Si do të përdoren 80 milionë euro për Ujësjellësin e Tiranës/ Flet Zëvendëspresidentja e Bankës Europiane të Investimeve

Jan 8, 2022 | 8:07
SHPËRNDAJE
Flet Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor

flet

Banka Europiane e Investimeve (BEI), krahu financues i Bashkimit Europian, akordoi së fundmi një kredi prej 80 milionë eurosh, për ndërtimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në Bashkinë e Tiranës.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, thotë se huaja do të mundësojë modernizimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet ndërtimit të një linje të re të shpërndarjes nga Guri i Bardhë dhe unazës së furnizimit me ujë me presion të lartë në Tiranë.

Sipas saj, përmirësimet e mëtejshme, të tilla si unifikimi i sistemeve brenda së gjithë zonës së shërbimit dhe furnizimi me cilësi i ujit, do të ndihmojnë në adresimin e nevojave të popullsisë me rritje të shpejtë.

BEI ka një portofol me vlerë rreth 0.56 miliard euro për financimin e projekteve në Shqipëri, në sektorë të ndryshëm, kryesisht në transport dhe energji ndër vite. Cilat janë disa nga projektet në vazhdim që po financoni aktualisht?

Si një partner afatgjatë i Shqipërisë, BEI ka dhënë deri më sot 557 milionë euro, në financimin e projekteve për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, procesin e anëtarësimit në BE dhe kushte më të mira jetese për të gjithë njerëzit. Veprimtaritë tona financuese janë fokusuar në modernizimin dhe zhvillimin e rrugëve kombëtare dhe rajonale, rehabilitimin e infrastrukturës portuale, prodhimin e energjisë, rigjenerimin urban, si dhe mbështetjen për kompanitë e vogla dhe të mesme.

Të dhënat e mbledhura në kuadër të modulit COVID-19 të anketës sonë të investimeve, të kryer nga BEI-BERZH-BB, tregojnë se pandemia në vitin 2020 pati ndikim të fortë negativ, në rreth 38% të shoqërive tregtare në Ballkanin Perëndimor dhe mesatarisht në 66% të shoqërive tregtare në Shqipëri, të cilat u detyruan të mbyllin përkohësisht biznesin e tyre. Si pjesë e veprimit të përgjithshëm për të luftuar pandeminë COVID-19, në vitin 2020, BEI rriti mbështetjen e saj për sektorin privat, për të ndihmuar ekonomitë vendase të rimëkëmben më shpejt dhe të përshtaten me kushtet e reja.

Ne kemi nënshkruar një hua prej 15 milionë eurosh, me një bankë tregtare në Shqipëri, për t’u dhënë hua shoqërive të vogla dhe të mesme, duke adresuar kufizimet e tyre në likuiditet, me qëllim ruajtjen e punësimit dhe zgjerimin e bizneseve të tyre.

Për vitin 2021 dhe vitet në vijim, ne kemi forcuar angazhimin tonë ndaj Shqipërisë, duke ndihmuar në përgatitjen e projekteve të financimit që mund të kenë ndikim në ekonominë e vendit dhe njerëzit, në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Bashkimit Europian dhe me axhendën e Gjelbër dhe Dixhitale për Ballkanin Perëndimor.

Këto projekte të reja do të ndihmojnë në përmirësimin e transportit rrugor dhe hekurudhor, menaxhimin e ujit dhe forcimin e kapaciteteve dixhitale publike dhe private, si një forcë shtytëse e zhvillimit, inovacionit dhe krijimit të vendeve të punës.

Ju do të mbështesni ndërtimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në Bashkinë e Tiranës, me një kredi prej 80 milionë eurosh. Mund të na jepni më shumë detaje se cilët janë komponentët e saktë që do të financohen, punimet ndërtimore që do të zhvillohen dhe zonat e Tiranës që do të përfitojnë? Cili do të jetë afati i huasë? Cili është rezultati i pritshëm i këtij projekti?

Huaja do të mundësojë modernizimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet ndërtimit të një linje të re të shpërndarjes nga Guri i Bardhë dhe unazës së furnizimit me ujë me presion të lartë në Tiranë. Këto përmirësime strukturore të rrjetit do të sigurojnë furnizim 24 orë me ujë për pothuajse 1 milion njerëz dhe do të rrisin cilësinë e ujit të pijshëm, duke eliminuar sistemin e depozitave të vogla personale mbi çati, të cilët mbartin rrezik të lartë të ndotjes së ujit.

Në të njëjtën kohë, projekti do të përmirësojë pamjen e kryeqytetit dhe do të rrisë rimëkëmbjen ekonomike ndaj ndryshimeve klimatike. Ne presim që ky investim të sigurojë një model për projekte të ngjashme në të gjithë Shqipërinë dhe të ndihmojë vendin të përmbushë kërkesat e tij për zhvillimin urban, mjedisin dhe furnizimin me ujë.

Kushtet financiare të BEI janë ndër më të favorshmet në treg dhe sigurojnë që projekti të ketë ndikimin më të mirë social, mjedisor dhe ekonomik, duke zbatuar standardet e BE-së në përgatitjen dhe zbatimin e tij. Projekti është pjesë e Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI, që synon mobilizimin e shpejtë të financimit, në mbështetje të zhvillimit, infrastrukturës jetike dhe kohezionit social. Në këtë kontekst, Banka e BE-së, përveç financimit të saj prej 80 milionë eurosh, ka vendosur të japë një grant tjetër asistence teknike në vlerë prej 1 milion eurosh, për të rritur mbështetjen për zbatimin e projektit.

Shqipëria është munduar prej dekadash që të përmirësojë sistemin e saj të shpërndarjes dhe menaxhimit të ujit. Duke qenë se tani po financoni këtë projekt të rëndësishëm në Tiranë, cila do të ishte këshilla juaj në këtë drejtim?

Pavarësisht rritjes së kërkesës për ujë, për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë së qytetit (e cila pritet të arrijë në 1 milion banorë deri në vitin 2025), Tiranës aktualisht i mungon furnizimi i vazhdueshëm me ujë në të gjithë qytetin: 36% e konsumatorëve furnizohen me ujë për më pak se tetë orë në ditë dhe vetëm 12% e tyre furnizohen me ujë për 24 orë, sipas një studimi të dedikuar.

Konsumi i ujit dhe përqindja e humbjeve të ujit janë aktualisht të larta. Mirëmbajtja e dobët e infrastrukturës dhe e sistemeve, si dhe praktikat operacionale e menaxhuese ndikojnë në kostot e shërbimit dhe mbarëvajtjen operative e financiare të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve, UKT.

UKT-ja ka nisur tashmë të merret me këto çështje, duke ngritur një plan biznesi ambicioz, të miratuar në vitin 2017 dhe duke planifikuar investime të rëndësishme kapitale në rrjetin ekzistues të ujit dhe burimet ujore. Përmirësimet e mëtejshme, të tilla si unifikimi i sistemeve brenda së gjithë zonës së shërbimit dhe furnizimi me cilësi i ujit do të ndihmojnë në adresimin e nevojave të popullsisë me rritje të shpejtë.

Ne besojmë se ky investim i ri do të ndihmojë në arritjen e këtyre objektivave dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve e menaxhimit të ujit në standardet e BE-së. Ky është projekti i dytë që BEI po zbaton me Bashkinë e Tiranës. Në vitin 2019, ne nënshkruam kredinë tonë të parë për zhvillimin urban me kryeqytetin e Shqipërisë, për të ndihmuar në uljen e ndotjes së ujit në lumin e Lanës, riorganizimin e trafikut të makinave dhe këmbësorëve dhe hapësirës urbane pranë të dy brigjeve të lumit.

Të dy projektet synojnë të rrisin funksionalitetin e kryeqytetit në drejtim të rizhvillimit urban që rrit cilësinë e jetës, sigurinë publike dhe qëndrueshmërinë ndaj emergjencave.

A e ndryshoi pandemia qasjen që BEI ka për financimin e projekteve apo po ndiqni të njëjtat prioritete si më parë?

Aktivitetet tona janë të harmonizuara me Strategjinë e Zgjerimit të BE-së dhe kërkesat për anëtarësimin e vendit në BE. Në veçanti, prioritetet e Komisionit Europian në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, të publikuar në vitin 2020, pasqyrohen në listën tonë të projekteve për rajonin.

Pandemia i ka prekur pjesërisht këto prioritete dhe ne mund të shohim se projektet klimatike dhe dixhitale kanë dalë në fokus, për të ndihmuar vendet të zbusin efektet e ndryshimeve klimatike (p.sh. përmbytjet ose thatësirat) dhe të përshtatin ekonomitë vendase në situatën e re ekonomike.

Mbështetja për sektorin privat është gjithashtu ndër prioritetet tona, pasi ky sektor ende po përballet me kufizime të konsiderueshme financiare. Për të ndihmuar shoqëritë e vogla dhe të mesme të adresojnë objektivat e tyre të eficiencës energjetike dhe dixhitale, Grupi i BEI prezantoi lloje të reja të instrumenteve financiare për Ballkanin Perëndimor dhe zhbllokoi 110 milionë euro për këto qëllime që nga viti i kaluar.

Ne kemi miratuar gjithashtu masa të jashtëzakonshme për të përshpejtuar lëvrimet e kredive ekzistuese dhe të reja dhe kemi lejuar pak fleksibilitet, veçanërisht për sektorin privat dhe atë të shëndetësisë.

Banka ka përmbushur angazhimin e saj prej 1.7 miliardë eurosh për rajonin, si pjesë e nismës “Team Europe” për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të të gjithë Ballkanit Perëndimor: në përgjithësi, në vitin 2020, ne kemi nënshkruar investime të reja, me vlerë 870 milionë euro (pothuajse 50% më shumë se në vitin 2019) dhe kemi nënshkruar investime me vlerë 600 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2021.

Ju keni qenë aktivë në mbështetjen e projekteve që lidhen me infrastrukturën dhe zhvillimin rajonal, si një mënyrë për të mbështetur edhe industritë përfituese nga kjo, si për shembull turizmi. Cilët janë disa nga sektorët që mendoni se kanë potencial për t’u rritur në Shqipëri dhe cilët janë ata që kanë nevojë për vëmendje?

Sipas parashikimit pranveror të Komisionit Europian në vitin 2021, ekonomia shqiptare po rimëkëmbet më shpejt se sa pritej, e nxitur nga një rikthim i fortë i turizmit nga vendet fqinje, si dhe nga rritja e lartë e investimeve dhe rikuperimi i konsumit privat. Në përgjithësi, rritja parashikohet të ngadalësohet në 3.7% në vitin 2022 dhe më tej në 3.6% në vitin 2023.

Anketa e fundit e BEI mbi huadhënien e Bankës për rajonin e EQLJL-së për vitin 2021 tregon se kërkesa për kredi në Shqipëri u rikuperua ndjeshëm, duke tejkaluar mesataren e rajonit, ndërkohë që kushtet e ofertës për kredi u lehtësuan lehtë. Aksesi në financim në Shqipëri vazhdoi të përmirësohet, i nxitur kryesisht nga aksesi më i mirë në depozitat vendase me pakicë dhe ato të korporatave, së bashku me një kontribut pozitiv nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Turizmi është sigurisht një sektor me potencial të jashtëzakonshëm rritje, por për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë, sektori duhet të plotësohet me infrastrukturë moderne rrugore, dixhitale dhe energjetike. Si banka e BE-së për klimën, BEI është e gatshme të rrisë përpjekjet e saj për të mundësuar tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë nëpërmjet financimit të projekteve të reja me efikasitet në energji dhe energji të ripërtërishme. Ky mund të jetë një avantazh i rëndësishëm konkurrues për Shqipërinë.

Vetëm në sektorin e transportit, BEI ka investuar deri më sot 284 milionë euro për të mbështetur ndërtimin e autostradave për qytetet e Vlorës dhe Fierit, si dhe ndërtimin e Korridorit VIII prej 24 km, ndërmjet Levanit dhe Vlorës dhe autostradës Durrës-Tiranë. Ne presim me padurim të investojmë më tej në projektet kryesore për modernizimin e rrjeteve hekurudhore dhe rrugore, në mënyrë që të forcohen lidhjet rajonale dhe të nxitet zhvillimi ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Përmirësimi i infrastrukturës dhe aftësive dixhitale në përputhje me Axhendën Digjitale do të jetë gjithashtu në fokusin tonë, e cila që do të ndihmojë vendin të rrisë mbulimin me brez të gjerë, të reduktojë ndarjen dixhitale dhe të ofrojë shërbime cilësi më të mirë për një përqindje të madhe të popullsisë.

A ka ndonjë projekt tjetër që planifikoni të financoni në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë? A mund të kemi më shumë detaje?

Si ofruesi kryesor i asistencës financiare dhe teknike për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve, BEI është tashmë e angazhuar fort për zhvillimin e projekteve të reja në Shqipëri, veçanërisht në fushat dixhitale dhe të inovacionit, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e ujit, turizmin e qëndrueshëm dhe transportin hekurudhor.

Ne do të punojmë ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë dhe Komisionin Europian në realizimin e këtyre projekteve me ndikim të lartë, pasi ato janë pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Një hap i rëndësishëm në angazhimin tonë ndaj vendit është prania jonë vendore me zyrën e BEI në Tiranë, me znj. Petia Manolova si përfaqësuesen tonë të re për Shqipërinë.

Prania e BEI në terren ka treguar të jetë e dobishme për të përshpejtuar operacionet tona dhe për të nisur investime të reja, si rasti i furnizimit të Tiranës me ujë dhe për të ofruar mbështetje shtesë për zbatimin e projekteve. /Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura