“Si e ngjiti në skenë Zhizelin, Agron Aliaj, në vitin 1988”

Nov 9, 2018 | 14:52
SHPËRNDAJE

ALBERT JANKU*

Tek nis të shkruash për një shfaqje baleti, ku shpirti dhe drithërimat vetjake përcjellin shqetësime intelektuale mirëfilli edhe profesionale; kur ndien sa herë që përballesh me nivele të arrira, nuk ka sesi të mos hedhësh vështrimin prapa, në historinë e baletit “Zhizel”, ikonë e romantizmit europian. Adolf Sharl Adam e ka lënë mënjanë, çka format e deriatëhershme në muzikën e baleteve pengonin trajtimin më të thellë të zhvillimit të dramaturgjisë, karakterit të personazheve dhe vlerave, së pari të marrëdhënieve të tyre e të qenurit iluminist për të jetuar të ardhmen.

Kjo vepër, jo vetëm forcon dhe i jep emocione rrugëtimit muzikor, por është çast i thellimit të një epoke të re në koreografi. Kompozitori i baletit “Zhizel”, së pari u mbështet në një libret të kuruar mirë, u frymëzua nga një ngjarje afër dhe larg realitetit, të bazuar në një legjendë, atë të Vilisave. Ndaj, në aktin e dytë, disi mistik të këtij baleti, pavarësisht reagimit të drejtë ndaj veprimit të dobët të Albertit nga Vilisat me Mirtën në krye dhe dënimit që merr ai nga këto vajza të transformuara në qenie pothuaj engjëllore, autorët megjithatë i kanë dhënë vlerën e besueshme të një drame që zhvillohet pothuajse në një realitet tokësor. Ata (Vilisat) e hedhin në harresë dhe e neverisin veprën e dobët të personazhit tjetër në balet Hilarjo /Hans/, ndërsa Albertin dhe dashurinë e tij ndaj “Zhizelit” nuk e besojnë ndaj dhe nuk e pranojnë. Por sidoqoftë, autorët e muzikës dhe koreografisë e lënë të monumentalizohet dashuria e çiftit në veprimet e finales së shfaqjes. Ata e risjellin te spektatori, e ringjallin si një ëndërr dashurinë e Zhizelit dhe Albertit të parealizuar, por që nuk mund të harrohet. Koreografia e krijuesve të këtij baleti Zhan Koral e Zhules Perot në Paris më 1841 dhe rivënë më vonë nga Marius Petipa jeton dhe shfaqet për gati dy shekuj.agron aliaj

Ajo rikthehet dhe luhet përsëri pas çdo tentative për retushim apo ndryshime të panevojshme të ndonjë skene që bëhet nga autorë të tjerë. Ajo vjen përsëri e bukur, autentike dhe ka rezistuar e pacenuar në tërësinë e saj, ashtu siç ndodh me veprat e Bethovenit, Çajkovskit, që nuk mund t’u ndryshosh nga partitura e tyre asnjë pasazh muzikor. Nuk mund të krijohen vepra kësisoj të përsosura koreografike, nëse ato nuk mbartin vlera së pari estetike në libret, koreografi dhe muzikë. Libreti i tij është i shtrirë në një përshkrim tërësisht jetësor dhe fillon e merr jetë atëherë kur festa në një fshat, puna dhe dashuria e fshatarëve bëhet strehë e një dashurie, që kurorëzohet në mes luleve për të vazhduar më tutje në tragjedinë e një vajze fshatare që në mes lumturisë që po përjeton vritet nga gënjeshtra, pabesia dhe intriga.

E gjithë kjo ndodh në aktin e parë për të vazhduar tek i dyti, ku lumturia dhe gëzimi i aktit të parë jo vetëm zbehet pothuaj fare, por spektatori jeton çaste ankthi, që është pasojë e rrjedhim i një dashurie të vrarë, të plagosur, që nuk mund ta mohosh plotësisht e ta quash të paqenësishme vetëm se nuk arriti të realizohet. E ndërtuar dhe e krijuar me një koreografi të brishtë tradicionale, ku lëvizjet perla të baletit klasik përshkruajnë tablo me shumë kolor dhe formë stilistike të përkryer, të mbushur me vibrime që reflektojnë dhe sjellin më të mirën e asaj që është krijuar në të shkuarën e koreografisë, ka mbetur dhe është në repertorin më të preferuar të çdo teatri në botë.

Janë të shumtë ndër dekada artistët kudo janë ndodhur në botë që me interpretimin e tyre e kanë pasuruar përmbajtjen dhe historinë e kësaj dashurie që zhvillohet në këtë balet. Tashmë, personazhi i Zhizelit është pagëzuar një “Hyjneshë” në repertorin e baletit botëror dhe kushdo që i afrohet këtij personazhi ta interpretojë, së pari, shfaq drojë dhe pret la luajë kur arrin pjekurinë artistike për të përballuar emocionet dhe transformimin, goditjen e madhe psiko-shpirtërore që pëson Zhizeli e transformimin nga akti i parë në të dytin. Edhe Alberti është një ndër figurat shumë delikate dhe të vështira në trajtimin e episodeve që është ndërtuar ky personazh. Në kujtesën e disa brezave dhe informacioneve të trashëguara nga e kaluara janë të dokumentuara sot arritjet dhe realizimet e përkryera të kësaj figure historike të baletit nga elitar të interpretimit skenik të baletit botëror që me shenjat e lëna nga ato e kanë pagëzuar këtë personazh, siç e thamë më lart, në një “Hyjneshë”.

Të paarrira janë Galina Ullanova në Rusi, Karla Fraçi në Itali, Morget Fonten në Angli e të tjera pas tyre. Të tillë janë dhe Sergej, Nurijev, Daull, Borishnikov me personazhin e Albertit. Ëndrra dhe dëshira e Agron Aliajt, vendosmëria dhe qartësia e tij për të angazhuar përsëri trupën e baletit në udhën e harruar të baletit klasik filloi të merrte jetë në fundin e viteve 1988, kur ai këmbënguli të vihet në skenë baleti “Zhizel”. Ai insistoi dhe konkludoi të vërë në skenë një variant të realizuar nga baleti amerikan, që në trajtimin e libretit nuk mungonte të theksohej dallimi dhe përbërja e shtresave shoqërore të ndryshme të Zhizelit dhe Albertit, por njëkohësisht theksohej marrëdhënia e dy protagonistëve në planin shpirtëror, në zbërthimin e karaktereve derisa aty pendimi dhe dëshpërimi i Albertit është dhe merr formën e faljes së madhe dhe hyjnizimit të një dashurie pa limit, deri në infinit. Zhizeli dhe përtej jetës tokësore është trajtuar nga autorët që për asnjë moment të mos zbehë dashurinë e saj ndaj Albertit. Edhe në shfaqjen që realizoi Agroni, idealizoi lidhjen e dashurisë së tyre në përjetësi, përtej pengesave që atyre u ndodhën mbi Tokë. Ai, në fund të shfaqjes, nuk i ndan të dashuruarit, njërin nën Tokë dhe tjetrin mbi Tokë.

Zhizelin nuk e kthen te Vilisat, por pasi i dhuron një lule Albertit me dhimbje, shikon reagimin e tij i zhytur në pendesën e madhe për atë që prishi, por që do të mbetet në përjetësi si bashkimi i shpirtrave të pafajshëm. Kjo finale të jep idenë se Albertin dhe Zhizelin i mban të bashkuar fija lidhëse e energjisë që përshkon hapësirën ndarëse të largësisë së Albertit mbi tokë dhe Zhizelit në qiell si një shpirt i vetëm. Dihet që në aktin e dytë të kësaj shfaqjeje, vajzat e zhgënjyera nga mungesa e sinqeritetit të djemve në dashuri, nuk e gjejnë veten në mes të të gjallëve dhe në dëshpërim bien në krahët e vdekjes. Ato kthehen në Vilisa /Zana/ dhe dënojnë çdo njeri që afrohet tek ato. Në rastin tonë Zhizeli, e kthyer në Vilis bën të pamundurën ta falë Albertin dhe bie në kundërshtim me Vilisat e tjera. Ajo nuk mohon ekzistencën e dashurisë dhe këtë e ka materializuar Agroni me veprimet dhe dialogët në situatat skenike që e memorizojnë këtë ide.

Ai me shumë finesë e trajtoi këtë, duke ruajtur dhe këmbëngulur në frymën romantike të veprës, e cila forcohet edhe nga interpretimi i materialit koreografik nga artistët që i vënë theksin anës shpirtërore, marrëdhënies intime të dy personazheve, ku dallohet dënimi i gënjeshtrës pa e mohuar dashurinë, pra, e aksentojnë dramën që pëson në ndërgjegje Alberti pas gabimit që bëri kur Zhizelit nuk i tregoi të vërtetën. Me vënien në skenë të këtij baleti në vitin 1988 u dallua në interpretimin e këtyre personazheve Mukades Jerebara, Albana Sulejmani, Ilir Kerni, Ludmill Çakalli, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhakoxhiu. Në turneun e zhvilluar një vit më vonë në Itali, u ndryshua rrjedha dhe finalja e shfaqjes. U vu në skenë varianti origjinal i premierës së dhënë në Paris më 1841 me koreografi të Zh. Karol e Zh. Perot. Shfaqja gjeti shtratin e saj dhe u përmirësua në formë dhe stil. U vu në skenë nga koreopetitorja franceze Zhaklin O. Hin.

Në vitin 2012 Agroni e pruri përsëri në skenë këtë shfaqje. Ai ndaloi dhe e pasuroi aktin e parë, ndryshoi finalen pak si ndryshe nga edicioni i vitit 1988. Shtoi masivitetin në skenat masive dhe në aktin e dytë insistoi përsëri në përjetësimin e dashurisë së vrarë. Natën e parë interpretuan në personazhet kryesore solistët tashmë të formuar dhe me eksperiencë, Enada Hoxha dhe Gert Vaso. Ata kanë interpretuar atë mbrëmje dhe kanë shpalosur edhe një herë vetitë e tyre më të mira, duke marrë duartrokitje të ngrohta nga publiku. U prit me interes premiera e dy artistëve e dhënë mbrëmjen e dytë të kësaj shfaqjeje, Greta Hysi dhe Marlon Bino. Ata luanin për herë të parë në skenën e TKOB këto personazhe, kështu që interesi për të ndjekur interpretimin e tyre ishte i madh. Greta Hysi në personazhin e Zhizelit ishte një ngjarje e bukur për atë vetë, por edhe për ata që baletin e shohin si artin që sjell jo vetëm vlera artistike specifike të patjetërsueshme, por që estetikën dhe formën e kërkojnë të përkryer në harmoni, edhe me hijeshinë dhe të veçantën në mes të zakonshmes. A nuk është e tillë në kujtesën tonë Ambeta Toromani që jeton dhe punon në Itali dhe i mungon skenës sonë.

Greta Hysi është një artiste që punon dhe përkushtohet deri në sakrifica për të përballuar me nivel teknologjinë e baletit klasik, me shtatlartësinë e saj maksimale për një balerinë. Është pasioni, dashuria e Gretës për baletin, që në interpretimin e saj dallohej përkujdesi profesional për gjithçka që mbart pasuria në shfaqje e episodeve lirike dhe dramatike e për rrjedhojë insistimi i saj për të përballuar me sukses tekstin koreografik me gjithë teknikën dhe stilin që përmban personazhi. Ajo kishte në krah një partner pak apo shumë i veçantë nga dhuntitë dhe kultura në ekzekutim dhe interpretim.

Ky ishte Marlon Bino, artist solist në një nga qytetet e dëgjuara të Gjermanisë, që punon prej kohësh pranë teatrit të vendit nga vjen. Performanca dhe interpretimi i tyre ishte një risi për shfaqjen e këtij baleti. Ishte një ogur i mirë kontakti i parë i Gretës dhe Marlonit, që i dha besim Gretës dhe shumë të tjerëve se kjo performancë do të ishte e suksesshme dhe e rrallë. Dhuntitë e tyre të shumta fizike dhe formimi artistik i fituar ndër vite si pasojë e një trajtimi të drejtë profesional u vu re dukshëm në duetet, monologët, variacionet, por dhe situatave dramatike që përcilleshin me tingëllim kumbues në të gjithë gjymtyrët e tyre, në harmoninë e përjetimit emocional dhe saktësinë teknike. Greta e mëshiroi monologun e fundit të aktit të parë me kualitetet e një artisteje, që di të administrojë mirë emocionet dhe të dallojë kontrastet e ndryshimet në muzikë. Ajo e realizon këtë edhe kur heshtja është më tronditëse se tingëllimi i fuqishëm dhe kur këtë të fundit e harmonizon me lëvizjen dhe turbullimet shpirtërore, pa prishur ekuilibrin e balancën mes koreografisë dhe muzikës së tërë.

Gjithashtu, Marlon dhe Greta në aktin e dytë ishin kujdesur shumë që në duetet dhe marrëdhëniet në mes tyre të mbanin mirë të veshur petkun e stilit klasik të kërkuar dhe frymës romantike të ngjarjeve, emocioneve që mbulon përmbajtjen e shfaqjes në tërësi. Atë mbrëmje spektatori ndoqi dhe përjetoi për dy orë atmosferën dhe epokën e një kohe të shkuar, që nuk kishte se si të mos duartrokitej fort në interpretimin e dy artistëve me kapacitete dhe talent të admirueshëm. Në historinë e baletit botëror interpretimi i këtyre dy personazheve dhe të tjerëve në repertorin botëror në nivele të larta, kërkon aftësi profesionale dhe teknikë brilante nga cilido artist. Është për t’u vënë në dukje që për të interpretuar këto personazhe lipset të jenë injektuar në përbërjen e artistëve kapacitete dhe kualitete që statura artistike të jetë e përkryer në stil, formë, delikatesë, kulturë me ngjyrë të theksuar të klasikoromantikes.

Të jenë artistë të edukuar që në fëmijëri me etikën që rrjedh nga ndjeshmëria drithëruese e një shpirti që edukohet dhe pasurohet si intelekt me dallime në mes të tjerëve, që jetojnë bashkë ata që nuk i mbartin këto vlera. Janë artistë të përkushtuar përjetësisht ndaj baletit klasik, të tillë që arrijnë të jenë krejtësisht të besueshëm kur interpretojnë këto personazhe. Jo vetëm pasioni, talenti dhe zotësia ndihmojnë për të arritur këto standarde, por duhet të jetë edhe sakrifica ajo ku përkushtohen artistët për të arritur këtë sukses. Ndaj dua të përsëris që nuk është e mundur që një artist i baletit klasik, për hir të interesave komerciale të çdo lloj natyre, të abuzojë dhe të mos mund të realizojë në nivel të mirë personazhe të tillë, kur ai më shumë se gjysmën e kohës fizike që i duhet të mbajë në formë superbe nivelin e tij, aktivizohet në zhanre të kërcimit, në ato që për çdo ditë shikojmë në ekranet televizive.

Nuk ka se si të mbash standard të lartë në dy zhanre të ndryshme kur orët më të shumta të ditës një artist i baletit klasik i kalon në studiot ku ushtrohen kërcimet latine apo hip-pop, breakdance e të tjera të respektueshme, ndërsa në mbrëmje ose të nesërmen, shumë-shumë pas pak ditësh, me një trajtim të shpejtë e përciptas të krijosh një gjendje krejtësisht të ndryshme shpirtërore, fizike, emocionale që mund të përballojë elasticitetin, teknikën dhe koncentrimin absolut përmbajtjesor që kërkojnë personazhe, si Zhizel, Kitri, Zhuljeta etj..

Nuk mundet të arrish të impostohesh dhe t’i imponohesh auditorit në kohë kaq të shkurtra në një epokë ku stili, forma, estetika, kultura dhe mbi të gjitha statura, qoftë kjo fizike është krejt e ndryshme nga vallëzimi në shfaqjet televizive ose kërcimeve të pastra pa një rrëfim dramatik dhe emocional, të cilën mund ta mbartë vetëm një shfaqje e madhe baleti, që shprehjen e fabulës dhe zhvillimin dramaturgjik e materializon me gramatikën e baletit klasik dhe neoklasik. (*Artist i Merituar, Mjeshtër i kërcimit)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura