“Si e kundërshtova urdhrin për të bombarduar Urën e Mifolit në Vlorë”

Nov 21, 2013 | 13:41
SHPËRNDAJE

Ylli Dimraj duke folur për “Panoramën”
Flet gjeneral Ylli Dimraj, ish-komandant i Mbrojtjes Ajrore.

“Telefonata misterioze e mesditës së 2 marsit ‘97, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes”

…vijon nga numri i kaluar

Mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes e 2 marsit 1997, është ngjarja më enigmatike e zhvillimeve shpërthyese të atij viti të mbrapshtë. I vetmi lajm që u mësua zyrtarisht atë ditë, por edhe më vonë, ishte emërimi i Bashkim Gazidedes, ish-kreut të SHIK-ut, në krye të operacioneve për të shtypur revoltat në Jug të vendit dhe komandimi i Adem Çobanit shef i Shtabit të Përgjithshëm, në vend të gjeneralit me katër yje Sheme Kosova.
Pjesa tjetër e vendimeve të forumit më të lartë të sigurisë kombëtare nuk u zbardh asnjëherë. Megjithatë, ngjarjet që pasuan, sidomos pështjellimet pas reagimit brutal mbi protestuesit, vlerësoheshin si impakt i tyre. Përtej kësaj bindjeje, gjeneral Ylli Dimraj, asokohe zëvendëskomandant i Mbrojtjes Ajrore, ka qenë dëshmitar i një historie tronditëse.
“Pikërisht në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, aty nga ora 14:00, tregon ai, më urdhëruan të ngre në ajër pilotët e Rinasit për të bombarduar Urën e Mifolit”. Vendimi i papritur, në vlerësimin e ushtarakut të lartë, ishte një përpjekje e krerëve të shtetit për të shkëputur me çdo çmim kontaktin me protestuesit në Jug. Po si reagoi gjeneral Dimraj pas komunikimit të detyrës për të futur aviacionin luftarak në operacione ajrore kundër protestuesve? Kush ishte eprori që e urdhëroi të bombardonte Urën e Mifolit me pilotët e regjimentit të Rinasit dhe çfarë ndodhi pas kundërshtimit të tij. Cila është e vërteta e detyrave luftarake që jepeshin me gojë dhe nuk dokumentoheshin me shkrim? A pati sulme nga ajri kundër objekteve publike dhe demonstruesve rebelë që zotëronin ato dhe cili ishte misioni i oficerëve të SHIK-t në bazat e aviacionit…

Zoti gjeneral, në çfarë rrethanash u thirrën nga autoritetet e larta Forcat e Armatosura për të normalizuar gjendjen e shkaktuar nga ngjarjet e ‘97 dhe si u fut në veprim e aviacioni luftarak për të frenuar revoltat shpërthyese në Jug të vendit?
Zyrtarisht është deklaruar se Forcat e Armatosura janë futur në veprim për të normalizuar situatën e shkaktuar nga trazirat e muajve shkurt-mars ‘97 pas shpalljes së gjendjes se jashtëzakonshme, por në fakt ato janë përdorur edhe më parë, madje që në ditët e para të protestave në Tiranë dhe Vlorë. Shumë nga ne, që ishin në pozita të rëndësishme të hierarkisë ushtarake, u përballëm me lloj-lloj urdhrash të dhëna “nga lart”, që çuditërisht, në pjesën më të madhe të tyre, vinin te ne jo me shkrim, por me anë të telefonit. Pjesa më e madhe e tyre paraqisnin rrezikshmëri të lartë, prandaj duhej t’i shikoje e vlerësoje me shumë kujdes. Komunikimi i këtyre urdhrave filloi qysh ditët e messhkurtit dhe vazhdoi gjithnjë e më represiv në ditët në vazhdim. Vetëm në komandën e mbrojtjes ajrore kanë ardhur një mori të tillë nga politikanë mjeranë dhe drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët u munduan ta futin qorrazi armën e aviacionit në llumin e ngjarjeve të mbrapshta. Në mjaft syresh bëhej fjalë për lëvizje trupash e mjetesh luftarake, për bombardime, mitralime me mjetet e sulmit ajror, skërmitje dhëmbësh, kërcënime të ndryshme etj. Është folur e komentuar gjatë për këto ngjarje pa precedent. Ka ndër to që vazhdojnë ta preokupojnë opinionin për natyrën e mistershme me të cilën janë koleksionuar.

Çfarë keni parasysh kur pohoni natyrën e mistershme të ngjarjeve të ‘97 që preokupojnë ende opinionin publik?
Kur them këtë kam parasysh një mori ngjarjesh misterioze që u kunsumuan ato ditë të vështira. Të tilla nuk ka pak, mjafton të rendis një pjesë të tyre. Cili ishte shkaku i dezertimit të dy pilotëve të Regjimentit Gjuajtës-Bombardues të Rinasit, që u arratisën bashkë me avionin MIG-15? Pse ky akt i shëmtuar u quajt nga disa heroizëm i pashoq? Cila është e vërteta e bombardimit me aviacion e raketa të kryeqytetit? Kush ishte autori i urdhrave vrastarë për të bombarduar e mitraluar me mjete të sulmit ajror Urën e Mifolit, Burgun e sigurisë së lartë në Tepelenë, Sarandën, Kuçovën e Turanin? Përse disa fluturime me avion për kontrollin dhe vrojtimin e vijës së kufirit shtetëror u cilësuan si krime kundër njerëzimit? Kush i udhëhoqi turmat për të sulmuar repartet ushtarake në Jug të vendit dhe më pas ato mbi lumin Shkumbin e më në veri? Kush urdhëroi për të armatosur dhe për t’i dërguar në Jug forcat mercenare me rezervistë, bashkë me disa reparte të Ushtrisë? Përse u tentua të fillonte përplasja fatale dhe të hapeshin dyert e luftës civile, asaj Veri-Jug? Ka edhe mjaft të tilla, por tani për tani këto më kujtohen…

 Në fakt është folur se në fillim të muajit mars ka pasur një urdhër për bombardimin e Urës së Mifolit. Cila është e vërteta dhe kush ishte urdhërdhënësi?
Një urdhër i tillë më është komunikuar mua drejtpërdrejt. Saktësisht në mesditën e 2 marsit 1997. Atë ditë është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes për vlerësimin e situatës që përkeqësohej nga çasti në çast. Një ndër vendimet e asaj mbledhjeje ishte emërimi i Bashkim Gazidedes, ish-kreu i SHIK-ut, në detyrën e komandantit të operacionit kundër protestave në Jug të vendit. Ka qenë ora 14:00 kur ma komunikuan. Për efektin e jashtëzakonshëm që krijoi, më duket se e kam në vesh edhe sot: “Detyrë patriotike, ngrini në ajër avionët e Rinasit dhe bombardoni Urën e Mifolit deri sa ta bëni të pakalueshme!” Ishte një urdhër shokues i dhënë befas. Një moment nuk desha ta besoja, por nga krahu tjetër i telefonit, urdhërdhënësi, duke parë hezitimin tim, e shqiptoi edhe një herë, këtë radhë me zë më të lartë: “Më dëgjove? Veproni shpejt, shpejt! Ndryshe, gjyqi ushtarak…”. Nga mënyra si fliste dukej i papërmbajtur. Aty për aty mblodha veten dhe ia ktheva prerë: “Është e pamundur, nuk mund ta zbatoj në asnjë mënyrë” Sakaq, eprori u mundua të shpjegojë arsyet me të cilat lidhej bombardimi i urës. “Ju mbase nuk e dini, shtoi ai, ne kemi të dhëna të konfirmuara se rebelët e Vlorës po përgatiten të sulmojnë Tiranën për të rrëzuar me armë qeverinë dhe Presidentin e Republikës”. I thashë se ishin fjalë të përhapura qëllimisht për të acaruar situatën dhe rikonfirmova qëndrimin që ndërmarrja e një sulmi të tillë ishte tërësisht e pamundur. Pasi qëndrova pak çaste për ta bindur të hiqte dorë e të prapësonte urdhrin e dhënë, fillova t’i jap argumente të tjera, për rrezikshmërinë e goditjeve nga ajri mbi Urën e Mifolit.

Përveç shkatërrimit të urës, çfarë rreziqesh të tjera kishte goditja e saj nga ajri?
Ura e Mifolit është shumë e ngushtë dhe si e tillë, probabiliteti i goditjes së saj me bomba luftarake nga ajri është shumë i vogël. Ca më tepër që pilotët e Rinasit kishin mbi 10 vjet që nuk kishin bërë qitje me bomba luftarake. Ndërkaq, një sulm i mundshëm nga ajri do të shoqërohej me shpërndarjen e bombave gjatë rënies, fenomen i cili do të bënte që bombat të binin mbi ndërtesat dhe shtëpitë e zonës përreth dhe në qytezën e Mifolit. Kjo do të sillte dhjetëra të vrarë e të plagosur, pa llogaritur dëmet materiale.

Ia shpjeguat këto pasoja eprorit që ju komunikoi urdhrin për bombardimin e urës?
Patjetër që ia shpjegova, por ishte e pamundur të mirëkuptohesha me të. I thashë ndërkaq se asnjëri nga pilotët e Rinasit nuk do pranojë të ngrihet në ajër për një detyrë të tillë. Prandaj është e arsyeshme, këmbëngula, ta tërhiqni urdhrin, në të kundërt unë nuk do ta zbatoj. Mënyra si reagoi urdhërdhënësi më la të kuptoja se argumentet e mia ishin shpërfillëse për të. “Zbatoni urdhrin dhe raportoni”, foli ai kërcënueshëm dhe mbylli telefonin nxitimthi. Pavarësisht kësaj, përsëri mendoja se një çast do kthjellohej, por më kot. Deri në mbrëmje ai më telefonoi edhe tre-katër herë të tjera duke përsëritur të njëjtin gjë: Bombardoni Urën e Mifolit! Unë si në përgjigjen e parë qëndrova kategorik në vendimi tim, duke e kundërshtuar hapur…

Çfarë ndodhi më pas?
Pak çaste pasi kisha mbyllur telefonatën me ministrin, rreth orës 14:30, më mori në telefon kolonel Petrit Liço, komandanti i regjimentit të Rinasit. Fliste nga zyra e tij me një zë tronditës dhe shumë alarmues. “Zoti gjeneral, më raportoi ai, para dy minutash kam marrë një urdhër që të armatos me bomba luftarake çiftin e avionëve të gatshëm dhe t’i ngre menjëherë në ajër me detyrë bombardimin e Urës së Mifolit”. E kuptova menjëherë. Pas debatit me mua urdhërdhënësi indirekt, duke anashkaluar komandën tonë, i kishte dhënë të njëjtën detyrë komandantit të Rinasit. Tashmë situata ishte bërë më e mprehtë. Duhej të reagoja shpejt.
“Më dëgjo me vëmendje kolonel Liçaj, iu drejtova jo pa emocion, në ditarin e veprimeve luftarake shëno këtë urdhër: Pa të urdhëruar unë personalisht nuk do të ngresh asnjë avion në ajër! Nuk do të zbatosh asnjë urdhër tjetër, i kujtdo qoftë ai!
“Si urdhëron komandant!”, u dëgjua zëri i tij nga krahu tjetër i receptorit.

Më në fund Ura e Mifolit nuk u bombardua…
Për fat, urdhërdhënësi kur pa edhe hezitimin e komandantit të bazës, nuk telefonoi më. Ndoshta diçka nuk ka shkuar si duhet edhe në kontaktet e tij me eprorët e lartë të shtetit. Atë ditë, por asnjëherë tjetër, Ura e Mifolit nuk u godit.

Po të urdhëronit ju për ta bombarduar, a do të ishte hedhur në erë Ura e Mifolit?
Nuk isha i çmendur të urdhëroja një marrëzi të tillë. Sidoqoftë, një veprim i kësaj natyre, antikushtetues, nuk varej vetëm nga unë. Në fund të fundit zgjidhja e detyrës monstruoze varej nga realizuesit që ishin pilotët. Po atë ditë, kolonel Liçaj më raportoi se pilotët e Rinasit, sapo ishin njohur me detyrën për bombardimin e urës, kishin protestuar dhe kishin paralajmëruar se nuk do të ngriheshin në ajër për të vrarë vëllezërit e tyre. Këtë ia raportova edhe udhëheqjes së Ministrisë së Mbrojtjes.

Është e vërtetë se ura nuk u bombardua, por ato ditë aviacioni luftarak ka goditur objekte të tjera që ishin marrë nga protestuesit?
E kam dëgjuar këtë jo vetëm nga njerëz të zakonshëm, por edhe nga politikanë e gazetarë të ndryshëm. Është vetëm një thashethem dashakeq dhe asgjë më shumë. Është në nderin tim të pohoj me plot gojën se ato ditë të tragjedisë së 97-s, nga aviacioni ynë luftarak nuk është hedhur asnjë bombë luftarake kundër popullit dhe objekteve publike, si në Jug, edhe në Veri të vendit. E vërteta është se ato ditë kemi hapur zjarr demonstrues në shpate malesh e kodrash të pabanuara me raketa ajër-tokë dhe me predha të topit të avionit në afërsi të reparteve ushtarake për të larguar turmat e njerëzve që kishin dalë jashtë kontrollit dhe po i sulmonin ato për të vjedhur e plaçkitur, shkatërruar e djegur, si në rajonin e Delvinës, Fierit, Urës së Memaliajt etj.

Pra, zërat që kanë qarkulluar se ato ditë aviacioni luftarak ka goditur disa objekte në Jug nuk janë të vërtetë?
Ato ditë nuk është hedhur asnjë bombë kundër protestuesve dhe objekteve publike të poseduara prej tyre. Absolutisht asnjë! Çdo pohim tjetër është gënjeshtër, mashtrim dashakeq.  

Në rrethanat e kundërshtimit flagrant të një urdhri luftarak, parashikohen sanksione të rënda. A u penalizuat pas refuzimit të detyrës për të bombarduar Urën e Mifolit?
Penalizime ligjore jo, ku bëhej fjalë në atë gjendje për gjyq e proces ligjor. Megjithatë, pata kërcënime nga më të ndryshmet. Kërcënime nga eprorët e marrosur, por edhe nga turmat e eksituara, por mua nuk më pëlqen të flas në lidhje me to.

Keni pasur kërcënime edhe nga njerëzit e thjeshtë?
 Ajo ka qenë një situatë e tmerrshme, ku kërcënimet ishin bërë si përshëndetje e rëndomtë për këdo. Në atë stuhi ogurzezë, ato ishin dukuria më e zakontë. Që nga mbrëmja e 28 shkurtit, të gjitha repartet e ushtrisë në rajonin e Vlorës e më në Jug të vendit, ishin sulmuar, vjedhur e plaçkitur. Ishte rrëmbyer armatimi i të gjitha llojeve. Si valë goditëse këto sulme barbare vazhduan më vonë edhe në repartet mbi Shkumbin e në Veriun e largët të Shqipërisë. Si në Jug e në Veri, i madh e i vogël, ishte armatosur deri në dhëmbë, i gatshëm për t’u kacafytur me këdo që i dilte përpara. Në horizont shumë i frikshëm shfaqej konflikti shkatërrues i luftës civile. Dera e saj ishte hapur përgjysmë. Në rast të një veprimi luftarak të pamenduar me bombardim nga ajri, si ky mbi Urën e Mifolit, dera përgjysmë e hapur e luftës civile do të ishte hapur katërkanatësh. Koha tregoi se kam pasur plotësisht të drejtë në kundërshtimin e urdhrit për bombardimin e urës, ashtu siç vepruan edhe mjaft kolegë të tjerë. Përse e citoj këtë? Shikoni me vëmendje. Ura e Mifolit po qëndron ende në këmbë, aty ku ka qenë. Nuk u bombardua, nuk u hodh në erë, nuk u shkatërrua të bëhej e pakalueshme për vlonjatët. Megjithatë, forcat protestuese të Vlorës nuk ndërmorën asnjë veprim luftarak në drejtim të Tiranës, nuk marshuan mbi urë për të rrëzuar qeverinë, siç pretendonte urdhërdhënësi. Kjo do të thotë se unë si ushtarak profesionist atë situatë e kam vlerësuar drejt e saktë në ato momente shumë të vështira.

Mbledhja misterioze e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Të pathënat e takimit në Presidencë më 2 mars 1997

Bashkim Gazidede
Në ditët e para të marsit ’97, ushtria dhe aviacioni luftarak u përfshinë në operacione të organizuara për të shtypur revoltat në jug të vendit. Gjeneral Ylli Dimraj, njëri nga drejtuesit kryesorë të Mbrojtjes Ajrore, që ato ditë ka marrë e kundërshtuar një mori urdhrash antiligjorë, e lidh situatën e papritur me një ngjarje pak të njohur. Fakti që shumë nga zhvillimet tronditëse ndodhën fill pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar të 2 marsit ’97, shprehet ushtaraku i lartë, provon më së miri efektin e menjëhershëm të vendimeve të tij. Dimraj kujton se i vetmi lajm që mësuan atë ditë nga mbledhja në Presidencë, ishte emërimi i Bashkim Gazidedes, ish-kreu i SHIK-ut, në krye të shtabit zyrtar për rivendosjen e rendit të tronditur nga protestat antiqeveritare dhe komandimi i Adem Çobanit në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në vend të gjeneral Sheme Kosovës, të shkarkuar rishtas nga ky funksion. Të tjerat, shprehet gjenerali në rezervë, do t’i mësonim pak nga pak gjatë ditëve në vijim. Për të, e gjithë platforma e urdhrave për të vënë në lëvizje arsenalet luftarake të ushtrisë, madje deri në veprime antikushtetuese, ka qenë produkt i vendimeve të mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes të datës 2 mars. Çuditërisht, shton Dimraj, në shtabin operativ të ngritur enkas për të planëzuar e komanduar dinamikën e operacioneve luftarake, bënin pjesë liderë politikë që shfaqeshin papritur si eprorë të lartë dhe ushtarakë të rëndomtë pa identitet profesional, që aty për aty gradoheshin gjeneral(!). Sidoqoftë, për aq kohë sa dosja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar të atij fillimmarsi dhe ajo e veprimeve luftarake të shtabit të krijuar posaçërisht për normalizimin e situatës, mbeten “top sekret” për publikun, e bëjnë edhe më misterioze historinë e operacioneve ndaj protestave antiqeveritare të marsit ’97.

vijon nesër…

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura