Si e përjetoj aneksin e Pallateve të Kongreseve

Aug 5, 2020 | 10:45
SHPËRNDAJE

artanfugaa

NGA ARTAN FUGA

Meqë u kthyen përsëri në Këshillin Politik, këtë instancë të shpikur frankeshtejniane, që mban punimet në një si një vend asnjanës te Pallati i Kongreseve, sikur ka turp, a thua se jemi në vijën ndarëse të paralelit nuk e di se sa, midis Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, si një vend neutral midis dy ushtrive në luftë, si shëmtia hapësinore që shpreh të gjithë degradimin e jetës politike të shqiptarëve, të cilën Shqipëria s’e meriton, si dilte në fusha a mullarë me kashtë dikur princi për të takuar ndonjë gocë fshati plot hire, por që babai i princit nuk pranonte ta fuste në kështjellë, si një kasolle në fund të bahçes ku kryhen vepra që nuk janë të denja për sarajin, në një vend ku hyhet nga porta anësore e Pallatit të vjetruar të Kongreseve fitimtare të Partisë-totem, në një haur të kasolles, sepse edhe tamam te Pallati i Kongreseve nuk është, por tek aneksi i shërbëtorëve të Sarajit, një hapësirë që sa herë futem ndiej erën e WC-ve të degraduara në formën e një arome shurre të stokuar me cikla të verdha mbi pllaka banjoje të pista, në një sallë krejt të shëmtuar me përmasa të ekzagjeruara për katër veta të ulur në tavolinë, me përmasa kaq të ekzagjeruara, sa duket si kastravec i rritur me hormone buajsh, çka tregon jo vetëm për buzjen e iniciuesve për atë instancë që nuk gjendet në asnjë qitap të Republikës, por edhe konsideratën e padrejtë që kanë për ata që mblidhen aty, por këta e pranojnë si një çadër të madhe ushtrie, e adaptuar për të luajtur oficerët domino, hapësirë që zhvleftëson çdo protokoll të shtetit, me një emër me punë vullnetare “Këshill” që nuk ka pikë lidhje me atë që ndodh aty, sepse vetëm këshill nuk është, quajtur me fjalën këshillë që të kujton shëllirë, shprehja më e qartë se çështjet e mëdha i zgjidhim jo në vendin e duhur, gjithsesi ta demokratizojmë Kodin Zgjedhor, a thua opozita është me Covid dhe nuk futet dot në pallatet e shtetit, në zyrat e Kuvendit, si një vend i ndaluar, si moskthim te vendi i ndaluar, si etiketë që i ngjit vetes si politikë rruge, ah sa keq!

Jashtëparlamentare, jashtë!!!. Ka doktorë, juristë, ekonomistë në opozitë, por a ka një arkitekt t’i thotë se hapësira ku ndodh ngjarja është gjuha e kodifikuar më e rëndësishme, më e sinqertë që jep kuptimin e ngjarjes? Ka nevojë të njohësh filozofinë e Edwart T. Hall dhe “the hiden dimension” të hapësirës për ta ditur këtë? Nuk e di pse ai aneks, ku në bodrum janë pa fund WC urinimi, më kujton aktin e rikthimit në urinim disa herë në ditë të vizitorëve të Panairit të Librit, sëmurë me një fillim prostate!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura