Shyqyri Çaushaj, djali nga Skrapari që po bëhet ylli i serialeve turke: Ja si ia dola!

Jan 14, 2016 | 15:55
SHPËRNDAJE

I lindur në Skrapar, por ka pak kohë që është shpërngulur për të jetuar në Turqi bashkë me familjen e tij. Shtatlartë, i bukur dhe shumë joshës, Shyqyriu për një kohë të shkurtër tërhoqi vëmendjen, ndërkohë që vazhdoi studimet për aktrim dhe e ushtron sot si profesion.

Shyqyriun mund ta shohim në shoqëri të shumë personazheve të njohur në Turqi, është prezantuar në disa seriale e filma, ndërsa në Shqipëri së fundi u vu re prania e tij si një talent i rrallë. Në këtë intervistë, aktori Çaushaj tregon edhe për pjesëmarrjen e tij në serialin më të ri turk…

12415849_10153156869142331_1540876251_o

Pse vendose të shfaqesh në serialet turke?

Pasi mbarova Akademinë e Arteve, vendosa të kryej studimet master në Stamboll. Punova në disa teatro private si asistentregjisor, kam bërë teatër rruge me firzamonikë në krah dhe me masket e paliaçit në fytyrë në sheshet kryesore të Stambollit në mes të trazirave politike në Turqi, më pas kalova në seriale.

Vlerësohet dhe paguhet puna atje më mirë se në Shqipëri?

Kjo nuk ka lidhje me pagesat më të larta apo më të ul- ëta, rëndësi ka të punohet dhe të punohet mirë, me disiplinë pune, ndërsa Shqipëria është e mbushur me palaço të papërgjegjshëm në këtë sektor. Mendoj që për disa vite nuk do të kthehem deri sa të bëj projektet, të cilat do t’i drejtoj vetë ose projekte të drejtuara nga artistë seriozë. Sa i përket vlerësimit, kam përshtypjen se këtu vlerësohesh mirë, me thënë të drejtën nuk jam i befasuar, sepse kur dal në ekran para 80 milionë shikuesve, sigurisht që disa milionë prej tyre do të të shohin dhe kjo do kthehet në një feedback me fansa dhe shikueshmëri të lartë. Mendoj se janë gjëra normale për një popullsi si Turqia, si rrjedhojë e fitimeve të larta të kompanive dhe tv filmike turke, edhe trajtimi i aktorëve bëhet në mënyrë shumë luksoze dhe serioze. Pagat që marrin aktorët, siç e dini, janë diçka te 20-fishi i atyre që merren në Shqipëri për çdo kategori.

Cili do të jetë roli që do trajtohet në personazhin e radhës?

Karakteri që luaj quhet Zafer, është një karakter që vjen nga një varfëri dhe skamje dhe familje me trauma. Ai, siç ka edhe emrin -që po ta përkthej do të thotë “Fitore”, di t’ia dalë në një qytet si Stambolli, duke bërë çdo gjë, duke përdorur çdo mjet për të realizuar qëllimin. Ai do të jetë shumë i pasur dhe i pushtetshëm, mjetet e tij zakonisht janë intrigat, kërcënimi, joshja, manipulimi, gjëra që duke i parë nga këndvështrimi i vlerave të shoqërisë duken të këqija, por unë dua të mbroj karakterin tim, duke besuar se ai e bën për një synim madhor, sublim dhe u jep të gjithëve atë që u takon. Ai përdor makina sportive luksoze dhe veshje të tilla, veset e tij janë alkooli, bixhozi, ndërsa hobet e tij janë femrat dhe shpërdorimi i parave dhe shpejtësia e makinave. Karakterin e Zaferit do ta shihni në seritë në vazhdim dhe në një marrëdhënie dashurie me një nga aktoret e famshme turke, e cila është pjesë e serialit.

12436243_10153156869072331_782841239_o

Në këtë serial pjesë do jetë edhe e famshmja Hyrem Sulltan… na tregoni më shumë?

Seriali titullohet “Göç Zamani” (Koha e emigrimit), me regji të Veli Çelik dhe drejtor fotografie maqedonasi Dimo Popov. Në rolet kryesore kemi Vahide Gördüm dhe Talat Bulut. Ahide Gördüm-in në Shqipëri e njohim si Hyremi i Sulejmanit të Madhërishëm.

Pas këtij projekti filmik, cilat janë planet e tua?

Jeta ime në Stamboll lidhet me shumë pak gjëra, por të mëdha në cilësinë e tyre, doktoratura është një pikë shumë e fortë në këtë aspekt, librat që studioj janë të panumërta, shkrimet akademike që duhet të dorëzoj janë shkencore dhe kërkojnë një rigorozitet të lartë dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloj duke lexuar, pjesën tjetër e kaloj duke xhiruar në sheshxhirim ose duke punuar me rolin në shtëpi. Bëj aktivitete sportive, ose dal për vrap në një park afër shtëpisë sime.

Kur pritet transmetimi i këtij seriali?

Seriali pritet të hyjë në transmetim në javën e dytë të janarit dhe kështu do të shfaqet çdo javë nga një seri e re.

Si është bashkëpunimi me aktore të njohura turke?

Bashkëpunimi me aktorë të famshëm si kasti që përmendëm më lart është motivues, sigurisht nga ana komerciale. Ndërsa nga ana profesionale ndiej vetëm përgjegjshmëri, e cila është dhe ndjesia që mua më ka bërë gjithmonë të bëj më të mirën si në teatër e film ,ashtu edhe në seriale.

A do ishe martuar me një turke?

Për momentin jam i përqëndruar në punën time, por ndonjëherë dashuria vjen atëherë kur nuk e pret dhe nëse do duhesha me patjetër t’i përgjigjesha pyetjes, do të thoja do martohesha me atë që do dashuroja, pa menduar se nga është, si është, nga vjen e ku shkon…

Ke vendosur të vazhdosh karrierën atje dhe të mos kthehesh në Shqipëri?

Unë do të jem atje ku është edhe puna ime, ndoshta mund të jetoj edhe në Malind, në fshatin ku kam lindur, por nëse atje nuk ka teatër dhe nuk xhiron askush filma e nuk ka studentë që mund të jap mësim apo pedagog për të marrë mësim, atëherë fillon dhe bëhesh inekzistent. Ekzistenca ime varet nga ajo që bëj dhe unë tani dua të bëj punën time.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura