Si e komentoi Lidhja e Shkrimtarëve ikjen e Kadaresë në ’90

May 1, 2015 | 17:23
SHPËRNDAJE

…”Është pothuajse e njëjta gjë, si të vrasësh një njeri, si të vrasësh një libër të mirë. Kush vret një njeri, vret një krijesë të arsyeshme, imazh të Zotit; por kush shkatërron një libër të mirë, vret vetë arsyen, vret imazhin e Zotit në thelb të tij”… Ky postulat të priste në hyrje të sallës së ekspozitave, në Bibliotekën Kombëtare, ditën e djeshme, për të kremtuar Ditën botërore të lirisë së shtypit.

Shkrimtari Ismail Kadare

Në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë, ekspozita “Drejt lirisë” u kushtohet zhvillimeve më dramatike, që nga lindja e vetëdijes etike të shtypit përgjatë luftës, diktaturës dhe trazirat e postkomunizmit. Artikujt e ekspozuar janë gjurmë të qarta të peripecive, përmes të cilave ka ecur shtypi shqiptar që nga koha kur është krijuar, e deri në shek XXI. Hasen mes këtyre tituj gazetash, propaganda e partisë, gjyqet e zhurmshme të komunizmit, sulme ndaj emrave të njohur të kohës, redaksi të djegura, sulme ndaj gazetarëve e madje edhe faqe të tëra të bardha, të lëna bosh, si reagim i medias ndaj censurës së kohës. Këtë të fundit, gazeta “Populli” e ka demonstruar në plot tre numra të saj.

Gazeta “Yll’ i mëngjezit” e vitit 1917 publikon fuqinë dhe detyrat e shtypit, për të zyrtarizuar fillesat e kodifikimit të etikës së shtypit. Renditen në të një sërë masash e detyrash që, siç koha tregoi, nuk gjetën zbatim. Një vend të dukshëm në këtë ekspozitë zë artikulli i Gjergj Fishtës, që u bë shkas për mbylljen e “Hyllit të Dritës” në vitin 1914. Por kjo nuk ishte veçse fillesa e një sërë censurimesh që do të vinin vitet në vijim. Po kaq e rëndësishme për të treguar “rregulloren” e kohës është ndalimi i fletores “Politika” në vitin 1924. Shpërndarja e saj u ndalua në Durrës nga prefekti Ali Koka. Përmes të gjitha këtyre rasteve ndihet shtypja që koha e regjimet i bënin shtypit të shkruar.

“ARRATISJA” E ISMAIL KADARESË

Po të ndjekësh vijën kronologjike të ngjarjeve të gazetave, nuk mund të mos ndalesh në një vit të rëndësishëm për të gjithë. 28 tetori i 1990-s, mes lajmeve të shumta, pati edhe atë të ikjes së shkrimtarit Ismail Kadare në Francë. Gazeta “Drita”, përmes një artikulli, njofton “aktin e turpshëm”, siç e quan përmes titullit të shkrimtarit. “Siç ka njoftuar shtypi i huaj, Ismail Kadare, i ndodhur me shërbim në Paris, qysh prej një muaji, ditën që në Tiranë mbante punimet Konferenca e Ministrave të Jashtëm të vendeve ballkanike, kërkoi strehim politik në Francë dhe me këtë akt të turpshëm ka fyer veçanërisht inteligjencën shqiptare, krijuesit dhe ndërgjegjen kombëtare të popullit, duke e vënë veten në një radhë me ata që nuk e duan Shqipërinë dhe përparimin e saj. Arratisja e tij nuk justifikohet as nga pozitat sociale, as nga pozitat letrare: ai me veprën e vet gëzonte autoritet në njerëzit, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Kryesisë së Frontit Demokratik e të tjera”- artikulli nënshkruhet nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë. Ndër të tjera, kryesia e Lidhjes nuk harron të shtojë se me këtë akt shkrimtari e ndau veten dhe veprën e tij nga shkrimtarët dhe artistët e kohës. “Atdheu ka nevojë për fjalën dhe veprën e krijuesve të ndershëm”, – mbyllet shkrimi disa radhësh, që goja-gojës mori përmasa edhe më të mëdha. Sigurisht që, nëse vite me radhë ngelën aty ku ishin, pas vitit 1990, kohë kur u botua ky artikull, gjërat ndryshuan me ritme të shpejta. U kuptua së pari se askush, në asnjërën nga periudhat kohore që kishin lënë pas, nuk kishte qenë i lirë në asnjë aspekt jetësor, sidomos në fuqinë e fjalës. Megjithatë, censura e aktet e dhunshme nuk munguan as në dhjetëvjeçarin e parë të demokracisë. Sot, nuk është më kaq demonstrativ reagimi i “të lënduarve” nga media, megjithatë, siç përditë shohim, nuk është i vogël as numri i gazetarëve, që ende kërkojnë t’i ikin realitetit ku punojnë e jetojnë.

ZËRAT E LIRË

Ajo çka pasoi çeljen e ekspozitës “Drejt lirisë” ishte konferenca “Nga censura te liria”, e cila trajtoi pamje të ndryshme të realiteteve mediatike në Shqipëri që nga lindja e vetëdijes etike të shtypit, te vetëdija për modernizim në vitet ’30, vitet e luftës, diktaturës e deri te liria ende e paplotë e ditëve tona. Ishte i gjithi një rrugëtim i shtypit shqiptar, që i ngjante përpjekjes së vazhdueshme në kërkim të lirisë. Konferencën e hapi Artan Fuga, për të treguar përmbledhtazi cilësinë e botimeve kur shteti bëhej garant për to, pra, për të treguar njëfarësoj lindjen e një diktature.

Ata që pasuan këtë konferencë shkencore që vijoi përgjatë gjithë paradites së ditës së djeshme, ishin Mark Marku, Maksim Gjinaj, Nevila Nika, Herald Saraçi, Arben Muka, Agron Gjekmarkaj dhe Persida Asllani, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, organizatore e këtij aktiviteti, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, për Ditën botërore të lirisë së shtypit.

NGA ANI JAUPAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura