Si dështoi koncerti i Klaudio Vilës, por edhe vizita e Mikele Placidos në Tiranë para viteve ‘90

May 3, 2022 | 15:00
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI/ Ishte programuar të vinte në Shqipëri për të dhënë një koncert më 1 maj 1985. Por, vdekja e Enver Hoxhës në muajin prill e anuloi dhe kufizoi gjithçka.

luftar-malija-placido-panorama

Si u përgatit, tentativat, kush e ideoi ardhjen në Tiranë të Klaudio Vilës, këngëtarit të famshëm italian, i njohur edhe për idetë komuniste.

Nga propozimi, takimet, bisedimet me Vilën, ato me drejtuesit e lartë të qeverisë shqiptarë, programi, seleksionimi i këngëve që do të këndonte dhe mbajtja sekret duke mos bërë asgjë publike.

Si dështuan vizitat, ardhjet në Tiranë nga aktori Mikele Placido, i njohur si Komisar Katani të “La Piovra”, nënës së këngëtares Anna Oxa, miqësia me Bud Spenser dhe çanta që ai harroi në hotel “Dajti”. Si i kujton sot të gjitha këto ngjarje Luftar Malia, punonjësi i ambasadës shqiptare në Romë në atë periudhë, duke e rrëfyer me detaje për herë të parë atë që do të ishte një sensacion i madh për kohën, koncertin e Vilës në Tiranë.

“Klaudio Vila e pranoi me kënaqësi ftesën tonë. Ai kishte kuriozitet të shihte Shqipërinë, si funksiononte sistemi komunist, por me kushtin që shfaqja të mos politizohej. U vendos që ajo të jepej në ditën e festës botërore të punëtorëve.

Ishte Shoqata Italo-Albanese që e propozoi. Ajo ishte shumë aktive, kishte influencë, njohje dhe nga italianët ka interes të vijnë në Shqipëri. Por, me vdekjen e Enver Hoxhës në prill të vitit 1985, çdo gjë ndaloi. I pari që erdhi në vendin tonë pas disa vitesh ishte këngëtari Albano me prindërit e tij”, thotë për gazetën “Panorama”, Malia.

Z. Malia, e vërtetë që Klaudio Vila do të vinte në Tiranë për një koncert?

Po, më se e vërtetë, gjithçka ishte bërë gati. Klaudio Vila bashkë me Domeniko Modunjon dhe disa këngëtarë të tjerë ishin mjaft të preferuar si këngëtarë të muzikës së lehtë në Itali e jashtë saj. Të famshëm, tejet popullorë, fitues të festivaleve të Sanremos. Sigurisht, edhe në Shqipëri ishin të njohur e të admiruar.

Çfarë informacioni kishit konkretisht për Klaudio Vilën?

Vila jetonte në Romë, në një zonë të veçantë, karakteristike, ndërsa kishte lindur e rritur në një lagje në Trastevere. I ati njeri i thjeshtë, ndërsa nëna shtëpiake. Në këtë lagje shkoja shpesh se ishte edhe e njohura Porta Porteze, spitalet “Rexhina Margarita”, “San Camillo”, Ministria e Arsimit dhe zakonisht shoqëroja të gjithë shqiptarët që vinin aty. Një zonë e bukur, lokale nate, serenata, këndonin këngëtarë të shquar, midis tyre edhe Renato Zero.

Si lindi ideja për një koncert të Vilës në Tiranë?

Ishte Shoqata Italo-Albanese, përfaqësues të saj, që i shfaqën ambasadorit Bashkimi Dino një ide të tillë. Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1984, dhjetor, kishim organizuar një pritje në ambasadë. Aty u hap biseda. Ia vlen ta afroni, ta merrni në Shqipëri për një koncert Klaudio Vilën. Është mirë, pasi ai mendon si ju. Bisedoni me qeverinë tuaj i thanë ambasadorit Dino, duke u shprehur entuziastë dhe shpresonin, kishin dëshirën që ky koncert të realizohej, pasi lidhej me shumë gjëra pse duhet bërë e realizuar një veprimtari e tillë.

Dhe cilat ishin pikat referuese?

albano karizi

Kryesorja ishte se Klaudio Vila njihej për bindje antifashiste, të trashëguara nga i ati shumë antifashist, madje në ekstrem, edhe këtë bindje ai e shprehte kudo. Si i ati edhe ky e dënonin ardhjen dhe pushtimin fashist të Shqipërisë. Ishte antiamerikan, kundër forcave të mëdha, kundër kapitalizmit, mbështeste, ndihmonte të varfrit. Thuajse të gjitha fushatat e partisë së tij, ai organizonte koncerte shoqëruese.

Dhe në planin artistik?

Ai këndonte këngë popullore italiane, ato të muzikës së lehtë dhe jo rock, jo këngë që nuk pëlqeheshin nga sistemi, nga qeveria në Shqipëri. Ai këndonte këngë me taban kombëtar. Kjo ishte pika e parë në bisedimet me Shoqatën. Pika e dytë ishte biografia e tij. Ai nuk vinte nga lidhje të emigracionit politik, por nga një familje e klasës punëtore, jo aristokrate. Në biografinë e tij, veçohej gjithashtu fakti se ai vetë kishte qenë anëtar i partisë komunistë, miku i ngushtë i Enriko Berlinguerit dhe kjo ishte pika e tretë. Pika katër ishte që koncerti të bëhej më 1 Maj, në Ditën e Festës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Dhe takoheni me Klaudio Vilën?

Pas takimit, idesë dhe çfarë biseduam me shoqatën, hapi i dytë ishte takimi me këngëtarin. Siç thashë ai banonte në Romë. Trupshkurtër, por shumë energjik, gojëmbël. Kishte pasion motorët, garat, qejfli të merrte pjesë në to. Sapo u takuam, na tha: “Unë jam komunist me zemër, por kalova me Partinë Demokristiane për inat, pasi debatova me Berluskonin. Në vitin 1973, u dashurova me Patrucia Baldin dhe me 18 korrik të 1975 u martuam në Campidoglio. Ai nuk erdhi si dëshmitar në ceremoni, pasi martesa kishte bërë bujë, pasi gruaja ime ishte 31 vite më e re se unë. Për këtë arsye ai refuzoi të më vinte. Diferencë e madhe moshe, ishte preteksti i tij. U shkëputa nga të djathtët, komunistët, por me zemër isha me ta”, na tregoi Vila.

Vijmë te propozimi që Vila të vinte në Tiranë, si e priti këngëtari?

I bëmë propozimin të cilin e priti mirë duke na thënë se “jam krenar të vij në Shqipëri”, të shoh se si funksionon ky sistem te ju, që luftoni të vetëm kundër gjithë botës. Por me kushtin, sipas tij, që koncerti të mos marrë ngjyrë politike, edhe pse jam komunist si ju, na thoshte. Arti është përpara politikës, është më liberal, ecën më shpejt se politika. Pranoi që të na jepte programin me këngë që ne mund t’i seleksiononim. Bëri edhe një koncert në Romë, ejani shikojeni na ftoi, ku ishte i pranishëm ambasadori si dhe L. Dizdari, V. Korreshi që erdhën nga Tirana. Pasi e panë dhanë, edhe ata aprovimin. Ndërsa Vila u shpreh se mund të ndryshonim çfarë të doni. Koncerti do të jepej në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Por, duhej marrë aprovimi i qeverisë shqiptare apo jo?

Sigurisht, pasi kështu funksiononte në atë kohë. Për ta konkretizuar, kryesorja ishte që duhej bërë gjithçka e qartë udhëheqjes së Tiranës dhe si ambasadë i bëmë një informacion të detajuar shoqëruar me gjithë materialin e nevojshëm. Ndër to kujtoj frazën ku cilësuam që Vila do të ishte i pari këngëtar italian, që do të vinte në Tiranë dhe ky do të ishte një nder i madh për klasën punëtore.

Pati kushte financiare lidhur me shfaqjen?

Jo, aspak, as nuk bëhej fjalë ta diskutonim një gjë të tillë. Gjithçka pa pagesë. Sigurisht, duke i ofruar, dhënë dhurata, një praktikë e njohur për sistemin, për të ftuarit që vinin në Shqipëri.

Kush e miratoi?

Miratimi nuk vonoi dhe pas bisedash, komunikimesh edhe telefonike, propozimit dhe materialit informues që i nisëm Tiranës, erdhi përgjigjja e shumëpritur. Hoxha kishte dhënë ok. Besoj ai, por nuk përjashtoj edhe Ramiz Alinë, ata që i vinin pas tij.

Përfundimisht, vendoset që koncerti të realizohet…

Fundjanari 1985, ambasada dha një pritje për ata të shoqatës, që ishin si të shtëpisë. Bëhej fjalë për të diskutuar për aktivitetet e vitit 1985, kryesisht ato kulturore. Me shoqatën ishim shumë të lidhur, si e vetmja që organizonte edhe grupe me turistë italianë që vinin në Shqipëri. Përveç anës ideologjike, shoqata kishte edhe anën materiale, vizat gratis, interesat e saj ekonomikë etj.

Cila ishte atmosfera, situata në ato muaj lidhur me shëndetin e Enver Hoxhës?

Sigurisht që nuk kishim asnjë informacion, askush nuk dinte asgjë që ai po rëndohej, shëndeti i tij po përkeqësohej. Por, diçka ndihej që nuk shkonte mirë.

Nga e kuptonit ju?

Në ato muaj në Romë vinte vetë Sulo Gradeci dhe merrte kryesisht ilaçe për Enverin. Angazhimi i tij, të cilin e shprehte, na jepte të kuptonim se diçka nuk funksiononte me shëndetin e Hoxhës, por, siç ju thashë, asgjë të saktë nuk dinim. Thjesht duke parë shqetësimin e madh të tij, kuptohej që Hoxha ndodhej në një situatë jo të mirë. Duke qenë se Gradeci në disa raste nuk mund të kthehej me avion, pasi kishte edhe të tjera gjëra që duhet të sillte në Tiranë, e përcillnim duke e shoqëruar me makinën tonë deri në Trieste. Pastaj merrte tragetin për në Durrës. Rrugës, kujtoj që nga bisedat me të, ai shprehej, fliste për një izolim të madh, probleme në ekonomi, duheshin kërkuar, gjetur rrugë të tjera edhe në marrëdhëniet me botën. Kuptoja në njëfarë mënyre se si në Shqipëri po tentohej, kërkohej ndryshim në politikën e saj të jashtme.

Ndërkohë, kur gjithçka ishte gati, vdes Enver Hoxha…

Duhet të them se për ardhjen e Vilës në Tiranë, e mbajtëm pak në heshtje, nuk e bëmë publike. Dhe pse mendonim e gjykonim se koncerti i tij në Tiranë do të ngjallte interes e do të pritej me kënaqësi. Por, më 11 prill, vjen lajmi se ka vdekur Enver Hoxha dhe gjithçka u ndal, u pezullua. Situata u rëndua menjëherë dhe as që bëhej fjalë për një veprimtari artistike, jo vetëm për të, por për asgjë tjetër.

Si vepruat me Vilën?

E njoftuam për çfarë kishte ndodhur në Shqipëri dhe si pasojë koncerti tij anulohej. E prit me shumë qetësi. Do gjejmë një kohë tjetër e informuam dhe për justifikim. Ndërkohë, kishin ngrirë të gjitha, lëvizjet, hyrje-daljet në Shqipëri, patën një kufizim të tejskajshëm. Ndoshta me Vilën më vonë edhe mund ta kishim realizuar një koncert në Tiranë, por papritur, pas dy vitesh ai u nda nga jeta.

Ndërsa me vdekjen e Hoxhës, pezullohen të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore, sportive. Në Romë, pikërisht ato ditë hapet një ekspozitë e artit figurativ shqiptar. E kujtoni këtë fakt?

Po, mjaft mirë. Ajo ka qenë një ekspozitë “Arti figurativ shqiptar në shekuj”. U hap në një sallë moderne në EUR. Ishin bërë përgatitjet, zgjedhur salla, një sallë moderne në EUR, ishin vendosur veprat, njoftuar të gjithë, ishte e pamundur të mos e hapnim. Sidoqoftë, pyetëm Tiranën duke i informuar për rëndësinë, të ftuarit që do të vinin, kureshtjen, jehonën, interesimin. Dhe ajo është hapur pikërisht në ato ditë. Kujtoj se ditën e hapjes së saj, ishte i pranishëm edhe G. Andreoti, ministër i Jashtëm i Italisë në atë kohë. Në ditën e përurimit, nga Shqipëri erdhën edhe zyrtarë, artistë. Ajo qëndroi e hapur gati një muaj.

Nga Klaudio Vila, tek Albano, i pari këngëtar italian që vjen në Shqipëri si vizitor bashkë me prindërit…

Lidhja me Albanon erdhi nga kërkesa e të atit të tij, Karmelo, që të vinte në Shqipëri, ku kishte qenë ushtar në luftën Italo-Greke. Ishte vetë interesimi i Albanos që donte të realizonte dëshirën e të atit, që u lidh me ne dhe më qëlloi mua të isha unë shqiptari i parë që ai njohu nga afër. Edhe nga ana jonë, gjykuam se ajo ishte thjesht një vizitë dhe asgjë më shumë. Ka qenë viti 1987, shtator, hera e parë që Albano vinte në Shqipëri. Ata zbritën në Sarandë, më pas në Gjirokastër. Pastaj, miqësia me të ishte shumë intensive. Edhe djalit tim emrin Albano ia vuri ai, ende pa lindur.

Më thatë se interes për të ardhur në Shqipëri kishte shfaqur edhe aktori Mikele Placido…

Është viti 1984, kur seria e filmit “La Piovra” me aktorin Mikele Placido pati sukses, duke bërë bujë të madhe. Komisar Katani u bë figurë publike, e dashur e popullore, jo vetëm në Itali, por në shumë vende të Europës, sidomos në ato të vendeve lindore, me një efekt të madh psikologjik. Në këto shtete ai ishte i ftuar pafundësisht. Në Moskë, vizita e tij pati një jehonë të jashtëzakonshme. Edhe në Shqipëri, u projektua që ai të vinte, por kjo nuk e realizua.

Pse, për çfarë motivi?

Një e njohura e tij italo-amerikane i drejtoi një letër ambasadës, ku shprehte dëshirën e Placidos për të ardhur në Shqipëri. Më pas morëm kontakt, e pritëm në ambasadë, i premtuam dhe ajo u tregua entuziaste për vizitën e aktorit në Tiranë. Por ngjarjet që vijuan atë vit pas vdekjes së Hoxhës, dhe veçanërisht në marrëdhëniet me Italinë, të cilat ndryshuan, u ashpërsuan pas futjes së familjes Popa në ambasadë në dhjetorin e ‘85-ës. Në të tilla rrethana as që bëhej fjalë.

Më thatë diçka, një kuriozitet që lidhet edhe me aktorin Bud Spenser?

Me Bud Spenser jemi takuar disa herë. Ai kishte shumë miqësi me shoqatën e arbëreshëve dhe me ta kishte qenë në Tiranë. Ishte kënaqur, kishte njohur njerëz, parë natyrën. Por, në kthim, kishte harruar çantën e tij në hotel “Dajti”. Na njoftuam, ne u interesuam e pas disa ditëve na i sollën dhe ai erdhi e mori në ambasadë. Nga ai moment u bëmë shumë miq. Fliste me simpati, ishte admirues i Shqipërisë.

Dhe së fundi, edhe familja e këngëtares Ana Oxa kishte shfaqur dëshirën të vinte në Tiranë?

Veçanërisht nëna e saj. Ndonëse italiane, ajo ishte e interesuar, kishte shumë kuriozitet të shihte, njihte Krujën, qytetin ku kishte lindur dhe nga ishte vendlindja e burrit të saj, Qazim, të atit të këngëtares Ana Oxa. Por emri i Qazim Hoxhës ishte i skeduar si i larguar, i arratisur nga Shqipëria dhe për këtë arsye edhe asaj nuk iu dha viza që të udhëtonte për në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura