“Si e qëlloi Gafurr Mazreku Azemin në kafen e Kuvendit”, Bislim Ahmetaj: PS e përzgjodhi vetë atentatorin nga zona e Hasit

Jun 21, 2018 | 8:56
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Kryetar i grupimit “DHJETOR ‘90″, Bislim Ahmetaj, shprehet kundër vendimit të Këshillit Bashkiak të Hasit për të dekoruar si “Qytetar Nderi” ish-deputetin e PS-së, Gafurr Mazrreku, atentatorin e Azem Hajdarit, në shtator 1997 në Parlament.

Në një intervistë për “Panorama”, Ahmetaj, i cili njihet edhe për njohjen e tij personale me Azem Hajdarin, rikthen në kohë ngjarjen që përgjaku për herë të parë Parlamentin shqiptar, ku një deputet qëlloi me pesë plumba kolegun e tij.

Bislim
Bislim Ahmetaj

Çfarë qëndrimi keni ndaj vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak i Hasit për të shpallur “Qytetar Nderi” ish-deputetin e PS-së Gafurr Mazrrekun, njeriun që qëlloi në Parlament Azem Hajdarin?

Ky veprim i këshilltarëve “socialistë” të Hasit nuk duhet të çudisë asnjë mendje normale në këtë vend absurd, edhe pse krahinës së Hasit, qytetarëve të saj, i ka hedhur baltë dhe e ka turpëruar si rrallëherë në histori e vet, të mbushur me vepra krenarie. Ata, këshilltarët socialistë, verbazi kanë ngritur duart e tyre të mpira nga ideologjia ose ndonjë shuk paresh të ndotura nga droga për të shpallur turpin e Hasit “nder” të vetin. Vendimi i tyre nuk i zbeh aspak vlerat dhe meritat e çmuara të Azem Hajdarit. Atij vetëm i rritet shkëlqimi dhe i ndihet mungesa. Ky vendim idiot e dashakeq tregon se sa e dobët është kultura demokratike dhe ligjore në vendin tonë, sa larg Europës jemi, edhe pse Kryeministri leh çdo ditë, me orë të tëra, për të kundërtën. As te ekzistencializmi i Dostojevskit, as tek absurdi i Kamysë, nuk mund të gjesh përgjigjen e sprovave idiote që e majta shqiptare po eksperimenton ndër shqiptarë. Mos i fal o Zot, se e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë.

Ka pasur një konflikt të mëparshëm mes Azem Hajdarit dhe Gafurr Mazreku përpara se të përplaseshin fizikisht mes tyre në seancën e 18 shtatorit 1997?

Në dijeninë time, por edhe nga ato që janë shfaqur më vonë në proceset gjyqësore, ata nuk kanë pasur kurrë asnjë konflikt me njëri-tjetrin. Me përjashtim të atij problemi që lindi në Parlament. Konflikte të atilla lindin edhe sot në Parlament, por që kurrë nuk shkojnë deri në përdorimin e armëve. Plumbat që mori Azemi në Parlament janë shkrehur nga deputeti Mazreku, por prapavija është krejtësisht politike. Shihni Kongresin e 15-të, PPSH u shndërrua në PSSH për një orë. Mazreku zgjidhet në Komitetin Drejtues të PS. Azemi s’kishte gjak me askënd, veç me Partinë e Punës dhe me Byronë Politike, ata nuk ia falën gjakun dhe e pushkatuan para selisë së partisë që ai themeloi në dhjetor të ‘90-s. Sigurisht, që socialistët më pas janë përpjekur të shfrytëzojnë edhe këto problemet zakonore dhe kanunore, të cilat janë më të qarta dhe të mirërregulluara se vetë ligjet.

Pas atij konflikti që është transmetuar edhe në kamera, a ka pasur një komunikim mes Azem Hajdarit dhe Gafurr Mazreku?

Në dijeninë time, pas asaj përplasjeje, Azemi ka shkuar në kafe, ndërsa Mazreku ka shkuar dhe ka mbushur pistoletën. Pistoleta ka qenë e shtetit. Jashtë çdo lloj rregulli, ai është lejuar të jetë në Kuvend i armatosur. Mazreku ka shkuar në kafen e Kuvendit me armën e shtetit dhe ka qëlluar pesë herë në drejtim të Azemit.

A ndikoi kjo ngjarje dhe a ka lidhje ajo me vrasjen e Azem Hajdarit?

Azemi është dënuar me vdekje në vitin 1990 kur ka marrë guximin historik të prijë lëvizjen studentore. Të gjithë janë në dijeni të përndjekjes së tij dhe të realizimit të pesë atentateve, por edhe me veprime frenuese për të zhvilluar idetë e tij politike, madje edhe brenda PD-së, deri kur u arrit fitorja e madhe e të majtës, kur e ekzekutuan Azemin.

PD ka deklaruar që në vitin 1997 se Azemi është qëlluar me urdhër politik. Përse, sipas jush, u zgjodh Gafurr Mazreku për ta kryer atë ngjarje?

Partia e Punës, duke nisur nga 8 nëntori i vitit 1941, misioni i së majtës shqiptare ka qenë përçarje mes shqiptarëve. Ndaj, edhe Mazrreku u përzgjodh, pasi nuk mund të kishte më mirë sesa një deputet i zgjedhur në një zonë me tradita shumë të çmuara demokratike dhe historike, një rreth nga më të persekutuarit e vendit, siç është Hasi. Azemi kishte miq në të gjithë Shqipërinë dhe ata që e morën përsipër vrasjen e tij ishin me uniforma Policie, ishin pikërisht nga Tropoja, për këtë arsye. Ishte synim i të majtëve për të përçarë dhe ku mund të ishte më mirë se te njerëzit e afërt me njëri-tjetrin.

Menjëherë pasi doli nga spitali, Azemi, nga selia e PD-së, deklaroi se ‘e fal gjakun, pasi nuk dua përplasje mes demokratëve’. Ka pasur indicie për ndonjë hakmarrje të mundshme në atë kohë?

Azemi ka qenë demokrat. Është njëri që ra për demokraci, liri dhe atdhe. Duke qenë demokrat, njeri i lirë dhe i hapur, ai ishte një njeri që dinte të falte. Në atë dalje, Azemi i bëri thirrje ndërgjegjjes së miqve dhe bashkëpunëtorëve dhe pjesës më të madhe të trevës së Hasit, që veprimet e Mazrrekut t’i cilësonin si individuale. Ndaj, edhe Azemi deklaroi se me humanizmin dhe ndjenjat e mia, e falte atë që ndodhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura