Si e rrëzoi mitin për këngët romantike, magjike me baladën për fëmijët që lypin

Dec 11, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Shkelqen Arberie Hadërgjonaj. Pas disa vitesh mungesë, ajo është rikthyer në festivalin e madh të muzikës moderne “Kënga Magjike”, duke fituar çmimin e “Kritikës”, që jepet nga juria profesioniste. Kënga “Me dorën shtrirë”, baladë e punuar nga Kleidi Bahiti dhe tekst të Olti Currit, u pëlqye jashtë mase nga publiku që në prezantimin e parë, ku Albëria impresionoi me interpretimin.

alberie kenga magjike

Ajo tregoi edhe një herë se nuk është thjesht një këngëtare e romancave, nga të cilat është mbushur “tregu” plot, por një profesioniste që i ka rezistuar kohës dhe balada me “Dorën shtrirë” ishte vërtet provë e suksesshme. Ishte mbi të gjitha një mësim për kolegët/et, se një këngë nuk duhet të flasë patjetër për dashurinë, për ndarjet e bashkimet, për lot apo përqafime etj., në mënyrë që të pëlqehet masivisht.

Ajo rrëzoi kështu edhe mitin se në festivale preferohen gjithnjë këngët “rozë”. Balada që solli Albëria ishte thirrja humane e festivalit, që la në hije çdo këngë tjetër romantike, të cilat dominojnë kudo dhe janë bërë përsëritëse. Kënga “Me Dorën shtrirë” trajton një temë sociale që ne e ndeshim përditë, fëmijët e varfër që lypin rrugëve me dorën shtrirë, një realitet që e kemi para syve, por që nuk denjojmë ta shohim.

alberie 2

Dhe që, më së miri, shprehet në refrenin e këngës: “Askush nuk të sheh, si njeri/ Si ti mund të ishim të gjithë/ Jeton ti i frikësuar, se kurrë s’ke përqafuar/ Për ty jeta ka filluar, e mohuar…”. Nën interpretimin e fuqishëm të Albëries, këto vargje u bënë hit në internet, aq sa publiku e klasifikoi në rrjetet sociale si këngën fituese të festivalit, ende pa nisur mirë gara. Megjithatë, ajo nuk arriti të marrë çmimin e madh, pasi dihet që votimi në “Kënga Magjike” bëhet në mes kolegësh dhe ata i japin votat sipas miqësive dhe bashkëpunimit.

Por ajo u shpërblye me çmimin profesional të “Kritikës”, trofe që vlen më shumë se sa votimet mes miqsh. Të mos lëmë pa përmendur këtu që Albërie Hadërgjonaj është ndër këngëtaret shqiptare më në formë dhe nëse do të llogarisim këtu që është edhe gjyshja e Elektrës, atëherë pa dyshim: 40-vjeçarja është më seksi nga të gjitha! Dhe duket se bukuria e saj është gjenetike, pasi edhe dy vajzat e saj, Agnesa dhe Angjelina, janë mahnitëse dhe shumë të talentuara. Lidhur me marrëdhënien që Albëria ka me dy vajzat e saj, ajo është shprehur: “Jam me fat që kam në jetën time Agnesën dhe Angjelinën.

Kam vajza që më bëjnë krenare dhe të lumtur çdo ditë. Ato e dinë se për mua janë gjithçka. Nuk shprehem dot se sa e plotësuar jam me to dhe se sa me fat jam t’i kem aq të mbara të dyja. Di vetëm t’i falënderoj për sjelljet dhe dashurinë që më dhurojnë”. Por pas triumfit që pati Albëria mbrëmë, besojmë se është radha e vajzave që ta falënderojnë nënën e tyre, që i bëri të ndihen krenare jo vetëm ato, por të gjithë shqiptarët…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura