Si e kërcënoi ‘imami’ Genci Balla me prerje koke Ben Blushin në gjyq

Apr 16, 2016 | 17:15
SHPËRNDAJE

Genci Balla dhe Bujar Hysa, dy imamët e vetëshpallur, të akuzuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda për rekrutim të besimtarëve për qëllime terroriste, mohuan me forcë akuzat e ngritura ndaj tyre në seancën e së martës, që zgjati gati katër orë.

imami-i-arrestuar-genci-ballaAta paraqitën konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, në thelb të së cilës ishte fakti se nuk kishin kryer asnjë veprim që lidhej me terrorizmin.

Të pandehurit përfshinë në fjalët e tyre edhe emrat e Kryeministrit Edi Rama dhe të deputetit Ben Blushi. Me një Kuran në dorë, i pandehuri Genci Balla tha se gjithë ato që ai kishte thënë para besimtarëve në xhami gjendeshin në atë libër, që sipas tij, është shpërndarë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

“Ndihma ndaj njerëzve që vriten padrejtësisht nuk është terrorizëm, por një luftë e drejtë”, tha Balla. Ai pretendoi se gjykata nuk e besonte Kuranin dhe për këtë shkak ata quheshin terroristë e kriminelë.

I pandehuri tha se nuk ishte pronë e Edi Ramës dhe sipas tij, toka ishte e Allahut dhe jo e Ramës. Balla ashpërsoi tonin kur tha se Ben Blushi ka folur fjalë shumë të pista ndaj myslimanëve dhe islamit.

“Nëse do të zbatohej ligji i Sheriatit, atyre personave që shajnë Allahun u pritet koka. Do t’u vijë radha dhe atyre”, tha i pandehuri. I pandehuri tjetër, Bujar Hysa, tha se ishte krenar që kishte ndihmuar besimtarë të shkonin në luftën në Siri.

“Kam ndihmuar shumë pak, tha ai, do të doja të kisha dhënë më shumë ndihmë. Prokuroria di shumë pak për mua. Unë mund t’i jap edhe fakte të tjera”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura