“Si e mashtroi Sigurimi i Shtetit, ‘Babushin’ nga Margëlliçi i Çamërisë, i cili pasi u arratis në Greqi…”! / Rrëfimi i Ylli Tabakut, si vuajti 27 vite në burgjet komuniste

Apr 24, 2022 | 7:38
SHPËRNDAJE

Nga Ylli Tabaku/Pjesa e dytë! 

4-6

Memorie.al publikon kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, me origjinë nga Tirana, pinjoll i një prej familjeve të pasura të kryeqytetit, ku babai i tij, Ramazan Tabaku, pasi kishte dhënë ndihma dhe shuma të mëdha financiare për çetën e Pezës gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, pas mbarimit të Luftës, për kontributin e dhënë, u emërua si Kryetar i Entit të Grumbullimeve dhe në 1947-ën, u dënua me burg të përjetshëm në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, gjë e cila kishte ardhur pas një debati që ai kishte bërë me Enver Hoxhën te Hotel “Dajti”, ku i kishte kërkuar atij të mos sekuestronte pasuritë e atyre që kishin ndihmuar Luftën.

Kalvari i gjatë i Ramazan Tabakut në burgjet komuniste dhe persekutimi i egër i të gjithë familjes së tij, ku duke filluar nga bashkëshortja dhe pothuaj të gjithë djemtë e vajzat e asaj familje, që përfunduan burgjeve e kampeve të internimit, deri në shembjen e atij regjimi, apo dhe mundën të arratiseshin nga Shqipëria.

Të gjitha këto përshkruhen në kujtimet e Ylli Tabakut, (të publikuara në librin e tij “Arratisja”, botim i Institutit për Studimin e Pasojat e Krimeve të Komunizmit, me parathënie të studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi), i cili vuajti plot 26 vjet, e 8 muaj e 24 ditë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe mundi që të largohej nga Shqipëria në vitin 1990, (me ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave), duke jetuar në Gjermani, deri në vitin 2021, që u nda papritur nga jeta, pa e parë të botuar librin e tij!

Kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, që vuajti 26 vjet e 8 muaj e 24 ditë, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës

Në internim, vitet 1956-1960

Mbas 10 muajsh, ne, morëm një telegram nga Jugosllavia, ku shkruhej: “Jemi mirë, Vera dhe Shabani”. Një muaj mbas telegramit, erdhi një kamion me disa forca policore që na komunikuan se internoheshin për pesë vjet, në Savër të Lushnjes.

Unë, në atë kohë, ndodhesha në shkollë. Aty erdhën dy polic dhe më kërkuan. Ishte viti 1956, pra unë isha 14 vjeç, por si fëmijë, kur pamë policët u afruam, kur dëgjova emrin tim. Mësuesja, që ndodhi të ishte mësuesja kujdestare i’u përgjigj: – Me siguri jeni gabim, Ylli Tabaku është nga nxënësit më të edukuar dhe shembullor, ai nuk është rrugaç.

Atëherë Polici ia ktheu:- Është i edukuar por është armik. Uaa, thashë me vete, paskam një status, qenkam armik! Por, se armiku i kujt isha?! Këtë nuk e mora vesh gjithë jetën. Të dy policët më morën me vete, më futën në mes dhe më dërguan në shtëpi. Në rrugë pashë një kamion të ngarkuar me plaçka dhe mbi to ishin ulur njerëzit e familjes time. Më ra në sy një nga motrat e mia, Drita, e cila po qante, por sapo më pa mua, fshiu lotët dhe vuri buzën në gaz, si për të më dhënë zemër dhe tha:-Hajde, shpirti motrës, se ne prapë do ja dalim. Unë hipa në makinë e cila mori drejtimin për nga Lushnja.

Kur mbërritëm në Savër, balta ishte deri në gju. Shkarkuam atë grusht plaçkash që kishin mbetur dhe na futën në një dhomë shumë të madhe, që dikur kishte qenë çerdhe. Aty ishin strehuar disa familje dhe kishin bërë ndarje me batanije. Ashtu bëmë dhe ne, zumë një qoshe, varëm disa litarë dhe mbi to batanijet. Kështu u krijua një si tip dhome. Aty jetonim gjashtë familje, shumica gra dhe fëmijë.

Në mëngjes binte çanga dhe ne ishin të detyruar të paraqisnim prezencën tonë. Në fillim burrat, pastaj gratë. Dilte një kapter policie dhe na bënte apelin, thërriste emrat. Ne ishim të detyruar të thonim vetëm, “këtu”. Dy motrat, më të mëdha, filluan punën në ndërtim. Ndërsa nëna dhe motra e vogël, u punësuan në bujqësi, ndërsa unë vazhdoja shkollën.

Në internim jeta ishte shumë e vështirë edhe ekonomia shumë e dobët. Tualetet ishin njëzet metra larg banesës. Për dushe as që bëhej fjalë. Ngrohnim një kazan me ujë dhe futeshim në disa kabina pa dyer, që i mbyllnim me batanije dhe laheshim me kanoçe. Dënime të tjera suplementare nuk kishte, por këto mjaftonin me ta nxi jetën.

Në vitin 1957, tre muaj para se të na internonin, u arrestuan dhe u dënuan dy vëllezërit e mi, Hyseni, për bisedë arratisje dhe Engjëlli, për mos denoncimin e Hysenit. Ceni u dënua me 15 vjet burg dhe Engjëlli me pesë vjet burg. Ndërkohë që shtëpia jonë ishte mbushur me oficerë dhe policia që po kontrollonin çdo cep, Ceni, se kështu e thërrisnim ne Hysenin, gjeti rastin dhe më tha:- Shko në park dhe tako Shefqet Periun dhe i thuaj se Cenin e arrestuan, ai nuk besoj se i duron më tepër se 15 ditë torturat. Unë kreva porosinë, duke i thënë çfarë ndodhi Çetit, atëherë ai, ia transmetoi këto fjalë Seid Çokut, ndërsa Halit Metës, nuk i thanë gjë, se këta të tre ishin shokët e vëllait tim.

Atëherë Seidi bashkë me Çetin, morën një nga makinat e tyre dhe u nisën për në Bulqizë, gjoja për krom, në fakt ata u nisën për t’u arratisur. Në kufi ata ranë në përpjekje me forcat kufitare. Shefqetin e vranë në vend, ndërsa Seidi u kap i plagosur dhe u dënua me 25 vjet burg. Ndërsa Halitit, i cili kishte dijeni për këtë grup, u dënua me 20 vjet burg. Mbas tre muajsh filloi internimi ynë. Pra, gjatë kohës që ne ishim në internim, dy vëllezërit dhe babai ishin në burg.

Tentativa për arratisje, arrestimi më 10.12.1960 dhe dënimi i parë me 18 vjet burg

Në nëntor 1960, kur sapo kisha mbushur 18 vjeç, vendosa të arratisem. Gjeta një hartë dhe nëpërmjet asaj, ndoqa rrugën që të çonte drejt kufirit. Mbasi udhëtova një natë dhe një ditë, pra pas 24 orësh udhëtim, rashë në pritë në fshatrat e Elbasanit. Kuptohet, se isha në ndjekje. Kur qe bërë apeli në kamp, unë mungoja, kështu që kishin njoftuar dhe rrethuar të gjithë zonën. U arrestova më 10.12.1960. Me një kamion më dërguan në Degën e Lushnjes, aty filloi hetuesia me torturat nga më çnjerëzore. Ata nuk e besonin se unë e kisha marrë i vetëm atë rrugëtim. Mendonin se dikush tjetër duhej të kishte qenë me mua dhe për këtë arsye, hetuesia vazhdoi edhe për 6 muaj.

Si përfundim, në krye të 6 muajve më nxorën në gjyq. Gjykimi u bë në Lushnje, nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, e përbërë nga major Sami Abazi (kryetar), major Dhame Çoli (kapiten) Naun Çalaku (të dy ndihmësgjyqtar). Akuza u paraqit nga Prokuroria Ushtarake e Vlorës, me major Servet Kadilliun. Ata ishin oficerë madhorë. Unë isha pothuaj si fëmijë, që sapo kisha mbushur 18 vjeç. Më dukej sikur po shikoja ndonjë film dhe nuk më mbushej mendja se isha unë ai që po gjykohesha e dënohesha.

Me vendimin nr. 18 datë 24.3.1961, në bazë të nenit 64/10 të Kodit Penal (tradhtia ndaj atdheut) më dënuan me 18 vjet burg dhe 3 vjet humbje e të drejtave civile, të drejta që nuk i kisha gëzuar ndonjëherë. Për fat nuk më hëngrën asnjë vit, sa vjeç isha, aq më dënuan! U la në fuqi vendimi nr. 44 datë 17.6.1961 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë,

 Vuajtja e dënimit të parë në vitet 1960-1979, 18 vjet, 1 muaj, 17 ditë

  1. Në Repartin nr.319, Vlorë, vitet 1961-1962

Fillimisht nga birucat e Lushnjes më dërguan në Burgun e Vlorës, i cili quhej Reparti nr. 319. Gjëja që më bëri përshtypje sapo hyra në ato ambiente, ishte një dhomë shumë e madhe e shtruar me katër rreshta dyshekësh në çimento. Dhe gjëja më e çuditshme në shikimin tim të parë, ishte veshja e tyre, rrecka – rrecka dhe gjithë arna, saqë nuk e merrja vesh se kush kishte qenë stofi i parë. Në ato momente thashë me vete:- Pse i paskan future gjithë lypësit në burg?

Më vonë e mora vesh se nën ato rrecka fshiheshin trupat e ish oficerëve, zëvendësministrave, inxhinierëve, ekonomistëve dhe shumë intelektualë të “klasave të përmbysura”. Kur i thërrisnin për takim, ata visheshin me rroba të mira, normal dhe dukeshin të tjerë njerëz.

  1. Në Repartin ne. 303, Tiranë, vitet 1962-1963

Mbas disa muajsh më dërguan në kamp pune, fillimisht në Tiranë ku po ndërtohej një kombinat mishi, aty vuante dënimin vëllai i madh Hyseni. Disa shokë të mi të cilët i kisha njohur në Burgun e Vlorës, e gjetën Cenin dhe i thanë, – shko more, se të ka ardhur vëllai, -jo u përgjigj ai,- kërkova me sy, por nuk ishte. Ne të porsa ardhurit, rrinim më vete dhe nuk na lejonin të bashkoheshim me të tjerët. Atëherë shokët e mi i treguan vëllait tim, – ja ku e ke, ai i gjati. Vëllait tim Cenit, nuk ia kishte marrë mendja që për 4 vjet, kisha ndryshuar aq shumë, ndërsa për mua ai nuk kishte ndryshuar. U takuam, u përqafuam dhe u çmallëm me njëri tjetrin. Unë e pyeta për momën, motrat se ai i kishte takuar çdo 15 ditë. Në këtë kamp jetesa nuk ishte shumë e vështirë, se komandant ishte Hysen Kapllani, nuk kishte as fyerja, as dru, ai ishte njeri i ligjit, për të cilin do të flas më vonë.

  1. Në Repartin ne.303, Vlorë, në vitet 1963-1964

Në vitin 1963, na transferuan në Vlorë, ku ndërtuam Uzinën e Sodës Kaustike

  1. Në Repartin nr. 307, Rubik, në vitet 1964-1965

Në këtë vend, unë nuk ndenja shumë se më transferuan në Rubik, ku u ndërtua Uzina e Bakrit.

  1. Në Repartin nr. 303, Elbasan, në vitet 1965-1966

Në vitin 1965, më transferuan në Elbasan, ku punuam në ndërtimin e Fabrikës së Çimentos.

  1. Në Repartin nr.323, Fushë–Krujë, në vitin 1966, ri dënimi

Mbas disa muajsh, na dërguan në Fushë-Krujë, ku u ndërtua e njëjta fabrikë çimentoje si në Elbasan. Atë e ndërtonin të burgosur ordiner, por ato i bashkuan dy kampe bashkë, “armiq” dhe “ordine”, se donin që me rastin e festave të nëntorit, të inauguronin nja fabrikë. Këtu jo vetëm se puna ishte e rëndë, por edhe punonim me orar të zgjatur. Policët silleshin si bisha, për gjënë më të vogël, haje hekur dhe dru.

Në këtë kohë, isha 23 vjeç dhe mendoja për vitet e gjata që unë isha i detyruar t’i kaloja në këtë lloj regjimi dhe mendoja e imagjinoja veten të plakur e të rrënuar dhe i thosha vetës, – more: si do të vuash kaq vite burg, pse nuk tenton njëherë të arratisesh? Qysh nga ky çast mendoja se, si mund të arratisesha, ku nuk më shkonte mendja. Mendova të ndjek shembullin e dy djemve të Stadiumit “Dinamo”, që u arratisën duke kapërcyer telat. Ja si vepruan ata: – Çdo darkë në mes të oborrit, dilte kazani i çajit dhe njerëzit vraponin kush e kush të shkojë më parë, mbrapa kazanit ndodhej një gardh me tela me gjemba dhe aty pranë një truproje i armatosur.

Roja ishte mësuar duke parë njerëzit që vraponin drejt çajit, dhe nuk i shkoi mendja se dy djem të rinj, nuk do të ndalonin te kazani i çajit, por me një batanije, ata do t’i ngjiteshin gardhit të telit, dhe të dilnin jashtë, kështu që ata nuk reaguan fare. Mbas disa ditësh, vërtetë ata u kapën, por arratisja qe e suksesshme.

E mendova këtë variant, por u kujtova që kampi ku unë po vuaja dënimin ishte në mes të fushës, ndërsa ai në mes të pallateve, kështu që edhe kur u kujtua roja se çfarë ndodhi, nuk qëllonte dot, se ishte në mes të lagjes. Mbasi e vrava mendjen shumë gjatë, mendova se mënyra e arratisjes që këtu mundë të jetë e suksesshme, vetëm me makinë.

Para disa muajsh pata njohur një të burgosur të ri, i cili ishte me origjinë çame, por lindur dhe rritur në Tiranë. Ai kishte punuar si xhenerik te Parku i Kamionëve dhe dinte të ngiste makinën, se ato kur i riparonin makinat, i provonin për punën që kishin bërë, ai ishte arratisur në Greqi. Mbas një kohe jo shumë të gjatë, atë e kontaktojnë dy agjent të Sigurimit shqiptar, dhe i thonë:- Kthehu në Shqipëri se do të vrasin mamanë. Ky vetëm nënën kishte, sepse babai i kishte vdekur herët dhe ajo e kishte rritur jetim me sakrifica dhe mundime. Ky u tremb shumë nga ky paralajmërim. Ata i kishin thënë se: “po u ktheve vetë, nuk do të bëjmë asgjë, do të të japim punë dhe ti do të jetosh i qetë”, atëherë Babushi, se kështu e thërrisnin, por emrin e kishte Maksut Xhomaka, nga Margëlliçi i Çamërisë, u kthye në Shqipëri.

Me të ardhur në Shqipëri, u dënua me 20 vite burg. Unë kisha shumë miqësi me të, ai mi kishte treguar të gjitha, si kishte shërbyer tre vjet në kufi, si ishte arratisur etj. Thashë me vete, ky është personi i duhur për këtë punë.

Një ditë tek po shëtisnim në oborrin e kampit, i thashë:

-Ore Babush sa u dënove ti?

-20 vjet, – më tha, – po mirë a ke ndërmend të qëndrosh kaq gjatë në burg, se unë e kam gjetur një mënyrë arratisje.

-Po si? – pyeti ai.

– Të gjejmë rastin dhe të marrim një makinë dhe t’i biem posto-bllokut, – i them planin, unë duke vazhduar:

– Mbasi të jemi larguar disa kilometra, e lëmë makinën dhe kthehemi në drejtim të kampit.

-Çfarë do të thotë kjo, në drejtim të kampit,-më pyeti ai.

-Sepse ata do të përpiqen të na ndjekin pas, duke i’u larguar kampit, – i them unë – dhe atyre nuk do t’ju shkoj në mendje, se ne jemi afruar përsëri në drejtim të kampit, ndërkohë errësohet dhe ne dimë vende boll për t’u strehuar në Tiranë.

Duke filluar nga ai moment, ne filluam të vëzhgonim makinat e shumta që hynin e dilnin në kamp. Ndërkohë filluam të përgatiteshim fizikisht, vraponim tek salla e mullinjve të killerit, duke ndjekur njeri-tjetrin, me vrap më të fuqishëm. Morëm dy bishta kazme dhe e godisnin njeri-tjetrin me sa fuqi që kishim, nëpër krahë në kurriz e në këmbë, me një fjalë bënim përgatitje fizike ekstreme, se e dinim se po të na kapnin, do të na torturonin mizorisht.

Ai nuk ishte shumë i gjatë, por shumë i fuqishëm, Ndërsa unë isha më i gjatë, muskulor dhe shumë i fuqishëm, 23 vjeç. Mbasi kaluam disa ditë, duke bërë këtë stërvitje të lodhshme u dha rasti i shumë pritur. Në ambientet e burgut erdhi një kamion i markës “Saurrel” pothuajse i ri.

Kamioni si duket e kishin sjellë me qëllim për të marrë një rimorkio se në atë vend, ku ndaloi ai, ishin nja 4 a 5 rimorkio, fare të reja dhe patjetër duhet të merrte njërën prej tyre. Shoferi afroi makinën pranë njërës prej tyre dhe zbriti për ta lidhur rimorkion, duke e lënë makinën ndezur. Në këtë kohë, ne u afruam për të hipur. Por ai u kthye mbrapsht dhe mori një çekiç nga makina dhe u largua përsëri, për të lidhur rimorkion e në këtë kohë, ne hipëm menjëherë në makinë.

Babushi, shoku im që tashmë ishte në vendin e shoferit megjithëse i dha shumë gaz makinës, nuk mundi të ecte shumë, pasi shoferi i kamionit, arriti të hapë derën dhe ta godas me çekiçin që kishte në dorë, tek gjunjët. Unë në këtë kohë, u zgjata mbrapa Babushit dhe i dhashë një të shtyrë shoferit, tërhoqa derën, ndërkohë ishim drejtuar drejt posto-bllokut. Postblloku ishte një tub i trashë nja 20 cm. dhe dera e thurur me tela. Polici i derës rrinte i qetë dhe priste makinën që t’i bënte kontrollin e radhës, pastaj ta linte të kalonte. Babushi më pyeti mua:- O Yll, po këtij çfarë t’i bëj unë? – Mos nguro – i thashë unë – se ai e shikon makinën dhe do të largohet vetë, ti vetëm ec përpara…! Memorie.al

                                                                     Vijon numrin e ardhshëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura