shqiptar të qe me një autonomi të kryesuar prej Sulltanit. Vjena e hodhi poshtë. Më 3 nëntor, konti Berchtold denoncoi me një deklaratë publike pushtimin nga serbët të trojeve shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, duke e cilësuar si territor jashtë të drejtës së Beogradit për t’i pasur në sferën e vet të influencës. Më 5 nëntor me këtë qëndrim u bashkua edhe Italia. U afruan po ashtu Anglia me Francën. Megjithatë, kryeministri serb Nikolla Pashiç nuk u thye.

Ai intensifikoi, për t’i vënë para faktit të kryer, veprimet ushtarake. Tashmë një herë e mirë lëmshin politik dhe diplomatik do ta zgjidhnin me dorë të fortë gjeneralët e tij. Në rrethana të tilla, Vjena do të kujdesej të dakordësohej me grupin e vogël të politikanëve shqiptarë me në krye Ismail Qemalin, të cilët kishin ardhur për të biseduar Shpalljen e Pavarësisë së atdheut të tyre. Konti Berchtold i mbështeti me ngulm dhe mori çdo masë që ata të lëviznin sa më rrufeshëm drejt mëmëdheut të tyre.

SHQIPONJA SHQIPTARE, MË E SHPEJTË SE AJO SERBE

Më 13 nëntor 1912, e mërkurë, Ismail Qemali i dha që nga Vjena një intervistë francezes “Journal des Débats Politiques et Littéraires” (“Gazetë për Debate Politike dhe Letrare”). Ajo e botoi vetëm më 26 nëntor. Në të ai, mes të tjerash, thoshte: “Po largohem sonte…për Trieste. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij para se të mbërrijë ushtria serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Miqtë e mi dhe unë do të përpiqemi të organizojmë një komitet mbrojtës në vend, një lloj qeverie të përkohshme”.

Disa radhë më pas: “Qëllimi i serbëve është i qartë: ata djegin, masakrojnë gjithçka gjatë rrugës së tyre; nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, ata duan të shfarosin shqiptarët”. Ose serbët do ta pushtojnë e do ta prishin Shqipërinë, ose ne do ta ringremë këtë shtet, pati paralajmëruar pak a shumë Ismail Qemal Vlora.

Shkrimi ne Gazeten Journal
Shkrimi ne Gazeten Journal

Një ditë para se t’i jepte intervistën të përditshmes franceze, ai kishte kryer një vizitë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë dhe ajo në buletinin ditor pati shënuar (sipas “Shqipëria në dokumentet austrohungareze”, 1912, Vëllimi VI, me autorë Marenglen Verli dhe Ledia Dushku): “Personaliteti shqiptar nga Vlora, Ismail Qemal beu, u paraqit sot këtu për të paraqitur aspiratat e njohura kombëtare të shqiptarëve dhe për të rekomanduar mbrojtjen e tyre nga ana e qeverisë perandorake dhe mbretërore”.

Më pas buletini ditor bënte të ditur se me Ismail Qemalin qe rënë në një mendje se shqiptarëve u duhej “një entitet me të drejta të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë, duke ruajtur edhe integritetin e tij kombëtar”. Ndërkohë, pesë ditë më vonë nga intervista paralajmëruese në “Journal des Débats Politiques et Littéraires”, ku Ismail Qemal Vlora tha “shpresoj të arrij para se të mbërrijë ushtria serbe”, armata e Beogradit (Korparmata e Tretë) me në krye gjeneralin Bozhidar Jankoviç, pasi pati pushtuar tërë Kosovën dhe pothuaj krejt Maqedoninë, kishte shpërthyer drejt thellësisë së tokave shqiptare.

Ndërsa Shkodra qe rrethuar me kohë nga malazezët dhe luftonte në një qëndresë heroike, trupat e gjeneralit Jankoviç morën Mirditën dhe krahinën e Matit, ndërsa më 18 nëntor hynë në Lezhë. Ky qytet ishte parashikuar prej tyre si plasdarme: një pjesë e ushtrisë do të shkonte drejt Shkodrës për të shtuar forcat e rrethimit, të tjerë do të mësynin drejt Krujës, Tiranës dhe sa më shpejt të hynin në Durrës.

Pushtimi i Lezhës, 18 nëntori, qe e njëjta ditë kur Korparmata e Tretë e ushtrisë serbe pushtoi Manastirin, ndërsa në Jug armata greke, pasi pati rrethuar Janinën dhe pushtuar ishullin e Sazanit, më 19 nëntor zbarkoi në Himarë. E vuri atë në dorë bashkë me shumë fshatra përreth, sigurisht me qëllim krijimin aty të një plasdarme për të depërtuar më thellë. Më 19 nëntor, Ismail Qemali ndodhej në qytetin-port të Triestes, ku, siç dihet, i dha një intervistë gazetës vendase, me shtrirje në të gjithë Italinë, “Il Piccolo”. Ajo e botoi menjëherë të nesërmen.

“Dje në mëngjes, shkruante e përditshmja triestine, mbërriti në qytetin tonë, me trenin direkt nga Vjena, kryetari i partisë së pavarur shqiptare, Ismail Qemal bej-Vlora. Udhëtonin bashkë më të edhe 14 bujarë shqiptarë”. Pak më pas: “Ismail Qemal beu qëndroi në Excelsior Palace Hotel për disa orë dhe u nis në orën 2 pasdite me vaporin ‘Brunn’ për në Shqipëri”.

Më tej ka një përgjigje të tij për gazetarin: “Ja: vapori që do të marr, zakonisht nuk ndalon në portin ku kam qëllim të zbres, por u jam mirënjohës drejtuesve të Lloyd që kanë lejuar një ndalesë të jashtëzakonshme. Unë po shkoj në Durrës”. Ndërhyrjes së beftë të gazetarit “Porti i lakmuar nga serbët…”, Ismail Qemali i dha përgjigjen e qartë: “Nuk besoj se serbët do të arrijnë para meje. Në Durrës po më presin me ankth. Terreni është përgatitur me kujdes”.

Faqja e parë e gazetës “La stampa”, që hapej me pushtimin e Durrësit nga serbët
Faqja e parë e gazetës “La stampa”, që hapej me pushtimin e Durrësit nga serbët

Të pesëmbëdhjetët u nisën në orën e caktuar, një pjesë me në kokë plisin e bardhë shqiptar dhe pasi në Trieste kishin blerë pushkë “Mauzer” dhe shumë municion. Që në shpejtimin e veprimeve të Ismail Qemalit për të mbërritur në tokën shqiptare para serbëve, pati dorë ndihme edhe qeveria austro-hungareze, për opinionin publik europian u mor vesh vetëm më 29 nëntor 1912, ndërsa tashmë shpallja e pavarësimit në Vlorë qe kryer.

Gazeta e shumënjohur franceze “Le Figaro” botoi rrëfimin e një udhëtari të rastësishëm në atë lundrim historik të 19 nëntorit. Sipas tekstit të përkthyer nga Aurenc Bebja, udhëtari që Ismail Qemalin e dinte për princ, pohonte se “Unë jam dëshmitari i një ngjarjeje për të cilën do të flasë Europa, ndoshta nesër, dhe se ndoshta do të ketë një ndikim të madh në ngjarjet që po ndodhin aktualisht në Ballkan”.

Në një fragment tjetër janë fjalët e tij: “Unë bisedova për disa çaste me njërin prej personave të suitës së princit, një njeri që fliste admirueshëm gjuhën greke dhe italiane. Ai më tha se qëllimi i misionit të tyre ishte kthimi i Shqipërisë te shqiptarët dhe se ata nuk do të lejonin që Serbia të merrte asnjërin nga portet që ajo lakmon”.

Udhëtari i huaj i raportoi “Le Figaro” po ashtu se “I nisur dje në Trieste në bordin e ‘Bruenn’-it drejt Patras-it, ne do të arrinim fillimisht, sipas itinerarit, në brigjet e Brindisit, gjatë mbrëmjes. Por, sapo filluam të largoheshim nga Trieste, filluan të qarkullonin zëra se do të zbarkonim në Durrës, ku princi shqiptar Qemal Beu, me suitën e tij, e cila gjendej në mesin e udhëtarëve të tjerë, do të zbriste për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Në fakt, ne dalluam Ismail Qemal Beun në ‘business class’… Pra, kësaj mbrëmjeje, të mërkure, na konfirmojnë se rreth orës dhjetë do të jemi afër Durrësit. Po atë orë, me një mot të bukur – mes dritës së hënës dhe qetësisë së plotë – ne dalluam nga larg ndriçimin e një anije, atë të avullores ‘Wurmbrand’ të Lloidit austriak. ‘Bruenn’-i u ndal 200 metra larg saj. U zbritën shkallët, pastaj barkat në të cilat Qemal Beu dhe suita e tij u akomoduan për të shkuar drejt ‘Wurmbrand’-it. Ja detajet që unë mblodha dhe që po ua përcjell: Princi shqiptar do të kalojë natën në bordin e kësaj anije dhe nesër ndoshta do të zbarkojë në Durrës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë…”.

Më tej: “Unë mendoj se Austria gjendet në mesin e gjithë kësaj lëvizjeje, sepse Qemal Beu u fut në bordin e njërës prej anijeve të Lloid-it, e cila ndryshoi në mënyrë të tërthortë e të papritur itinerarin e saj. Së fundi, ai kaloi nga ‘Bruenn’-i në një anije tjetër të Lloidit, ’Wurmbrandi’, e cila u nis drejt brigjeve shqiptare për këtë qëllim.”

NGRITJA NJË PAS NJË E FLAMUJVE KOMBËTARË: ELBASAN, DURRËS, TIRANË, LUSHNJË, KAVAJË…

Në mëngjesin e 21 nëntorit, Ismail Qemali me të tijtë zbarkoi në Durrës, ku gjeti përkrahje, por edhe rrethana që nuk ia lehtësonin shpalljen kombëtare të pavarësimit, ca më tepër që serbët ndodheshin pothuaj në portat e qytetit. Porositi ngritjen sa më të shpejtë të flamurit, të cilin akt patriotët vendas e kryen më 26 nëntor, në orën 7:30 të ditës. Ndërkaq, Ismail Qemal Vlora, i nisur nga Durrësi në mëngjesin e 23 nëntorit, kishte mbërritur në Vlorë.

Një ditë më parë, më 25 nëntor, në “Times” të Londrës qe botuar deklarata e Pashiçit, sipas së cilës Serbia kërkonte Durrësin me pjesën më të madhe të hinterlandit. Por atdhetarët shqiptarë, pikërisht që atë ditë, i kishin paraprirë dhe sfiduar veprimet e Kryeministrit serb dhe të gjeneralëve të tij. Qytetet ende të papushtuara, pasi hiqnin atë turk, po ngrinin njëri pas tjetrit flamujt kombëtarë. Sipas një analize të gazetës italiane “La Stampa”, 27 nëntor 1912, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë bën që trojet e saj të mos jenë pjesë e territorit otoman, për rrjedhojë, aleatët ballkanikë do të humbasin të drejtën për ta sulmuar dhe pushtuar… Pra, në rast se nesër serbët mbërrijnë në Durrës dhe ia dalin ta pushtojnë, pushtimi i tyre është tërësisht i paligjshëm…dhe sapo të mbarojë lufta, Serbia është e detyruar të tërhiqet”.

Kështu, më 25 nëntor, në orën 1:25 të natës, e lartoi flamurin Elbasani, duke u bërë i pari në këtë aksion diplomatik shumë inteligjent dhe tepër mbresëlënës. Të nesërmen, më 26 nëntor, në orën 3 të natës, ai u lartua në Tiranë. Më 27, në 6 të ditës, shenja e bukur kombëtare u ngrit në Lushnjë dhe po atë ditë, në pesë të mbrëmjes, në Kavajë. Në 11 të natës, shpalljen e pavarësimit lokal e kreu Peqini. Por në 27 nëntor, që nga Kruja, armata serbe nuk i ndali trupat dhe ata vijuan pushtimin.

Me flamur në duar shkuan delegacione patriotësh nga Durrësi dhe Tirana, por komanda serbe nuk ktheu mendim. Pushtimi i Durrësit u njoftua në kontinent me shtypin e ditës së 28 nëntorit. “La Stampa” këtë lajm e ka kryetitullin e të gjithë edicionit. Janë fjalë dramatike: “Serbët hyjnë në Durrës, ndërkohë që Shqipëria shpall pavarësinë e saj”. Por gazetat nuk e shkruan një hollësi: komandanti serb i pushtimit të qytetit të rëndësishëm port, kreu këtë veprim për t’i shpëtuar grackës ligjore që patën ngritur Ismail Qemal Vlora dhe tërë atdhetarët. Ai uli flamurin shqiptar, ngriti atë turk, e uli këtë dhe më në fund çoi flamurin serb.

NGA VLORA E LIRË: SERBË, LARG DUART NGA ELBASANI!

Epopeja e ndeshjes për ta legjitimuar ndërkombëtarisht pushtimin serb do të vijonte akoma më tronditshëm, por edhe më heroik në Elbasan. Lëndën informuese për të ia ka sjellë historisë kombëtare Lef Nosi me librin e tij, “Dokumente historike për t’i shërbye historisë sonë kombëtare”.

Në të, me autor gjeneralin serb Metoviç, ndodhet edhe ky dokument drejtuar Bashkisë së Elbasanit, në orën 4.40, të natës së 28 nëntorit 1912: “N’i udorëzofshi edhe ju ushtëriës serbe si i u dorëzua Dibra edhe n’i dhânçi armët të gjitha, ju ap fjalën se do t’ju sigurohet çdo gjâ; domethanë: feja, pasunia, jeta e qetësia e juej. N’asht se ju çoheni me përdorë armë kundër nesh, nuk ka me ju dalë mirë edhe dini-e të sigurt, se po shtyreni në të keqet të pasuniës e të jetës tuej. Përgjigjën tuej e pres në zyrët telegrafike”.

Ja edhe përgjigja më 29 nëntor:

“Vlonë, 16 Vjeshta e Tretë 1328-1912

Me anë të zyrës telegrafike t’Elbasanit

Komandantit Serb Gjeneral Metoviçit

Tyke qenë se gjithë Mbretniët e Mbretnia e Juej e pohojnë qenjen kombëtare të kombit Shqiptar, edhe ai e ka shpallë Indepedencën e Tija e i ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet të Mëdha, Mbretnivet të Ballkanit dhe Ministriës së Punvet të Jashtme të Serbiës, marr vesht ndashti, se Fuqia Ushtarake qi asht ndën komandën Tuej, po ecën përpara e ka vu mend me shkelë Elbasanin. Asht e ditun se sikur shkelja e tokës shqiptare asht kundër së drejtës, asht edhe shkelja e Elbasanit prej Jush, do me thanë se kërkoni me i ngelë mbë qafë nji vendi independent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiën. Protestoj vepërimin Tuej edhe lutem të prapseni nga ky vepërim.

Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Indepedente Shqiptare

Ismail Qemali”

Siç dihet, armata serbe, e nisur nga Ohri, e pushtoi Elbasanin, por më në fund, duke rrëmbyer Kosovën dhe duke mbajtur troje të tjera shqipfolëse në Maqedoni dhe në Malin e Zi, nën presionin e shumë fuqive të mëdha të kohës, Nikolla Pashiç dhe gjeneralët e tij do të tërhiqeshin. Kishte fuqi magjike ai flamur i shenjtë me shqipen dykrerëshe në fushë të kuqe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura