“Si e njoha në Spaç, kosovarin Nazmi Berisha dhe historia e tij e dhimbshme pas ardhjes në Shqipëri, ku Sigurimi…”/ Dëshmia e Kaso Hoxhës i arratisur në SHBA

Sep 11, 2020 | 18:25
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Kur aktori i madh Ndrek Luca ishte në shoqërinë e Gramoz Pashkos dhe avokat Ngjelës…

E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

20200909_212258

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

IMG-20200903-WA0025

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numri i kaluar

Kthimi nga “Kaushi” i Tiranës, në kampin e Spaçit

Këtë herë u ktheva në Spaç pak më mirë nga gjëndja shëndetësore. Megjithëse doktori ushtarak në Spitalin-Burg kishte lëshuar deklaratën “i pa aftë fizikisht për të punuar”, unë kisha frikë se komanda e Spaçit do të më fusnin përsëri për të punuar në galeritë gjithë tym e helme. Mundohesha të shmangia çdo lëvizje brënda burgut, duke e kaluar kohën më të madhe me studim. Lexoja çdo lloj libri që më binte në dorë.

Shokët si gjithnjë më ishin pranë. Në krah tim kisha doktor Vasil Zogën, një njeri i urtë dhe bujar. E kam të vështirë të shpreh me fjalë simpatinë më të madhe ndaj këtij njeriu të sjellshëm. Krah tij flinte Muhamet Karremi, një tjetër njeri i urtë, që nuk fliste pothuaj fare me njerëzit që nuk i njihte. Predikimet e tij beheshin realitet. Ai pothuajse çdo ditë u shikonte filxhanët të burgosurve.

20200910_202621

Një ditë e pyeta “xha Muhamet, të gjithëve ua ke lexuar filxhanin ndërsa mua jo”?!

-“Sille filxhanin Kasëm me shumë kënaqësi”, më tha ai.

Doktor Vasili, më bëri një kafe dhe e piva, pavarësisht se ai nuk ishte filxhan për atë punë. E ktheva përmbys dhe pasi e mbështolla me gazetë, erdha tek krevati. Xha Muhameti ishte i zënë me të burgosurit e tjerë, dhe pasi ai ngeli me dy të fundit, i’a dhashë filxhanin.

Ai filloi të studjojë njollat e thara të kafes në filxhan dhe më tha: “Kasëm familja jote është shumë e varfër, babai ka kohë që të ka vdekur. Mamaja jote merakoset shumë për ty. Ajo është duke ardhur në Spaç për të të takuar. Gjithashtu tri motrat e tua, duan të vijnë të të takojnë por nuk munden. Këtu del se ti ke dhe një vëlla me baba tjetër”.

Unë u befasova dhe thashë sesi është e mundur që ky plak të shihte diçka në atë filxhan që unë kurrë nuk kisha biseduar gjëra intime të familjes sime. Kjo më bëri të dyshoj se ky plak shihte diçka aq larg, që ne të tjerët se shihnim!

“Po xha Muhamet, nëna ime është martuar dy herë, dhe nga martesa e pare, kishte një vajzë që e quanin Dilo, dhe një djalë që e quajnë Laze. Çfarë më ke thënë deri tani është e vërtetë”!

Xha Muhameti vazhdoi: “Kasëm, ti ke dhe dy vajza të vogla që mezi presin të të shikojnë, por gëzimi i tyre do jetë i shkurtër. Ti do të sjellësh në jetë një djalë, emrin do t’ja vësh të krishterë dhe njerëzia do të t’marrin inat. Por, ti do jesh shumë larg nga shtëpia. Këtu do fillojë vuajtja e madhe për këta jetimë”.

Ai e pa që unë u trondita nga kjo e ardhme fatzezë, sidomos për ato dy fatkeqë që akoma nuk kishin lindur. Por xha Muhameti vazhdoi: “Mos u merzit Kasëm, ajo që ka për të ndodhur do ndodhi. Ti personalisht nuk do ta bësh të gjithë burgun. Shoh për ty që ti do jesh shumë larg me familje të re. Ti mendon se jeta jote ka mbaruar, por je gabim. Ti do rrisësh dhe tre fëmijë të tjerë, dy vajza dhe një djalë. Me ndihmën tënde do i marrësh me vete. Por njëra vajzë e madhe do ngelet këtu, ku do lodhet shumë. Ti do jesh babai i shtatë fëmijëve. Gruaja jote e parë do sëmuret psiqikisht rëndë dhe do vdesë, me brengën që të humbi ty!.

Unë isha shtangur në fund të krevatit dhe fërkoja sytë sikur të isha zgjuar nga një gjumë i rëndë! Sikur pashë një ëndërr të së kaluarës dhe të ardhmes sime, ëndërr që, më trëmbi më tepër për të ardhmen e zezë të familjes sime. Më çuditi predikimi i xha Muharremit për të kaluarën time, që ishin të gjitha të vërteta. Unë atij i kërkova nëse ishte e mundur të më jepte mësime për shkencën e tij astrologjike. Ai buzëqeshi dhe me atë urtësinë e tij më tha: “Pse jo Kasëm, me kënaqësi, sepse ti je një njeri i etur për dije”.

Të nesërmen, ai më dha mësimet e para në këtë shkencë, sa misterioze, aq edhe interesante! Nuk vonoi shumë dhe profecia e parë e xha Muhametit doli. Nëna, me shumë mundime erdhi në Spaç. I’u deshën katër ditë që nga Markati deri këtu. Ajo më tregoi gjithë peripecitë e atij udhëtimi, katër ditë pa ngrënë e pa pirë, deri sa mbërriti në Laç, në stacionin e trenit.

2

Asnjë makinë nuk e mori atë plakë të verbër që ta sillte në Spaç! Natën rreth orës 12, e ulur me torbën me nja pesë kg. ushqime, nëna po qante. Aty i ishte afruar një burrë që e kishte parë dhe si duket i kishte ardhur keq. Ai e kishte pyetur dhe nëna përmes ngashërimeve i kishte thënë, se pavarësisht lutjeve, asnjë makinë nuk e kishte marrë! Ai e kishte pyetur se ku donte të shkonte dhe nëna i kishte thënë, se: ‘dua të shkoj në Spaç, që të shoh për herë të fundit djalin e sëmurë, sepse sytë po më lënë’.

Ky burrë që e kishte emrin Myfit Sala, e kishte marrë nënën në shtëpinë e tij. Sipas zakonit, gruaja e tij i lau nënës këmbët dhe i shtroi të flinte në dyshekun më të mirë. Të nesërmen, ky njeri i mirë e çoi nënën tek kryqëzimi i katër rrugëve, ku me një makinë e nisi në Spaç. Ajo ma tha këtë histori pa marrë frymë dhe më tregoi se: ‘ke një vëlla në Laç, me emrin Myfit Sala’.

Në atë takim me nënën, më tepër qanim, duke vështruar njëri tjetrin, sesa folëm! Ajo u largua duke qarë dhe unë u merakosa shumë, sesi kjo plakë e verbër, do të gjente rrugën për në kasollen e saj të varfër qindra kilometra larg! Në një letër që mora disa kohë më pas, mësova se ajo vuajti shumë dhe kishte fjetur në kryqëzimin e rrugëve, me netë të tëra!

Në letrat e tjera që i shkrova, i’u luta që të mos e bënte më atë udhëtim për mua, duke i thënë të mos të më dërgonte lekë dhe pako me ushqime. Nëna nuk hante gjë për të më mbajtur mua gjallë. Ajo ishte bërë kockë e lëkurë dhe nuk peshonte më tepër se 30 kg! Kjo gjëndje e mjeruar e saj, më hidhëroi më shumë.

Si e njoha në burg Nazmi Berishën, nga Kosova?

Një ndër këto ditët në Spaç, takoj Nazmiun, i cili më tregonte historinë e tij të dhimbshme.

-“Po të tregoj se çfar më ndodhi 15 vite të shkuara”, tha Nazmiu, duke tundur një torbë të vogël që mbante pranë dishekut të tij. Nxorri një copë të madhe sallami (suxhuk), e bëri disa copa me bishtin e lugës së aluminit. Më ofroi një copë mua, duke më thënë se: ‘ja dërgoi familja nga Kosova’. Unë u ngopa vetëm me aromën e mirë që lëshonte, se s’kisha shijuar kurr në jetën time deri atë ditë, sallam të a tillë! E falenderova për bujarinë dhe i’u luta të vazhdonte bisedën.

-“Po, isha i ri, 18 vjeçar, kur erdha në Shqipni, duke menduar se vëllezërit tanë, do të na edukonin në shkolla, për t’u bërë dikushi në jetë. Por ndodhi e kundërta, qeveria e Enver Hoxhës, na internoi në fermat e Lushnjes, duke na dënuar me punë të rëndë, për të fituar copën e bukës! Nuk e durova dot atë jetë dhe i thashë një shokut tim kosovar, ‘më mirë të shkojmë në Jugosllavi e në burg atje, se sa skllevër këtu në baltën e Lushnjes’.

Vendosëm të kthehemi në Kosovë. Morëm një autobus deri afër Tiranës, pastaj një makinë deri në Laç, e që andej një tjetër makinë deri në Shkodër, ku arritëm vonë në mbrëmje. Ishte verë, s’kishim as lek për hotel dhe mbetëm jashtë aty tek agjensia e makinave. Vendosëm të shkonim me këmbë drejt kufirit me Malin e Zi. Pyetëm një fshatar për të prerë rrugën më shkurt. Por ky njeri njoftoi organet e Sigurimit, që nuk vonuan të na kapin, jo shumë larg kufirit. Na çuan në Degën e Brendshme në Shkodër dhe nga andej në degën e Brendshme Lushnje. Na mbyllën veç e veç në qeli, gjatë hetuesisë.

Kisha më tepër se një javë në qeli të Degës së Lushnjes. S’erdhi njeri të pyeste pse ishim të burgosur! U ankova dhe bëra grevë urie. Më në fund erdhi një oficer i Sigurimit, i cili ishte hetuesi, që do të përpilonte akt-akuzën “Tentativë për arratisje”. Ai më futi në zyrë, ku tavolina dhe karriket ishin të mbërthyera në dyshemenë e zyrës.

– “Hë, tha hetuesi, fol, ku donit të shkonit në atë zonë kufitare”, vazhdoi të pyeste ai.

Unë nuk j’u përgjigja fare, dhe s’doja t’ja dija se çfar kërkonte nga unë ky njeri, pasi isha ngopur me socializmin e Enverit.

– “Hë… do flasësh apo jo”, tha ai me inat.

Unë rrija si mumje dhe s’nxorra zë!

Ai u afrua, më rrëmbeu nga këmisha duke më tundur dhe bërtiti: ‘Do flasësh apo jo’?!

Unë heshtja, më ishte zhuritur shpirti, uria është torturë e madhe, por torturë më e madhe është, kur pi duhanin dhe s’ke cigare të helmosh trutë me nikotinë!

-“Do flas’, i them, ‘në se më jep një cigare, më ka ardhur në majë të hundës, s’duroj dot më”.

Ai e nxorri paketën, më dha cigaren dhe ma ndezi. E thitha aq thellë, saqë gjysma e cigares u dogj dhe me herë të dytë, cigarja mbaroi! E shfryva tymin e grumbulluar në mushkri, shtëllunga pas shtëllungash.

-“Hë u kënaqe? Fol tani, ta bëra qefin”, tha oficeri i Sigurimit!

-“Zotëri, do flas, në qoftëse më jep dhe një cigare tjetër, ta mbaj në gojë”, i’a ktheva.

Ai më vuri re me vërejtje, e kuptoi se më kishte plasur hunda për nikotinë dhe e nxorri paketën përsëri, duke më dhënë edhe një cigare tjetër, e pasi ma ndezi tha: ‘Fol’!

-“Zotëri, isha gjimnazist në vit të katërt dhe dëgjoja në radio lajmet e Shqipnisë. E doja Shqipninë, dhe kjo më shtiu atë ditë pranvere, të vendos të shkoj në Shqipëri, për një jetë më të mirë, pasi në Kosovë ishim të persekutuar e shtypur nga qeveria e Jugosllavisë. U ktheva nga shkolla në shtëpi, por nuk e gjeta nënën! Hëngra pak ushqim dhe prisja nënën të kthehej, e t’i thoja se ‘unë po iki në Shqipëri’.

Pas pak, ajo u kthye duke qarë. Më dhëmbi thellë në shpirt, çfar gjëme e kishte gjetë nanën time?! I’u luta të më tregonte.

-“Biri im, më tha nëna”, i’u luta duke qarë edhe unë bashkë me të.

-“Biri im ç’pësova aty ku laja rrobat në buzë të Drinit të Bardhë më ra… (organet gjenetale) në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit…!

-“Palaço’, bërtiti hetuesi, ‘flet banalitete”, vazhdoi oficeri i nervozuar.

-“Nëse doni ta dëgjoni zotëri”, ia ktheva.

-“Vazhdo”, urdhëroi ai.

-“Ta dini se sa u hidhërova për atë humbje që pësoi nana ime. E ngushëllova, i premtova se do ta gjej. I lash lamtumirën nanës time të dashur, mora një shkop në dorë shkova në breg të Drinit të Bardhë, aty ku nana lante rrobat, zura bregun gjatë rrjedhës së lumit, duke kërkuar atë që humbi nana ime, shkova buzë Drinit në gjithë tokën Shqiptare, por nuk gjeta asgjë. I rashë anë e mbanë tokës Shqiptare, u lodha, u mërzita, u disiluzionova nuk e gjeta “P…. e Nanës”, tani dua të kthehem në Kosovë, t’i them nanës, mos të vdes me brengë, se nuk e gjeta! Ky është krimi im zotëri, dua të kthehem në shtëpinë time!

Megjithatë u bë gjyqi dhe më dënuan me 25 vjet burg. Kam vite që dergjem në burgjet e diktaturës. Jam i sëmurë rëndë me tuberkuloz, Kasëm. Zoti na shpëtoftë”, përfundoi Nazmiu tregimin e tij me ironinë therëse, për atë që kishte pësuar në jetë.

Unë mbeta i impresionuar nga rrëfimi i Nazmiut dhe ditën tjetër, ai u largua për në burgun e Ballshit. I urova lirim të shpejtë duke e ditur se nuk do ta shihnim më kurrë njeri-tjetrin! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura